Kryeprokurori: PS-ja bën politikë selektive, jo funksionale

524
Sigal

Edi Rama, duke mos u ankuar në Gjykatën Kushtetuese për Kryeprokuroren, bëhet bashkëpërgjegjës, me ndryshimet kushtetuese të 2008-s

Presidenti Bujar Nishani ka filluar procedurën e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke filluar konsultimet me partitë politike parlamentare për kandidatin e ri,  pa firmosur ende dekretin,  e largimit të Ina Ramës, ngaqë e merr  të mirëqenë mbarimin e mandatit të saj. Ndërsa PS-ja, edhe pse ka kontestuar këtë procedurë, duke bërë fjalë se largimi i Kryeprokurores Ina Rama është antikushtetues, pasi mandati i saj mbaron në maj 2013, prapëseprapë mbetet deri këtu.  Kryetari i PS-së, Edi Rama pohoi që PS-ja nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa informacionet nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë fjalë se Kryeprokurorja Ina Rama do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, kur Presidenti Nishani të dekretojë largim-shkarkimin e saj. PS-ja, edhe në çështjen e Kryeprokurorit ndjek një politikë selektive, jo parimore. Si ta kuptosh ndryshe, derisa, PS-ja ngre gjysmëzërin kur thotë se, largimi i Ina Rama është antikushtetues, sepse i ndërpritet pa asnjë shkak mandati, dhe nga ana tjetër, nuk këmbëngul, nuk kundërshton që ky veprim antikushtetues të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese? Kush më shumë se PS-ja duhet të luftojë që veprimi antikushtetues- në qoftë se PS-ja është e bindur se është kështu e vërteta- i largimit të Kryeprokurores Ina Rama nga Presidenti të gjykohet edhe në instancën më të lartë të Gjyqësorit? A është një betejë politike zgjidhja e antikushtetueshmërisë së largimit të Kryeprokurores për PS-së? Apo PS-ja e gjykon vetëm si një aspekt të rëndomtë juridik, e vetëm bën zhurmë , sa për t’u justifikuar? PS-ja është bashkëhartuese e ndryshimeve kushtetuese dhe mandati i Kryeprokurores ka qenë subjekt i marrëveshjes PD-PS për ndryshimet kushtetuese. Ndaj, PS-ja duhet të thotë gjithë të vërtetën, sepse ka bashkëpërgjegjësi. Në qoftë se maxhoranca e shkel Kushtetutën dhe e shkarkon Kryeprokuroren, atëherë PS-ja duhet të luftojë politikisht, për të mbrojtur Kushtetutën, duhet të mbrojë rënien e shtetit të së drejtës. PS-ja duke deklaruar paraprakisht se nuk do të çojë shkarkimin e Kryeprokurores si veprim antikushtetues në Gjykatën Kushtetuese, dëshmon që bën politikë selektive, jo funksionale, jo në shërbim të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Edi Rama, duke mos u ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin antikushtetues të Ina Ramës, bëhet bashkëpërgjegjës si bashkautor i ndryshimeve kushtetuese. Ose më keq. Që politikën e PS-së e vë tërësisht në shërbim të interesave partiake dhe jo në shërbim e të ndërtimit e funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. PS-ja si partia më e madhe opozitare nuk mund të injorojë politikën e garimit të kandidatëve, duke deklaruar që nuk do të marrë pjesë në konsultimet për kandidatët e Prokurorit të Përgjithshëm. Asnjë opozitë nuk mund të kuptohet, kur  paraprakisht, çdo betejë politike  do ta quajë të humbur, ngaqë nuk ka…numrat në Kuvend dhe të mos përpiqet e të luftojë me mjetet demokratike të kandidimit. PS-ja nuk mund të bëjë opozitë selektive, duke kontestuar, nga njëra anë, shkarkimin antikushtetues dhe nga ana tjetër, të mos e denoncuar në Gjykatën Kushtetuese, sepse duke u sjellë kështu redukton rolin e saj, ul përgjegjshmërinë e saj dhe bëhet pjesë e bashkëfajësisë të shkarkimit antikushtetues të Kryeprokurores.