Zaho Golemi/ Fushëbardha në luftën e vlorës

1297
Lufta e Vlorës është një ndër epopetë më të ndritura në historinë tonë kombëtare. Lufta për Vlorën më 1920 u bë kushtrim mbarëkombëtar përfshi pothuaj gjithë jugun e Shqipërisë e më gjerë si edhe diasporën shqiptare sepse u bë kushtrim për Shqipërinë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i Osman Haxhiut dhe Komisioni ushtarak i Qazim Koculit në kordinim me qeverinë e Sulejman Delvinës shkruan me gjak lirinë e vërtetë shqiptare. 4000 luftëtarë vullnetarë drejtoheshin nga 89 komandantë çetash, njera prej të cilave kishte ardhur nga Fushëbardha, nga fronti i betejave të përgjakshme të Skërficës, portës së parë të Labërisë në juglindje të trevës labe. Lufta e Vlorës është quajtuar ndryshe edhe “mision për lirinë e kombit”, në shkatërrimin e planeve djallëzore të fqinjëve dhe të krushqive të tyre, për “copëtimin e tretë të trojeve të tij, ku Vlora e krahinat e saj mbajtën peshën themelore të luftës. Në Vlorë u derdh gjaku i mbi 150 dëshmorëve dhe 400 të plagosur, ku ndërgjegjia kombëtare vendosi se kujt i takonte në të vërtetë Vlora me themele ilirike kaone.
Truall me moshën e maleve
Fushëbardha përmenden për herë të parë nga banorët që në kohët ilirike. Gjeografë e historian të vjetër e të rinj e thirrën sikurse vëndasit, “Fushëbardhë”, e thirrën ashtu sikurse e panë: “Fushëbardhë”. Gjykojmë se banorët autoktonë të kësaj treve janë dhe pema më origjinale gjenealogjike që i ka rrënjët në moshën e maleve të saj, në moshën e tokës. Banorët e saj janë mësuar të nderojnë vlerat dhe virtytet njerëzore. Pasaporta e banorëve të saj është ndershmëria, mençuria natyrale, zemërbardhësia, jeta me krenari e dinjitet, që kurrë nuk e ka mësuar zanatin e përkuljes së kurrizit. Nderi dhe liria janë jeësuar në përjetësi për fushëbardhjotët, por edhe për fqinjët e përjetshëm Zhulatin kala historike, Kardhiqin që e njohën historian e udhëtarë historikë, Plesatin e Cepon kala natyrore e vendin e Kuvendeve, Shtëpëz, Picar, Kolonjë e Golem si gjerdan në llogoren e shekujve, me Senicën e kuvendit të besës, me gjithë trevën labe. Nëpër shekuj lufta për liri dhe çlirim dhe mbrojtja e trojeve ishte thjesht një zanat, një zanat luftëtari që i mblidhte gjithmonë bashkë në kushtrim lufte. 
Beteja për Vlorën-epopeja kombëtare e 20-tës
(Fushëbardhasit me komandant Novruz Bellon)
Beteja për Vlorën ishte mision kombëtar për lirimin e Vlorës dhe të krejt Shqipërisë. Zanafilla e Luftës së Vlorës është tek thirrja me urgjencë e parisë së Vlorës e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend ilegal në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhi Muhameti. Pranë komitetit të Mbrojtjes Kombëtare u formua një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish-toger i marinës osmane. Kapiten Ahmet Lepenica do të organizonte formacionet e xhandarmërisë ushtarake. Kuvendi vendosi për rrëmbimin e armëve dhe më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë të armatosur dhe të pa armatosur u paraqitën në Beun dhe në pikat e caktuara, u organizuan në çeta, secila nën komandën e një prijësi që përgjithësisht e zgjidhnin vetë vullnetarët. Fushbardhiotët zgjodhën komandant Novruz Bellon. Thirrjes së komitetit iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej 300 xhandarë, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish fillimisht prej afro 4.000 vullnetarësh patriotë. Nga Beuni u nis ultimatumi për gjeneralin italian Settimio Piaçentini, në të cilin shkruhej: “Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915…Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Evropës si shpërblim italo-greko-serbëve, vendosi të marrë armët dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, Tepelenës e Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”. Shqiptarët i lanë afat ultimativ gjeneralit italian Piaçentinit deri në mbrëmjen e 4 qershorit; përndyshe, siç lihej të kuptohej në ultimatum, shqiptarët do të fillonin kryengritjene armatosur, kundër 20 mijë ushtarëve italianë të inastaluar në brigjet shqiptare, ku pjesa më e madhe e ushtarëve ishte e përqëndruar në qytetin e Vlorës, ndërsa pjesa tjetër ndodhej jashtë qytetit, në pozita me rëndësi strategjike. Kërkesa e shqiptarëve ishte me zë të fortë, e prerë, e rreptë dhe e padiskutueshme për çlirimin e trojeve të zaptuar padrejtësisht. Shqiptarët nuk e pritën përgjigjen e ultimatumit, duarkryq, por morën masa të shpejta për shpërndarjen e forcave të veta sipas planit të kryengritjes, të hartuar nga komisioni ushtarak, plan që në fillim parashikonte shpërthimin e sulmit të njëhershëm kundër garnizoneve të avancuara të ushtrisë italiane si dhe blokimin e rrugëvë për të penguar tërheqjen e tyre drejt Vlorës. Sulmi parashikonte: asgjësim të garnizoneve; marrjen e armëve e municioneve, zënien rob të sa më shumë ushtarë e oficerëve, duke i mbajtur si peng, për t’i shkëmbyer pas luftimeve me patriotët vlonjatë të arrestuar e që mbaheshin të internuar në grykën e xhenemit në ishullin e Sazanit.
