Kreditë e këqija kalojnë pragun me 21.5%

494
Sigal

Konfindustria: “KLD dhe Ministria e Drejtësisë të marrin masa të rrepta për ata që bllokojnë ekzekutimin e kolateraleve bankare

Konfindustria dhe Administratori i saj i përgjithshëm Z. Buxhuku, duke marr shkak nga të dhënat shqetësuese për tejkalimin e pragut të 21.5% të masës së kredive të këqija kundrejt portofolit të përgjithshëm të kredive të raportuara në 6 mujorin e parë të vitit 2012 vlerëson se, është me rëndësi thelbësore për qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe ekonomik të vendit vazhdimi i pandërprerë i vëzhgimit dhe marrjes së masave të rrepta nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë për përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, që bllokojnë dhe/ose vonojnë në kundërshtim me ligjin ekzekutimin e kolateraleve bankare. Praktikat e derisotme kanë treguar se, sistemi gjyqësor në mjaft raste ka vonuar deri ne bllokim të plotë ekzekutimin e kolateraleve të kredive me pasoja të rënda për : – qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe sidomos – prishjen e rregullave të konkurrencës së ndershme ndërmjet operatoreve në treg. Konfindustria në këndvështrimin e mësipërm njëkohësisht mbështet parimisht propozimin e Bankës së Shqipërisë drejtuar institucioneve të vendimmarrjes politike për të kryer të gjitha ndryshimet ligjore të nevojshme për kthimin në “titull ekzekutiv” të kontratës së kredimarrjes të kolateralit bankar. Rritja e masës së “kredive të këqija”në nivelin 21,5% të deritashme kundrejt portofolit të përgjithshëm me vlerë absolute, që tejkalon vlerën e 1,1 miliard $, e bën veçanërisht të nevojshme dhënien e lirisë së veprimit bankave të nivelit të dytë të ekzekutojnë me shpejtësi kolateralin përkatës. Në këtë kuptim Konfindustria fton institucionet e ekzekutivit dhe vendimmarrjen politike të përshpejtojë në përmirësimet e duhura në legjislacionin në fuqi për kthimin në “titull ekzekutiv” të kolateralit të kredive me qëllim bërjen të mundur të riqarkullimit me efektivitet të aseteve dhe kapitaleve financiare, të bllokuara deri më tash në biznese të falimentuara dhe tregje te ngopura, në përfitim të ekonomisë kombëtare.