Gerd Hoxha: Gjyqtarët ndodhen nën presion nga politika, e cila synon fort kontrollin e sistemit

923
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili kryesohet nga gjyqtari Gerd Hoxha, zhvilloi asamblenë, në një kohë, që ndërmerret reforma në drejtësi. Më 16 shtator 2015, UGJSH i dërgoi rekomandimet e saj Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi. Kryetari i UGJSH, Gerd Hoxha, ndër të tjera, theksoi se gjyqtarët ndodhen nën presion nga politika, e cila synon kontrollin e sistemit të drejtësisë. Por, mbi të gjitha, zoti Gerd Hoxha tha se duhet t’u themi stop ankimeve kolektive ndaj gjyqtarëve, por duhet të kalojmë në përgjegjësinë individuale. Dhe duke iu referuar draftit të reformës në drejtësi, zoti Hoxha tha se është krijimi i padobishëm i mbivendosjes së strukturave të Gjyqësorit. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, për punën e vlefshme që ka bërë u vlerësua nga Dhoma e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë me certifikatën e Mirënjohjes. Shumë kritikë ndaj politikës, për shpërfilljen e gjyqtarëve në reformën në drejtësi u shprehën në asamblenë e UGJSH, Sandër Simoni, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili pyeti përse nuk ka Gjyqësori ekspertë në Komisionin Parlamentar të reformës në Drejtësi, ndërsa Artan Broci, anëtar i KLD u shpreh se ndryshimet kushtetuese të propozuara për reformën në drejtësi bëjnë që të bjerë pavarësia e Gjyqësorit. 

Gerd Hoxha, kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë: USHGJ faktor i rëndësishëm në procesin reformatues të sistemit të drejtësisë
Tashmë është fakt se, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (më poshtë UGJSH), si një bashkim vullnetar dhe i pavarur i gjyqtarëve shqiptarë, po bëhet dita-ditës një faktor i rëndësishëm në procesin reformues të sistemit tonë të drejtësisë. I mirëpresim kritikat, sepse ato na ndihmojnë të reflektojmë, por edhe fjalët e mira, sepse gjyqtarët e mirë janë shumica, por edhe sepse gjyqtarët ndodhen nën presion nga politika dhe nga fajtorë të tjerë, që nuk i lejojnë të japin drejtësi. Nuk jemi të gjithë gjyqtarët e këqij, sikurse duan disa që të na njollosin. Përgjegjësia kolektive bëhet edhe më presuese. Duhet të kalojmë në përgjegjësi individuale. Ndaj ngremë zërin: Mjaft ankimeve kolektive ndaj gjyqtarëve. Nuk ka pse të përbalten shumica e kolegëve. Janë të gjitha mekanizmat për të kontrolluar aftësinë individuale. Është i padobishëm krijimi i superstrukturave të Gjyqësorit. Nuk ka pse të përbalten të gjithë personat për shkak të një individi. Unë them me bindje që sa herë që Unioni ka qenë prezent në tavolina ne kemi reaguar dhe nuk kemi ndenjur. Ka pasur përfaqësues të pushteteve që kanë ndenjur kokulur dhe nuk kanë folur. Të reagojmë brenda kornizave tona kushtetues. Ne si Bord Drejtues mendojmë se, puna e zhvilluar deri tani në mbrojtje të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe të të drejtave të gjyqtarëve është për t’u pasur në konsiderate, sidomos nëse marrim parasysh terrenin e rënduar me deklarata e veprime ca herë në shërbim të pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor e ca herë të tjera edhe në dëm të kësaj pavarësie e veçanërisht të integritetit të sistemit gjyqësor në tërësi e gjyqtarëve në veçanti. Por jam i bindur se, mund të bënim edhe më shumë e patjetër edhe më mirë. Por, për këtë është e domosdoshme që të angazhohemi të gjithë nga pak. Vetëm kështu duke dhënë të gjithë kontributin tonë, zëri i Unionit do të dëgjohet më fort, hallet e shqetësimet tona do të dëgjohen më seriozisht e me shpresë, edhe veprimet e organeve shtetërore përgjegjëse për administrimin e drejtësisë do të jenë më konkrete. Dëshiroj t’ju bëj me dije se e gjithë veprimtaria e ndërmarrë nga Bordi Drejtues dhe nga unë në cilësinë e Kryetarit të këtij Bordi ka qenë fryt i një diskutimi dhe vendimmarrjeje pothuajse unanime. Këto veprime kanë synuar mbrojtjen e interesave të anëtarëve të Unionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së tyre, rritjes së performancës gjatë kryerjes së detyrës, etj… 

