Ja si mund të ankimoheni kundër vendimeve të Gjykatës Administrative

4603
Sigal

Cilat janë vendimet e paankimueshme dhe hapat për dërgimin e një çështjeje për rigjykim

Av. Agim GJOLEKA

Av. Ndue PJETRA

Sipas ligjit Nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative”, mjetet dhe afatet e ankimit të vendimeve të gjykatave administrative janë të njëjta me ato të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj (Neni 44).

Vendime paankimueshme

Nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative për padi me objekt:

  • kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishti i pagës minimale në shkallë vendi;
  • kundërshtimin e aktit administrate që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishti i pagës minimale në shkallë vendi;
  • kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se njëzetfishti i pagës minimale në shkallë vendi;
  • mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirivedhe interesave kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se njëzetfishti i pagës minimale në shkallë vendi (Neni 45).

-Aktet i bashkëlidhen ankimit

1. Bashkë me ankimin duhet të paraqiten:

  • kopjet e ankimit dhe të dokumenteve të tjera në numër aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë;
  • aktin e përfaqësimit, nëse ky akt nuk është pjesë e dosjes së gjykimit.
  1. Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni ose kur ankimi nuk është nënshkruar, nuk tregohen palët ndërgjyqëse, vendimi kundër të cilit bëhet ankim ose se çfarë kërkohet me ankimin, gjyqtari i vetëm njofton palën që të ndreqë Të metat brenda 5 ditëve. Shqyrtimi i ankimit, sipas këtij neni, bëhet në dhomë këshillimi.

3. Kur ankuesi nuk plotëson ose nuk ndreq të metat brenda afatit, ankimi quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet ankuesit me vendim, së bashku me aktet e tjera të paraqitura prej tij. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e ankimit mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit.

  1. Kur të metat e ankimit janë plotësuar në afat, ai quhet i paraqitur që nga data e regjistrimit të tij në gjykatë (Neni 46).

-Paraqitja e provave të reja në ankim

Në ankim nuk mund të paraqiten fakte të reja dhe të kërkohen prova të reja, përveçse kur ankuesi provon se pa fajin e tij nuk ka mundur t’i paraqesë këto fakte ose t’i kërkojë këto prova në shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Administrative të shkallës së pare, në afatet e parashikuara në këtë ligj (Neni 47).

-Ankimi në Gjykatën Administrative Apelit

1. Gjykata ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin së bashku me aktet që i bashkëlidhen atij, vendimin e gjyqtarit për pranimin e ankimit, aktet e komunikimit të ankimit si dhe dosjen e gjykimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 35 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.

2. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga data e ardhjes së ankimit nga gjykata ku është paraqitur ankimi.

3. Gjykata Administrative e Apelit dërgon dosjen në gjykatën administrative të shkallës së parë jo më vonë se 3 ditë pas kryerjes së njoftimit të vendimit të palëve (Neni 48).

-Gjykimi në apel administrativ në dhomë këshillimi

1. Shqyrtimi i ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit si rregull bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomën e këshillimit.

2. Kryetari i trupit gjykues përgatit relacionin dhe cakton datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi. duke urdhëruar njoftimin e palëve. Sekretaria e gjykatës njofton palët rregullisht për përbërjen e trupit gjykues, datën, orën dhe vendin e shqyrtimit të çështjes të paktën 15 ditë përpara. Palët kanë të drejtë të paraqesin deri 5 ditë para seancës së shqyrtimit

të çështjes parashtrime me shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në ankim dhe kundërankim.

3. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor (Neni 49).

-Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit në dhomë këshillimi

Gjykata Administrative e Apelit në dhomë këshillimi vendos:

  • mospranimin e ankimit. në rastet kur ankimi nuk plotëson kushtet e pranueshmërisë dhe gjykata administrative e shkallës së parë nuk e ka bërë një gjë të tillë;
  • lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
  • ndryshimin e vendimit;
  • prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, në rastet kur shkeljet procedurale janë të rënda dhe për të cilat ligji parashikon shprehimisht pavlefshmërinë e vendimit apo të procedurës së gjykimit;
  • prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes, në rastet kur çështja nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihej ose gjykimi nuk mund të vazhdonte. (Neni 50)

Shpallja dhe depozitimi i vendimit

1. Vendimi, pavarësisht formës së gjykimit, duhet të shpallet detyrimisht i arsyetuar.

2. Në raste përjashtimore dhe vetëm për shkak të pamundësisë absolute, gjykata shtyn shpalljen e arsyetuar të vendimit deri në 5 ditë.

3. Brenda 7 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore (Neni 55).

box

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit në seancë gjyqësore

Gjykata Administrative e Apelit pasi shqyrton çështjen në seancë gjyqësore, vendos:

  • lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
  • ndryshimin e vendimit;
  • prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;
  • prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën administrative të shkallës së parë. në rastet e parashikuara në nenin 54 të këtij ligji (Neni 53).

