Xhevat Lluri: Për invalidin dhe bashkëluftëtarin e Mujo Ulqinakut

1210
Sigal

Ai nuk u mburr kurrë se kishte luftuar në krah me Mujo Ulqinakun, më 7 prill 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste dhe ishte në ballin e parë ku nisi rezistenca e popullit, atje në Torrën e Kalasë së Durrësit. Se edhe ai ishte në marinë së bashku me Mujon. Nuk tha, kurrë vetë se, kur mitralozi i Mujos heshti,… heshti, se Mujua mbeti si legjendë e gjallë e rezistencës antifashiste në Shqipëri, por edhe në Evropë, në kulmin e dhimbjes e dëshpërimit për të, i ndezur nga gjaku, nga dashuria për komandantin dhe bashkëluftëtarin, nga urrejtja kundër hordhive fashiste që po nxinin detin e qiellin e vendit të tij, u hodh mbi mitralozin e Mujos që heshtte… Dhe qëlloi, qëlloi pa pushim drejt sorrave të zeza. I griu! Derisa ra edhe ai mbi mitraloz, pa ndjenja. Fati deshi që të mos “shkonte” bashkë me Mujon. Nuk kishte vdekur. Ishte plagosur në krahun e majtë dhe nga që i kishte rrjedhur shumë gjak kishte rënë. Ky ishte djaloshi Stefan Maliko Gogo, që kishte lindur në vitin 1913, në Prongji të Gjirokastrës dhe kish vite që banonte në Durrës. Shumë e dinin këtë fakt, e të gjithë ata që e dinin, heshtnin. Heshtnin se heshtja flori u siguronte mos nisnin një kalvar vuajtjesh si ai i Stefanit. Pse? Ç’ndodhi? Durrësi ra. Ra dhe Shqipëria. Ra flamuri. Të gjallët s’dinin ku të futeshin,… të rënët e të plagosurit mbetën nëpër kodra e sheshe. Por Stefanin pa ndjenja, ata që deshën ta dërgonin në botën tjetër, e dërguan në Brindizi të Italisë, në spital ta kuronin. (Ligji i ushtarakëve: Kudo ushtarakët bëjnë detyrën. Dhe fashistët e zbatuan, ndonëse pa dëshirë). Dhe e kuruan. Nuk ishte humanizëm, ishte edhe demagogji fashiste. Të vras pa të të dua… Megjithatë Stefani shpëtoi. Pas kthimit të tij, kur Shqipëria ishte çliruar, emërohet Komandant i Distriktit Detar të Durrësit. Por viti 1950, do të sillte një avari në det që do të kthehej në avari edhe në jetën e tij. Duke drejtuar rimorkimin e një dragomine nga Vlora në Durrës mistrali i egër i këput kavon dhe ekuipazhi endet në det të hapur… Jeta varej në pikë fije të perit në detin e paanë. Por dallgët e egra dhe era e çmendur u treguan të mëshirshme, falë edhe zotësisë së marinarëve dhe e çojnë në brigjet italiane.

Ai mistral, ato dallgë të tërbuara do të ngrinin dallgë mbi jetën e atij që mund të kishte mbetur me Mujon dhe mund të ishte sot Hero. Këtu fillon kalvari i vuajtjeve. Pas kthimit në atdhe, ky si komandant ngarkohet me përgjegjësi dhe mbi të hidhen dyshimet… Mos vallë Stefani bashkëpunonte me italianët?! Mos janë lidhjet, që atëherë kur e kishin kuruar, kur u plagos me 7 prill?! Shkarkohet nga detyra dhe mbeti në harresë gjithë aktiviteti i tij. Një jetë të tërë në heshtje, në pikëpyetje. Edhe mbas vendosjes së demokracisë vazhdoi heshtja nga qeveria. Po pse? Qeveria heshtte se ai në deklarimet e tij përsëri nuk heshti për atë që kishte kundërshtuar qysh atëherë, pjesëmarrjen e forcave të Abaz Kupit në rezistencën antifashiste më 7 prill 1939. Por në vitin ’97 aktiviteti i tij atdhetar del në dritë dhe vlerësohet. Dekorohet nga Presidenti Mejdani me “Urdhrin e Artë të Shqiponjës”. Një vit më pas, Stefan Maliko ndahet nga jeta. Në vlerësimin që i bën Komiteti i Veteranëve në dhënien e lamtumirës së fundit e cilëson atë bashkëluftëtarin e Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku dhe Invalidin e Parë të Luftës për Liri.