Ministri Naço në burgun e Drenovës: Garantoni sigurinë dhe stabilitetin!

426
Sigal

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço vizitoi para disa ditësh burgun e Drenovës. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me ndryshimet e realizuara në këtë burg të sigurisë së lartë që nga koha e ngjarjes së nëntorit 2013, ku u arratisën 7 të dënuar të sigurisë së lartë, e deri më sot. Në mbledhjen me praninë edhe të stafit të punonjësve civil dhe policor, në fjalën e tij Ministri Naço kërkoi dhe këshilloi që të gjithë të njohin sa më mirë të drejtat dhe detyrimet e tyre në kryerjen e detyrës, për të qenë sa më efiçentë dhe produktivë. “Ky institucion është nga më të rëndësishmit sa i përket burgjeve në Shqipëri, duke qenë se është edhe institucion i sigurisë së lartë dhe me një kapacitet të konsiderueshëm të burgosurish. Për këtë arsye, kërkoj nga ju punë dhe angazhim maksimal në arritjen e një sigurie dhe stabiliteti të nevojshëm, sikurse në gjithë sistemin penitenciar. Ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë komunikim të vazhdueshëm me institucionin qendror, pra midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, jemi të disponueshëm për të garantuar mirëfunksionimin e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e të gjitha nevojave tuaja”- theksoi Ministri Naço.