‘Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur!’

1330
RONALD REAGAN
Fjalim i mbajtur në Berlinin Perëndimor në mbështetje të parimeve demokratike, më 12 qershor 1987
NJË FAKTOR MIRËKUPTIMI E KARAKTERIZONTE presidencën e Ronald Reaganit, që ishte përuruar më 21 janar 1981. Natyra e tij rrëzëlluese përhapte një besim qetësues, njohuritë e tij të sakta mbi botën përhapnin siguri dhe humori i tij vetëshpotitës e lidhte me amerikanët e thjeshtë. Ndërsa Niksoni dukej se mishëronte mundimet e të qenit president dhe Xhimi Karter mishëronte paaftësinë për t’i kthyer parimet në vepra, Reagani e bëri presidencën të ngjante si një punë argëtimi. Një nga replikat e tij më të goditura ishte: “Është e vërtetë që nuk ka vdekur njeri nga puna e rëndë. Por pse të rrezikosh?” Jo më kot Reagani njihej si Komunikuesi i Madh dhe platforma e tij e taksave më të ulëta, e qeverisë më të vogël, e vlerave të vendlindjes, e financave të balancuara dhe e një buxheti ushtarak të majmë, i bënë të ashtuquajturit “Demokratë të Reganit” të ndërrojnë bindje dhe të mblidhen rreth tij.
Siç dihet, karriera e parë e Reaganit qe ajo e aktorit kinematografik dhe televiziv, ndaj dhe fjalimet e tij politike qenë gjithmonë pa asnjë të metë. Ai do ta udhëzonte hartuesen e fjalimeve të tij, Peggy Nooan, duke i bërë të qartë se çfarë dëshironte të thoshte dhe ajo ia hartonte fjalimet në përshtatje me stilin e tij të thjeshtë. Kritikët e tij do të citonin shpesh të kaluarën e tij prej aktori, duke e parë presidencën e tij si një triumf të paraqitjes ndaj përmbajtjes. Por ka një pikë në të cilën bashkohen si kritikët ashtu dhe admiruesit e tij: Reagani qe një lider që u delegonte mjaft pushtet vartësve të vet, dhe po ashtu qe njeri që karakterizohej nga bindje të palëkundura e jetëgjata, mbi të cilat u mbështet politika e Shtëpisë së Bardhë.
Askund nuk ishte më e qartë kjo sesa në qëndrimin që ai mbajti ndaj Bashkimit Sovjetik, të cilin, duke braktisur gjuhën e detantës, ai e quajti “perandoria e së keqes”. Liberalët e përqeshën gjuhën e tij prej libri komik, por ajo pasqyronte besimin e tij në imoralitetin që qëndronte në themel të sistemit politik sovjetik.
Në qershor të vitit 1987, Reagani u shfaq përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, qytetin emblematik të Luftës së Ftohtë, sikurse kishin bërë përpara tij presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbajtur një fjalim. Ai vuri në dukje kontrastin midis begatisë, pasurisë kulturore dhe lirisë që kishin kultivuar banorët e Berlinit Perëndimor qysh nga viti 1945, me “prapambetjen” e botës totalitare përtej Murit të Berlinit – një botë që, sikundër e përshkroi ai, “i bën një dhunim të tillë shpirtit”. Por Reagani kishte gjithashtu dhe një program, i cili përmblidhej në kërkesën e tij: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov… nëse ju kërkoni liberalizim… shembeni këtë mur!”. Nga njëra anë, kjo ishte pjesë e dukshme e retorikës politike. Por kohët po ndryshonin me shpejtësi, sepse tani në krye të Bashkimin Sovjetik, ishte një reformator, Mikhail Gorbaçovi, një njeri me të cilin Regani nënshkroi po atë vit traktatin e pakësimit të raketave. 
Reagani e parashikoi se “ky mur do të bjerë. Sepse ai nuk mund t’i bëjë ballë besimit; ai nuk mund t’i bëjë ballë të vërtetës.” Dy vjet më pas, Muri i Berlinit vërtet u rrëzua. Historianët mund të debatojnë se deri në ç’masë kontribuoi presidenca e Reaganit për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. 
Vitet e fundit të jetës së Reaganit qenë të mjegulluar nga sëmundja e Alzajmerit. Edhe pse ditët e fjalimeve tanimë kishin marrë fund, Komunikuesi i Madh e la përsëri një lamtumirë elokuente, por këtë herë vetëm të shtypur: “Unë tani po nis udhëtimin, që do të më shpjerë në perëndimin e jetës sime”.
