Besa e Rilindjes, tradhëtohet në Lezhë

536
Sigal

Të premten e 3 tetorit, lajmi për një debat të ashpër mes kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Meta qarkulloi nëpër tavolina gazetarësh, por pa mundur të përcaktohej qartë shkaku se përse dy aleatët kishin mbërritur në një pikë të tillë. Burime të Kryeministrisë pranonin me gjysmë zëri përplasjen mes tyre, ndërsa në LSI të gjithë evitonin të flisnin. Në një investigim disa ditësh, Lapsi.al zbuloi se të premten e 3 tetorit, një njësi e policisë së Lezhës kishte shkuar për të ndaluar kryetarin e bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha dhe kryetarin e këshillit të qarkut, Pashk Gjoni. Sektori i krimit ekonomik në drejtorinë e policisë së Lezhës, kishte përgatitur një dosje mbi disa ndërtime abuzive në Lezhë, ku sipas këtij sektori dy drejtuesit lokalë kishin përgjegjësi ligjore. Policia këtë dosje ia kishte përcjellë ministrisë së Brendshme në Tiranë, nga ku me siguri ka rrjedhur lajmi për mundësinë e ndalimit të kryebashkiakut të Lezhës. Burime të Lapsi.al thonë se efektivat e drejtorit të policisë Niko Brahimaj kishin kohë që kishin nisur një hetim paralel me atë të prokurorisë, e cila gjithashtu po heton mbi ndërtimet e paligjshme në Lezhë, ku kryetari i Bashkisë akuzohet për shpërdorim detyre. Policia ka të drejtë ligjërisht të zhvillojë si investigim ashtu edhe ndalim në kushtet e flagrancës e më pas çështja i kalon prokurorisë. Lajmi e ka alarmuar kryetarin e Bashkisë, Viktor Tusha, i cili po atë ditë, më 3 tetor, është nisur urgjentisht për në Tiranë, ku mësohet se është takuar me drejtues të LSI. Pas këtij takimi, Tushës i është këshilluar të ikë jashtë Shqipërisë dhe lapsi.al konfirmoi se ai është larguar po atë ditë në drekë për në Romë. Njerëzve të afërt Tusha u tha se po shkonte për një vizitë mjekësore në Itali. Ndërkohë, sipas Lapsi.al Ilir Meta ka kontaktuar me kryeministrin Rama tepër i revoltuar për këtë veprim të policisë. Për Metën ka qenë provokues fakti se për një çështje që po e hetonte prokuroria, është futur në lojë sektori i krimit ekonomik të Niko Brahimajt, duke e sjellë rastin deri në prag të ndalimit të njeriut të LSI në Lezhë. Nga ana tjetër, po sipas Lapsi.al, Prokuroria ka patur një dosje për bashkinë e Lezhës për çështjen e një pallati të ngritur pa leje në një zonë të kategorisë B, dhe për këtë disa inspektorë të bashkisë kishin kaluar në një proces gjyqësor. Ndërsa vetë kryetari i Bashkisë nuk ishte pjesë e këtij procesi. Por një tjetër dosje, që është në duart e prokurorisë në fazë hetimi, është ajo që ka të bëjë edhe me kreun e bashkisë së Lezhës dhe për të cilën hetoi paralelisht edhe policia. Koincidencë ose jo, lapsi.al zbuloi se një javë më pas, të enjten e 10 tetorit, ndërsa nuk gjendej në Shqipëri, prokurori i kësaj çështje u transferua në Berat nga kryeprokurori Adriatik Llalla. Prokurori lezhian ndoshta është menduar se mund të ndikohej nga zhvillimet që kishte marrë ky rast. Në këtë dosje, dyshimet për shpërdorim detyre për Tushën, mund të kenë të bëjnë me disa ndërtime të tjera, të cilat janë denoncuar edhe nga instituti i monumenteve. Bëhet fjalë për rreth 16 objekte të ngritura brenda zonës së kalasë, që përcaktohet si zona A, ku ndërtimet janë rreptësisht të ndaluara. Këto ndërtime janë po ato që shtynë krimin ekonomik të policisë së Lezhës të kërkonte procedimin për Viktor Tushën. Ndërsa prokurori i çështjes u transferua nga Lezha në Berat, Lapsi.al pretendon se edhe Niko Brahimajn e pret i njëjti fat; do të largohet si drejtor i policisë së Lezhës dhe në vend të tij do të shkoj drejtori i Shkodrës.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Lezhës Viktor Tusha dhe policia e këtij qyteti kanë përgënjeshtruar investigimin e Lapsi.Al, se më 3 tetor ka pasur një përpjekje për burgosjen e Tushës, përpjekje e cila ka përfunduar me një sherr mes kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të lartë të LSI-së. Policia e Lezhës ka theksuar se nuk ka ndonjë urdhër arresti, për kryetarin e bashkisë Tusha dhe nuk ka asnjë kërkesë të prokurorisë për të nisur hetimet.

REAGIMET

 Deklarata e Vasilit për kryebashkiakun e Lezhës

 Kryetari i grupit parlamentar të LSI -së Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp, ku doli për të folur për vlerësimin e Standard and Poor’s, i pyetur nga mediat, mbi ekzistencën e një dosjeje penale të përgatitur nga Policia e Lezhës për kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Viktor Tushën, përfaqësues i LSI-së, tha se të tilla zëra janë intriga të nxitura nga dëshpërimi për ndryshimet që po pëson Lezha. “Janë qartësisht intriga të neveritshme të nxitura nga një dëshpërim i madh për hovin e madh të ndryshimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Bashkinë e Lezhës, ku pikërisht gjurma dhe vullneti i palëkundur i drejtimit profesional dhe politik dhe kompetenca e Viktor Tushës ka qenë e palëkundur”, -u shpreh ai.

Deklarata e kryebashkiakut Tushaj

“Në Lezhë nuk janë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, dhe për këtë jam i hapur për çdo lloj hetimi dhe të gjitha akuzat ndaj meje të cilët janë bërë nga individë që duan t’i prishin imazhin Lezhës janë shpifje dhe trillime. Ju garantoj se Bashkia e Lezhës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e hapur për çdo lloj hetimi nga organi i akuzës. Ju garantoj se nuk do të jetë peng i asnjë interesi privat dhe nuk do të bjerë viktimë e asnjë lloj intrige që gatuhet nëpër kuzhinat të njerëzve të cilët kanë interesa individuale dhe politike në Lezhë. Kjo ka ndodhur pasi ata nuk kanë gjetur mbështetje nga kryetari i bashkisë dhe administrata, kjo njësi vendore është e hapur për të gjithë për të monitoruar aktivitetin e tyre publik”, tha Tushaj. Ai garantoi qytetarët se do të vazhdojë trendi i zhvillimit për Lezhën dhe s’ka askush forcë që të na ndalojë këtë zhvillim. “Në Lezhë nuk ka asnjë ndërtim me leje në kundërshtim me ligjin të gjitha ndërtimet që janë pa leje janë të paligjshme, ndërsa ndërtimet me leje nëse ju bien ndesh projekteve të zhvillimit të Lezhës do të prishen. Projektet e nisura në Lezhë me standarde europiane do të bëjnë që historia të bashkëjetojë këndshëm në këtë qytet. Këto investime do t’i japin një pamje tjetër Lezhës”