Berisha vijon me akuzat: Sekreti bankar, në duart e deputetëve trafikantë

551
Sigal

Përplasja për Bankën/Berisha: Dosja “top sekret” e BSH-së, në Kuvend. Meksi: Fantazi filmash

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi të shtunën se dosja “top sekret” e Bankës së Shqipërisë ka rënë në duart e trafikantëve, vrasësve dhe hajdutëve të Parlamentit. Në denoncimin e tij, deputeti demokrat tha se dosja, e cila është nxjerrë nga Banka përmes anëtares së Këshillit Mbikëqyrës Ermelinda Meksi dhe më pas është fotokopjuar në Parlament, përmban kodet e hyrjes dhe daljes në dhomat e kasafortave të BSH-së, ku gjenden gurë dhe monedha të çmuara, lingota floriri si edhe kartëmonedha. Por, ndaj këtij denoncimi ka reaguar anëtarja e KM-së, Meksi, e cila hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga Berisha, duke i cilësuar ato si pjesë të një fantazie të sëmurë të ish-kreut të qeverisë. Sipas Meksit, para denoncimit, deputeti demokrat do të jetë frymëzuar nga Demi Moore tek filmi “Banka e diamanteve”.

 Alarmi i Berishës

Sipas deputetit të PD-së, pas serverit të tatimeve, i ka ardhur radha dosjes sekrete të Bankës së Shqipërisë që të jetë në duart e atyre që ai i cilësoi si trafikantët, vrasësit dhe hajdutët e Parlamentit. “Sipas burimeve nga Parlamenti, pesë ditë më parë është dorëzuar vjedhas, thuhet nga Ermelinda Meksi, dhe fotokopjuar në Parlament dosja më sekrete e Bankës së Shtetit, e cila përmban të gjitha kodet, hyrjet dhe daljet sekrete të dhomave të kasafortave ku ruhen thesaret e gurëve, monedhave të çmuara, lingotat e floririt, kartëmonedhat e vendit si dhe vendndodhja dhe inventari i plotë i këtyre të fundit”, – thekson Berisha. Më tej në denoncimin e tij, ish-kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje guvernatores në detyrë, Gjoni, që të kërkojë përforcime për mbrojtjen e Bankës së Shqipërisë. “Baronët e drogës, trafikantët, vrasësit, pengmarrësit e Parlamentit kanë tanë në dorë çdo sekret të Bankës së Shtetit. I bëj thirrje guvernatores në detyrë të kërkojë përforcime për mbrojtjen e Bankës dhe objekteve të saj dhe të nisë me shpejtësi ndryshimet e kodeve, çelësave, mekanike dhe elektronike, të sistemeve të sigurisë se Bankës, për të mbrojtur vlerat bankare të shqiptarëve para se të sulmohen dhe grabitën nga bandat e qeverisë! sb”, – përfundon mesazhi i Berishës.

Reagimi i Ermelinda Meksit

Ndërkaq, në përgjigjen e saj, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi, tha se deklaratat e deputetit demokrat cenojnë rëndë pavarësinë e institucionit më të rëndësishëm monetar të vendit. “Në mënyrë qesharake një ish-kryeministër, ish-president dhe ende deputet, thotë “sipas burimeve nga Parlamenti”, pyes nga kush në Parlament, nga kryesia, nga fotokopjuesja, apo nga roja tek dera, meqë zotëria paska të dhënën se qenkan fotokopjuar?! Qenkan fotokopjuar, sipas tij, sekretet e bankës, a mos vallë ka parë mbrëmë filmin me Demi Moore-in mbi “Bankën e Diamanteve” dhe i doli sot në ëndërr? Po cili anëtar i Këshillit Mbikëqyrës e ka këtë atribut? Po ta kishin do t’ia kishin dhënë të tijtë që i depersonalizon deri në keqardhje”, – shkruante ajo. Më tej, duke cituar thirrjen e Berishës për guvernatoren që të marrë masa për përforcimin e sigurisë dhe ndryshimin e kodeve të sigurisë, Meksi theksoi: “Po nëse ato qenkan në kompetencën e saj dhe zotëria i ditka aq mirë, nga do t’i njihja unë ato? Kur, sipas Rregullores nr. 73, datë 14.10.2009 e Regjimit të Hyrje-Daljeve dhe Lëvizjes në ambientet e BSH-së, si anëtare e KM part time,unë nuk kam as akses hyrje në Bankë?”, – u shpreh Meksi, duke akuzuar Berishën se po kërkon të mbulojë guvernatorin Fullani. “Kjo është gjuhë e denjë për një individ që vetëm raporti mjekësor mund t’i gjejë alibi. Zonja guvernatore në detyrë: Sqaroje zotin Berisha se anëtarët e KM part time nuk kanë akses hyrës në Bankë, kur edhe për të hyrë në mbledhjet e KM duhet të na shoqërojë dikush nga Ju dhe jo më të dimë kodet etj.”, – mbylli reagimin e saj anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës.

Reagimi i dytë i Berishës: Sa herë që denoncoj skandale, thonë se është fantazi. Nuk mbulohet dielli me shoshë

“Vetëm dy orë pas denoncimit të dorëzimit vjedhurazi të dosjes me sekrete të Bankës dhe fotokopjimit të saj në Parlament, Edi Rama me zëdhënësen e tij për Bankën përpiqet të mbulojë diellin me shoshë dhe të fshehë skandalin e radhës, rënien e sekretit bankar të shtetit në duart e trafikantëve, vrasësve dhe hajdutëve të Parlamentit. Në deklaratën e tij, ai cilëson denoncimin tim si fantazi e sëmurë. Më duhet t’i rikujtoj se kjo ka qenë akuza klishe e Ramës dhe e miqve të tij për çdo denoncim timin të skandaleve të mëdha të qeverive socialiste, si p.sh. në rastin e vjedhjes së thesarit të Kërrabës apo vjedhjes së serverit të Tatimeve, përdorimit të avionëve për transportin e drogës dhe përdorimit të aeroporteve dhe bazave ushtarake për trafik droge. Kështu, floririn numizmatik të Bankës e quajtën qymyr, vjedhjen e serverit të Tatimeve fantazi të sëmurë, Riformaton e quajtën mushkonja etj. Është fatkeqësi e vërtetë kombëtare që thagmat, skandalet dhe aferat e Ramës dhe qeverisë së tij tejkalojnë çdo fantazi!”