Dërgimi për rigjykim

Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur:

  • gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale;
  • përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt apo vendimi ose procesverbali gjyqësor nuk është nënshkruar sipas ligjit;
  • gjykata ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me ligjin;
  • gjykata ka shkelur dispozitat e këtij ligji, lidhur me njoftimet e palëve dhe akteve, dhe kur një shkelje e tillë ka ndikuar në dhënien e vendimit;
  • gjykata ka shkelur dispozitat lidhur me përfaqësimin e palëve (Neni 54).

Presidenti Nishani njofton vijimin e procedurave për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Lartë

Në zbatim të Ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8588, datë 15.3.2000” “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, si rrjedhojë e mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për emërimin e zotit Alaudin Malaj si anëtar i Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës njofton vijimin e procedurave ligjore për emërimin e një anëtari të ri të Gjykatës së Lartë. Në vijim të procedurave të filluara më datë 20 janar 2014 për përzgjedhjen e kandidatit për një vend vakant në Gjykatën e Lartë, me qëllim për t’i dhënë edhe personave të tjerë mundësinë për të konkurruar, ftohen subjektet e interesuara që brenda datës 30 qershor 2014 të paraqesin kërkesën për t’u përzgjedhur si anëtar të Gjykatës së Lartë.

 Të interesuarit, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji, duhet të dorëzojnë në Institucionin e Presidentit të Republikës dokumentacionin si më poshtë vijon:

1-     Kërkesë me shkrim;

2-     Fotokopje të dëshmisë së arsimit të lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë (e noterizuar);

3-     Përmbledhje të karrierës profesionale e shoqëruar me vërtetimet e lëshuara për çdo rast nga institucioni, organi ku ka ushtruar detyrën, ose nga Dhomat Kombëtare të Avokatisë, Noterisë, Përmbarimit, etj.;

4-     Fotokopje të dokumentit të identifikimit (e noterizuar).

 Shënim: Dokumentacioni i kandidatëve, të cilët plotësonin kushtet ligjore në shpalljen e parë (dt. 20 janar 2014) për këtë vend vakant, emrat e të cilëve janë publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit me njoftimin e datës 24 shkurt 2014, është i vlefshëm.

Nasip Naço vizitë zyrtare në Gjermani, pritet të takoj krekat e lartë të shtetit
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço pritet të niset ditën e sotme për një vizitë zyrtare në Gjermani, ku do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë gjermane. Gjatë kësaj vizite, z. Naço do të takohet me Ministrin e Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, z. Heiko Maas, Kryetaren e Gjykatës së Lartë, znj. Monika Nöhre si dhe me Sekretarin Parlamentar të Drejtësisë, z. Christian Lange. Disa nga çështjet kryesore që priten të adresohen gjatë takimeve lidhen me ecurinë e reformave të nisura në sistemin e drejtësisë dhe rëndësinë e tyre përkundrejt proceseve integruese të vendit. Në fokus të veçantë gjatë takimeve do të jenë edhe përpjekjet e bëra në drejtim të luftës kundër korrupsionit, përafrimi me aquis dhe legjislacionin europian, si dhe përmbushja e reformave dhe sfidave për integrim, duke e konsideruar partneritetin dhe asistencën gjermane të një rëndësie të madhe.

Diplomat fallco të policëve të burgjeve dhe “malli” ushqimor
Sikur të mos mjaftonin skandalet e shumta me tenderët e ushqimeve në burgje, një tjetër skandal ka përfshirë këtë institucion. Kjo ka të bëjë me emërimet nepotike, krahinore, klanore dhe tejet të dyshimta të punonjësve të policisë. Emërimi i këtyre policëve, por edhe një pjese të mirë të drejtuesve është jashtë të gjitha kritereve dhe të implikuar në trafiqe të ndryshme gjatë kohës që kanë ushtruar detyrat. Kondrabanda, klandestinët, droga dhe të tjera vepra me rrezikshmëri kanë qenë objekti i këtyre personazheve që sot kanë uzurpuar burgjet shqiptare. Burime konfidenciale thonë se, ka policë me precedent penalë dhe punonjës që janë kthyer në shërbim të kompanive që ushtrojnë aktivitetet ndihmëse pas fitimit të tenderëve. Flitet se, askush nuk ka guximin t’i kontrollojë dhe është detyrimi ligjor dhe profesional i shërbimeve të specializuara që të vërtetojnë se, familjarët e kujt funksionari fshihen pas tenderëve dhe se këto tender janë thjesht për furnizim ushqimorë apo bashkë me to futen edhe lëndë që trullosin mendjet e të dënuarve. Pse janë zgjedhur burgjet periferike dhe jo ato qendrore ? Për këto dhe të tjera shumë shpejt do t’ju bëjmë me dije të gjithë investigimin që nga titullarët kryesor të Burgjeve, policisë së sajë dhe blerjet që bashkë me ushqimet fusin edhe “mallin” e çmuar.