Sigal

Intervista/ Flet Ylli Meçe, ish-drejtues i regjimentit të katër siluruesve

– Përshëndetje Z. Meçe dhe gëzuar festën e Flotës dhe, me këtë rast, ç’mund të na thoni për 100-vjetorin e themelimit të saj?

– Përshëndetje i nderuar. Të më falni, por ju në çfarëdo kohe që të më uroni për Flotën Ushtarako -Detare shqiptare unë do t’ju përgjigjesha: Faleminderit…dhe të gjithë së bashku! Por që të jem i drejtpërdrejtë, unë nuk njoh festë flote perveç asaj të 15 gushtit 1945, edhe pse historikisht e di fort mirë që pas shpalljes së pavarsisë u bënë përpjekje, por që ato ishin thuajse të pa vlera. Kujt i hynte në punë më vonë e ashtuquajtura “marina mbretërore e Zogut” e cila kish vetëm një barkë me një mitroloz dhe që më shumë shërbente për argalisjen e princeshave, se sa në shërbim të Atdheut?! Edhe, nëse do të merrnim një pikënisje apo zanafillë të rolit të saj, ajo duhej të fillonte me ngjarjen më të madhe historike të asaj periudhe sikurse ishte shpallja e Pavarsisë dhe jo koha e Zogut, i cili e braktisi vendin tonë në momentet më të vështira, kur ne u pushtuam prej fashizmit. Dini ju ndonjë akt madhor të kësaj flote kundër pushtuesit? Jam i sigurt se do thoni, jo, përveç rolit individual të Mujo Ulqinakut. Mujua, ky marinar tipik atdhetar i vërtetë, me një mitraloz i hodhi dy herë në det fashistët dhe këtë akt ai e kreu nga toka e jo nga deti, por ja që ne ishim të braktisur e të tradhëtuar.

– Ju mendoni se kjo festë fillon me pushtetin e Enver Hoxhës ?

– Jo aspak s’ka të bëjë me Enver Hoxhën, por me pushtetin e popullit dhe Enver Hoxha ishte pjesë e tij. Me këtë rast dua të theksoj, duke qenë se populli shqiptar për herë të parë në historinë e tij fitoi lirinë, i lindte e drejta politike ta mbronte atë, sepse dhanë jetën mijëra dëshmorë për këtë tokë. Baza e ushtrisë sonë fillon pikërisht që gjatë periudhës së Luftës për çlirim, ndërsa Flota Ushtarako Detare ishte njëkohësisht derivat i saj. Kjo do të thotë, se u ngrit mbi themelet e Ushtrisë Popullore duke dhenë një kontribut të madh ata luftëtarë si p.sh., i admirueshmi Abdi Mati që me përkushtim prej luftëtari punoi për ngritjen e kësaj flote. Dhe këtë mision PKSH komandanti i saj i Përgjithshëm dhe specialistët shqiptarë ia arritën me sukses të plotë. Le të thonë ç’të duan partitë e sotme, bile unë nuk iu mërzitem aq shumë ballisto-zogistëve apo anarkistëve demokratë (se ata kundër i kishim që me kohë), por më shumë inatin e kam me të ashtuquajturën “parti e majtë” e cila, edhe pse njeh ca vlera të Luftës i shkelin syrin Mithat Beut dhe i buzëqeshin Evropës e Amerikës, teksa kalojnë me makinat e tyre luksoze poshtë bulevardit “Zogu i Parë”.

– Mos jeni nostaligjik i së kaluarës që flisni kështu?

– Nostalgjik?!.. Pa të ndalemi pak or mik i nderuar i penës. Shiko a di ti se ne e filluam nga “hiçi” dhe të mendosh se në fund të viteve 90’-të të shekullit të kaluar kishim gati 150 anije luftarake dhe ndihmuese. Këto anije kishin dy destinacione kryesore, atë të kohës së paqes dhe të kohës së luftës. Në kohë paqeje, ne siguronim paprekshmërinë e Atdheut dhe ruajtjen e ujërave tona territoriale, ndërsa në kohë lufte, Flota kryente detyra të shkallës operative që do të thoshte me anijet tona luftarake në situata kërcënuese, por edhe në luftë, pengonim karvanet e anijeve armike në bashkëpunim të ngushtë me aviacionin tonë dhe artilerinë bregdetare duke dhënë goditje me silura si nga katerat silurues ashtu dhe nëndetset tona për të prishur dhe penguar formacionet e armikut.Kjo pengesë do t’i jepte kohë popullit që të armatosej dhe të ish i gatshëm për të përballuar agresionin. Në raport me shtrirjen tonë gjeografike, sasinë e popullatës dhe hapsirën detare ne kishim flotë të fuqishme.Mendo pak, një popull me 3,5 miljonë banore kish gati 150 anije. Kjo do të thotë qe Italia me 60 miljonë të kish 20 herë më shumë..pra gati 3000 anije lufte, gjë që nuk i kish të mundur as ajo, e as Greqia.

