Bardhyl Berberi: Kush janë kontingjente të Vetingut?

Ky është vendi i hajdutëve . Dhe me hajdutë nuk i referohem vetëm atyre që abuzojnë me detyrën apo me tenderë dhe koncesione,  por dhe ata  dredharake të paaftë dhe të pashkolluar rregullisht, me diploma të blera apo të falsifikuara që qëndrojnë në krye të punëve të rëndësishme të shtetit. Ata  ngjitin shkallët e karrierës, jo me djersën e ballit, por me servilizëm  ndaj shefave apo eprorëve të tyre, duke shkëmbyer burrërinë me privilegjet, integritetin me favoret. Kjo është ajo armata e rrezikshme  që hap çdo derë , që nga parlamenti ku ulen si përfaqësues të popullit, deri tek postet e tjera më të larta që marrin nga beniaminët e tyre që drejtojnë partitë. Në çdo derë që trokasim gjejmë nga këta gjysmë  intelektualë që, ndonëse kanë qenë ngelës që në shkollën 8 vjeçare,  por kanë marrë  medalje ari si sahanlëpirës. Ata gjendet në çdo zyrë, pranë çdo ministri, çdo drejtori,  mund të jenë  dhe  vetë drejtorë. Ata  gjendet në parlament, biznes privat, spital, shkollë, dhe padyshim në çdo pallat. Ata i njohin të gjithë,  pasi kanë më shumë vetura luksoze, vila dhe llogari bankare se sa vite shkolle.  Madje, dihet publikisht, se kujt kodoshi i shërbejnë dhe nga iu rrjedhin shumat marramendëse. Ata ngrihen në mëngjes dhe shikojnë veten në pasqyrë dhe, çuditërisht ,duken të pastër si ujë burimi… Vetingu, pëshpërisin me njëri tjetrin, na çanë kokën me këtë vetingun, por çfarë do të na bëjnë ! … Eh ka ligje, por ka dhe shtigje ku ne mund të rrëshqasim si ato ngjalat… Ne jemi të virgjër, thotë me qesëndi një tjetër, do të na marrin lekët që kemi vënë, po pse aq budallenj jemi ne, të mos i kemi siguruar me emra të tjerë  ...jashtë vendit.  Shijojeni luksin, krekosuni vëlla, ata duan të na nxjerrin nga dera, ne do të futemi nga dritarja në parlament … Po ky Blushi ëndrra sheh, kërkon të pakësojë numrin e deputetëve  nga 140 në 100 deputetë  ..Shkurtojeni numrin sa të doni, ne aty do të jemi,  ju të zotët profesorë do të ngelni prapa liste si Lipe Shtogu. Ato gjenden në gjirin apo në krye të organizatave jo qeveritare ku me paratë e destinuara për të varfrit, pleqtë, kënaqin grykësinë e tyre që i kanë vënë në ato organizata .

Natyrshëm lind pyetja, po ku janë ata?

  Ata janë ish pushtetarë dhe  pushtetarë aktualë që i kanë bërë duart pis. Por ata gjenden në universitete ku kërkojnë pará nga studentët për të kaluar provimet. Ato gjenden në administratën shtetërore, ku për çdo shërbim kërkojnë zarfin nën tavolinë. Ato gjenden në gjykata ku ngopin zorrët me gjakun e të pafajshmit. Ata  i gjejmë në spitale, farmaci, madje edhe furra buke ku përziejnë miellin me bojë. Ata e kanë mendjen të vjedhin. Të vjedhin tek nafta, të shesin fruta e perime me hormone, të  vjedhin vota i blejnë votuesit me thasë me miell. Dhe  pasi marrin karrigen pas zgjedhjeve  kërkojnë  3-5 mijë euro për një vend pune, kërkon favor seksual për një rrogë të ulët shteti. Ata  fitojnë  tenderë  që është  copa e madhe e mitmarrjes. Ata  na  dalin  në televizor dhe na flasin  për shpresën, të ardhmen e ndritur dhe reformat. Me një mal abuzimesh  ata  qëndrojnë gjithmonë jashtë burgut, nuk iu dridhet kurrë qerpiku dhe gjumin e bëjnë të qetë … Por me miratimin e Vetingut  një  zë  i brendshëm  ka filluar t’ua prishi gjumin. Ndonjëri që ka bërë shumë zullume dhe ka filluar të flejë me valiume. Një ditë madje, një prej tyre  po blinte valiume në farmaci, ndërsa dy fakirë fukarenj po diskutonin për Vetingun  me shpresën e madhe, që gjërat do të vihen në vend.

- E more ju hakërrua ai dy  bashkëbiseduesve …Na çatë kokën me këtë Vetingun ju apo mendoni, se Vetingu do të jetë si ato gjyqet partizane…