Aministia – Rrëfimi i të riut: Doja të ndiqja shkollën, por…

470
Katër persona, të cilët vuajnë dënimin në burgun e Durrësit si dhe një 19-vjeçar që është në paraburgim, kanë shijuar lirinë për më shumë se dy orë.
Ata janë ulur përballë dhjetëra gjimnazistëve të Durrësit, autoriteteve të burgut si dhe ministrit Ylli Manjani.
Sigal

Takimi ka qenë i hapur dhe ka vijuar me pyetje e përgjigje mes palëve. Gjatë takimit është bërë publike dhe historia e të riut Justinian Ndreka, nga Durrësi, i cili prej afro tre muajsh është kyçur në qeli, pasi akuzohet për vjedhjen e një kasaforte me 40 milionë lekë.

Vjedhja pohohet të jetë kryer në shtëpinë e një artisti durrsak në shtator të këtij viti. 19- vjeçari kishte punuar në banesën e artistit disa ditë para vjedhjes duke vendosur një tendë, ndërsa priste të niste shkollën e lartë.

Por, një ditë pas vjedhjes, policia ka mësyrë në shtëpinë e familjes Ndreka dhe ka prangosur djalin e tyre si autor të dyshuar për vjedhjen e kasafortës. 19-vjeçari, djalë i një familjeje me probleme ekonomike, ka deklaruar në polici se nuk kishte të bënte me ngjarjen, duke argumentuar se vjedhja e kasafortës kërkonte së paku dy persona, për shkak se rëndonte 100 kg.

Por, fjalët e Justinianit nuk janë marrë parasysh nga prokurori i çështjes. Pasi tregoi për ngjarjen, Ndreka tha se ligji nuk funksionoi në këtë drejtim.

“Doja të ndiqja shkollën për informatikë. Konkurrova dhe njëkohësisht nisa të punoja. Thonë ‘ligji’, por cili ligj?! Unë nuk kisha asnjë gjë në dorë që të mos vija këtu ku jam sot, në burg! Akuzohem padrejtësisht. Kasaforta rëndonte 100 kg, unë nuk kam hyrë në atë shtëpi”, – pohoi i paraburgosuri.

Ndërsa, mësohet se Gjykata ka kërkuar nga prokuroria një hetim të ri për çështjen e 19- vjeçarit.

REAGIMI I MINISTRIT

“Këtë të ri e ka këputur shpirtërisht arrestimi dhe burgu. Edhe nëse e merr pafajësinë, ai nuk do të jetë më i njëjti, pasi ka provuar burgun dhe qëndrimin aty. Kjo është e patolerueshme që vetëm mbi baza dyshimesh të burgosen njerëzit”, – reagoi Ylli Manjani.

Ministri i Drejtësisë iu kundërvu arrestimeve të personave të dyshuar, arrestime të cilat policia i publikon për çdo ditë nëpërmjet pamjeve filmike të saj. “Nuk duhet t’i arrestojmë më njerëzit mbi bazë dyshimesh. Të dalim si në filmat amerikanë western dhe të kërkojmë më pas të jemi qytetarë të Bashkimit Europian. Të arrestuarve u del fytyra në televizor dhe kur e vërteta të dalë në dritë, këta njerëz janë dëmtuar”, – tha Manjani. Ndërsa, për sa u përket pyetjeve të të burgosurve dhe gjimnazistëve në lidhje me amnistinë, ministri u shpreh: “Amnistia për të burgosurit mbetet pjesë e paketës, por ende nuk ka një draft konkret për personat që do të jenë përfitues, pasi eksperienca e vitit të kaluar ka treguar që, ata që kanë përfituar janë bërë përsëritës të veprave penale. Kemi parë sot (dje) në gazeta shumë shifra e numra për personat që do të përfitojnë. Nuk janë të vërteta, sepse drafti është në hartim. E kemi nisur amnistinë për ta bërë dhe po e përgatisim. Ata që kanë moshë të thyer, të pamundurit fizikisht, të miturit, përdoruesit e drogës dhe gratë që nuk e kanë vendin në burg, por në shtëpi, do të përfitojnë nga amnistia”.