Duke qenë se misioni ynë ishte mbrojtja e fitoreve tona edhe flota mori karakter të tillë. Ne kishim 42 katera-silurues të cilët vetëm me një mision goditnin me 84 silura sikurse dhe me katër nëndetset tona mund të jepnim goditje të befasishme dhe në det të hapur me nga 12 silura sejcila. Pra në total vetëm me një mision do të lëshonim nga anijet tona luftarake gati 130 silura. E mendoni këtë ? Po pse mos vallë italianët dhe grekërit apo dhe jugosllavët nuk e njihnin fuqinë e flotës tonë e cila me shembujt e saj u bë e njohur në arenën ndërkombëtare ?

– Si u bë e njohur flota e jonë në arenën ndërkombëtare ?

– Nuk ishin vetëm ngjarjet e viteve 60-të apo dhe dalja nga “Traktati i Varshavës” por marinarët dhe oficerët tanë dhanë një shëmbull të shkëlqyer me kryerjen e detyrave të zbulimit sikurse bëri një nga nëndetëset tona më 1957-n, e cila doli në Mesdhe dhe – që luftëanijet dhe avionë e NATO-s u alarmuan, sepse në rajonin ku bënte zbulim ajo, ndodhej në një anije luftarake të NATO-s vetë Presidenti Amerikan, Ajzenahuer, që dikur gjatë Luftës II Botërore, kish qenë edhe kryekomandant i forcave aleate në Evropë. Le të marrim dhe operacionin e çminimit në Kanalin e Korfuzit nga minaheqëset tona që i kishim të reja, ndërsa pala greke, akoma me anije druri të kohës së mbretërisë. Unë habitem që pse këta historianët tanë (një pjesë e jo të gjithë) bien në kurthet e propogandës anti shqiptare, bile disa prej tyre nga mllefi që kanë ndaj socializmit, bien në nihilizëm vetëm e vetëm për të deningruar çdo gjë.

– Pse ç’doni të thoni me këtë?

– A e di ti se në protokollet e nënshkruara midis palës shqiptare dhe asaj greke është e theksuar në dokumentacion se fillonte operacioni për çminimin e këtij kanali të minuar nga flota detare e nazistëve gjermanë, bile zona e minuar s’ka qenë vetëm në Kanal, por deri në Kep të Rodonit, pra për gjatë gjithë vijës bregdatare. Natyrisht jo e gjitha, por në rajonet më të rëndësishme dhe rrugë-kalimet e anijeve. Edhe disa mina që rastësisht janë kapur me rrjetat e peshkimit, kanë rezultuar të prodhimit gjerman, e lere se ç’përrallisin antishqiptarët, që për të anatemuar socializmin, bien në pozitat e shovinistëve grekë dhe imperializmit englez që i ngeci sharra në gozhdë me Shqipërinë; ngaqë nuk e bëri dot arenë të luftës civile si me Greqinë. Pra sikurse e shikoni ne e kemi demonstruar para viteve 60-të aftësinë luftarake tonën, ndërsa në vitet 60-të ajo mori përmasat e një legjende heroike. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Heroizmi i ka rrenjët te dashuria për Atdheun. Pse si mendoni ju, akti i Heroit i Popullit Spiro Kote ishte akt thjeshtë individual? Jo, unë nuk e mendoj ashtu, sepse akti i tij përfaqëson shqiptarin atdhetar, të ndershem trim e guximtar, i cili përballet me armikun, pra te akti i tij isha unë…ishe ti, ishin të gjithë ata që e donin Shqipërinë. Nëse ai do të tradhëtonte, atëhere tek ai ishte gjithë reaksioni i cili do dëshmonte te gjyqi i Hagës “si dëshmitar okular”, se kanalin e kishin minuar shqiptarët. Këtë bëmë ne sikurse e theksova mbas viteve 60-të. Baza ushtarake e Vlorës u bë simbol qëndrese dhe në ato momente ishte një popull i tërë brenda bazës sonë ushtarake. E kishim fare të lehtë të pranonim rusët dhe të“merrnim sa më shumë ndihma”…por si mund të gëlltinim ne thëniet e marshallëve rusë, që kishin marrë rrugën e caristëve të “balshoj Rusia”, kur bashkë me Hrushovin na kërcënonin, duke thënë se do ju lemë të vdisni urie dhe më keq akoma, do të na linin si preh të imperialisteve? Dhe ne i ndoqëm, i ndoqëm, sepse ishin miq “plangprishës” që Shqipërinë e donin për qëllimet e tyre strategjike, nga ku nga brigjet tona të kërcënonin popujt evropianë, kur dihet se ne, jo që kurrë nuk i kemi kërcënuar, por me luftën tonë, jemi bërë edhe barrikadë për të mbrojtur portën hyrëse të tyre nga hordhitë osmane. Vendimi i shqiptarëve për t’i shporrur ata, nga baza e jonë, habiti jashtë mase, jo vetëm Itali e Greqi, por edhe NATO-n duke gëzuar dhe entuziazmuar gjithë Evropën. Ne e përjetuam keq tradhëtinë e tyre, sepse ata u larguan nga aspiratat liridashëse të popujve, prandaj dhe i denoncuam botërisht si fuqi imperialiste dhe që përbënin rrezik të madh për popujt dhe me këtë rast, dolëm edh nga “Traktati i Varshavës”. Shikoni çfarë akte trimërie manifestaun njerzit tanë dhe kjo ish e mëshiruar te marinarët dhe oficerët e bazës së Pashalimanit. Ehhh…. krenohem vërtetë me atë plejadë trimash të mençur dhe specialistë si Abdi Mati, Mark Plani, Aleko Pojani, Ndue Jaku, Petrit Myftiu,Tasim Meçe, Robert Bali e qindra të tjerë oficerë e nënoficerë të Flotës tonë, që unë spo i përmend por që ngelen për jetë në kujtesën time.

