Zabit Hida*/ Veterani: Si u përleshëm trup më trup me forcat gjermano-balliste në Qesarat

880
Sigal

Rrëfen luftëtari Zabit Hida, për trimëritë e forcave partizane në luftën e Lunxhërisë

Nga fundi i muajit Janar 1944, forcat e Brigadës së gjashtë Sulmuese ndodheshin në zonën e Përmetit dhe me urdhër të komandës eprore, Batalioni i tretë “Baba Abas” dhe Batalioni i katërt “Naim Frashëri”  do të kalonin në zonën e Tepelenës në kufi me Vlorën, ndërsa batalioni i parë “Asim  Zeneli” dhe batalioni i dytë “Abas Shehu” do të kalonin për veprime luftarake  në zonën e Lunxhërisë Gjirokastër. Forcat partizane të dy batalioneve, menjëherë filluan lëvizjen nga fshatrat e Zagorisë dhe kaluan në qafën e malit të Çajupit në atë dimër të egër të mbuluar nga dëbora dhe zbritën në zonën e  Odries dhe te Lunxhërisë, me qëllim që të bënin spastrimin e fshatrave nga reprezaljet e çetave të Ballit që vepronin nga Labova e Zhapës e deri në fshatin Suhe. Në këto fshatra, ballistët mburreshin, u kishte dalë frika dhe në shumë raste thoshin që ne kemi baba Gjermanin, duke përfituar edhe nga mungesa e Batalionit partizan “Misto Mame”, i cili ishte larguar dhe vepronte në zonën e Theollogos. Krimet dhe grabitjet e ballistëve qenë të shumta, por më të theksuarat u bënë në fshatrat Karjan e Kakoz, ku grabitën bagëti dhe rrahën pleq e fëmijë të pambrojtur. Komanda jonë kishte informacion të hollësishëm për situatën dhe në bashkëpunim me komandat e vendit të asaj zone, përpiloi një plan veprimi. Në fshatin Erind vepronte një çetë ballistësh dhe duke u gdhirë 4 shkurti, ne i rrethuam dhe i sulmuam me komandën “Para partizanë!”, hapëm zjarr mbi ta në ecje dhe ata të alarmuar e të çoroditur ikën nga sytë këmbët dhe vrapin e lanë në qytetin e Gjirokastrës dhe u bashkuan me Gjermanët. Kjo ngjarje u mor vesh në të gjithë zonën, të gjithë keqbërësit u larguan  të frikësuar se erdhën partizanët dhe popullin e lanë në qetësi. Në këtë situatë, zona u spastrua nga armiqtë dhe vendin e tyre e zunë djemtë e popullit,  partizanët, të cilët kudo u pritën me dashuri dhe me besim të madh te liria. Disa ditë më vonë forcat partizane iu afruan qytetit të Gjirokastrës 2-3 kilometra dhe zunë rajonin e mbrojtjes në vijën që kalonte Topullaraj, kalaja e Shëndriadhes e deri në kodrat e Bardha  në gadishmëri për të marrë detyrën. Përballë nesh, në fushën e aviacionit, ziente nga puna e njerëzve që merreshin me blegtori e bujqësi dhe nga ana tjetër e lumit Drino, forcat gjermano-balliste, të cilat ishin të frikësuara nga ndonjë sulm i mundshëm i forcave tona. Populli këto ngjarje e beteja i përjetësoi në histori e me këngë që i këndoi bashkë me partizanët:

Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton brigadë e gjashtë,

Dil nëno të shikosh tanët, shami verdhë partizanët,

Dil të shoç këta të djallit, ca kalbësira të ballit,

Çdo ditë bëhej luftë nga distancë e largët, por më shumë me artileri, armikut i kishte hyrë frika dhe kërkoi forca të tjera të cilat erdhën nga Janina, pasi donin të përballonin ndonjë sulm të mundshëm mbi qytetin e Gjirokastrës e cila ishte e okupuar nga gjermanë e ballistë. Ato ditë koha ishte shumë e keqe, temperaturat ishin shumë të ulëta dhe shiu nuk kishte të pushuar. Nga marshimi dhe luftimet, forcat tona ishin shumë të lodhura prandaj Komandanti i Batalionit të Dytë, Sadik Buxo dha urdhër që forcat të lenë rajonin e mbrojtjes dhe të përqendrohen në fshatin Qesarat . Në datën 7 Shkurt ne e kaluam darkën në shtëpitë e fshatarëve, të cilët na pritën me bujari e dashuri të madhe. Në hyrje të fshatit nga komanda jonë për të ruajtur forcat e batalionit, u lanë 10 partizanë roje. Forcat partizane po pushonin dhe për këtë situatë armiku kishte marrë informacion dhe përgatiti planin që të na sulmonte. Ata u nisën natën nga Gjirokastra dhe pas orës 24:00 mbërritën afër fshatit Qesarat , dy batalione me ballistë dhe një detashment me gjermanë. Armiku në errësirën e natës, në befasi kishte bërë rrethimin e largët. Rojet e batalionit diktuan lëvizjen dhe afrimin e armikut në disa drejtime. Këto forca u ndeshën me rojet partizane të komanduara nga partizani Tolo Shehu. Në drejtim të tyre u hap zjarr i dendur e i befasishëm duke i mbajtur në vend për një orë lufte, duke iu siguruar kohë forcave tona për t’u organizuar dhe kështu ndodhi. Partizanët me shpejtësi të rrufeshme zunë pozicionet e luftimit. Dara e rrethimit ishte zvogëluar shumë. Në të gdhirë armiku ishte afruar shumë dhe beteja u ndez  e ashpër nga të dy palët. Duke parë përparimin e armikut, forcat partizane vunë në përdorim artilerinë dhe për rrjedhojë armiku për disa orë nuk mundi të përparonte. Gjatë ditës, armiku nga Gjirokastra pruri artilerinë malore të cilën e transportoi me kafshë dhe e vuri në përdorim për të realizuar me çdo kusht asgjësimin e forcave partizane. Në këto momente forcat tona ishin mjaft të rrezikuara, luftonim të rrethuar nga forca të shumta e të papërballueshme. Guximi, trimëria, manovra e shpejtë, sulmet e kundra sulmet dhe zjarri i dendur spikatën tek forcat partizane. Lufta u ndez shumë e ashpër, luftohej për jetë a vdekje. Pas 12 orë luftimesh të pandërprera, municionet po na mbaronin, nga komanda u dha urdhër që municioni të përdorej me kujdes dhe të qëllohej vetëm në shenjë.

