Ylber Merdani/ Bajram Hoxha, beratasi që nuk donte të dilte nga burgu

1137
Sigal

SPAÇ- Më në fund edhe për Bajram Hoxhën nga Berati mbërriti leja e lirimit nga burgu. Tashmë ai mund ta linte njëherë e përgjithmon kampin e Spaçit dhe të shkonte në qytetin e tij të lindjes, ku mund të jetonte i lirë si gjithë të tjerët. Shumë vite burg kishte bërë deri atëherë. Kishte hyrë i ri dhe tashmë ishte moshuar. Gjithë jeta i kishte kaluar mes telave me gjemba. Nuk kishte burg dhe kamp pune ku të mos kishte qenë ai. Lajmi për lirimin e Bajram Hoxhës i gëzoi të gjithë të burgosurit. Gjithkush prej nesh dëshironte t’i uronte një jetë më të mirë. Bajram Hoxha qeshte dhe qante. Ishte i gëzuar që vitet e burgut edhe për të kishin marrë fund. Mezi e kishte pritur këtë ditë, por qante sepse nuk kishte ku të shkonte. Prindërit kishin kohë që i kishin vdekur. Të afërmit pothuajse e kishin harruar të gjithë. Mbante mend vetëm një motër, por edhe për të, që prej shumë vitesh nuk kishte patur asnjë lajm se ku ndodhej, në ishte gjallë apo kishte vdekur. Nuk dinte asgjë ç’farë mund t’i kishte ndodhur. Dëshironte të ikte një minutë e më parë, larg telave me gjemba, por jeta përtej tyre i dukej edhe më e frikshme. Kishte ndjesinë se jashtë burgut jeta ishte e mbushur me kërcënime, kurthe dhe të papritura të shumta, veçanërisht për ata që kishin qenë një herë në burg. Ai besonte se njeriu nuk mund t’u bëntë dot ballë intrigave që thureshin diku nga njerëz të pashpirt. Ndërsa po bënte gati të linte burgun erdhi një çast që tha: “Nuk dua të dal nga burgu, nuk dua të shkoj në Beratin tim, do të rri këtu”. Të gjithë e vështruan me habi. Nuk po kuptonin dot asgjë çfarë po ndodhte me shpirtin e Bajram Hoxhës. Historia e këtij njeriu ka mbetur e papërsëritshme. Do të vijoj t’ua rrëfej, ashtu siç më erdhi në kujtime atë çast.

Gazeta “Telegraf”
Të gjitha këto m’u kujtuan teksa isha duke lexuar gazetën “Telegraf”. Kujtimet e së shkuarës, qofshin të hidhura, të trishtuara apo të gëzuara, përgjithësisht, rrinë të tulitura diku në memorien e njeriut, flenë atje, por mjafton një shkëndijë e vogël në një bisedë, në një shkrim, në një ndodhi apo diku tjetër, dhe e shkuara fillon e zgjohet e nis të të shfaqet e qartë sikur të kishte ndodhur dje. Kështu më ndodhi edhe mua kur po lexoja “Telegrafin”, shkrimin e bashkëvuajtësit tim në burgun e Spaçit, Gëzim Çela, që fliste për Anxhelo Bertonin, italianin që u dashurua çmendurisht me një shqiptare të bukur dhe që për hir të dashurisë së saj nuk desh të kthehej në Itali. Por… përfundoi në Spaç. Gjithçka kishte qenë një kurth, një intrigë, një tmerr nga ato që Bajram Hoxha i kishte frikë e nuk donte të largohej nga burgu. Pak a shumë edhe Bertonit i kishte ndodhur kështu. Pas punës së rëndë në gurore, kishte shkuar në klubin e fshatit, ku po shijontë një gotë raki. I shkreti Bertoni ishte në qejfin e vet, kur dikush nga fshatarët i tundi para fytyrës gazetën “Zëri i Popullit”, e cila fliste keq për Italinë dhe qeverinë e saj. Në faqet e kësaj gazete thuhej: “Ja sa e keqe është qeveria italiane dhe italianët”. Anxhelo mbeti i befasuar. Gazetat shqiptare le të shanin gjithë ditën qeverinë, por me bashkëkombasit e tij çfarë kishin! Nuk u mendua gjatë, i ktheu përgjigje fshatarit ashtu siç e mendonte: “Tutti i giornali albanesi sono bugie!” (Të gjitha gazetat shqiptare janë gënjeshtra!). Mjaftoi kaq që ai të përfundonte në burgun e spaçit. Pikërisht në këtë çast m’u kujtuan operetat e kënduara prej tij, madje nisa t’i dëgjoja zërin. M’u bë sikur këndonte “Asasini, apri la porta”, “Trezina” apo “Mama son’ tanto feliçe”.

