Dobishmëria e Regjistrit Elektronik Noterial

728
Sigal

Ky sistem bën të mundur regjistrimin e veprimeve dhe akteve noteriale, në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, në një sistem qendror dhe kombëtar

Kryeministri Berisha dhe Ministri i Drejtësisë z. Eduard Halimi inauguruan para disa ditësh Regjistrin Elektronik Noterial. Ky sistem bën të mundur regjistrimin e veprimeve dhe akteve noteriale, në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, në një sistem qendror dhe kombëtar. Përdoruesit e regjistrit janë Noterët, Dhoma e Noterisë, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjerë, si inspektorate apo investiguese, institucionet tatimore, etj. Sistemi do te jete i aplikueshëm nga data 1 mars për gjithë Shqipërinë ndërsa viti 2014 do te sjelle nënshkrimin elektronik te akteve. “Nga sot, ne ndryshojmë përfundimisht sistemin noterial, largohemi nga regjistrat e letrat dhe hyjmë në epokën digitale. Nga sot Regjistrat noteriale do të jenë tërësisht elektronikë.”- tha Ministri Halimi në fjalën e mbajtur me këtë rast. Ndërkohë kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një hap shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, i cili ndikon në rritjen e mëtejshme të transparencës. “Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në rast se shoqërohesh nga transparenca, në çdo hap ke një siguri shumë më të madhe, por edhe konsolidon një etikë të re pune, një kod të ri pune”, tha Kryeministri. Ndër të tjera ministri Halimi u shpreh se: Reforma e sistemit të drejtësisë është padyshim, një rrugë jo e lehtë. Drejtësia shpesh përballet me skeptikët, përballet me mungesën e besimit, përballet me paragjykimin. Kur folëm për planin e digitalizimit të drejtësisë kohë më parë, shumë ishin skeptikë. Sot kur kemi instaluar një sërë projektesh digitale dhe interneti është pothuajse në shtëpinë e çdo qytetari, dëgjoj përgëzime nga të gjithë qytetaret. Në digitalizuam regjistrin e pronave dhe ndërtuam një portal digital online me ZRPP.  Privatizuam dhe digitalizuam sistemin e përmbarimit, duke larguar njëherë e mirë, mosbesimin se vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen. Sot ky sistem është histori suksesi në drejtësi. Digitalizuam plotësisht sistemin gjyqësor, me një portal të vetëm unik, ku qytetarët kanë mundësi të shohin dhe dëgjojnë 24 orë në 24 se çfarë ndodh dhe çfarë thuhet në gjykata, por dhe të ndjekin online ankimet që ata bëjnë në sistem. Por një vit më parë, ne filluam reformën tonë të digitalizimit të një aktori shumë të rëndësishëm, noterisë. Një reformë historike për vendin. Krijuam një sistem digital  “One stop shop për noterët” unik në rajon. Me këtë sistem, qytetari apo biznesi nuk ka nevojë të shkojë më në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të kryer transaksione, për të marrë informacione. Qytetarit i duheshin minimumi 21 ditë dhe të paktën 4 hapa për të kryer një transaksion të një pasurie të paluajtshme. Ne e krijuam një sistem digital, ku qytetari vetëm me një hap tek noteri, kryen jo vetëm transaksionin, por paguan dhe taksat dhe tatimet,tarifat e shërbimeve për ZRPP, dhe këtë e bën vetëm për pak minuta. Ky sistem digital shmangu takimin e qytetarit me zyrtarin, largoi burokracinë por shmangu dhe kontaktin,  dhe shmangia nga kontakti njerëzor reduktoi korrupsionin. Por sot është një ditë historike për sistemin e noterisë. Noteria, pëson reformimin më kuptimplotë që prej krijimit të saj në Shqipëri.