NJËZET E KATËR VJET MË PARË, Presidenti Xhon F. Kennedi vizitoi Berlinin dhe i foli popullit të këtij qyteti e mbarë botës nga Bashkia e Berlinit Perëndimor. Dhe qysh atëherë kanë ardhur njëri pas tjetrit në Berlin edhe dy presidentë të tjerë amerikanë. Sot unë po bëj vizitën time të dytë në qytetin tuaj. Ne presidentët amerikanë vijmë në Berlin, sepse është detyra jonë të flasim për lirinë në këtë vend. Por më duhet ta pranoj që ne vijmë në këtë vend edhe për arsye të tjera: ne na bie këtu ndjenja e historisë që ndihet në këtë qytet, 500 vjet më të vjetër se kombi ynë; na bie këtu bukuria që kanë Grunewald-i dhe Tiergarten-i, por mbi të gjitha na bie këtu guximi dhe vendosmëria juaj. Ndoshta kompozitori Paul Lincke kuptoi diçka mbi presidentët amerikanë. Ju e shihni që, si shumë presidentë amerikanë përpara meje, unë erdha sot këtu sepse kudo që shkoj e çfarëdo që bëj, Ich habnoch einen Koffer in Berlin – unë e kam ende një valixhe në Berlin.
… Prapa meje qëndron një mur, që rrethon sektorët e lirë të këtij qyteti, një mur që është pjesë e një sistemi të gjerë barrierash që ndajnë të gjithë kontinentin e Evropës. Që nga Baltiku e deri në jug, këto barriera e përshkojnë Gjermaninë me gjerdhet e telave me gjemba, e me mure prej betoni, me qen kufiri e me kulla vrojtimi. Më larg në jug, këto gjerdhe mbase nuk janë të dukshme e mbase nuk ka mure të vërtetë, Por mbeten përsëri rojet e armatosura dhe pikat e kontrollit me të njëjtat roje të armatosura, që kufizojnë po aq të drejtën e udhëtimit e që përbëjnë përsëri një instrument për t’u imponuar të gjithë njerëzve të thjeshtë vullnetin e një shteti totalitar. Megjithatë, është këtu në Berlin që ngrihen më të dukshme se kudo këto mure. Këtu, duke përshkuar tejpërtej qytetin tuaj e nëpërmjet foto lajmeve dhe ekranit të televizionit, këto mure kanë ngulitur në mendjen e mbarë botës këtë ndarje brutale të një kontinenti. Duke qëndruar përpara Portës së Brandenburgut, çdo njeri e ndien veten një gjerman të ndarë nga njerëzit e gjakut të tij. Këtu çdo njeri është një berlinez i detyruar të vështrojë mbi një dregëz plage.
… Aty ku katër dekada më parë ishte një gurishte, sot në Berlinin Perëndimor shtrihet zona më e madhe industriale që ka ndonjë qytet në Gjermani – shtrihen blloqe të tërë me zyra të zëna me punë, shtëpi dhe apartamente të bukura, shëtitore krenare dhe lëndina të gjera të parqeve. Aty ku dukej se kultura e qytetit qe shkatërruar, sot ka dy universitete të mëdhenj, ka orkestra dhe një opera, ka teatro dhe muze të panumërt. Aty ku kishte skamje, sot ka begati në ushqime, në veshje e në automobila – të mirat materiale të mrekullueshme të Ku’damm-it . Nga shkatërrimi e nga gërmadhat ju berlinezët, në liri, keni ndërtuar një qytet që renditet përsëri si një nga më të mëdhenjtë e botës. Sovjetikët mund të kenë pasur plane të tjera. Por, miqtë e mi, kishte ca gjëra që sovjetikët nuk i llogaritën: Berliner Herz, Berliner Humor, ja, und Berliner Schnauze – zemrën berlineze, humorin berlinez, po, dhe berliner Schnauze.
“Edhe sovjetikët vetë mund… të arrijnë 
ta kuptojnë rëndësinë e lirisë”
Në vitet 1950, Khrushovi parashikonte: “Ne do t’ju varrosim juve”. Por në Perëndim ne shohim sot një botë të lirë që ka arritur një nivel begatie dhe mirëqenieje të paparë në tërë historinë njerëzore. Në botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënien e standardeve të shëndetit e madje dhe mungesën e gjërave më themelore – deri tek ai pak ushqim sa për të mbajtur frymën gjallë. Edhe sot Bashkimi Sovjetik nuk arrin ende të ushqejë veten e vet. Pas këtyre katër dekadave, përpara gjithë botës ka dalë në shesh një përfundim i madh e i pashmangshëm: Liria shpie në begati. Liria i zëvendëson me mirësjellje dhe me paqe urrejtjet e vjetra midis kombeve. Liria është fitimtare.