M’u kujtuan të gjithë
M’u kujtuan të gjithë atë çast, kur mblidheshin bashkë dhe flisnim për gjithçka. Një ditë, kur biseda po bëhej në gjuhën italiane mes Bretonit, mjekut Astrit Delvina (nip i Sulejman Delvinës), i diplomuar në Bolonjë dhe Irfan Hasanajt që kishte studiuar në Bari, ku dhe punoi si spiker në Radio Bari, (të burgosur dy herë nga diktatura), në një çast, kur Bertino përmendi një shprehje italiane, Irfan Hasanaj ndërhyri dhe shpjegoi si duhej thënë ajo sipas rregullave gjuhqësore. Çuditërisht Anxhelo Bertoni nuk u mërzit. Ai u kthye nga ne dhe tha i entuziazmuar: “Ja një shqiptar që e flet italishten më bukur se një Italian!” Pastaj m’u kujtua I.C. nga Vlora që njihej si “Omer Kajami”, sepse ai dinte përmendësh të gjitha poezitë e tij: “Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!/ Në gjumë dhe në Varr s’ka lumturi;/ Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;/ Ke shekuj që të flesh në qetësi”. Kurse bashkëvuajtësi tjetër N.Gj., nga Kavaja njihej si “Esenini”. Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve m’u kujtua edhe Bajram Hoxha nga Berati i mbetur jetim nëse do të shprehesha kështu. Kishte 30 vjet që jetonte në burgje dhe kampe. Ai njihej si “Sadiu i kampit”: E di çdo gjë që heq jetim’ i shkretë, sa herë që zemra dhemb e qan:/ Se edhe vetë i vogël qesh’, kur prindët ikën, në Parajs’ më vanë./ Një herë ish dikush, që veç një gjemb i hoq’ jetimit që nga këmba,/ Në gjum’ u dilte njerëzve sa flinin edhe u shfaqej nëpër ëndrra,/ Tek rrij’ në Éden, endej mes lulesh, i lumtur shumë dhe i gëzuar,/ E thoshte shend e verë: “Shihni ç’më dha Zoti, qoft’ i Madhëruar!”/ I thosh njerëzia: “Pse?” “Vetëm sepse hoqa një gjemb të bekuar!” Bajram Hoxha dinte përmendësh “Gjylistanin” dhe “Trëndafilishtat”, kur ne i thoshim “Gjylistani dhe Bostani” ai nuk e pranonte.

Bajram Hoxha
Po, pretekst u bë gazeta “Telegraf” për të m’i kujtuar të gjitha këto, por Bajram Hoxha i Beratit më solli ngjarjen e tij të papërsëritshme, që unë nuk kam mundur ta harroj dot kurrë. Bajrami ishte burgosur kur ishte ende i ri, madje kur nuk kishte mundur as të martohej. Vajza që donte kishte mbetur për të vetëm një ëndërr. Ai thoshte se e dashura e tij vetëm qante. Ai besonte se ajo qante çdo ditë. Gjithë jeta i kaloi në burg. Jeta e mësoi të ndante gjithçka me të burgosurit; trishtimin, duhanin, bukën, dhimbjen, izolimin në qeli, të ftohtin, batanijet e grisura, kamzhikun e gardianëve, ofendimet, rrahjet në sy të të burgosurve. Vitet kalonin. Të tjerë njerëz sillnin në burg dhe të tjerë largoheshin prej andej, por Bajrami gjithnjë mbetej aty. Për bashkëmoshatarët ai u bë vëlla, për më të rinjtë ishte një baba i mirë. Të gjithëve u jepte kurajo, të bëheshin të fortë e të duronin deri sat ë ktheheshin në shtëpi te familjet e tyre, por tashmë që atij i kishte mbërritur leja për të lënë burgun e të shkonte në shtëpi, nuk ishte më i sigurtë nëse ishte më mirë të qëndronte ende në burg apo të dilte jashtë tealeve me gjemba dhe të niste një jetë tjetër. Nuk vonoi shumë kur një punonjës i tha se tashmë kishte mbërritur ora të linte burgun dhe të dilte jashtë portës. Pas kësaj udha e mbarë… vetëm fati e dinte çfarë mund t’i ndodhte Bajram Hoxhës. Ai e dëgjoi punonjësin e burgut pik e vrer. Nuk dha asnjë përgjigje.

Do të rri në burg!
U ngrit i heshtuar, pa thënë asnjë fjalë dhe shkoi te komisari i burgut, i cili në të vërtetë njihej si njeri i mirë nga të burgosurit. Qëndroi para tij dhe nisi t’i lutej: “Komisar, unë nuk kam ku të vetë, nuk kam as familje, as të afërm, edhe për motrën kam vite që nuk kam asnjë lajm ku ndodhet. Ndoshta ka vdekur edhe ajo, sepse nuk besoj që të jetë gjalllë e të mos vijë të më shohë. Edhe e dashura që kisha, sigurisht do të jetë martuar, nuk mund të më priste mua. Nese më ka pritur jam i sigurtë do të ketë përfundur më ndonjë burg nga ku nuk ka për të dlaë më kurrë. Ju më mbajtët shumë gjatë nëpër burgje komisar, tani, siç e shihni, jam i moshuar, i pafuqishëm për t’ia nisur sërish nga e para dhe unë nuk mundem më. Mbamni këtu sepse e di që atje jashtë do ta kem më të vështirë, sepse nuk jam më i zoti të punoj dhe të mbaj veten time, sepse e di që kurthe të tjera do të më ngrini e prapë do të më sillni këtu. Lutem m’i kurseni këto vuajtje…
Përgjigja e komisarit ishte negative: “Nuk të mbajmë dot!” Kontrollet do të më gjejnë një të burgosur më shumë, sit u them?