– Po sot ç’mund të na thoni për flotën luftarako – detare?

– Atë fjalën “luftarako” hiqe nga shkrimi se ata nuk e kanë më këtë mision. Disa shkojnë nga ujrat e Mesdheut për të mbledhur emigrantë dhe kufoma afrikane, të tjerët nuk e di se ç’bëjnë.Thonë se ruajnë shqiptarët të mos transportojnë drogë. (ne atëhere ruanim armikun- këta sot ruajnë shqiptarët) …se Shqipërinë që e mori lumi….. na e ruan NATO-ja!

– Kam dëgjuar për ju se kini hapur zjarr kundër atyre që shkelen kufijte detare, bile edhe mbas viteve 2000 kur ishit pedagog në universitetin e Vlorës kini debatuar ashpër me një komandant anijeje të financës italiane, është e vërtetë?

– Pjesërisht! Them kështu, sepse në këto ngjarje nuk isha unë si person, për zëri i Atdheut. Ne kemi dalë e kemi shoqëruar për gjatë vijës tonë kufitare lloj -lloj luftëanijesh të huaja. Lundronim në vijën e kufirit duke u lenë atyre të kuptonin se nuk duhet te futeshin në ujrat tona- dhe ata e kuptonin këtë gjë. Në rastin e hapjes së zjarrit kundër një anijeje të kontrabandës nuk është ndonjë meritë e madhe, por përkoi me një situatë të lartë gatishmërie. Ishte kohë trubullirash, sepse kërkohej me çdo kusht rrëzimi i Enver Hoxhës apo elminimi i tij. Amerikanët një vit më parë kishin futur një nëndetse të tyre në Gjiun e Vlorës, duke u lënë të qartë mesazh komplotistëve që.. “hëëëë jepini ja ne këtu jemi në mbështetjn tuaj prandaj …veproni çfarë prisni?! Gjithashtu, ata përgatitën gati për zbarkim me qëllime terrorizmi bandën e njohur të Xhevdetit. Ne kishim dijeni për bandën e tij dhe e prisnim. E dinim që do zbarkonte, por nuk dinim kohën dhe vendin prandaj dhe ishin në ruajtje sigurisht në rajone të ndryshme dhe pika sekrete. Teksa ne prisim bandën, futet motoskafi i kontrabandistëve italianë. U bëmë thirrje të ndalonin. Ata jo vetëm që s’ndaluan, por rritën shpejtësinë. Ne dyshuam edhe më shumë (Në atë kohë urdhërin e kishim të ndalonim anijet e tilla të shpejta me çdo kusht pra ishte një situatë gjysëm luftarake). Ata vazhdonin me kokëfortësi të mos të na bindeshin. I paralajmëruam disa herë me fishekë shenjëdhënës dhe të shtime në ajër me mitroloza, por ata përsëri nuk ndaluan. Hapëm zjarr me inisiativë. Njëri prej tyre u plagos rëndë (më vonë edhe vdiq) dhe tjetri që mori komandën stopoi anijen. Natyrisht ne nuk e dëshironim këtë situatë, por ama bëmë detyrën në emër të Republikës. Çuditërisht mbas lajmit që dha Televizioni italian, u rralluan edhe shkeljet e ujërave tona. Sigurisht me këtë rast u shty për dy muaj duke u lënë për më vonë nga shërbimet sekrete dhe plani i Xhevdetit për zbarkim (në shtator te vitit 1982).