Por, të jemi realist, ende besimi i publikut tek ne, tek sistemi i drejtësisë është më nivele të ulëta. Prandaj, kjo është një sfidë, me të cilën do të përballemi çdo ditë të punës sonë që, në fund jam i bindur se do ta fitojmë pasi, besoj tek profesionalizimi, integriteti dhe përkushtimi i shumicës së gjyqtarëve, që janë pjesë e sistemit të drejtësisë sot në Shqipëri. Brenda këtij sistemi ka plot njerëz të ndershëm, madje me plot gojën do të thosha se janë shumica absolute e tij, të cilët punojnë pa u lodhur për t’i shërbyer shoqërisë, duke dhënë drejtësi, duke zgjidhur problemet që pushtetet e tjera krijojnë, pavarësisht se lihen të pambrojtur, kërcënohen, fyhen, anatemohen e paragjykohen pa të drejtë, e në mënyrë të përgjithësuar nga aktorë dhe faktorë të jashtëm, të cilët në moment të caktuara kërkojnë të shtrijnë ndikimin e tyre kontrollues brenda këtij sistemi. Gjatë kësaj periudhe një vjeçare UGJSH ka kryer veprimtari më së shumti në rrafshin kombëtar por, ka pasur mundësi të jap kontributin e tij edhe në mbrojtje të interesave të gjyqtarëve, anëtarë të shoqatave të tjera simotra në Europë. Ne, si UGJSH kemi qenë në pjesëmarrje në konferencën e dt. 06 tetor 2014 të thirrur nga Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë në lidhje me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor. Në këtë takim, UGJSH ka dhënë ide konkrete për reformimin e sistemit në drejtime kryesore si : A) rekrutimi dhe promovimi i gjyqtarëve ; B) Forcimi i mekanizmave të kontrollit, duke shkuar drejt rritjes së cilësisë së kontrollit nëpërmjet shkallëve të sistemit gjyqësor dhe jo nga inspektoriate jashtë sistemit. Eliminimi i dualizmit në kontrollin e gjyqtarëve. Inkurajimin e goditjes së rasteve në shkelje të ligjit dhe etikës nga gjyqtarët konkrete dhe eliminimi i kulturës së dënimit kolektiv. C) Sensibilizimi dhe edukimi i shoqërisë dhe mediave, për të kuptuar sa më mirë sesi funksionon sistemi, duke eliminuar në këtë mënyrë sa të jetë e mundur përfoljen dhe paragjykimin e çështjeve dhe gjyqtarëve konkret, që shpeshherë kanë një ndikim thelbësor në zgjidhjen e çështjeve konkrete. D) përmirësimi i kushteve të punës dhe jetesës së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, duke i përafruar ato me standardet e BE ose, të paktën të rajonit. Nëse kërkojmë standarde të dhënies së drejtësisë si në vendet e BE atëherë, duhet që së paku gjyqtarët të kenë standarde të përafërta me homologët e tyre në këto vende, standarde të cilat për fat të keq sot nuk janë të barabartë as me shtete në luftë e me probleme të theksuara fisnore e fetare. 

Disa deklarata në mbrojtje të pavarësisë së gjykatave dhe gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre sa i përket zgjidhjes së çështjeve konkrete, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me caktimin e masave të sigurimit ndaj personave të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Së pari dëshiroj të theksoj se, UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të bazuar në fakte dhe që kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore, forcimit të pavarësisë së gjykata dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por, nga ana tjetër UGJSH shpreh shqetësimin e tij të thellë kur sheh se, përfaqësues të lartë të politikës dhe ekzekutivit bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, të cilat nuk kanë për qëllim rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend. Ky efekt jo pozitiv rritet akoma më tepër,kur deklarata apo veprime të tilla iu referohen vendimeve të dhëna në shkallë të parë, jo ndaj “kriminelëve”, por ndaj “personave nën hetim”, të cilët sipas KEDNJ, Kushtetutës dhe K. Pr. Penale prezumohen të pafajshëm, derisa të provohet e kundërta, në fund të një procesi penal. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim të veçantë edhe procesin e emërimit të Magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Megjithëse kishte kaluar një kohë e gjatë dhe ishin zhvilluar disa mbledhje të KLD, ata ende nuk ishin emëruar, ndonëse është një detyrim ligjor për KLD-në, që t’i emëronte menjëherë pas përfundimit të shkollës. Unioni solli në vëmendje të KLD-së dhe opinionit publik se, fatkeqësisht kjo gjendje paligjshmërie po kthehet në një traditë, edhe pse është në misionin e KLD-së respektimi rigoroz i ligjit në lidhje me emërimin, transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve. Besojmë se, ky reagim i UGJSH pati një ndikim tek KLD dhe Presidenti, i cili u njoh personalisht me shqetësimin e magjistratëve të rinj dhe, duke filluar nga muaji qershor e deri në muajin shtator 2015, KLD u angazhua më seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi. Por, sërish vëmë në dukje se, tashmë kemi një brez tjetër magjistratësh të gatshëm për punë, të cilët nuk dihet se kur do të emërohen. 

