Doshi video me Bamin, nën kërcënimin e armës

588
Zbardhet dokumenti i Prokurorisë, i cili kryqëzon deputetin Tom Doshi. Organi i akuzës në bazë të dëshmive dhe përgjimeve ka arritur në konkluzionin se akuza e deputetit të Qarkut të Shkodrës, për porositjen e vrasjes së tij nga Kryetari i Kuvendit është inskenim. Sipas organit të akuzës ekziston një video e dytë në shtëpinë e Tom Doshit, ku Durim Bami kërcënohet me armë nga deputeti për të dhënë dëshmi të rremë. Gazeta “Telegraf” jep relacionin e plotë të Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet dhënie autorizimi për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Relacioni i Prokurorisë
Sipas argumenteve të Prokurorisë në 7 faqe, thuhet se në sajë të hetimeve plani për një atentat të mundshëm ndaj deputetit të përjashtuar nga PS dhe demokratit Mhill Fufi u sajua nga Doshi e Mark Frroku duke përdorur 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja Durim Bamin. Në dokumentin e prokurorisë thuhet se ka qene nipi i deputetit Tom Doshi ai i cili e ka prezantuar me Durim Bamin. 
Në kërkesën që Prokuroria i ka dërguar Kuvendit, thuhet se Doshi, Frroku dhe Bami kanë krijuar prova të rreme. Sipas kësaj shkrese të Prokurorisë, ka prova se Frroku ka gënjyer me deklaratën e tij se nuk kishte asnjë njohje me Durim Bamin. Qëndrimi i deputeti u kundërshtua nga kamarierët e lokalit “Antika” në pronësi të Tom Doshit, të cilët kanë deklaruar se i kanë parë ulur në tavolinë disa herë deputetin kristian demokrat Frroku bashkë me Doshin dhe Bamin.
Edhe ky i fundit sipas Prokurorisë, e ka pranuar që ka pasur takime të shpeshta me Frrokun. Në dokument sqarohet se Bami është pyetur drejtpërdrejtë nga grupi hetimor nëse kishte njohje me deputetin Mark Frroku dhe përgjigja e tij e parë ka qenë jo. Por kur Prokuroria i ka treguar Bamit një foto te Frrokut të siguruar nga sistemi TIMS, Bami është përgjigjur se personin në fjalë e njihte, por nuk kishte dijeni që ishte deputeti kristian demokrat Mark Frroku dhe se e kishte takuar disa herë. 
Sipas hetimeve të organit të akuzës, nga përgjimet mes Doshit dhe Bamit konfirmohen akuzat e ngritura ndaj deputetëve. Bami është përgjuar në një nga dhomat e prokurorisë, ku gjatë bisedës me Doshin i ka qëndruar versionit të tij se gjithçka ishte një sajesë dhe këtë fakt sipas tij e dinte Tom Doshi dhe ai tjetri (që në këtë rast nënkupton Mark Frrokun). “Këtë gjë dimë unë, ti dhe ai”, është fjala e Durim Bamit e përgjuar nga Prokuroria dhe e përmendur në dokument.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, Bami ka dëshmuar para grupit hetimor: Doshi më kërkoi që të gënjeja. Po nga dëshmitë e 36-vjeçarit nga Fushë-Kruja, citohet shprehja: “Ministri Tahiri më kërkoi të bëja deponimin, por nuk e bëra se e dija që ishte gënjeshtër”. Durim Bami u pretendua nga Doshi se ishte vrasësi i paguar nga Meta për dy atentatet kundrejt 600 mijë eurove (500 mijë euro për Doshin, 100 mijë euro për Fufin).
Sajesa
Nga veprimet hetimore të deritanishme, thuhet në dokumentin e prokurorisë, të krijohet bindja se kjo ngjarje është e sajuar. Kjo, së pari, mbështetur në faktin që shtetasi Durim Bami ka shpjeguar në deklarimet e tij para organit procedues se tentativa për vrasjen e shtetasit Tom Doshi është inskenim. Po ashtu, ka mospërputhje midis asaj që ka deklaruar para organit procedues, me atë që ka deklaruar në videon e regjistruar nga Tom Doshi, si edhe në qëndrimin që ka mbajtur para Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në përforcim të bindjes se ngjarja është e inskenuar, organi procedues mbështetet edhe në faktin se shtetasi Durim Bami nuk ka pranuar që të bëjë kallëzim që në fillim, edhe pse është ndodhur para Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, ku ai ka patur mundësi të bëjë ligjërisht kallëzim ose deklarim. Të gjitha këto rrethana të krijojnë bindjen se kjo ngjarje është e sajuar. Nga të dhënat e hetimit të deritanishëm, ka dyshime të arsyeshme që kjo sajesë të jetë bërë edhe me dijeninë e shtetasit Mark Frroku. Siç rezulton nga të dhënat e hetimit, deputeti Mark Frroku e njeh shumë mirë shtetasin Durim Bami, por e mohon këtë fakt para organit procedues. 
Në analizë të provave, edhe pse fillimisht organi procedues i përqendroi hetimet në drejtim të sqarimit të elementeve të veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” të deputetit Tom Doshi, rezultoi se një fakt i tillë nuk ka ekzistuar. Dyshimi i shtetasit Tom Doshi mbështetet në videon që ai ka regjistruar me shtetasin Durim Bami, ku i ka kërkuar të shpreh një pohim, sipas të cilit Durim Bami ka qenë i paguar për të realizuar vrasjen e tij. Ndërkohë që në deklarimet e tij para organit procedues, ballafaqimet e realizuara mes tij dhe deputetit Doshi, përgjimet ambientale e të tjerë, shtetasi Durim Bami ka deklaruar se ato çfarë janë pohuar në video, nuk janë të vërteta. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. 
Nga të dhënat e hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme se deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në pozicionin e tyre publik dhe kapitalit financiar që disponojnë, dyshohet se kanëq kanosur shtetasin Durim Bami për të bërë deklarim të rremë. Këtë deklarim, shtetasi Bami e ka dhënë në një regjistrim video, në një ambient privat. Fakti që deklarimi i bërë në regjistrimin video është i rremë, pranohet nga shtetasi Durim Bami. Nga hetimi i kryer deri më tani, krijohet dyshimi se deputeti Mark Frroku dhe Tom Doshi, në bashkëpunim me shtetasin Durim Bami, kanë krijuar prova të rreme, me qëllim që të bëhet ndjekje penale. Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale “Kallëzim i rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, në formën e krijimit të provave të rreme, me qëllim që të bëhen ndjekje penale. Referuar shpjegimeve të Durim Bamit, ekziston dhe një regjistrim tjetër audio dhe video i bërë në rezidencën e shtetasit Tom Doshi në Durrës. Në këtë regjistrim, Durim Bami është detyruar nën kërcënimin e armës nga ana e shtetasit Tom Doshi që të deklarojë në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe për personat që kanë organizuar këtë vrasje, ku emrat e të cilëve janë diktuar shtetasi Tom Doshi. Ky filmim posedohet nga shtetasi Tom Doshi dhe nuk është vënë në dispozicion të hetimit.
Kërkesa
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi këtë të premte arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, pasi sipas hetimeve të bëra në tre javë nga Krimet e Rënda rezulton se dy kolegët deputetë kanë inskenuar atentatin e mbetur në tentativë gjashtë muaj më parë. Duke i akuzuar deputetët për tre vepra penale, “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, Prokuroria i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e Frrokut dhe Doshit, çka konsiston në vendimin për heqjen e imunitetit të deputetit.
Sigal