KGJK: Mbështesim luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë

762
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, u mblodh, për të shqyrtuar dhe diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me situatën në sistemin e drejtësisë, në lidhje me procedimet penale të kohëve të fundit ndaj gjyqtarëve të cilët akuzohen për veprën penale të korrupsionit, si dhe të deklaratave dhe qëndrimeve të ndryshme të publikuara në media, lidhur me problemet dhe performancën e pushtetit gjyqësor. Para së gjithash Këshilli Ekzekutiv dëshiron të ritheksojë angazhimin e tij për të marrë pjesë aktive dhe për kontribuuar në suksesin e reformës në drejtësi, e cila paraqitet si tepër e domosdoshme në realitetin shqiptar. Kjo reformë, e kërkuar me të drejtë edhe nga faktori dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, duhet të çojë në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, mbrojtjen sa më mirë të interesave të qytetarëve dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për këto arsye, përfaqësues të gjyqësorit kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin pjesë në grupet e punës të ngritura për këtë qëllim. Padyshim që një nga përparësitë e reformës mbetet rritja e performancës së pushtetit gjyqësor, forcimi i pavarësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Këshilli është i vetëdijshëm se në radhët e gjyqësorit ka edhe gjyqtarë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. Por nga ana tjetër ai shprehet me vendosmëri se distancohet qartësisht dhe dënon me forcë çdo shfaqje korruptive në sistemin e drejtësisë. KGJK ripërsërit angazhimin e saj të përhershëm dhe të palëkundur për një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni negativ dhe shumë të dëmshëm që cenon rëndë figurën e gjyqtarit, interesat e shtetit dhe të publikut. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit për sa i përket luftës ndaj korrupsionit në gjyqësor dhe dëshiron të theksojë se inkurajon dhe mbështet fuqimisht çdo aksion të ndërmarrë, nga çdo kush, që ka për qëllim të zbulojë apo të informojë, në çdo kohë, veprime apo fenomene korruptive në sistemin e drejtësisë. Këshilli Ekzekutiv dëshiron të sigurojë institucionet shtetërore dhe opinionin publik se do të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme dhe do të kontribuojë fuqishëm në procesin e pastrimit të radhëve të gjyqësorit nga gjyqtarë dhe fenomene korruptive, respektimin e standardeve më të larta të etikës gjyqësore si dhe promovimin e praktikave dhe masave të vlefshme antikorrupsion. Gjithashtu, Këshilli Ekzekutiv përcjell sërish shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve, në lidhje me disa deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit, të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve. Në vlerësimin e këtij këshilli këto deklarata përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqtarëve. Mendojmë se nuk është e drejtë që të identifikohet dhe të përgjithësohet puna dhe veprimtaria e trupës gjyqësore të Republikës së Shqipërisë, me akte të veçanta të cilat nuk përfaqësojnë në asnjë rast figurën dhe punën e përditshme të gjyqtarëve. Statistikat me te thjeshta gjyqësore tregojnë qartësisht punën voluminoze, të përgjegjshme dhe serioze e cila realizohet çdo dite nga qindra gjyqtare te sistemit gjyqësor. Këshilli Ekzekutiv u bën apel përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, organeve të medias, qytetarëve që të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje në shfaqjen e opinioneve dhe qëndrimeve denigruese, fyese dhe negative ndaj gjyqësorit, të cilat dalin jashtë kufijve të një kritike të shëndoshë, dashamirëse dhe konstruktive. Këshilli Ekzekutiv fton çdo kënd të denoncojë me kurajë dhe me fakte, çdo gjyqtar i cili devijon nga rruga e ligjit dhe shpërdoron besimin dhe autoritetin e dhënë nga ligji për të administruar drejtësinë.
Sigal