Erion Kristo:Domosdoshmëria e avokatit për fëmijët

53

INTERVISTA/ Pedagogu dhe gazetari i mirënjohur Erion Kristo, bën një skaner total për gjendjen e shoqërisë shqiptare dhe tranzicionin e saj

Dikur Xhorxh Bernard Shou ka thënë që: “Mos humbisni kohë me pyetjet sociale. Çfarë problemi kanë të varfrit? Varfërinë! Çfarë problemi kanë të pasurit? Padobishmërinë! Çka ka thënë ky shkrimtar është sigurisht për t’u marrë parasysh, por sa i përket shoqërisë shqiptare a mjafton vetëm kaq për t’i dhënë përgjigje të gjitha dilemave dhe trazirave sociale që e karakterizojnë atë? Këtë nuk synojmë ta zgjidhim me një intervistë të thjeshtë. Por sidoqoftë shpresojmë dhe urojmë të hedhim dritë mbi zbehjen apo zgjidhjen e tyre. Për këtë kemi marrë një intervistë nga pedagogu, aktivisti dhe gazetari i mirënjohur Erion Kristo. Nga studentet dhe miqtë e tij ai njihet për çiltërsinë, batutat dhe lirshmërinë që e karakterizon. Zoti Kristo është edhe një person mjaft aktiv i shoqërisë civile. Gjithmonë atje, gati, për të ndërgjegjësuar njerëzit në mbrojtje të të drejtave të cenuara. Në këtë intervistë, ndër të tjera, do të flasim për nevojën e të pasurit të një avokati për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për masat që ka marrë dhe do të marrë qeveria për parandalimin e aksidenteve automobilistike.

 Erion, ju jeni i njohur për aktivizimin e shpeshtë në mbrojtje të të drejtave të shoqërisë shqiptare dhe demaskimin e çdo cenuesi të këtyre të drejtave. Sa i dalin për zot shqiptarët të drejtave të tyre natyrore dhe ligjore?

-Nuk ka gjë më të shenjtë se sa të drejtat e njeriut. Botës ju deshën mijëra vjet dhe dy luftëra gjigande për t’i kuptuar. Ne kemi firmosur shumicën e traktateve që lidhen me të drejtat, madje, me shumë lehtësi e pa debate, por për zbatimin e tyre, as që bëhet fjalë. Shqipëria është vendi i shkeljes me të dyja këmbët të të drejtave: e drejta e pronës, e punësimit, e strehimit, e sidomos të të drejtave të fëmijëve, që kanë një Konventë më vete, dhe rrjedhimisht, duhet të kenë instrumente kontrolli më vete. Problemi është që shqiptarët u dalin vetë për zot të drejtave të tyre, duke harruar të krijojnë institucione kolektive. Pikërisht kjo vetjakësi ka sjellë shumicën e problemeve. Nuk kemi krijuar gjëra të qëndrueshme dhe precedentë të rëndësishëm.

A mendoni se shoqëria shqiptare ka një kulturë politike nënshtruese ndaj shtetarëve të saj?

Ndoshta do të ishte sakrilegj po ta thosha unë vetë, por le të sjellim në mendje gjithë Rilindësit tanë të hershëm. Ata e kanë thënë këtë me gojën plot. (Mirë është t’i lexojmë herë pas here). Edhe sot e kësaj dite, në epokën e Facebook-ut dhe Iphone-it, ndihet qartë i njëjti qëndrim. Politika na nënshtron dhe ne i nënshtrohemi, dhe si këmbim marrim vetëm lugën bosh. Vetëm në Shqipëri politika është krejt joproduktive.

Shqiptarët sot janë para disa situatave ekonomiko-politike të vështira. Kështu, sikur t’u referohemi vetëm disave prej tyre, si rroga minimale që pësoi ulje, bileta e transportit publik urban që mendohet se do të rritet, etj. A mendoni se e lënë përgjithmonë të ngecur në tranzicion shoqërinë tonë këto masa?

-Situatat e vështira ekonomike janë të pranishme kudo në botë, madje kanë qenë historikisht. Edhe më parë, ne shqiptarët kemi përjetuar kriza ekonomike, por kurrë me parë kriza sociale nuk ka kapur këto nivele. Ndryshimi i biletës së urbanit apo i rrogës minimale nuk kanë lidhje drejtpërdrejtë me trancizionin. Por kjo me shikimin e parë. Në fakt, kanë një farë lidhjeje, sepse tregojnë mungesën e shtetit. Tregojnë atë që shteti nuk merr përsipër të kryejë detyrat e veta, dhe në këtë mes e pëson qytetari, qyqari. Lidhur me biletat, ka një abuzim të tmerrshëm institucional dhe kolektiv: njerëzit nuk paguajnë biletën, shoferët nuk marrin rrogat, faturinot vjedhin biletat, firmat vjedhin shërbimin, bashkia vjedh kohën, ministria vjedh pushtetin, e kështu me radhë në një qorrsokak. Tranzicion në këtë pikë është vetëm pingpongu, edhe pse kjo nuk ka të bëjë dhe aq me gjendjen ekonomike. Biletat rriten kudo në botë, dhe në SHBA.

Çfarë mase sugjeroni që duhet marrë domosdoshmërish nga qeveritë shqiptare që realiteti shoqëror-politik të shkojë drejt progresit dhe të kalojë këtë tranzicion të bekuar 23 -vjeçar?

