Ministri Halimi dhe ambasadori i OSBE-së Volfarth: Shërbimi i provës një histori suksesi

479
Sigal

Në konferencën “Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit të Provës, dhe organeve të qeverisjes vendore”, ministri i Brendshëm, ai i Drejtësisë, dhe Ambasadori i OSBE-së theksuan një zëri, rëndësinë e bashkëpunimit nga të gjitha organet, për funksionimin sa më të mirë të shërbimit të provës. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha se: “aktualisht shtetit i kushton 6 mijë euro në vit një i burgosur ndërsa një punonjës i Shërbimit të Provës, do kushtojë më pak falë mbikëqyrjes elektronike”. Nga ana tij Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfarth kërkoi bashkëpunim mes shërbimit të provës dhe pushtetit vendor. Volfarth e cilësoi këtë shërbim si mjaft të suksesshëm, ndërsa shtoi se ky institucion i ri është një hap përpara për drejtësinë penale. “Përdorimi sa më i madh i dënimeve alternative do të bëjë të mundur edhe zgjidhjen e mbipopullimit në burgje. Edhe pse shërbimi i provës është një shërbim i ri ai ka pasur sukses dhe një pjesë e madhe e këtij suksesi i atribuohet stafit të shërbimit të provës. Është i rëndësishëm bashkëpunimi i të gjitha organeve për funksionimin sa më të mirë të shërbimit të provës”, tha Volfarth.

Mbikëqyrja elektronike së shpejti nis zbatimi

Së shpejti do të vihet në zbatim sistemi i mbikëqyrjes elektronike për personat e dënuar me masa alternative. Duke vlerësuar veprimtarinë e Shërbimit të Provës në mbikëqyrjen e personave të dënuar me masa alternative nga burgimi, ministri Halimi tha se: “suksesi i kësaj reforme na nxiti që Shërbimit të Provës t’i besojmë mbikëqyrjen elektronike”. “Inaugurimi i zbatimit të këtij sistemi është çështje ditësh. Ky sistem është nga më modernët sot në Europë dhe është një prej çështjeve që Shqipërinë e bën vend lider në rajon, tha Halimi. Sipas tij, zbatimi i mbikëqyrjes elektronike do të rrisë sigurinë publike dhe do të garantojë ekzekutimin e vendimeve penale”. Kjo reformë e fundit është bazuar në modelet më të mira evropiane”, tha Halimi, duke shprehur angazhimin e dikasterit të tij që të çojë përpara reformimin e sistemit penitenciar nëpërmjet zhvillimit dhe nxitjes së aplikimit të masave alternative të dënimit. Gjithashtu do të ulet edhe kosto që shteti paguan për këtë kategori. Mbajtja e një të dënuari në sistemin e burgjeve llogaritet afërsisht në 500 euro në muaj, ndërsa nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, kosto është shumë herë më ulët.