Zona e Gramshit, bazë e LANÇ dhe mbrojtëse e Shtabit të Përgjithshëm gjatë Operacionit Gjerman të Dimrit

1885
Familja e Gani Bicit dhe banorët e Fshatit Lenie dhanë një kontribut të veçantë si pjesëmarrëse në formacionet partizane 
Mustafa KOÇERRI
Për Gramshin kam shkruar edhe herë tjetër, për njerëzit e tij të mirë e punëtorë, mikpritës e bujarë, të gatshëm për të të ndihmuar, njerëz me kontribute e tradita patriotike e të tjera cilësi të mira. Midis shumë prej tyre do të përmendja familjen e Nevruz Tafës, topografit që shërbeu derisa doli në lirim në Brigadën e Ushtrisë në Gramsh, për Shahin dhe Enver Hasa, babë e bir nga fshati Kurat, për familjen e Bardhit në Kërpicë e shumë të tjera. Por, këtë radhë do të përshkruaj shkurtimisht fshatin e Lenies dhe, më konkretisht, njërën prej familjeve të tij, atë të Gani Bicit. 
Pozicioni gjeografik i fshatit Lenie
Pasi lë pas urën mbi lumin e Vërçës, në fshatin Bulçar të Gramshit ndahen rrugët, njëra për në fshatin malor të Lenies dhe majtas për në liqenin e Dushkut, një vend ky, sa i bukur dhe piktoresk, i cili ndodhet rrëzë malit të Komianit. Fshati i Lenies ose Shënepremtja siç i kanë thënë më parë ndodhet në skajin lindor të rrethit të Gramshit, afro 50 km larg tij. Ai rrethohet nga male të larta nga të gjitha drejtimet me lartësi nga 1500 m deri në 2373 m të lartë. Lenia është e vendosur në vargmalet Valamar- Sogor-Koshnicë, vargmale këto me një sipërfaqe disa qindra km katrorë. Fenomenet akullnajorë kanë bërë që në këto vargmale të krijohen 14 liqene me origjinë akullnajore, ku midis tyre do të përmendja Liqenin e Zi në malin e Lenies. Fshati i Lenies në Veri kufizohet me rrethin e Pogradecit, në Veriperëndim me disa fshatra të Gramshit si, Sojniku, Rëmathi dhe Bulçari, në Lindje dhe Juglindje kufizohet me fshatrat Strelcë, Gopesh dhe Moglicë. Relievi ku është vendosur fshati relativisht është i lartë me pjerrësi të ndjeshme, me kodra, pllaja e male, duke e bërë këtë fshat me bukuri e kontraste të veçanta. Malet e Valamarës dhe Lenies i rrinë fshatit si një kurorë e bukur mbi krye duke ia shtuar kështu edhe më shumë bukurinë këtij fshati tipik malor. Numri i familjeve që banojnë sot është më i vogël se ai që ka jetuar para viteve 90-të. Por, edhe sot ata që banojnë atje me punën e tyre të palodhur edhe në ato kushte të vështira terreni dhe moti vazhdojnë jetën, duke iu përkushtuar më shumë blegtorisë dhe pemëtarisë të cilat i favorizon terreni dhe klima. 
Kontributi i familjes së Gani Bicit në Luftën Nacional Çlirimtare
Në periudhën e LANÇ banorët e Fshatit Lenie kanë dhënë një kontribut të veçantë si me pjesëmarrjen e shumë prej tyre në formacionet partizane ashtu edhe mbështetjen e ndihmën e tyre me çka mundin e kishin në këtë zonë të thellë e të varfër. Një nga këto familje që ka dhënë kontribut të veçantë e konkret ndaj LANÇ është edhe ajo e Gani Bicit. Në Operacionin e Dimrit 1943-1944, një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ do të shkonte nga Labinoti për në Vithkuq të Korçës për të ndjekur e parë më nga afër luftimet në këtë zonë e për ti dhënë impulse e goditje më të forta forcave gjermane. Pasi lë pas Gjinarin e Elbasanit, SHP arrin në fshatin Galigat të Gramshit, në shtëpinë e nënë Zyrasë, ku ajo me shpirtin e madh i pret dhe i mban në kasollen e saj, duke therur edhe dhinë e vetme që ajo kishte. Nga fshati i Galigatit Shtabi i Përgjithshëm ku bënin pjesë edhe Enver Hoxha e Spiro Moisiu i shoqëron Ali Qeti deri në fshatin Kisht, duke i strehuar në shtëpinë e File Musait dhe djalit të tij Kadri Musait. Për arsye se zona kontrollohej nga forca të shumta balliste me në krye Xhaf Balin, Shtabi i Përgjithshëm u detyrua të strehohej dhe qëndronte për 3-4 ditë në këtë shtëpi. Pasi u gjet momenti i përshtatshëm Shtabi i Përgjithshëm i shoqëruar nga File dhe Kadri Musai nisin përsëri marshimin drejt qafës së rrezikshme të Lenies (ose Shënepremte siç i thoshin atë kohë). Gjatë këtij udhëtimi të vështirë me borë e mot të keq Kadri Musai sëmuret rëndë e nuk mund të vazhdonte më tej, ndërkohë që ishin futur në territorin e fshatit të Lenies. Në këto kushte ai i kërkon anëtarëve të Shtabit që ta linin në shtëpinë e mikut të tyre Gani Bicit, pasi aty ishte i sigurt, e kishin mik të vjetër familjar. Kur arritën në shtëpinë e Gani Bicit ishte pas mesnate dhe nuk ishte gdhirë. Babai i Ganiut, pasi i ndjen dhe i takon njerëzit që vinë në shtëpinë e tij shkon dhe i thotë të birit:
“Çohu ka ardhur Enver Hoxha vet, me disa partizanë të tjerë”. Ganiu ngrihet menjëherë dhe nuk po i besonte fjalëve të babait derisa e pa dhe u takua me të gjithë. Me gjithë kërkesën e Gani Bicit dhe babait të tij për të qëndruar Shtabi i Përgjithshëm në shtëpinë e tyre, ata vazhduan rrugën pasi koha ishte e kufizuar dhe duhej ta kalonin qafën pa u gdhirë për të mos u rrezikuar. Në këtë moment Enver Hoxha i thotë Ganiut: “Ne nuk qëndrojmë këtu, por duhet të na sigurosh jetën e shokut tonë, Kadri Musait, kështu ti e ke bërë detyrën”. Pasi qëndruan shumë pak Shtabi i Përgjithshëm i shoqëruar nga Gani Bici dhe File Musai kalojnë qafën e Lenies pa u ndodhur asnjë shqetësim. Kadri Musai qëndroi 14 ditë në këtë shtëpi, duke i shërbyer me të gjitha mundësitë që ata kishin, dhe pasi u bë mirë nga ndihma në familjen e Gani Bicit i shoqëruar prej tij duke e prezantuar tek banorët e fshatit si dajën e tij u shoqërua deri në Lozhan të Korçës, duke u bashkuar me forca të tjera partizane. Pozicioni i shtëpisë së Gani Bicit bënte të mundur mbajtjen e saj në vëzhgim nga forcat e ballit, por edhe në këto kushte kjo familje i gjente mundësitë për t’u dhënë ndihmë partizanëve si me ushqime ashtu edhe për t’u larë e veshur me rroba me ato mundësi që kishin. Në një rast tjetër kjo shtëpi ka strehuar dy partizanë të plagosur në luftimet e zhvilluara në Qafën e Gjarprit dhe Gurin e Prerë, të cilët i kanë shoqëruar për në fshatin Grabovë e prej këtej ata do të çoheshin për në Spitalin Partizan i cili ndodhej në malësitë e Pogradecit. Por, moti i keq dhe gjendja e rëndë e dy partizanëve që shoqëroheshin nga Gani Bici e kanë bërë rrugën deri në Grabovë për 6 orë, nga 1.5-2 orë që bëhet normalisht. Si pjesëmarrës aktivë në LANÇ dhe kontributin që ka dhënë në përhapjen e saj jo vetëm në fshatin e tij, por edhe në krahinë Gani Bici është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, si me medaljen e çlirimit, të trimërisë etj. Gjithashtu, për merita të veçanta në këtë luftë, në shtëpinë e tij është vendosur pllakat 
“Kjo shtëpi ka qenë Bazë e Luftës Nacional Çlirimtare”. 
Kujdesi i Ramadan Bicit për ruajtjen e vlerave dhe restaurimin e shtëpisë së tyre në Lenie
Në gjurmët e prindërve të tyre kanë ecur edhe fëmijët e Ganiut si, Qazimi, Rustemi, Mersini, Bylyrja, Ramadani dhe Mustafai. Ata janë njerëz punëtorë, intelektualë e të shkathët, të zgjuar dhe gjithmonë të dalluar e përkushtuar për punët e detyrat që kanë kryer. Ata edhe pse kanë ikur nga fshati shkojnë shpesh atje dhe takojnë e çmallen jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me vendin ku u lindën dhe u rritën. Dashuria, nostalgjia për vendin e lindjes, për origjinën, por edhe për mundin dhe sakrificat e prindërve të tyre ka bërë që Ramadani ta restaurojë këtë shtëpi duke i dhënë asaj një pamje tjetër, më të bukur e më të këndshme si brenda ashtu edhe ambientet jashtë saj, duke i zbukuruar me pemë e lule të shumta që ka mbjellë e që kujdeset në çdo kohë për mirëmbajtjen e tyre. Edhe pse Ramadani ka kryer detyra të ndryshme, ai nga nostalgjia për fshatin e lindjes ka kërkuar vetë dhe aktualisht është mësues në fshatin e Lenies. Kjo ka bërë që ai të jetë një njeri i dashur dhe i nderuar nga bashkëfshatarët e tij ashtu si edhe e gjithë familja e Gani Bicit jo vetëm në fshatin e Lenies, por edhe në gjithë rrethin e Gramshit. Faktet historike janë marrë në një bashkëbisedim me djalin e madh të Ganiut, Qazim Bicin. Në vitin 1982 mua më është dhënë mundësia ta shoh këtë shtëpi, të qëndroj e ti takoj njerëzit e mirë e bujarë të saj dhe të ndihmohem për arsye pune.
Sigal