Tanimë edhe sovjetikët vetë mund të arrijnë, në një kohë të caktuar, ta kuptojnë rëndësinë e lirisë. Ne po dëgjojmë shumë nga Moska mbi një politikë të re të reformave dhe të hapjes. Disa të burgosur politikë janë liruar. Disa agjenci të huaja lajmesh nuk janë më të bllokuara. Disa ndërmarrje ekonomike janë lejuar të veprojnë me më tepër liri nga kontrolli shtetëror. A janë këto fillimet e ndryshimeve më të thella në shtetin sovjetik? Apo mos janë vetëm ca lëvizje të 
1 Hotel luksoz në Berlinin Perëndimor (shën. Përk.)
2 Një referencë për konceptet reformiste të perestrojkës dhe gllasnostit.

vogla, të caktuara për të zgjuar shpresa të rreme në Perëndim, ose të forcojnë sistemin sovjetik pa e ndryshuar atë? Ne e mirëpresim ndryshimin dhe hapjen, sepse ne besojmë që liria dhe siguria ecin së bashku, besojmë që përparimi i lirisë njerëzore vetëm e fuqizon kauzën e paqes botërore.
Ka një shenjë që mund të japin sovjetikët e që do të ishte e pagabueshme, një shenjë që do ta shpinte shumë përpara çështjen e lirisë dhe të paqes. Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse kërkoni paqe, nëse kërkoni begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore e nëse kërkoni liberalizim, ejani te kjo portë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë portë! Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur!
… Sot qyteti lulëzon, pavarësisht nga sfidat që nënkuptohen nga vetë prania e këtij muri. Çfarë ju mban juve këtu? Sigurisht që ka shumë për të thënë për qëndrueshmërinë tuaj e për guximin tuaj shpërfillës. Por unë besoj se është diçka më e thellë, diçka që përfshin të gjithë pamjen e frymën e mënyrën e jetesës së Berlinit dhe jo thjesht ndjenjën. Askush nuk mund të jetojë gjatë në Berlin, pa u zhveshur plotësisht nga iluzionet. Ato duhen zëvendësuar me diçka që i ka parë vështirësitë e jetës në Berlin, por ka zgjedhur që t’i pranojë ato, diçka që vijon ta ndërtojë këtë qytet të mirë dhe krenar në kontrast me praninë totalitare që e rrethon… Diçka që flet me zërin e fuqishëm të pohimit, diçka që i thotë “po” këtij qyteti, që i thotë “po” të ardhmes e që i thotë “po” lirisë. Me një fjalë, unë do të thosha se ajo që ju mban juve në Berlin është dashuria, një dashuri e thellë dhe e qëndrueshme.
“Bota totalitare i sheh edhe simbolet e dashurisë e të lutjes si një fyerje”
Ndoshta kjo na shpie në rrënjë të çështjes, në dallimin më themelor që mund të ketë midis Lindjes dhe Perëndimit. Bota totalitare krijon prapambetje, sepse ajo i bën një dhunim të tillë shpirtit, shtyp hovet njerëzore për të krijuar, për të gëzuar e për t’u lutur. Bota totalitare i sheh edhe simbolet e dashurisë e të lutjes si një fyerje. Vite më parë, përpara se gjermano lindorët të nisnin rindërtimin e kishave të veta, ata ngritën një strukturë shekullare: kullën e televizionit në Alexander Platz (Sheshin Aleksandër). Në të vërtetë qysh atëherë autoritetet i qenë futur punës për të ndryshuar atë që e shihnin si cenin më të madh të kullës dhe e trajtuan sferën e qelqtë në majë me pikturime e me kimikate të çdo lloji. Megjithatë, edhe sot e këtë ditë kur i bie dielli asaj sfere, asaj sfere që ngrihet përmbi të gjithë Berlinin, drita bën shenjën e kryqit. Edhe në atë pjesë të Berlinit, sikurse në të gjithë qytetin, simbolet e dashurisë dhe simbolet e lutjes nuk mund të shuhen.
Ndërsa shikoja një moment më parë nga Reichstagu, nga ai mishërim i unitetit gjerman, vura re ca fjalë të shkruara keq me spraj në faqe të murit, mbase nga ndonjë i ri berlinez: “Ky mur do të rrëzohet. Bindjet bëhen realitet” Po, në mbarë Evropën ky mur do të rrëzohet. Sepse ai nuk mund t’i bëjë ballë besimit e sepse nuk mund t’i bëjë ballë të vërtetës. Muri nuk mund t’i bëjë dot ballë lirisë.
… Ju faleminderit e Zoti ju bekoftë!
Sigal