Dhimbje për gjyqtarin Konomi në ditën e 1-vjetorit të vdekjes

586
Sigal

 Kolegët e Konomit ngrenë supet, qytetarët:Nuk besojmë tek drejtësia!

Qyteti i Vlorës, ka përkujtuar me nderim të thellë një vjetorin e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Familjarët, qindra qytetarë, kolegë, të ardhur edhe nga qytete të tjera të vendit, kanë formuar kortezhin gjigand, që gjatë gjithë paradites, është drejtuar në Babicë, për të bërë homazhe e vendosur lule mbi varrin e Skerdit. Një mal i madh me lule, mbi këtë varr të veçantë, për nga arkitektura, por edhe për tragjiken që përcjell. Dhimbjen këtyre njerëzve, ua shton foto e gjyqtarit, ku dallohet një buzëqeshje e lehtë, sikur do të thotë: Ju faleminderit që më kujtoni. Çasti më prekës shënohet kur mbi varr varet e bija, Sibora, që edhe pse fëmijë, një breshëri lotësh derdh mbi pllakën e mermertë, ndërsa belbëzon si një cicërimë zogu: “Babi, më ka marrë malli shumë”. Këtë vit ajo hyn në klasën e parë, me dhimbjen, që nuk do ta çojë i ati, sikurse i kishte premtuar. Kurrë ndonjë varr tjetër nuk ka “mbajtur mbi shpinë”, kaq shumë lule, sa ky i Skerdit, gjyqtarit me emër të mirë, djalit të vetëm të bashkëshortëve Konomi, dashuria e rrallë e Enkelejdës dhe miku i pazëvendësueshëm i kolegëve.

-Dhimbje e revoltë.

Vlora e ka ndjerë deri në kockë dhimbjen për gjyqtarin Konomi edhe në këtë ditë të 1 -vjetorit të vrasjes së tij. Kjo ka disa shkaqe dhe ai që të shkakton revoltë është se edhe pas 1 viti institucionet e shtetit nuk kanë gjetur dhe arrestuar autorët e këtij atentati të mirëfilltë mafioz. Sidoqë u premtua shumë, shteti dhe institucionet e tij që e kanë për detyrë, ndjehen të qetë edhe në këtë ditë të 1 vjetorit. Një shkak tjetër është se gjyqtari u vra për shkak të një konflikti që kish për pronën, ku figuronte pronarë i ligjshëm dhe shkaku i atentatit duke i marrë jetën Skerdit është i qartë, sikurse dihen edhe palët në konflikt. Po Skerdi Konomi ishte edhe një intelektual i rrallë, një gjyqtar, për të cilin nuk u dëgjua një fjalë e keqe, ishte një bashkëshort, prind dhe mik i pazëvendësueshëm. Kësisoj për njerëz të tillë, dhimbja është e shumëfishtë.

-Kolegët kokulur

Ndërsa qytetarët shohin kolegët e Skerdit, gjyqtarë e prokurorë, avokatë e hetues, që bëjnë homazh e vendosin lule mbi varrin e tij, bëjnë edhe pyetjen në heshtje. Përse nuk ngulni këmbë për të zbuluar autorët? Kjo është drejtësia që përfaqësoni?Bashkë me pyetjen, qytetarët përcjellin edhe mesazhin e tyre: Nuk kemi besim tek drejtësia!

-Dera e mbyllur e Konomëve

Në një vjetorin e vdekjes së të birit, Fotaq Konomi ka mbyllur derën e shtëpisë. Janë vetëm të afërmit që bluajnë dhimbjen e tyre, ndërsa nuk janë pranuar edhe njerëzit e medias. Na thonë se shkaku është, pse shtëpia e prindërve të gjyqtarit ruhet nga policia për të evituar ndonjë pasojë pas denoncimeve që kanë marrë pjesëtarët e familjes.

Policia e Vlorës bën shërbim 24 orë në shtëpinë, ku banon Enkelejda dhe dy fëmijët e saj të mitur. Më shumë se sa përkujdesje, kjo përkthehet në një klithmë se tragjedia nuk ka përfunduar dhe se rrezikohen pasardhësit e gjyqtarit. Është ky një shkak më shumë, që institucionet e shtetit duhet të gjejnë autorët e kësaj vrasje nga më makabret. Kjo është thirrje edhe për kolegët e tij, që janë të bindur se nëse do t’i kish ndodhur ndonjërit prej tyre, gjyqtari Skerdilajd Konomi, do të kish bërë detyrën, do të bënte drejtësi, sikurse e bëri deri në ditët e fundit të jetës së tij të re.

