Gjykata Kushtetuese rimblidhet të enjten, për zbardhjen e Vettingut

460
Sigal

Ditët e fundit të 2016 Gjykata Kushtetuese po bëhet
gati t’u dhurojë shqiptarëve vendimin e zbardhur të ligjit të Vettingut, një
vendim ky që i hap dritën jeshile qysh në ditët e para të 2017 zbatimit të
reformës në drejtësi.

Tetë gjyqtarët kushtetues janë thirrur për t’u takuar sërisht në mbledhjen me
dyer të mbyllura të gjyqtarëve këtë të enjte në orën 10.00.

Qëllimi i mbledhjes  siç thanë burimet jo zyrtare të Top Channel është që
të redaktojnë vendimin final të Vettingut për të cilin në 22 dhjetor u la në
fuqi me 6 vota pro dhe dy kundër. Siç thonë burimet redaktim do të thotë
interpretim i votës me shkrim  i çdo njërit prej anëtarëve, një procedurë
kjo që mund të zgjasë maksimumi dy ditë. 

Më tej  vendimi i zbardhur në të cilin anëtarët Bashkim Dedja, Vitore
Tusha, Fatmir Hoxha, Vladimir Kristo, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj e cilësojnë
ligjin e Vettingut si Kushtetues, do zbritet në sekretarinë e Gjykatës
Kushtetuese. 

Gjithashtu në këtë mbledhje duhet të argumentojnë mendimin kundër edhe dy
anëtarët e tjerë Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj. Pas zbardhjes së verdiktit të
Kushtetueses botimi në Fletore Zyrtare i hap rrugën skanimit pasuror e figurës
dhe të aftësive profesionale të  gati 800 njerëzve të drejtësisë të
cilët  janë gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve si edhe ndihmës
ligjore. 

Pas botimit në Fletore Zyrtare nis zbatimi i ligjit të Vettingut thënë ndryshe
i ligjit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Siç parashikon
ligji procedurën e parë për zbatimin e tij e nis presidenti i cili do të
deklarojë të hapur garën e kujtdo që synon të  kandidojë për tre
komisionet e  Vettingut, proces i cili do të mbikqyret edhe nga operacioni
ndërkombëtar i monitorimit. 

Sikurse thuhet në ligj, komisioni i pavarur i kualifikimit dhe Kolegji i
Apelimit janë institucionet e rivlerësimit që do të kalojnë në sitë njerëzit e
drejtësisë, ndërkohë që të parët që do kontrollohen me procedurë të
përshpejtuar do të jenë gjyqtarët kushtetues, prokurori i pergjithshëm dhe
gjyqtarët e lartë.