Xhevat LLURI/ Patrioti Hamza Makashi e vuri jetën e tij në shërbim të Atdheut

1162
Sigal

Jubileu i madh i 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë, na sjellin në memorie tërë ata patriotë e atdhetarë që mes sakrificave e privacioneve të shumta, kanë luftuar për lirinë e pavarësinë e Atdheut në të gjitha periudhat. Një ndër këta patriotë është edhe Hamza Beqir Makashi, i lindur në fshatin Prongji të krahinës së Kardhiqit në vitin 1890 dhe i ndarë nga jeta në Qershor të vitit 1951. Edhe pse nuk jeton më, ai mbetet figura më e spikatur atdhetare, që tërë jetën e tij luftoi për lirinë e Atdheut. I lindur e rritur në një familje fisnike me rrënjë të thella atdhetare e me zë në tërë krahinën e Kardhiqit, formuan në personin e tij tiparet e një njeriu të zgjuar, dinamik, por edhe të urtë e largpamës në analizimin dhe gjykimin e problemeve të kohës. Ai u bë shembull frymëzimi për njerëzit që kur refuzoi hapur mobilizimin në ushtrinë osmane, mbështeti çetën patriotike të Heroit Çerçiz Topullit, së bashku me patriotët Riza e Bajram Ligu. Ai u bë promotor i Lëvizjeve Patriotike të kohës si në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe në luftën kundër monarko-fashistëve grekë në vitet 1913-1914 dhe rezistencën e organizuar në mbrojtje të trojeve të Jugut. Ai organizoi Çetën me 50 luftëtarë prongjatas, që shkuan vullnetarë në Luftën e Vlorës më 1920. Me interesimin e këmbënguljen e tij, në qeverinë e kohës, mundi të çelë shkollën e parë në fshat më 1919. Qëndrime të tilla atdhetare mbajti edhe në mbështetje të Qeverisë demokratike të qeverisë së Fan Nolit më 1924 dhe kundërshtimet e hapura kundër regjimit të Zogut. Me pushtimin fashist të vendit më 1939, organizoi tërë djemurinë për të kërkuar armë e për të shkuar në ndihmë të luftëtarëve në Portin e Sarandës, por qeveria e kohës nuk iu dha armë dhe kjo e rriti edhe më shumë urrejtjen kundër pushtuesve. Në fillimet e vitit 1941, vihet në krye të Lëvizjes Antifashiste në tërë zonën, që arriti kulmin e vet në grisjen e flamurit fashist më 28 Nëntor 1941, në festën demagogjike që organizuan fashistët në Prongji, si qendra e krahinës, ku ishte stacionuar komuna dhe posta e xhandarmërisë e karabinierisë. Së bashku me patriotin Gani Haolçi, vendosën të parët lidhjet me qarkorin e Partisë në Gjirokastër dhe filluan punën për të propaganduar thirrjen e Partisë Komuniste për ngritjen e popullit në Luftë. Në veprimtarinë e tyre patën ndihmën dhe mbështetjen direkte të Heroit të Popullit Shefqet Peçi që ishte edhe Kryetar i këshillit Antifashist NÇl të krahinës dhe me porosi dhe pjesëmarrjen direkte të deleguarve të Qarkut, Myzafer Asqeriu, sot Dëshmor dhe Hero i Popullit, si dhe Barjam Sinoimeri e Sejdi Axhaliu, krijuan Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar në Mara 1942, që ndikoi edhe për fshatrat e tjerë. Ndërsa në 12 Dhjetor të këtij viti, nën drejtimin e tij, u krijua Çeta Partizane që e pagëzua me emrin “Çerçiz Topulli” dhe komisar i saj u caktua Gani Haloçi, miku dhe shoku i tij më besnik në ato vite të LANÇ. Komiteti Qarkor i PK-së së Gjirokastrës dhe Shtabi i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, duke njohur patriotizmin dhe kontributin e dhënë, në vitin 1943 e zgjedh Kryetar të Këshillit Krahinor dhe më 10 Nëntor të vitit 1943, në Poliçan të Gjirokastrës, krijohet Këshilli antifashist NÇl i qarkut, ku Hamzai zgjidhet anëtar i këtij Këshilli dhe njëkohësisht ishte zgjedhur edhe Kryetar i Këshillit Krahinor të Kardhiqi. Shtëpinë dhe gjithë familjen e tij, i vuri në shërbim të LANÇl. Në Prill të vitit 1944, Hamzai caktohet delegat për në Kongresin e Përmetit, ku zgjidhet edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist NÇl dhe në Shtator 1944, delegat në Konferencën e Beratit. Mbas çlirimit, më 6 Janar 1945, zgjidhet Kryetar i Frontit Demokratik të rrethit Gjirokastër dhe në Shkurt, anëtar i Këshillit të qarkut. Djali i tij Xhezua, mbas çlirimit kreu detyra të rëndësishme në M.P.të Brendshme dhe gjatë kohës që kryente detyrën e Kryetarit të degës së Punëve të Brendshme në rrethin e Tepelenës, vritet pabesisht gjatë një përpjekje me diversantët dhe shpallet “Dëshmor i Atdheut”. I vrarë moralisht pas vrasjes së djalit të vetëm dhe sëmundjet e marra gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, u nda para kohe nga jeta më 5 Qershor 1951, duke na lënë një trashëgimi të madhe Patriotike. Këtë figurë Atdhetare me kontribute të mëdha për çështjen e lirisë e Pavarësisë së Atdheut, tërë populli i qarkut Gjirokastër por veçanërisht Prongjotasit, do ta kujtojnë e nderojnë këtë Patriot të madh.