Konsolidimi i drejtësisë në vend dhe imuniteti i gjyqtarëve

1257
Sigal

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj dhe personalitetet të së drejtës flasin mbi reformat në drejtësi

Reforma në gjyqësor duhet të jetë objektiv primar i të gjithë aktorëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë, u shpreh Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në takimin e IV të Palëve të Interesuara të Projektit EURALIUS III, organizuar në Tiranë. Projekti Euralius III është duke u zbatuar në një moment kyç për Shqipërinë, në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian mbi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Ky projekt është duke u zbatuar edhe në një platformë tepër të favorshme për Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka filluar zbatimin e Strategjisë Qeveritare të Drejtësisë. I pranishëm në këtë takim, ministri Halimi vuri në dukje reformat e ndërmarra deri tani në sistemin e drejtësisë, të cilat janë fokusuar kryesisht në dixhitalizimin e sistemit të drejtësisë, duke sjellë rritjen e transparencës, përgjegjshmërinë e institucioneve të drejtësisë. Në kuadër të reformave legjislative të sistemit të Drejtësisë, spikasin miratimi i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative”, si dhe hartimi i drafteve për Gjykatën e Lartë dhe Konferencën Gjyqësore Kombëtare, të miratuara në Këshillin e Ministrave javën e shkuar. Ministri Halimi u shpreh më tej se: “ekspertiza e Misionit Euralius na ka ndihmuar të finalizojmë disa studime shumë të rëndësishme për rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë. Po kështu Misioni ka përgatitur një studim shumë të mirë për shpërndarjen e numrit të noterëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, nën parimin e ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarit, i cili tashmë është duke u zbatuar në praktikë.

Ndërsa Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, u shpreh se, “Ky target institucional i përbashkët shtron përpara nesh detyra imperative, të cilat duhen koordinuar në zbatim të Strategjisë ndërsektoriale në sistemin e drejtësisë me synimin e thellimit dhe përshpejtimit të reformave në drejtësi, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe për të ndihmuar realisht në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron harmonia sociale e bazuar në ligj dhe në veprimin e tij”. Becaj shprehu vlerësime për misionin Euralius në dhënien e asistencës për reformën në sistemin e drejtësisë shqiptare. Kryetarja e Gjykatës së Larte, znj. Becaj, duke folur për projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e Gjykatës së Lartë, kaluar tashmë në Parlament, theksoi se: “Sa i përket planit të punës së Euraliusit për gjashtëmujorin e ardhshëm mendoj se ai përmban objektiva shumë të rëndësishëm, realizimi i të cilave do të kontribuojë në forcimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, konsolidimin institucional të tyre, përmirësimin e veprimtarisë së tyre të cilat në fund do të çojnë sistemin e drejtësisë në një shkallë më të lartë efikasiteti, eficence, transparence dhe përgjegjshmërie, ku përfituesi kryesor i tij do të jetë, qytetari. Ndër këto objektiva ku përfshihen të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, ndër më të spikaturit, dua theksoj atë të rishikimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë organizimin, funksionimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

 Gjykata e Krimeve të Rënda dhe aktiviteti i saj deri më sot

“Shqipëria sot është jashtë hartës problematike të krimit të organizuar”. Kështu u shpreh Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në konferencën me temë: “Praktikat e mira të drejtësisë penale”, organizuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe EURALIUS, misioni i asistencës europiane për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kreu i ministrisë së Drejtësisë tha se, “gjyqtarët e kësaj Gjykate kanë të drejtë të krenohen për kontributin e tyre në luftën pa kompromis kundër krimit dhe bandave”. Tetë vjet pas krijimit të saj, Gjykata e Krimeve të Rënda i dha fund historisë së bandave dhe krimit të organizuar në Shqipëri”.

Ministri i Drejtësisë theksoi rëndësinë e nismave ligjore të ndërmarra vitet e fundit për luftën kundër krimit, duke veçuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë, kryesisht për ekstradimin e personave të inkriminuar, miratimin në Parlament të ligjit antimafia, etj.

I pranishëm në këtë konferencë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi theksoi rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar, si dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për organet ligjzbatuese në këtë luftë.

 Ermonela Felaj: “Imuniteti, të shoqërohet me reforma të Gjyqësorit”

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj,  në një intervistë për “Telegraf” thekson se çështja e imunitetit të mos kthehet në një mashtrim për publikun duke mbjellë përshtypjen se me heqjen e imunitetit, merr fund edhe korrupsioni. Duke u nisur nga përvoja e saj në gjyqësor, zonja Felaj, thotë: “Që të ketë kuptim heqja e imunitetit duhet domosdoshmërish të shoqërohet me reforma në Gjyqësor, me depolitizimin e organeve të drejtësisë, prokurorisë, hetuesisë dhe me integritetin e gjithë punonjësve”.

Dëshira Subashi: “Heqja e imunitetit kërkon një shtet të emancipuar”

Përsa i përket heqjes së imunitetit, anëtarja  e KQZ-së, Dëshira Subashi thotë se palët politike kanë humbur një vit kohë nga koha e debatit që duhet të bëhej në ndryshimet e Kushtetutës për heqjen e imunitetit, por mbi të gjitha, ndryshimet në Kushtetutë, nuk duhet të bëhen me copëza, por të jenë një paketë të ndryshimeve në Kushtetutë, pasi, duke bërë çdo herë ndryshime të pjesshme, dëmtohet shtylla vertebrore e shtetit. Heqja e imunitetit, pohon zonja Subashi, kërkon organe të drejtësisë të pavarura.

 Nasip Naço: “Politikanët pa imunitet, të barabartë me qytetarët”

I pyetur nga “Telegraf”, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço u shpreh: ” LSI-ja është plotësisht dakord dhe e ka mbështetur nismën  e PD-së, për heqjen e imunitetit të politikanëve. LSI-ja nuk do thjesht që ne të heqim imunitetin, këtë privilegj që na jep ligji, ne politikanëve, që të jetojmë të barabartë me qytetarët. Heqja e imunitetit për të gjithë politikanët, do të bëjë të mundur, që në sytë dhe në mirëbesimin e qytetarëve, politikani të jetë i barabartë me ata. Madje, kjo nismë, që është tregues i emancipimit dhe i standardeve demokratike, duhet të ishte ndërmarrë më parë.