Xhelal Marku: TVSH, dikur gjigant, sot e konkurrojnë “kioskat mediatike” private

920
Sigal

INTERVISTA/ Rrëfen Xhelal Marku, telekronisti dhe gazetari i mirënjohur i RTSH-së për 25 vjet

Një burrë i qetë, i dashur i pasionuar pas kamerës dhe gazetarisë. Mbi 25 vjet punë në këtë sektor, ai ka një fond xhirimesh që do t’ja kishte zilinë çdo televizion privat. Për çerek shekulli ai ka xhiruar  për rrethet Mirditë-Pukë në vendet më të vështira.

Z. Xhelal, ju mbaruat për mësuesi, por u punësuat si telekronist në RTSH. Si erdhi ky emërim?

Kur u emërova në detyrën e telekronistit për rrethet Mirditë-Pukë, më 16 dhjetor të vitit 1974, isha vetëm 25 vjeç. Ky emërim më gjeti në fillimet e një pune plot pasion e përkushtim si mësues i letërsisë në gjimnazin “Bardhok Biba” të qytetit të Rrëshenit. Ishte viti i dytë i punës në këtë profesion të bukur e fisnik, që e kisha nisur fill pas diplomimit në Fakultetin:Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe sigurisht në fillim nuk e prita mire këtë emërim, që më detyronte të lija profesionin e mësuesisë, për të cilin kisha investuar 16-vjet shkollim të pandërprerë . Do të niste kështu një punë e re për mua dhe në një profesion të ri-atë të gazetarit të RTSH-së me të cilin u lidhëm aq shumë, saqë e harrova mësuesinë. Dimensioni i kësaj pune më rrëmbeu me artin e vet, por dhe me peshën e përgjegjësinë e fjalës, që përfaqësonte në opinionin e kohës. Dhe, ecëm bashkë dorë për dore, për një çerek shekulli, përmes vështirësive,duke u ngjitur në lartësitë e profesionit të mrekullueshëm të gazetarit të televizionit. Nga lartësia e këtyre viteve, shoh një jetë përmes ekranit, ku lëvizin plot gjallëri, personazhet e kohës: minatorë e gjeologë, metalurgë e sharrëtarë, pemëtarë e barinj, mësues e mjekë të palodhur, por dhe sportistë e sportiste të dalluara. Një arkiv i gjerë e i pasur, që zë një vend të merituar në pasurinë me vlera të çmuara kombëtare të RTSH-së, ku tashmë njihem në opinion edhe si themelues i arkivit të Mirditës për TVSH-në, përgjatë 25-viteve të punës në këtë institucion. Është një pasuri arkivore e tillë, që sipas një përllogaritjeje, këtij televizioni i duhen rreth 2-vjet, për ta transmetuar atë. Ndaj kam të drejtë të them: “Pata fat, që isha gazetar dhe që kontribuova në një media kombëtare, siç është TVSH-ja”. Në këtë Institucion, unë u rrita, u kualifikova dhe u edukova me përgjegjësinë e punës së gazetarit e të kamerës. Ndaj faleminderit RTSH! Janë këto lidhje, që kanë lënë mbresa të forta tek unë. Mirënjohje dhe për Mirditën, që me aq dashuri më trajtoi, ndaj kam të drejtë ta konsideroj atë si vendlindjen time të dytë, pasi të parën e kam në Reç të Dibrës.

Vështirësitë e filmimeve në miniera, ku konsistonin dhe si realizoheshin?

