Ja cilët do e ofrojnë ndihmën juridike parësore

511
Sigal

Ministria e Drejtësisë/ Rregullore për funksionimin e klinikave ligjore vendore

 Ka hyrë në fuqi urdhri më i ri i Ministrisë së Drejtësisë “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e klinikave ligjore vendore, si dhe ofrimin e ndihmës juridike parësore”. Kjo rregullore, e zbardhur në fletoren zyrtare, ka si qëllim përcaktimin e rregullave për mënyrën e funksionimit të klinikave ligjore vendore, llojet e shërbimeve të ofruara, si dhe kompetencat e tyre. Më poshtë vijon rregullorja e plotë me Urdhër nr.61, dt. 22.01.2014 të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço:

 Rregullore për përcaktimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e klinikave ligjore, si dhe për ofrimin prej tyre të ndihmës juridike parësore

 Neni 1

Objekti

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave të funksionimit të klinikave ligjore vendore, si dhe të ofrimit prej tyre të ndihmës juridike parësore.

 

Neni 2

Qëllimi

Kjo rregullore ka si qëllim përcaktimin e rregullave të hollësishme për mënyrën e funksionimit të klinikave ligjore vendore, si dhe procedurat për ofrimin e ndihmës juridike parësore në përputhje me  parimet e barazisë së të drejtave për të gjithë individët, që përfitojnë nga ndihma juridike, profesionalizmit, cilësisë, eficiencës, efektivitetit të shërbimit të ndihmës juridike, ruajtjes së konfidencialitetit dhe papranueshmërisë së konfliktit të interesit.

 

Neni 3

Llojet e shërbimeve të ofruara

Klinikat ligjore vendore ofrojnë ndihmë juridike parësore në format e mëposhtme:

a) japin informacion për sistemin ligjor në Republikën e Shqipërisë;

b) japin informacion për aktet normative në fuqi;

c) japin informacion mbi të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit, mënyrat e ushtrimit të të drejtave të individit në proceset gjyqësore dhe ato jashtëgjyqësore;

d) japin asistencë në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera këshillimi të grupeve në nevojë;

e) japin asistencë për plotësimin e kërkesës për përfitimin e ndihmës juridike dytësore, si dhe dokumenteve që duhet t’i bashkëlidhen formularit tip të kërkesës.

 

Neni 4

Kompetencat e klinikave ligjore

 

Kompetencat e klinikave ligjore janë si më poshtë:

a) organizimi, menaxhimi dhe administrimi i procedurave dhe i programeve të hartuara nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike;

b) ndihmesa e kërkuesit për plotësimin e formularit tip të kërkesës;

c) sigurimi i dokumenteve të nevojshme për plotësimin e kërkesës për përfitimin e ndihmës juridike dytësore, të përcaktuara në vendimin nr. 3, datë 25.6.2011 “Për miratimin e formularit të kërkesës për përfitimin e ndihmës juridike dhe dokumentet që duhet t’i bashkëngjiten formularit tip të kërkesës”;

d) vendosin mbi të drejtën e kërkuesit për përfitimin e ndihmës juridike parësore;

e) vendosin nëse ndihma e kërkuar është brenda fushës së shërbimeve të ndihmës juridike;

f) komunikimin e vendimeve, politikave dhe procedurat e Komisionit të të gjitha institucioneve dhe palëve të interesuara;

g) raportimin pranë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike sa herë kërkohet;

h) edukimin ligjor të publikut, përmes ndihmës që i ofrohet komunitetit me klinika lëvizëse, publikime, fushata televizive dhe në median e shkruar, si dhe masa të tjera të ngjashme, duke u kushtuar vëmendje të veçantë problemeve të grupeve më në nevojë.

 Neni 5

Vendndodhja

 Klinikat ligjore vendore do të krijohen në rrethet: Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.

 

Neni 6

Paraqitja dhe dorëzimi i kërkesës për dhënien e ndihmës juridike

 Kërkuesi apo përfaqësuesi i tij i autorizuar me prokurë, që kërkon dhënien e ndihmës juridike parësore, mund ta paraqesin dorazi ose me postë pranë klinikës ligjore vendore. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike parësore nuk i nënshtrohet asnjë forme. Ajo mund të paraqitet edhe verbalisht pranë personit të autorizuar. Personi i autorizuar pranë klinikës ligjore plotëson formularin tip të kërkesës me të dhënat e aplikuesit, si dhe llojin e shërbimit të ofruar për qëllime statistikore sipas aneksit nr. 1 që i bashkëlidhet kësaj rregulloreje dhe është përbërëse e saj. Personi i autorizuar plotëson formularin tip të

kërkesës për qëllimet statistikore.

 Neni 7

Vërtetësia e informacionit

 Në rast se konstatohet dhënia e informacionit të pavërtetë në formularin për dhënien e ndihmës juridike ose pavërtetësi në informacionin e dhënë në dokumentet që i bashkëngjitet këtij formulari, ky fakt përbën shkak për ndërprerjen e menjëhershme të ndihmës juridike dhe sipas rastit mund të përbëjë shkak për përgjegjësi penale sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.