Pjesëmarrje në procesin e reformës së sistemit gjyqësor të ndërmarrë nga Kuvendi. Në këtë kuadër ju bëj me dije se UGJSH ka qenë e pranishme në hartimin e projektligjit për vlerësimin e punës së gjyqtarëve. UGJSH ka marrë pjesë pothuajse gjithë tryezat e 7 nëngrupeve të punës, të drejtuara nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të zgjedhur nga Kuvendi. UGJSH është përfaqësuar nga kryetari dhe anëtarë të Bordit Drejtues, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre mjaft profesionale. Ky angazhim i UGJSH është finalizuar në një dokument prej 20 faqesh, i miratuar unanimisht nga mbledhja e Bordit Drejtues më dt. 11 shtator 2015. Ky dokument përmban një analizë profesionale e të bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare të elaboruara nga ÇEJ e Komisioni i Venecias, por jo shteruese të çështjeve të diskutuara nga GNL, të miratuara si Strategji nga Kuvendi më dt. 30.07.2015. Në përfundim të kësaj analize janë dhënë rreth 30 rekomandime drejtuar Kuvendit, në lidhje me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor. Në këtë pikë, gjej rastin të falënderoj veçanërisht kolegët gjyqtarë Artan Broci, Etleva Temo, Tereza Lami, Diamela Goxha e Gent Dokollari për opinionet e tyre me shkrim, të cilat janë pjesë integrale e këtij dokumenti të hartuar nga UGJSH. Gjithashtu gjej rastin të falënderoj në mënyrë të posaçme kolegen tonë Flojera Davidhi, e cila përktheu në anglisht në një kohë mjaft të shkurtër këtë dokument, duke mundësuar dërgimin e tij në kongresin vjetor të IAJ, të mbajtur nga dt. 5-8 tetor 2015 në Barcelonë, për t’i njohur kolegët tanë në mbarë botën me procesin e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe shqetësimet e gjyqtarëve shqiptarë në lidhje me këtë proces. Janë organizuar katër takime me përfaqësues të organizatave të ndryshme nga SHBA, të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e një projekti të ri, disa vjeçar të qeverisë së SHBA, në mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. 

Të gjitha këto organizma kanë vlerësuar UGJSH si një partner serioz dhe rolin e tij si mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë, duke ofruar edhe bashkëpunime në këto drejtime. Jemi në pritje të finalizimit të këtij procesi, i cili padyshim që do të jetë mjaft dobiprurës për ne si shoqatë, jo vetëm sa i përket realizimit të objektivave të përmendur më sipër, por edhe sa i përket rritjes së stabilitetit financiar të shoqatës sonë, i cili është kusht i domosdoshëm për efikasitetin e veprimtarisë sonë. Përveç këtij projekti, jemi në kontakte edhe me shoqata dhe organizma të tjerë vendas e të huaj për të bashkëpunuar në kuadër të projekteve të tjera si: në fushën e legjislacionit për ambientin; bashkëpunimi me mediat; etj… Në rrafshin ndërkombëtar UGJSH ka qenë aktive. Me mbështetjen e USAID u bë e mundur pjesëmarrja e Kryetarit dhe një anëtari të Bordit të UGJSH në mbledhjen vjetore të EAJ, të organizuar në Gdansk, Poloni nga dt. 15-17 maj 2015, ku morën pjesë 38 shtete nga 44 gjithsej. Në këtë mbledhje u votuan disa rezoluta mjaft të rëndësishme në mbrojtje të pavarësisë së sistemeve gjyqësore të vendeve të tilla si : Belgjika, Mali i Zi, Ukraina e Turqia. Pjesëmarrja në mbledhjen vjetore të IAJ, ku morë pjesë 83 shtete nga e gjithë bota. Në këtë kongres, unë pata disa takime me drejtues të lartë të IAJ si Presidenten e IAJ Znj.Cristina Crespo, disa nga Zv.presidentët e IAJ si Cristophe Reinard njëherazi edhe President i EAJ, Z.Duro Sesa nga Kroacia, Z.Manuel Igrea Matosh nga Portugalia, ish-Presidentin e IAJ Z. Gerhard Reisner nga Austria, Z.Giacomo Oberto sekretar i përgjithshëm i IAJ, presidentin e nderit të IAJ Z. Gunter Varosh, etj…Në këto takime i informova kolegët për zhvillimet më të fundit në vendit tonë, sa i përket situatës së sistemit gjyqësor dhe kërkova ndihmën e tyre, duke përdorur instrumentet e EAJ dhe IAJ. 
Sigal