Dr. Rustem Gjata/ Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe rëndësia e tij në shoqërinë Shqiptare

691

Në psikologjinë e popullit ende ruhen në njëfarë mase, zakone që janë zbatuar gjatë shekujve

E drejta zakonore është një tërësi normash juridike që rregullon të gjitha marrëdhëniet kryesore në një shoqëri dhe mjedis të caktuar midis njerëzve, burimi formal i të cilave nuk ndodhet në ndonjë urdhërim të shkruar të nxjerrë nga organi i caktuar shtetëror, por në zakonet e një mjedisi shoqëror të cilat janë krijuar gradualisht dhe pak a shumë në mënyrë spontane. Prandaj, jo rrallë, i janë kundërvënë e i kundërvihen së drejtës së shkruar. Kjo kundërvënie është për t’u theksuar sidomos ndaj së drejtës së shkruar të pushtuesve të trojeve shqiptare. Në Malësitë e Veriut, në Verilindje, në zona të caktuara të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, kryesisht në Labëri dhe në zonën e Himarës tek shqiptarët e drejta e huaj nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi të rëndësishëm. Përkundrazi, shqiptarët as kanë dashur të dëgjojnë për rregullat ligjore të pushtuesve të huaj. Studiues të huaj të së drejtës sonë zakonore e kanë shprehur këtë qëndrim të shqiptarëve në mënyrë lakonike, si p.sh. “Kur pushtuesi përpiqej të vinte në zbatim ligjet e veta, kjo shkaktonte buzëqeshjen ironike të malësorëve”; ose “Pushtues të ndryshëm mbi këto troje për të përjetësuar sundimin e vet ngritën objekte të ndryshme në fushën e kulturës e të jetës materiale, por kurrë nuk arritën të depërtojnë në jetën shpirtërore të shqiptarëve”.  Edhe në fushën e marrëdhënieve juridike – civile, si në ato familjare, të detyrimeve, tregtare, u ruajtën shumë elementë të kësaj të drejte edhe gjatë shekullit XX, ku mbi të gjitha spikat “fjala e dhënë” dhe “besa”, terma që, krahas kuptimit si institute juridike, ishin po aq edhe morale. E drejta zakonore është ndeshur sidomos në shoqëritë me rregullim fisnor, ku kanë mbisunduar deri në ditët tona format e pronës kolektive, krahas asaj private. Me konsolidimin e shtetit kjo e drejtë u mënjanua gjithnjë e më tepër, por kurrë nuk u fshi plotësisht nga vetëdija e njerëzve. Në një fazë kalimtare ka ekzistuar sistemi i zbatimit paralel i së drejtës zakonore dhe asaj të shkruar, siç ka ndodhur edhe në vendin tonë në periudhën e parë të formimit të shtetit shqiptar. Shteti tipik ku e drejta zakonore është zhvilluar pa ndërprerje deri në ditët e sotme është Anglia, por edhe aty është ruajtur më tepër në formë, pasi përmbajtja e rregullave të saj i është përshtatur vazhdimisht kërkesave të shoqërisë bashkëkohore. Teoria e së drejtës natyrore ishte në kundërshtim me të drejtën zakonore, e quante të kundërt nga sistemi i ashtuquajtur i përkryer juridik i cili buron nga arsyeja. Përkundër kësaj, teoria e shkollës historike të së drejtës që u zhvillua sidomos në Gjermani ka vënë në dukje rëndësinë e madhe të së drejtës zakonore, sepse, nëpërmjet kësaj të drejte shfaqet i ashtuquajturi shpirti dhe fryma e popullit. Pikëpamjet e kësaj shkolle janë kritikuar, madje edhe nga autorë shqiptarë. Por, megjithatë, është pranuar vlera e madhe e kësaj shkolle sepse shtronte nevojën e studimit të së drejtës zakonore si shprehje e gjendjes së mjediseve të ndryshme shoqërore. Zor të ketë shtet në Ballkan, madje dhe në Evropë ku të jenë ruajtur e zbatuar normat e së drejtës zakonore si në trojet shqiptare, në zonat e Shqipërisë që u përmendën më sipër, në Kosovë e më gjerë. Natyrisht, sot në Shqipëri zbatimi i tyre është kufizuar shumë, sa mund të themi