Ne inaugurojmë Regjistrin noterial shqiptar, tërësisht digital. Ne po ndryshojmë përfundimisht sistemin noterial, largohemi nga regjistrat e letrat dhe hyjmë në epokën digitale. Nga sot Regjistrat noteriale do të jenë tërësisht elektronikë. Një ekip i shkëlqyer ekspertësh kanë punuar prej 6 muajsh në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterëve dhe Unionin Ndërkombëtar të Noterëve. Ky sistem elektronik do të bëjë të mundur  regjistrimin e akteve dhe veprimeve noteriale në një sistem qendror dhe kombëtar. Arkiva kombëtare e regjistrit noterial digital, është reforma më e re që në sjellim për reformën e sistemit të drejtësisë.

Sistemi është i lidhur me sistemin OSS – Noterët për të parë certifikatën e pronësisë si dhe ofron mundësinë që të lidhet me sisteme të tjerë kombëtarë si:

-Sistemet e Taksave, Tatimeve;

-Sistemet e Bashkive;

-Sistemet e Regjistrit të Gjendjes Civile;

-Sistemet e Përmbarimit

-Sistemet e Drejtorive të Transportit dhe Bankave.

RNSH është i instaluar në serverat me të sigurte mbrohet me certifikatat e një sigurie maksimale me mundësinë për nënshkrimin elektronik në të ardhmen. Sistemi do te jete i aplikueshëm nga data 1 mars për gjithë Shqipërinë ndërsa viti 2014 do te sjelle nënshkrimin elektronik te akteve.  Se fundi, unë doja të falënderoja se pari  Kryeministrin, që na ka mbështetur në të gjitha këto reforma, na ka inkurajuar, Shpesh dhe na ka kërkuar të ecim më shpejt, për të mirën e qytetarëve që ata t’i prekin më shpejt këto reforma, por besoj se sot kemi përmbushur një detyrim të madh ndaj tyre, por edhe ndaj gjithë noterëve te Republikës. Do doja te falënderoja ekipin e ekspertëve te kompanisë dhe ekipin e Ministrisë që me të drejtë na bëjnë të krenohemi para qytetarëve, sepse mbajtëm fjalën e dhënë para tyre, reformuam një nga aktorët e rëndësishëm të drejtësisë, por edhe pse ndryshuam epokën e letrave dhe futëm epokën digitale, duke bërë krenare mbi të gjitha Shqipërinë si i vetmi vend në rajon që futi teknologjinë e regjistrit digital noterial.  Ju faleminderit Unionit Ndërkombëtar të noterëve për mbështetjen, Ju faleminderit këshilltarëve tanë të Misonit Euralius, por një Falënderim të veçantë për të gjithë noterët e Republikës që na mbështetën në këtë reformë. Kur ne kaluam ligjin në parlament, disa kolege nuk ishin dakord me ne dhe u shprehen nga foltorja se nuk ka pse te kem kaq shume besim tek noterët, dhe nuk  pse tu jepen kaq shume kompetenca? Nga ajo dite kane kaluar 2 vjet, dhe me vjen mire që ne kishim të drejtë, kemi absolutisht besim tek ju, tek noterët, sepse e keni fituar këtë besim, me punën tuaj, me përkushtimin tuaj, me emrin tuaj gjatë gjithë kësaj kohe. Dhe do vazhdojmë të kemi besim tek puna juaj, në mënyre absolute, sepse e meritoni plotësisht. Por fuqia e një organizate varet tek drejtuesi i saj, sepse jo të gjithëve ju pëlqen të jenë nen monitorim dhe transparentë, ndaj dhe një falënderim për drejtuesit e dhomës, znj. Mimoza Sadushi, Presidenten e Dhomës Kombëtare dhe z.Fatmir Lacej, Zv.president, për përkushtimin dhe mbështetjen në këtë reformë dhe na bëjmë të ndihemi mirë dhe të themi: Ne kemi qenë aty atë dite së bashku me Kryeministrin e vendit kur ndryshuam sistemet, futëm noterinë në epokën digitale.