-Nuk është i bekuar, por i mallkuar. Ne kemi ngritur kala në rërë dhe kjo kuptohet çdo ditë: edhe të fortët nuk po e shijojnë jetën apo plaçkën e vjedhur, pale më pastaj, të dobëtit, të pambrojturit, e të papërkrahurit. Ka dy lloj tranzicionesh: njëri është largimi nga komunizmi, tjetri është ngritja e një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Nga i pari jemi duke u larguar. Madje, mund të thuhet se qeveria e sotme ka një meritë të madhe. Duke vendosur në poste qeveritare djem e goca të reja, po shkëputen lidhjet e hershme me ish regjimin e shkuar, duke i lënë pa pushtet real shumë nga bartësit e së vjetrës. Por nga ana tjetër, kushtet e ngritjes së një shoqërie më të drejtë e më të begatë, janë ende larg. Gjasa ka.

Shumë shtete në botë kanë një Avokat për fëmijët, i cili mbron dhe promovon të drejtat themelore të tyre. Sa emergjente është nevoja për të pasur një të tillë edhe ne?

-Edhe Guatemala e ka, edhe Maqedonia e ka; shumë vende e kanë. Është e ngutshme të kemi një Avokat për fëmijët, përderisa kemi fëmijë dhe një Konventë të posaçme. Të drejtat e fëmijëve nuk mund të copëzohen, ato janë të plota dhe si të tilla duhen trajtuar. Ato nuk mund t’u delegohen institucioneve të tjera, që duan thjesht t’i kenë nën hyqëm, po që nuk ushtrojnë dot asnjë lloj trysnie reale lidhur me to. Ato duhet t’i njohin vetë fëmijët në radhë të parë, më pas prindërit dhe shteti. Këto të drejta nuk promovohen vetiu, nga dy leksione në librat e shkollës. Ato janë një shkollë jete: janë praktikë, më tepër se sa teori. Nëse i duam maksimalisht fëmijët, duhet t’u ofrojmë mbrojtje maksimale. Ose të paktën të mos mburremi se jemi një vend që i do shumë fëmijët.

Çfarë mendoni se duhet bërë ndaj fenomenit të keqtrajtimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve rrugëve të Shqipërisë?

Zbatimi i ligjit në radhë të parë dhe një strategji e përbashkët e shumë institucioneve. Po për fat të keq, pushteti vendor nuk e gjen gjuhën e komunikimit me pushtetin qendror. Thjesht është lojë shkopinjsh në rrota. Harrojnë detyrimet ligjore e elektorale. Institucionet nuk bashkërendojnë punën. Për mua është një situatë e zgjidhshme, përderisa është një situatë njerëzore.

Një fenomen i shëmtuar, që po ndodh shpesh fatkeqësisht, është edhe dhuna mes fëmijëve nëpër shkolla. Shkollat apo prindërit janë bërë aq tolerantë sa të mbyllin sytë para sjelljeve të fëmijëve?

-As shkolla, e as prindërit nuk i mbyllin sytë. Thjesht nuk kanë fuqi vepruese. Ne harrojmë se edukimi nuk është një vektor i vetëm, dhe ja lëmë fajin shkollës apo policisë. Dhuna në shkolla është shkolla e dhunës, që më vonë të jep diplomën përkatëse në tregun e dhunës, që është tregu ynë. Aty brezat e rinj mësojnë të ushtrojnë cilësi joqytetare, por që gjejnë zbatim në jetën tonë të hallavitur. Në çdo vend të botës ka fëmijë që vrasin fëmijë, por tek ne flitet dhe bëhet pak për këtë. Një dokumentar i prodhuar nga nxënësit e “Petro Nini Luarasit”, dëshmon se edukimi që fëmijët i bëjnë njëri-tjetrit, e kapërcen disa shkallë edukimin që ne si prindër, shkollë apo shoqëri mëtojmë të japim. Pra, me një fjalë, digjet i thati me të njomin, sepse standardi i cilësisë së edukimit lë për të dëshiruar. Ne duam t’i bëjmë fëmijët shkencëtarë, dhe nuk arrijmë t’i bëjmë dot, as shkencëtarë, as qytetarë. Dështim në ide.

-Në rrjetet sociale është vënë re që ju jeni edhe shumë aktiv ndaj ndërgjegjësimit dhe parandalimit të aksidenteve automobilistike (një fenomen tragjik, gjerësisht i hapur fatkeqësisht). Ku mendoni se qëndron problemi dhe cilat janë masat që duhen marrë urgjentisht për të ulur numrin e tyre? Si ju duket masa e qeverisë për të hequr nga qarkullimi përdorimin e furgonëve?

-Nuk kam qenë aktiv vetëm në rrjetet sociale, por kam bërë shumë leksione nëpër universitete, me dhjetëra emisione televizive, artikuj pa fund, lëvizje pa fund. Është një plagë shumë e rëndë që tregon krejt pafuqinë tonë kombëtare, impotencën tonë mendore. Unë nuk tërhiqem. Kam bërë shumë njerëz që të mendojnë si mua. Përpara shumë viteve, njerëzit nuk më besonin lidhur me aksidentet rrugore, por sot nuk ekziston askush që nuk e di. Mbeten shumë gjëra për t’u bërë. Lidhur me masat e qeverisë, unë mund të them se ka shumë mënyra se si mund të zgjidhet një problem. Mënyra aktuale ishte e gabuar. Deklaratat dhe gjestet publike duhet të jenë më të kursyera. Fugoni, (quhet fugon se fugon) ka ardhur si një domosdoshmëri. Vetë politika e ka shpikur. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të largohen pa krijuar lëvizje sociale, madje duke krijuar një realitet të ri, më cilësor.