_______________________________________________________________________________

REAGIMI

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë me rastin e një vjetorit të vrasjes së gjyqtarit Konomi

Ditën e djeshme u bë një vit nga vrasja makabër, e tipit mafioz, e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Drejtësia humbi një gjyqtar të nderuar, të aftë e kurajoz; familja humbi njeriun më të dashur; ne gjyqtarët humbëm kolegun e shokun, ndërsa shoqëria mori një goditje domethënëse në sigurinë e saj në jetën e përditshme.  Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në këtë përvjetor të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal. Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Ndaj gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse për të intensifikuar punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj. Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend.

__________________________________________________________________________________________

Kush e fsheh krimin?

Shteti, qeveria, policia duket se nuk po kryejnë detyrën e tyre,(me vullnet ose pavullnet) ndërkohë që çdo ditë dalin me fjalime ekzaltuese për luftën ndaj krimit të organizuar. Kaloi tashmë një vit nga vrasja më e rëndë nga mënyra e ekzekutimit dhe nga rëndësia, siç qe ajo e gjyqtarit, Skerdilajd Konomi, por asnjë zgjidhje nuk kemi dëgjuar. Vrasja e tij me eksploziv ishte një ngjarje tepër e rëndë për opinionin publik në Vlorë dhe jo vetëm. Edhe pse policia ka deklaruar se është mjaft pranë gjetjes së autorëve, deri tani nuk ka asnjë dyshim apo të arrestuar. E gjitha kjo situatë është për të ardhur keq sepse tregon për paaftësinë e shtetit për të goditur krimin ose më keq akoma, tregon se ajo ka qenë e implikuar me segmente të caktuara të krimit, të cilëve normalisht nuk ju leverdis zbardhja e ngjarjes. Goditje ndaj njerëzve të drejtësisë janë bërë shumë, mbi të gjitha prej rasteve që ata kanë pasur në dorë në çastin e ekzekutimit. Mjafton të përmendim këtu atentatin e largët të datës 21 shkurt të vitit 1999 ndaj kryetarit të Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, i cili mendohet të jetë vrarë për një çështje pronësie. Por ajo asnjëherë nuk u vërtetua. Edhe gjyqtari Konomi kishte trokitur në dyert e Prokurorisë duke denoncuar abuzimet me pronat. Ai akuzonte për falsifikim dokumentesh palën kundërshtare, që pretendonte pronën që, me vendim të Gjykatës së Lartë i ishte kthyer familjes Shallvari, trashëgimtar i së cilës ishte dhe gjykatësi. Lidhje indirekte me çështjen ‘Konomi’ pati edhe vrasja e inspektorit të njohur të SHIK-ut në Durrës, Isa Çopa, pasi ai ishte duke hetuar mbi vrasjen e gjyqtarit Konomi. Pra, mendohet se autorët e ekzekutimit të dhunshëm të Konomit janë autorë dhe të vrasjes së Isa Çopës, apo të nxitjes së tij për të kryer aktin final. Gjithçka deri më tani mbetet një amalgamë hamendësimesh që burojnë nga kontakte dhe burime të ndryshme të përditshmërisë shqiptare, duke krijuar në bazë të tyre një çoroditje masive, ndërsa të gjithë presin hetim të vërtetë profesional dhe zbardhje të ngjarjes që goditi drejtësinë shqiptare. Enigma e vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, mos gjetja dhe dënimi i autorëve të këtij atentati të tipit mafioz, përmbys çdo premtim e angazhim të Qeverisë se, në Shqipëri ka drejtësi, se drejtësia është e pavarur etj… Më e keqja në kaosin informativ që ka përfshirë këtë çështje dhe shumë të tjera që ndodhin çdo ditë në rrugët e qyteteve, ku jetojmë, është se askush nuk ka bërë investigim të vërtetë lidhur me të gjitha këto. Krimi godet çdo ditë, por ama kriminelët shëtisin të lirë dhe nuk goditen. Kjo është për të ardhur keq dhe duket se po e përmbushim pikë për pikë sloganin që na kanë ngjitur perëndimorët: Shqipëria, vendi më i varfër në Europë, i korruptuar dhe i qeverisur prej mafies!

B.B.