se përbën përjashtim. Megjithatë, edhe në ditët tona jemi ballafaquar në zbatimin e tyre për cështje konkrete e ndonjëherë edhe me rëndësi të madhe shoqërore. Kur them këtë, kam parasysh ato norma që nuk bien ndesh me të drejtën pozitive në fuqi. Në trojet shqiptare kanë ekzistuar variante të ndryshme të së drejtës zakonore, por në parime dhe në çështje të tjera themelore, të gjitha janë unike. Vetëm e drejta zakonore e veriut i atribuon emrin e personaliteteve të shquara të një kohe të caktuar, si p.sh. Kanuni i Lekë Dukagjinit (i quajtur edhe Kanuni i Maleve). Ndonëse ky ka qënë një njohës i shquar dhe zbatues i normave të së drejtës zakonore, që nuk përjashtohet edhe pasurimi i saj gjatë jetës së tij, por bazën e kësaj të drejte e përbëjnë kryesisht bashkësia familjare, vëllazëria dhe fisi. Këto norma janë fryt i pasurimit gjatë shekujve, që bie në sy edhe nga vetë përmbajtja e tyre. Ajo lindi dhe u pasurua nga zhvillimi i brendshëm i bashkësive të lira fshatare dhe në konflikt me pushtuesit e huaj. Elemente të veçantë të ngjasimit të së drejtës sonë zakonore me atë shtetërore nuk mund të quhen imitime të thjeshta, pasi ato shprehnin zhvillimin e brendshëm të mjedisit shoqëror. Krejt e paqëndrueshme është teza se e drejta jonë zakonore i përket kohës së bashkësisë primitive, ndonëse në elementet e saj ka edhe gjurmë të thellësisë së shekujve. Mbijetesa e së drejtës zakonore nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e lashtë, por kryesisht me nevojën e bashkësive fshatare për të ruajtur lirinë dhe organizimin e tyre të brendshëm, si dhe për t’iu kundërvënë arbitraritetit të pushtuesit. Kjo shprehet saktë me një konkluzion të një studiuesi austriak: “Pushtues të ndryshëm shkelën trojet arbërore dhe për të përjetësuar sundimin e tyre ngritën monumente e objekte të tjera, hartuan ligje, por asnjëherë nuk arritën të hyjnë në botën e brendshme të shqiptarit, ato mbetën vetëm një fasadë e jashtme”. Qëllimi kryesor i bashkësive shqiptare ishte sigurimi i autonomisë dhe organizimi vetëqeverisës. Karakteri i gjerë dhe i përpunuar i së drejtës zakonore dëshmon se shoqëria shqiptare kishte kapërcyer stadin e një rendi primitiv, megjithë ruajtjen e elementeve të lashtësisë, sidomos lidhur me traditën, me marrëdhëniet etiko-morale, besimit të popullit, karakteri psikologjik, etnik, etj., që dëshmojë për origjinalitetin dhe burimin e brendshëm të normave zakonore. E drejta zakonore shqiptare nuk është zbatuar vetëm në zona të ngushta malore, siç interpretohet ndonjëherë, gjë që e thotë edhe Shtjefën Gjeçovi, por shumë më gjerë. Krahina të tëra kanë pasur bajraktarë, krerë, pleq e stërpleq, gjë që është vërtetuar nga vetë jeta e brendshme e tyre si në Shqipëri, ashtu edhe në mbarë trevat e Kosovës, Dibër e pjesë të tjera në Maqedoni. Madje, me emrin e Lekë Dukagjinit, e drejta zakonore zbatohet në Kosovë e deri në Himarë. Për ta ilustruar këtë po jap një shembull. Një autor kosovar në vitet 70′ të shekullit të kaluar, pasi ka botuar veprën “E drejta e obligacioneve sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit”, ka treguar se fshatarë të zonave të ndryshme i kërkonin një kopje të veprës për t’jua lehtësuar zbatimin e normave zakonore. E drejta jonë zakonore, ashtu si edhe e drejta zakonore e vendeve të tjera, madje edhe legjislacioni i shkruar në fillim të tij, në tërësi pasqyronin privilegjin e burrit ndaj gruas, pra marrëdhëniet patriarkale ku gruaja ishte përjashtuar nga e drejta e pronësisë, trashëgimit, etj. Por, ajo nuk ishte përjashtuar nga çdo e