Zbulimi ushtarak, që shmangte çdo befasi të pushtimit të Shqipërisë

Hajro LIMAJ

Informacionet, raportet dhe buletinët informativë, që përgatisnim lidhur me misionet tona nga jashtë shtetit vlerësoheshin shumë. Ky fakt e detyroi edhe Kadriu Hazbiun, ministër mbrojtjeje, që një herë të deklaronte se “ ne harxhojmë me mijëra dollarë për agjenturën dhe këto informacione të pasura që na sjellin zbuluesit ushtarakë nuk i vlerësojmë dhe nuk i përdorim si duhet”. Ne zbulonim, evidentonim dhe ndiqnim hap pas hapi përbërjen, organizimin, disllokimin dhe veprimtaritë e të gjitha shteteve objekt zbulimi: Flotën e Gjashtë Amerikane në Mesdhe me Flotën Ruse, Forcat e Armatosura të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë. Në Mesdhe Rusia në atë periudhë kishte 50-60 anije luftarake, prej të cilave, 1-2 helikoptermbajtëse, 3-4 kryqëzorë, 15-20 fregata, 7-12 nëndetëse, 4-5 anije desante. Me efektivë 15 000 veta. Marrëveshja Jugosllavi-Bashkimi Sovjetik, ku 5-6 anije sovjetike deri në gjashtë muaj do të riparoheshin dhe furnizoheshin në portet jugosllave, që s’janë veçse 50 ml larg bregdetit tonë u bë mbasi Moska humbi bazën ushtarake të Pashalimanit dhe të Korfuzit, në Vlorë. Flota Sovjetike e Mesdheut plotësohej kryesisht nga Flota Sovjetike e Detit të Zi me vend komandë Sevastopolin nëpërmjet kalimeve që bënte nëpërmjet ngushticës së Bosforit dhe të Dardaneleve.

Konvoi i anijeve luftarake Ruse
Flota e 6-të Amerikane në hapësirat detare të Mesdheut përbëhej kryesisht nga 2 aeroplanmbajtëse, 2 kryqëzorë,20 destrojerë e 25 anije furnizimi. Afrimi i tyre në ujrat jugore të Detit Jon, kanalit të Otrantos e më lart, kur ishte me grupe të mëdha, detyrimisht që rriste gadishmërinë.

Flota e 6-të Amerikane në stërvitje aero-detare
Ne vitin 1974 Forcat e armatosura greke përbëheshin nga: forca tokësore 118 000 veta, inkuadruar në 23 njësi e reparte; forcat ajrore 24 000 vetë, më 362 aeroplanë; forca detare me 18 000 veta, me 187 anije luftarake e nëndetëse. Forcat italiane: Në forcat tokësore gjithsej 300 000 vetë, të inkuadruar në 19 njësi e reparte. Forcat ajrore me 473 aeroplanë, me 76 000 veta të inkuadruar në 16 brigada e regjimente ajrore. Forcat detare me 45 000 veta dhe 271 anije. Forcat e Jugosllavisë: Forca tokësore gjithsej 190 000 veta, me 34 njësi e reparte. Forcat ajrore me 20 000 veta, me 380 aeroplanë të inkuadruar në 6 divizione dhe një brigadë ajrore. Forca detare 19 000 veta, me 243 anije. Po kështu, zbulimi ushtarak, ndiqte me shumë përparësi situatën politike dhe ushtarake në Kosovë. Ai mbante nën kontroll me të gjitha format dhe mjetet e zbulimit gjendjen e sigurisë së Kosovës dhe rriste gatishmërinë kur Beogradi shtonte forcat e armatosura në këtë rajon. Në dinim me saktësi përbërjen dhe dislokimin e forcave ushtarake në Kosovë si dhe të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin kundër shqiptarëve. Për këto po japim vetëm dy shembuj informacionesh që drejtoria e Zbulimit u dërgonte drejtuesve kryesor të shtetit:

1.“INFORMACION MBI GJENDJEN E FORCAVE USHTARAKE, PARA DHE PAS NGJARJEVE NË KOSOVË
1. Sipas të dhënave të zbulimit, përpara ngjarjeve, në Kosovë dislokoheshin: Grupi i 52 - të Operativ me shtab në Prishtinë në vartësi të armatës së 2- të në Nish. Në përbërje të tij hynin: 2 Brigada Këmbësorie (e 15 - ta në Prishtinë dhe Brigada e Këmbësorisë Malore në Pejë); 1 Regjiment i Këmbësorisë autonom në Prishtinë; 3 Batalione të ndjekjes. 

2. Sipas të dhënave del se gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në Kosovë kanë ardhur edhe këto forca: 2 Brigada tankiste (Nr. 211 e 243 ardhur përkatësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102); 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). 

3. Tani sqarohet më mirë se në vend të Grupit 52 Operativ vepron Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në vartësi të Armatës 2- të, në Nish, në përbërje të të cilit hyjnë: 5 Brigada (2 tankiste, 1 këmbësorie, 1 këmbësorie morale dhe 1 e motorizuar); 1 Regjiment Këmbësorie, autonom; Regjiment Parashutist; 1 Regjiment i Artilerisë kundërtanke; 1 Regjiment Kufitar; 3 batalione të ndjekjes. Në Prishtinë (Golesh) ka qenë dhe është e dislokuar edhe një Brigadë Ajrore, në vartësi të Korpusit I Ajror në Nish. Problemin e kemi në ndjekje për saktësim e verifikim të mëtejshëm. “ (18.4.1981 ).

2. INFORMACION

Mbi ngjarjet në Kosovë. Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:
1. Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata
Më datën 1, 2, 3, 4 prill, në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuçiternin, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj. Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshen me forcat e policisë rreth 3000-3500 punëtorë të fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuçiternë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshen me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje. Demonstruesit hodhën parullën “Duam republikën me hir ose me pahir”.

2. Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave
Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoj masat e gatishmërisë në sistemin e radio-komunikimit midis forcave ushtarake të Armatës 2- të në Nish me njësit e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2- të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi. Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore: komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vendkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në çdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar: grupi 52- të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkt me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2- të në Nish, kurse sistemi i radio-komunikimit i Armatës 2- të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3- të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm; u ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë dhe këto të kontrolluara. Me datën 1 prill, mendohet të kenë ardhur në rajonet e veprimeve luftarake forcat e përforcimit nga thellësia (të dhëna të sakta nuk disponohen).

3. Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë
Më datën 6. 4. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 Brigada Këmbësorie, 2 Brigada Tankiste, 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar, 1 Regjiment Këmbësorie, 1 Regjimenti Parashutist, 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke, 1 Regjiment Kufitar dhe 3 batalione të ndjekjes. Nga këto erdhën në përforcim: 2 brigada tankiste (Nr. 211 e 243), përkatësisht nga Nishi e Shkupi; 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102) dhe 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). (Shih skemën bashkangjitur). Me këto forca u krijua Korpusi 52- të në Prishtinë në përbërje të Armatës 2- të në Nish. Në dorë të komandës të Korpusit 52- të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Këto forca, nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (si të republikave të tjera). Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akcija – 81” (Aksioni – 81”, analiza e të cilit u bë më 8. 4. 1981 në komandën e Korpusit 52- të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandantëve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se: forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara; helikopterët u përdoren për transportimin e shpejt të trupave nga një rajon në tjetrin, ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën kohë helikopterët gjetën përdorim për lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutistë është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulën forcat e një batalioni me helikopter). Forca të ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë Morinës, Qafë Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës). Komanda e Armatës 2- të në Nish dhe Sekretari i Mbrojtjes gjatë ngjarjeve në Kosovë, interesoheshin posaçërisht mbi gjendjen në kufirin me vendin tonë.