Ora “O” e çlirimit – ora e së vërtetës
Në historinë e kombit shqiptar ka një datë që ndriçon si flakadan lirie: mbrëmja e 5 qershorit 1920, ku kryengritësit e Labërisë dhe të gjithë çetave të ardhura nga shumë treva shqiptare filluan sulmin në të katër anët e zonës së pushtuar. Në pak orë kryengritësit zunë shumicën e postblloqeve të karabinierisë dhe të garnizoneve të vogla ushtarake. Kundër garnizoneve të fortifikuara u zhvilluan gjatë natës luftime të ashpra si në Kotë, Gjorm, Llogora dhe Tepelenë. Në Kotë fshatarët kryengritës treguan shembuj të shkëlqyer heroizmi. Kundër regjimentit të gjeneralit Enrico Gotti, që mbrohej nga fortifikatat e betonuara dhe nga zjarri i artilerisë së rëndë, trimat shqiptarë kaluan disa herë me radhë në sulm. Afër mëngjezit, duke hedhur gunat e tyre mbi gjerdhet prej telash me gjemba, kaluan përmbi to, hynë brenda gazermave dhe i detyruan ushtarët dhe oficerët italianë që kishin lënë shumë të vrarë, midis të cilëve edhe vetë gjeneralin Goti, të dorëzoheshin. Sulmeve nuk mundën t’u qëndronin as garnizonet italiane të Gjormit dhe Llogorasë, të cilat u dorëzuan. Me rënien e Tepelenës, ku u zhvilluan luftime të ashpra për pesë ditë rrjesht, më 10 qershor ishte çliruar e gjithë krahina e pushtuar, me përjashtim të Vlorës e të Kaninës. Gjatë këtyre luftimeve luftëtarët shqiptarë zunë robër më tepër se 1500 ushtarë dhe oficerë italianë, u zunë gjithashtu 7 topa, 70 mitralozë, mijra pushkë dhe municion e material i shumtë ushtarak. Më 9 qershor 1920 gjeneralit S. Piaçentini një thirrje tjetër për dorëzimin e qytetit pa luftë. Në këtë thirrje gjeenrali italian paralajmërohej se, po të mos dorëzohej Vlora pa luftë, kryengritësit do ta sulmonin qytetin. Në të njëjtën kohë komiteti ngarkoi komisionin ushtarak që e kishte vendosur selinë e vet në Drashovicë, të hartonte planin e sulmit mbi Vlorën, që do të ishte një sulm me të gjithë forcat e mundshme. U vendos gjithashtu që sulmi nga jashtë të koordinohej me kryengritjen e armatosur që qytetarët do të shpërthenin në të njëjtën kohë brenda në qytet. Komanda italiane e pushtimit më 10 qershor organizoi një kundërsulm për t’i dëbuar kryengritësit nga kodrat e qytetit. Me dështimin e kundërsulmit dhe duke parashikuar ardhjen e përforcimeve të reja në Vlorë. Komiteti urdhëroi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin e Vlorës, sulm i cili filloi në orët e vona të mbrëmjes së 11 qershorit 1920. Me mijëra luftëtarë, duke e ftuar njeri–tjetrin në garë për të hyrë sa më parë në qytet, u hodhën mbi armikun. Por zjarri i dendur i artilerisë fushore edetare dhe dritat verbuese të prozhektorëve të luftanijeve bënë që kryengritësit të përparonin shumë ngadalë. Heroizma treguan luftëtarët veçanërisht në kodrat e Babicës, në Qafën e Koçiut në Kaninë etj. Një rol të veçantë pati Xhovani Valencia një arbëresh që ishte magazinier armatimi në Panaja, i cili u dorzoi magazinat me armatim e municion shqiptarëve. Shembull heroizmi u bë luftëtari nga Salaria e Tepelenës Selam Musaj komandant i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës. Luftimet vazhduan me ashpërsi gjatë gjithë natës. Afër mëngjezit luftëtarët trima i thyen pengesat e armikut dhe filluan të hynin në lagjet e jashtme të qytetit, në një kohë kur brenda në Vlorë qytetarët rrëmbyen armët dhe filluan të sulmonin ushtrinë italiane prapa krahëve. Me depërtimin e luftëtarëve