Kisha  dëgjuar për punët e vështira në  miniera, por dhe kisha parë disa procese  pune, që kryheshin jashtë galerive. Kureshtja ime ishte të filmoja punët brenda në galeri, ndaj planifikova një kronikë në Minierën e Kurbneshit. Ishte dimër i ’75-ës dhe në Kurbnesh si zakonisht bënte shumë ftohtë. Pasi zbrita nga autobusi i linjës, biseda nisi me drejtues e specialistë të minierës, të cilët më ndihmuan për të filmuar në thellësitë e galerive. Ishte një përvojë e re për mua kjo, ndaj planifikova kronika edhe për minierat e tjera të Mirditës e të Pukës,që në atë kohë numëroheshin plot 13 të tilla si: Kurbneshi, Spaçi, Tuçi, Qafë-Bari, Gurthi, Derveni, Kaçinari, Thirra, Maja e Madhe, Perlati e më vonë u rihap edhe Rubiku. Pranë e pranë minatorë e gjeologë, metalurgë, sharrëtarë e shoferë, që i jepnin jetë e gjallëri krahinës. Këta ishin personazhet e kronikave, reportazheve dhe emisioneve të mia, me të cilët u njoha dhe u miqësova duke bashkëpunuar me ta, gjatë gjithë kohës si korrespondent i RTSH-së, disa prej të cilëve i kujtoj edhe sot bashkë me detajet interesante të jetës së tyre. Më ka ngelur në kujtesë një episod nga një festë në mes të pyllit me gjeologët e Pukës, në Ditën e Gjeologut, ku pata kënaqësinë të isha i ftuar prej tyre. Aty pranë punës, tek kampionet e mineraleve, krahas drekës, që e kishin përgatitur ata vetë, nisi edhe një shfaqje e improvizuar nga gjeologët, që e rriti atmosferën e festës së tyre. Por më interesantja e ditës ishte, kur një gjeolog nga Saranda, një mesoburrë, emrin e të cilit e kam harruar, mori në dorë një çifteli dhe filloi të luante mrekullisht, si të ishte vetë Ndue Shyti. Ai kishte mbi 20 vjet,që punonte e jetonte me gjithë familje në Fushë-Arrëz të Pukës, ku ishte ambientuar e përshtatur aq shumë, sa ishte vështirë ta dalloje nga  vendasit. Në sytë e tij lexohej jo vetëm përkushtimi për profesionin, por dhe dashuria  për Pukën dhe pukjanët. Të tillë njerëz pasionantë e të sakrificës dhe pa pretendime i takoje kudo, në çdo sektor të jetës. Ata ishin frymëzimi ynë, ishin personazhet dhe miqtë më të mire të ekranit, të cilët do t`i ndiqnim edhe në majë të malit, pa përfillur vështirësitë dhe pengesat, që dilnin gjatë punës. Është  kënaqësi për mua, që nga karakteri i tyre i qëndresës përballë vështirësive, kam mësuar vazhdimisht, pasi puna jonë kishte plot lodhje e vështirësi si: ecje të gjata në këmbë dhe shpesh edhe përmes bores e shiut, sepse siç dihet ne ishim gazetarë, por që bënim edhe punën e operatorit me kamerë. E thashë këtë fakt, sepse kam dëgjuar të flitet me habi nga ndonjë kameraman, se çfarë kanë bërë më shumë se ne telekronistët?! Po zotëri, kanë bërë. Kanë bërë regjinë dhe gazetarinë, që ty t`i bënin të tjerët, kanë bërë shpesh dhe ecjet në këmbë, kur ti nuk lëvizje pa të ardhur makina tek shkallët e TVSH-së; e pse jo, kanë bërë edhe shkollë më shumë se ti. Është kjo arsye, që asnjë korrespondent i RTSH-së, nuk e ka filluar punën në këtë institucion si marangoz apo si hidraulik, që më pas të mund të bëhej ndonjë; “Artist i Merituar” apo ndonjë “Mjeshtër i Madh”, duke marrë tituj pa vepra, pa krijimtari.

Ku ishin vendet kryesore që ju xhironit apo zhvillonit intervista?

Unë kam një jetë në media, plot 36-vjet, por më duhet të pohoj se mbresat e mia si telekronist përgjatë 25-vjetëve në TVSH, me aktivitet në 7 rrethe të zonës verilindore, si në: Mirditë, Pukë, Lezhë, Mat, Kurbin e Krujë, kanë qenë dhe mbeten vitet më mbresëlënëse, për vetë hapësirën që më krijonin njohjet dhe marrëdhëniet e mia me personazhet e punës dhe objektet e punës, pra  minierat, fabrikat dhe uzinat e përpunimit të mineraleve, sektorët e përpunim-drurit e të gjeologjisë. Prioriteti që kishte industria nxjerrëse e përpunuese në atë kohë në jetën ekonomike të vendit,më detyronte  t`u rikthehesha shpesh këtyre sektorëve. Koha për xhirim zgjaste aq sa ajo e një turni pune,pra 8-orë,sepse ishin shumë procese pune, që nga ndriçimi në frontin e prodhimit e deri tek shpimi i lagur dhe transporti nga thellësitë e galerive. Ndaj, kur dilnim nga galeritë pas kronikës,ishim të nxirë njëlloj si minatorët, ku vetëm dhëmbët kishim të bardhë. Në këto kushte, pas punës  trajtoheshim gjithmonë si minatorët: Bënim dushe, pinim qumështin e normës, merrnim rrezet e nevojshme etj. Dhe më pas kishte vlerat e veta edhe një drekë bashkë me minatorët, këta njerëz të sakrificës, që lanë jetën galerive, sepse sëmundja profesionale e silikozës ju preu jetën në mes (mosha mesatare e tyre nuk i kalonte të 40-at ).Nderim për punën, kontributin dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e  ekonomisë së  vendit.