Ndërsa ngjarja tjetër i takon viteve të “demokracisë”( diku nga vitet 2001-2002 ). Duke zhvilluar me studentët tanë, një praktikë lundrimore me një nga anijet tona shqiptare. (në atë kohë unë isha pedagog në universitet dhe sëbashku me z. B. Shkurti, V. Kasemi, S. Çaushi etj., kontrubuam për hapjen e degës së Navigacionit, sepse Akademia e Marinës, themeluar më 1961 e humbi funksionin e saj). Pra, ne ishim në lundrim praktike dhe kishim njoftuar dhe kapitnerinë tonë të portit. Na afrohet anija financës në fjalë, e na kërkonte llogari që kush ishim, ku shkonim, pse kishim dalë në det etj.Nuk e di, por me thënë të drejtën, në ato çaste m’u kujtua tragjedia e Otrantos dhe nuk e përmbajta dot veten. Ndërruam rolet duke u thënë: Unë jam në tokën time në Atdheun tim në Shqipërinë time!!!.. Kush je ti që je futur në ujrat shqiptare? Kujt i ke marrë leje, pse ke shkelur Atdheun tim, ku e ke flamurin shqiptar sipas Kodit ndërkombëtar të lundrimit? Dilni jashtë nga ujërat tona! Por ata skishin faj… fajin e kishin të shiturit tanë që mbrojtjen ujërave ua patën besuar marinës italiane asaj që na mbyti bijtë tanë. Unë isha viktimë e rradhës, i gjalli që përjtoja shitjen e Atdheut tim te të huajt!

– Mos po nxitoheni?

– Aspak! Isha i shitur së bashku me detin tim, ashtu sikurse edhe sot bëjnë pazarllëqe.

– T’u mbushën sytë me lot kështu?

– Po! E kam inatin si shtrëngata e detit dhe më të kripur se ujtë e tij. Po ma shitën detin, më kanë shitur dhe mua!

SAZANI

Nga Ylli Meçe

Pa zë dhe i heshtur, qëndron si një plak
i moçëm, i vetmuar.
Rrethuar tërësisht prej ujit me mijëra,
e kush e di se sa vjet!
Miqësi ka me detin tekanjoz, herë të qetë,
e herë të harbuar
Dhe andej nga lind dielli, një popull
po aq i vjetër, sa dhe ai vetë.

Kush nuk e njeh mirë Sazanin, vështirë
do ta kish, për ta kuptuar.
Nuk di pse heshtja e tij mendimet si dallgë
pa reshtur, m’i trazon.
I jap të drejtë, kushdo kur braktiset,
ndihet keq, bile i tradhtuar
Si pleqtë e vrarë në shpirt, ai fsheh dhimbjen
dhe lotin kur pikon.

Kur e shikoj ashtu ligështohem, sinqerisht
dhe unë si ai lotoj
Më merr malli për gurët, kepet gjiret, e deri
te “Grykë e xhehnemit”
I rrebeluar jam, e nga inati me grusht fort,
nuk di kë të qëlloj.
Pse u tjetërsuam, mos vallë dje ishim ne
ata që sot, nuk jemi!?..

Ehhh Sazan! Ti s’ke faj, fundja tabanin
nuk e lëvize prej vendi.
Jo vetëm ne, por dhe bashkëmoshatarin tënd,
kapriciozin det.
Në këmbë i prisnin agimet, e shqipen
përherë duke fluturuar.
Pararojë e tokës sime, ushtar i betonuar
me pushkë e bajonetë!

Pa do kalojnë para teje shekuj të tërë ngarkuar,
shpinën plot me qindvjeçarë,
Unë me bashkshokët,e ish banorët e tu,
natyrisht që nuk do të jemi.
Nuk ka gjë Sazan! E dimë se ti syçeluri
i tokës sime, vigjëlon i gjallë.
Bashkë me Karaburunin, për aq kohë
sa armiqtë nëpër këmbë do t’i kemi.

Teksa kujtoj shokët e alarmeve, pse flaka e shpirtit
më ngeli e pafikur?!…
Bashkë me ty Sazan, pimë fare pak ujë të ëmbël
dhe më shumë të kripur!