Tërheqja e forcave gjermano – balliste

Luftimi zhvillohej shumë i afërt, në një breg poshtë fshatit forcat u përleshën grykë më grykë dhe u përdorën revolverët, bajonetat dhe bombat e dorës. Në këtë fushë beteje luftonin të gjithë partizanët dhe komandantët e tyre. Në këtë luftim komandanti ynë Sadik Buxo, u përlesh me një oficer nazist të cilin e shtriu përtokë e duke thirrur ‘Para Partizanë!’ një plumb e mori në kraharor dhe ra heroikisht në ballë të luftës mes partizanëve. Lufta vazhdoi deri në orën tre të pasdites dhe për fatin tonë të mirë në këto moment kritik na erdhi në ndihmë kompania e parë e Batalionit të Parë “Asim Zeneli” me komandant Halil Ymeri, nga Progonati dhe komisar Gaqe Bashari nga Gjirokastra të cilët erdhën me shpejtësi të rrufeshme që nga fshati Suhe dhe i goditën në shpinë forcat gjermano – balliste, të cilat u tërhoqën me panik në drejtim të qytetit të Gjirokastrës, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur, lanë në vend artilerinë dhe shumë armatim e municione.

Shokët e rënë dhe të plagosur

Në këtë luftë dhanë jetën për liri  11 shokë dhe u plagosën shumë të tjerë. Ranë në këtë betejë Sadik Buxo, Halil Ymeri, Çerçiz Fejzo nga Golemi, Bektash Kida nga Kardhiqi, u plagosën  Hariz Hila nga Zhulati, Sinan Mixha e Maliq Hysa nga Plesati dhe Seit Çiraku nga Vermiku i Vlorës.  Atë mbrëmje të plagosurit u dërguan në fshatin Dhoksat në shtëpinë e Koço Çucit, ku e zonja e shtëpisë Marina dhe disa gra e vajza të tjera si Eleni Kaci, Leno Qirko, Sofia Koçi, të cilat nën kujdesin e partizanes Drita  Galanxhi nga Gjirokastra, u shërbyen shumë të plagosurve duke i mjekuar plagët e tyre me ilaçe popullore. Në kontakt të vazhdueshëm me ne ishte edhe korrieri i këshillit të këtij fshati, Pionieri Foto Prifti i cili i shpinte letra komandës duke e njoftuar për gjendjen shëndetësore të të plagosurve. Shumë patriotë të zonës të cilët ishin të lidhur me LNÇL, dhanë kontributin e tyre duke vënë në dispozicion të partizanëve të plagosur ndihma ushqimore, veshmbathje si dhe kafshët e dorës për transportimin  e të plagosurve në spitalin partizan në Shepër të Zagories. Partizanët e plagosur i shoqëruan për në spitalin partizan disa burra nga Dhoksati si Simo Kaci e Xhorxhi Prifti.

Shtimi i radhëve të partizanëve

Mbas kësaj lufte të përgjakshme u morën masa për riorganizimin e çetave territoriale në çdo fshat të Lunxhërisë si dhe për mirëfunksionimin e këshillave dhe të rinisë antifashiste. Nga të dy batalionet që ndodheshin në këtë zonë, me popullin në çdo fshat u bë një punë e madhe propagandistike dhe si rezultat i saj filloi të shtoheshin radhët e partizanëve nga vendasit. Në datën 25 Shkurt ndodheshim në fshatin Stegopull. Komandant Sali Burben e gjeje vazhdimisht në mes të fshatarëve duke biseduar për hallet e tyre dhe aty u afrua një vajzë  rreth 20 vjeçe, pasi na përshëndeti tha: “Dua të dal edhe unë partizane të luftoj me vëllezërit e mi për lirinë e Shqipërisë. Ishte shumë e vendosur dhe ne e pranuam në radhët tona. Ajo ishte bija e Stegopulit Vito Marku, e cila veshi rrobat e partizanes vuri në kokë kapelen me yll dhe na përshëndeti me grushtin lart duke thënë: “Shokë, vdekje fashizmit!” dhe që në ato çaste ajo u bë efektive e batalionit partizan. Aty në Stegopul ne iu lutëm shoqes sonë Hazbo Luçi nga Kuçi, që flamurin e kompanisë t’ia dorëzonte partizanes më të re, Vitos të cilat nuk u ndanë, por luftuan si trimëresha nga Jugu në Veri, deri në Mal të Zi e Kosovë, duke e mbajtur lart e me nder emrin e shoqeve partizane, të cilat u kthyen në Shqipëri në vitin 1946.

Detyra jonë

Ne, brezi i vjetër që bëmë LNÇL dhe çliruam Shqipërinë nga pushtuesit e huaj, e kemi për detyrë për të shkruar e kujtuar atë epokë të lavdishme të popullit tonë, që brezat e rinj të mësojnë historinë e të edukohen me dashurinë për Atdheun.

*Veteran, luftëtar i kësaj beteje