drejtë, siç është propaganduar shpesh në të kaluarën. E drejta zakonore, për efekte të caktuara njihte edhe kriterin matriarkal. Roli i gruas në shoqëri në disa drejtime i kalonte edhe kufijtë e të drejtave që ua njihte kanuni. Gruaja kishte pozitë të dyfishtë. Kështu, kur gruaja hyn ndërmjet dy personave që kishin nxjerrë armët kundër njëri-tjetrit ose ishin në grindje, pushka dhe grindja duhet të pushonin. Në jetë ka shembuj të tillë që janë shkruar, madje që edhe janë ndeshur në procese gjyqësore. Në të drejtën zakonore janë ruajtur më gjatë disa parime të cilat kanë depërtuar edhe në mbarë popullin, si “nderi”, “burrnia”, “liria e barazia midis njerëzve”, “besa”, “mikpritja”, “gjakmarrja”. Nga parime me karakter etiko-moral me kalimin e kohës ato u bënë norma të detyrueshme, shkelja e të cilave, jo rrallë, sillte pasoja të rënda. Por, ndërmjet këtyre parimeve “mikpritja” kishte karakter absolut, të shenjtë në marrëdhëniet shoqërore, madje edhe në fushën penale. Kështu, marrja e gjakut mund të falej me ndërhyrjen e miqve, vetëm për vrasjen e mikut nuk lejohej falja e gjakut, madje as vetë ndërhyrja. Kjo është shprehje e garancisë që duhet të ketë personi që shkon diku si mik, për lirinë e lëvizjes së tij dhe nga ana tjetër përgjegjësinë e kolektivit dhe individit për lirinë e tij. Këtë mbrojtje kanë edhe ndërmjetësi dhe lajmëtari. Në kanun janë përfshirë edhe një sërë normash me karakter procedural-civil dhe materialo-civil, të punës, etj. Kështu, përcaktohet kuptimi i tregtisë, kaparit, e drejta e parablerjes së tokës, huaja, dorëzania, shpërblimi i dëmit jashtëkontraktor që është gjithmonë në të holla dhe ndalimi i vrasjes së kafshës që kapet në dëm e që përkufizohet me dispozitën “Dami ka çmim, por jo pushkë”. Dua të vë në dukje se të moshuarit në zonat ku ishin zbatuar mjaft norma zakonore gjatë shekullit të XX, kishin njohuri të mirëfillta për shumë rregulla të tij, sidomos për marrëdhëniet që ndesheshin më shpesh, si p.sh. për dëmet e shkaktuara në prodhimet bujqësore, detyrimet monetare si huaja, pengu, kapari, etj., gjë që ka ndikuar në zgjidhjen e shumë çështjeve civile me ndërmjetësimin e këtyre të moshuarve të zgjedhur. Një fenomen i tillë është ndeshur dhe ndeshet edhe sot në Kosovë. Në vitin 1999, mbi pyetjen time, nëse kishte shumë padi në gjykatë nga zonat fshatare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, juristët kosovarë iu përgjigjën – ka shumë pak se zgjidhen me mirëkuptim me ndërmjetësimin e të moshuarve. Ky fenomen ndeshet aty këtu edhe sot në Shqipëri, por në përmasa më të pakta. Është kuptimplote mënyra me mirëkuptim e ndarjes së tokës në disa zona të Shqipërisë, kryesisht në Malësi, por pa përjashtuar edhe disa zona fushore, në Veri, Verilindje, në Shqipërinë e Mesme, madje dhe në Jug, në zonën e Vlorës (Labëri), në vitin 1991-1992, kur ishte miratuar ligji për tokën. Zgjidhjet në ato zona ishin pothuajse krejt e kundërta nga mënyra e zgjidhjes që parashikonte ligji për tokën. Në atë kohë u shtrua problemi – a duhej pranuar kjo mënyrë e ndarjes së tokës me mirëkuptim pa iu drejtuar ligjit? Pati mendime që nuk duhej pranuar, por ato nuk u morën parasysh, sepse ajo lloj ndarje ishte në përputhje të plotë me interesat dhe psikologjinë e banorëve të atyre zonave. Prandaj, ajo zgjidhje ishte plotësisht e suksesshme sepse askush nuk iu kundërvu, siç ndodhi me ndarjen e tokës në bazë të ligjit për tokën. Kjo tregon se në psikologjinë e popullit ende ruhen në njëfarë mase, ku më shumë e ku më pak, zakone që janë zbatuar gjatë shekujve.