Konkluzion:
1. Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosovë).
2. Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta me forcat e një forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave. Duke u nisur nga situata e shqetësimit shumë i madh i udhëheqjes jugosllave, mendojmë se këto forca do të qëndrojnë në Kosovë përgjithmonë ose për një periudhë shumë të gjatë.

3. Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2 – të dhe e 3- të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshavës. Duke u nisur nga situata duhet pritur edhe ridislokim forcash ushtarake në federatë, por sidomos në Armatën e 2- të në Nish dhe Armatën e 3- të në Shkup. 

Stërvitjet aero-detare Ruse në Mesdhe. Avionët bombardues Rus
Jo çdo lexues mund ta kuptojë tani se me çfarë rreziqesh dhe me çfarë të papriturash përballeshim jashtë shtetit, kur ne ishim të angazhuar në thellësitë dhe prapavijat e thella të armikut, shteteve objekt zbulimi: Greqisë, Italisë, Jugosllavisë, Flotës së 6-të Amerikane dhe Flotës Ruse në Mesdhe që rivalizonin me njëra – tjetrën. ”Lufta e Ftohtë” midis dy blloqeve më të mëdha ushtarake: NATO-s dhe Traktatit të Varshavës ishte një përballje e ashpër psikologjike dhe një garë e ethshme ushtarake. Shqipëria ishte me një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik dhe me një qëndrim politik kundër tyre. Vendi ishte krejtësisht i mbyllur me botën e jashtme dhe të gjitha shtetet kufitare vlerësoheshin si kërcënuese ndaj sovranitetit dhe lirisë së vendit. Mirëbesimi nuk ekzistonte. Si aktor i zbulimit strategjik të asaj kohe shpreh bindjen e plotë se ne atdheut i kishim shmangur plotësisht befasinë e pushtimit, sepse në çdo kohë kishim në dorë lëvizjet e përditshme dhe drejtimet e veprimtarive ushtarake të shteteve, që e kërcënonin vendin tonë. Faktet rreth këtij realiteti, hedhin poshtë deklaratat dhe qëndrimet e papërgjegjshme të të ashtuquajturve politikanë të mbas viteve 1990. Pavarësisht sistemit një partiak dhe sistemit socialist të ekonomisë, të cilat nuk vareshin nga ne, por që nuk ishte e vetme Shqipëria, agjencitë e inteligjencës së mbrojtjes ishin në nivelet më të përsosura të kohës. Shkatërrimi i çdo strukture apo i objekteve të zbulimit të bëra pas viteve 1990 e çoi Shqipërinë në “ mëshirë të fatit”. Prandaj, agjenturat politike dhe ushtarake e patën të lehtë të hartonin dhe zbatonin strategjitë e shkatërrimit të shtetit shqiptar në vitin 1997, duke vënë në rrezik e pikëpyetje tërësinë territoriale të vendit dhe pavarësinë e tij. Kjo veprimtari armiqësore sot është e shtrirë në të gjitha hapësirat e botës shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Tirana, Prishtina dhe Shkupi janë objekte investimesh të mëdha e në rritje për të provokuar kriza të një pas njëshme me destabilitet politik dhe ekonomik. Nuk është e vështirë për të kuptuar se këto janë të sinkronizuara dhe të drejtuara, ku me shumë fshehtësi dhe ku lehtësisht kuptueshëm, nga agjenturat ballkanike të Beogradit dhe të Athinës, sigurisht dhe me atë të Rusisë dhe të disa vendeve të tjera evropiane, të lidhura historikisht me to. Një jetë e tërë plot sekrete, zbulimesh dhe verifikimesh, midis agjenturave të huaja që na ndiqnin në çdo hap dhe kundërzbulimit shqipëtar, që na vëzhgonte për çdo lloj mundësie apo forme kompromentimi. Shprehur në mënyrë figurative, mund të thuhet se ndodheshim dhe lëviznim midis dy zjarreve. Në këto kushte, detyra jonë dhe