Atëherë të dhjefsha qeverinë!
“Atëherë të dhjefsha qeverinë!,- iu përgjigj Bajram Hoxha, me qëllim që t’i vinin prangat aty në vend. Ju jeni kriminelë, këlysh të kriminelit të madh, Enver Hoxhës!” Komisari vuri buzën në gaz: “Sot mund të thuash çfarë të duash, për tre ditë nuk të dënon ligji, por t’i duhet të dalësh nga burgu dhe të shkosh në Berat, të presin në Degën e Punëve të Brendshme”. Ne që po e ndiqnim nga larg këtë skenë tragjikë po aq edhe komike, u mallëngjyem; dikujt iu bushën sytë me lot. Vërtet ishte burg, po Bajrami e kishte aty një copë krevat, një dyshek me kashtë, dy batanije nga ato që nxirrte jashtë përdorimit ushtria, e kishte një lugë nga supa e kazanit ku më shumë kishte ujë dhe kripë se sa oriz, e kishte edhe një copë bukë, por mbi të gjitha kishte kujdesin dhe respektin e e të gjithë bashkëvujatësve, nadante me ta gjithçka. Gjithsesi, atij i duhej ta linte burgun. Dhe ne të gjithë përcollëm Bajram Hoxhën. Largimi i tij mbeti i paharruar. Do të vij prapë, na tha Bajrami, e di që një kurth i ngritur më prêt atje në Berat sapo të vete

Në Berat
Me të mbërritur në Berat, Bajrami u paraqit në Degën e Punëve të Brendshme me fletën e lirimit nga burgu i Spaçit. Ju kërkoi strehim dhe punë për moshën e tij, por ata e përcollën duke i thënë: “Për strehim, shko regjistrohu në seksionin e strehimit, për punë, regjistrohu në seksionin e punës. Bajrami nuk po kuptonte asgjë nga këto. I pyeti: “ Po ku t’i gjej këto që thoni ju?” “Në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, iu përgjigjën ata”, dhe e përcollën. Atë natë Bajrami fjeti në një lulishte, edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, hotel për të u bë lulishtjta. Strehim dhe punë nuk kishte për të. Kërkoj për disa ditë me radhë të gjente motrën e tij por e pati të pamundur, nuk mësoi dot asnjë lajm. U end në të gjitha rrugët e Beratit, mos vallë shihte të dashurën e tij, por nuk e pa asgjëkundi.Ndoshta ishte martuar diku larg. Gjthçka nga ato që mbante mend ai, kishte vdekur. Kishte mbetur i vetëm, i pashpresë dhe pa asnjë përkrahje. Jeta jashtë telave me gjemba qenkësh edhe më e vështirë. Të nesërmen u gdhi bashkë me një ëndërr.

“Tentativë arratisje”
Gjeti një makinë dhe u nis drejt Elbasanit, që andej mbërriti në Librazhd. Të nesërmen e vijoi rrugën drejt Korçës, i rreckosur, më një torbë në krah, ku kishte vetëm një kothere buke, u lutej shoferave ta merrnin me vete. Lekë për biletë nuk kishte. Shumë makina nuk i qëndronin, por pati edhe nga ata që i thanë: “Hip!” Dhe ai vazhdonte rrugën për më tutje. Një të diel mundi të mbërrinte deri në Korçë. Me të mbërritur aty nisi të pyeste çdo njeri që i dilte përpra: “Cila rrugë të çon drejt Bilishtit?” “Pse do të shkosh në Bilisht?”, e pyesnin njerëzit të habitur. “Dua të arratisem!”- u përgjigjej ai. Pas këtij çasti, gjithkush mbetej i habitur. E vështronin gjithë dyshim. “Të ketë lajthitur plaku i gjorë?!” Megjithatë, ai vazhdonte rrugën drejt kufirit shqiptaro-grek. Nuk mundi të mbërrinte dot as në fshatin Zëmblak, kur gazi i degës e ndali në mes të rrugës Zbritën nga makina dhe i vunë prangat në emër të popullit. Fjalët e para të Bajram Hoxhës ishin: “Po mirw-mo edhe të dielave nuk paska pushim për spiunët!” “Ku do të shkojw?”,- e pyetwn ata. “Në Greqi”,- u tha ai. “Nuk ke për të dalë më nga burgu”,- i thanë ata. “Shpresoj të jetë e vërtetë kjo që po më thoni”, – u tha ai. Pas tre muajve Bajram Hoxhën e pamë të hynte përsëri në burgun e Spaçit, e kishin dënuar me 25 vjet burg për tentativë arratisje dhe tradhti të lartë ndaj atdheut… E pamë dhe na u mbushën sytë me lot…