në Vlorë, sistemi i mbrojtjes së ushtrive italiane u shthur. Për të shpëtuar ushtritë e veta nga asgjësimi komanda italiane arrestoi në masë qytetarë të tjerë, midis tyre edhe gra me fëmijë, dhe njoftoi se do të hakmerrej mbi gjithë të internuarit, në rast se nuk do të pezulloheshin luftimet. Krerët e komitetit ngurruan përpara këtij kërcënimi që rrezikonte jetën e 1700 bashkatdhetarëve. Luftëtarët, të prekur në ndjenjat njerëzore, iu bindën urdhërave të komitetit dhe u tërhoqën nga qyteti. Shpërthimi kryengritjes çlirimtare dhe sukseset e para të saj ngajllën një entusiazëm të përgjithshëm në masën e popullsisë shqiptare. Në qytetet e vendit me inisiativën e popullsisë u krijuan komisisone për të ndihmuar luftën patriotike kundër pushtuesve italianë. Këto komisione mblodhën brenda pak ditëve ndihma të konsiderueshme në të holla, në drithë e në bagëti. Komisionet bënin regjistrimin e mijëra vullnetarëve, që ishin të gatshëm të shkonin në drejtim të Vlorës. Vullnetarë për në Shqipëri u nisën dhe nga kolonitë e mërgimit. Qeveria e Tiranës, sikurse ishte vendosur, nuk u shpreh as në favor dhe as kundër kryengritjes çlirimtare. Në të vërtetë ajo i ndihmoi kryengritësit, u dërgoi atyre armatime dhe lejoi të shkonin në Vlorë ndihma materiale. Për t’u siguruar krahët nga bandat e rebelëve në Shqipërinë e Mesme qeveria e Sulejman Delvinës, grumbulloi forca të mjaftueshme dhe vendosi të bënte kundër tyre një operacion ushtarak nën drejtimin e Bajram Currit, që sapo ishte emëruar ministër pa portofol. Operacioni filloi më 4 qershor dhe në pak ditë rebelët u shpartalluan plotësisht; ndërsa më 13 qershor, Avni Rustemi me përkrahjen e një grupi patriotësh asgjësoi me atentat Esat Pashë Toptanin në rrugët e Parisit. Kjo ngjarje bëri që 57 vjet pas luftës, më 1977, të realizohej filmi artistiko–historik “Gunat përmbi tela”. Por ngjarja ka ardhur e gjallë në pothuaj një shekull nga këngët labe dhe jo vetëm: “Obobo se ç’ qënka Kota/ më e bukur se Evropa/ bytym mitroloz’ e topa!…” apo “Çobanët mbi gjeneralë”, këngë që u krijuan në flakën e luftës. 
Fushëbardha me 78 luftëtarë drejt Vlorës 
Në janar të vitit 1920 Shqipëria etnike organizoi Kongresin e Lushnjës, që çoi në “pavarësinë e dytë të Shqipërisë”. Në këtë kuvend morën pjesë dhe fushëbardhasit Feim Çarçani, Manxhar Shalari dhe Lufto Kondi. Sigurisht që të mençurit ishin në ballë të ngjarjeve të mëdha të kohës për çdo fshat dhe mbi të gjitha për fatet e Shqipërisë. Këtë vit u bë Lufta e Vlorës me italinë fashiste në muajt qershor-shtator 1920. Në librin e sapo botuar “Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore” të Fero Golemit gjejmë këtë përcaktim: “Fushëbardhasit të mësuar me zanatin e luftëtarit për lirinë e trojeve të veta në Luftën e Vlorës morën pjesë si çetë dhe luftuan krah për krah me Selam Musain. Selam Musai ishte mik i familjes Golemi sepse i dimëronim bagëtitë bashkë në Qafë të Breshërit, pranë Sarandës..”. Vendimin për të marrë sërish armët për Vlorën burrat e Fushëbardhës e morën në vendin e shenjtëruar të kuvendeve në qendër të fshatit rreth rrapit shekullor, në vendin ku sot me të drejtë quhet “Sheshi i dëshmorëve”. Në çetën e Fushëbardhës bënin pjesë 78 luftëtarë. Është kënga më shumë se një shekullore, që e ka përjetësuar këtë ngjarje: “…Fushëbardha në 20-tën/I thotë Vlorës: “Bijtë tanë”/ Selamit do t’ja shtojmë çetën 78 jataganë..”. 
Sigal