shpëtimi ynë ishte: të flisje shumë pak e të shikoje dhe dëgjoje çdo lëvizje e fjalë. Nga çdo lëvizje dhe fjalë e atyre që përbënin kërcënime ndaj Shqipërisë, persona apo shtete, duhej të seleksionoje dhe të parashtroje mundësinë e rreziqeve të mundshme e reale, me të cilët mund të përballeshim, herët apo vonë. Përgjithësisht, këto nuk ishin ëndërra, por realitete të prekshme të asaj periudhe. Tradhtitë e disa politikanëve dhe vendimmarrësve shqiptarë sot kanë mbërritur deri në aktet e faljes, shitjes apo dorëzimit të hapësirave tokësore, detare dhe ajrore të kombit shqiptar, ashtu siç ndodhi me ujërat territorialë të Sarandës, që ju dhanë Greqisë, apo marrëveshjes të kohëve të fundit të Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi për dhënie hapësirash tokësore te diskutueshme. Me të drejtë, marrëveshja e qeverisë shqiptare me qeverinë greke e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, sepse kishte të bënte me cenimin e tërësisë territoriale të vendit dhe Greqia përfitonte hapësira detare nga territori ynë. Kur kufijtë historikë të Shqipërisë shtrihen deri në Prevezë, në vend që politikanët shqiptarë të kërkojnë korrigjimin e padrejtësive që i janë bërë kombit tonë, dhurojnë pa të keq pjesë të tjera të këtij trungu. Kështu ndodhi edhe në Kosovë, me Malin e Zi për demarkacionin dhe me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, dy marrëveshje të nënshkruara nga qeveria e Kosovës dhe të rrëzuara pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese e që e futën Kosovën në një krizë të rëndë destabiliteti politik dhe institucional. Në vend që qeveria kosovare të tërhiqet, të reflektojë dhe reagojë ndaj gabimeve të rënda të saj, përdor dhunën politike, shtetërore e policore, deri në Parlamentin e vendit, për mbajtjen në fuqi të këtyre marrëveshjeve qartësisht te pa drejta. Të kalojmë në Maqedoni, në Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001. Kjo marrëveshje kornizë duhej të promovonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të kësaj republike, duke respektuar identitetin dhe interesat e të gjithë qytetarëve të saj. Kaluan 15 vjet dhe drejtuesit e partive politike shqiptare, në vend që të jenë të bashkuar për realizimin e kësaj marrëveshjeje, bëhen pjesë e qeverive maqedonase, duke braktisur hapur apo tërthorazi të drejtat legjitime të popullit shqiptar në Maqedoni, i cili, përbën mbi 40% të popullsisë së këtij vendi. Shqiptarët nuk janë minoritet apo pakicë në këtë vend, por janë shtet formues të tij. Me bashkimin e tyre në një platformë të vetme në vitin 2017 dhe pranimin e qeverisjes me Zaevin, i cili në programin e tij vendosi që edhe gjuha shqiptare të ishte zyrtare, presidenti i vendit e futi vendin në një krizë të gjatë politike duke mos i dhënë të drejtën ligjore krijimit të kësaj qeverisjeje. Dhe me gjithë këmbënguljen e Bashkimit Europian e të Amerikës, ai në kundërshtim me rezultatet zgjedhore dhe detyrimet kushtetuese vazhdoi të mos e dekretonte këtë qeveri me platformë edhe shqiptare. Anti-shqipatrizmi i presidentit Ivanov dhe kryeministrit në detyrë Grueski mbërriti deri në mbështetjen e dhunuesve të parlamentit më datën 27 Prill 2017, kur kryetar i tij u zgjodh për herë të parë një shqiptar, Talat Xhaferri. Policia braktisi parlamentin dhe i la në mëshirë të fatit deputët shqiptarë dhe deputetët e Zoran Zaevit. U desh me në fund ndërhyrja e plotë amerikane që të detyrohej dekretimi qeverisjes Zaev.