Si trajtoheshin gazetarët e televizionit në regjimin komunist dhe si ishte përgatitja e tyre?

Megjithëse kushtet në përgjithësi ishin të vështira, duhet të pranojmë se kishim edhe trajtime. Për shembull, telefonin dhe shtypin e përditshëm i kishim falas, paga ishte e mirë dhe kishim dieta të mjaftueshme për shërbimet. Kohët e fundit filloi të zgjidhej edhe problemi i vështirë i transportit për disa rrethe. Duke vlerësuar terrenin e vështirë që kisha, në vitet 80-të TVSH-ja mua më pajisi me motor tricikël, për të udhëtuar, që padyshim ishte një favor për punën dhe një trajtim ndryshe nga të tjerët . Kjo ndikoi edhe në cilësinë, sasinë dhe shpejtësinë e punës në televizion, ç`ka vërtetohet edhe me vlerësimet e larta që kam marrë në ato vite, si dhe me shkallën e lartë të kualifikimit që fitova mbi bazën e punës së bërë. Padyshim që hop në punën time kanë qenë pasqyrimi me cilësi i ngjarjeve të mëdha si: zhdukja e pasojave të tërmetit në Lezhë në vitin 1979, ndërtimi i hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos etj., për të cilat dhe jam dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri”. Do të veçoja si momentet  më të vështira në punën time si gazetar, izolimin e Mirditës nga dëbora e madhe e vitit 1985, si dhe përmbytjet në këtë rreth në vitin 1992, ku u këputën ura, u prishën rrugë dhe furnizimi i popullsisë bëhej me kafshë ose me helikopter. Kujtoj se për arsye të bllokimit të rrugëve u vonua edhe informacioni në televizion, por të habit fakti që edhe kur shkoi kronika, redaktori dezhurn i ditës e transmetoi atë vetëm një herë në orën 16 dhe pastaj e hoqi nga transmetimi, duke e zhdukur si kronikë, që për shkak të tij, nuk u bë pjesë e arkivit të TVSH-së, duke humbur kështu një ngjarje të madhe!? Të tillë njerëz të  papërgjegjshëm i kemi pasur edhe drejtues në televizion, të cilët nuk njihnin as gjeografinë e Shqipërisë.

Dhe vitet e tranzicionit. Si ju gjetën dhe çfarë hapësirash nju ofruan në punë?

Kujtoj këtu kronikën për zhvarrimin dhe më pas meshën e parë pas `67-ës , në shkurt të vitit 1992 , si dhe rivarrimin e 15 viktimave të Qafës së Valmirit, të pushkatuar me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, ku unë shmanga presionet dhe realizova një kronikë të vlerësuar për kohën. Ky mund të ketë  qenë dhe shkaku që më larguan nga puna në vitin 1997, sepse nën zë më kanë klasifikuar si autorin e parë të rivarrimeve në Shqipëri. Në qoftë se është kështu, atëherë unë këtë  e  vlerësoj si nder që më është bërë dhe e theksoj se ka qenë zgjedhja ime e duhur. Po kaq i saktë kam qenë edhe në përpunimin e lajmit politik, si kur filmoja Berishën, Fatos Nanon apo ndonjë politikan tjetër. E megjithatë, duhet ta pranoj, që tranzicionin  e kam vuajtur me dënime të padrejta: Në vitin 1997, pushteti i së majtës më largoi nga puna pa motivacion , ku për 8 muaj deri sa u hapën TV-të private, isha pa punë. Pas kësaj kohe, kam punuar në televizionet private si: TVA, Koha Televizion etj., ku fitova një përvojë të re pune , por që humba 6-vjet vjetërsi, kur lekët për sigurimet në punë i kishin mbajtur rregullisht. Që nga viti 2005 e në vazhdim, unë kam kërkuar të kthehem në RTSH, ku kam punuar për rreth tri dekada, por nuk u arrit. Në këto kushte jam detyruar të punoj me projektet e mia private, ku falë profesionit dhe aftësive të mia, jam ndjerë vazhdimisht mirë.

JA SI KAM “FESTUAR” 25 VITE TË RINJ NËPËR MINIERA

Kam njohur nga afër shumë minatorë, metalurgë e gjeologë, me të cilët pas kronikës apo reportazhit edhe kam festuar me ta, sidomos për festat e Vitit të Ri, të cilët edhe në kufirin ndarës të viteve gjithmonë gjendeshin në punë. Kështu, për çdo Vit të Ri, pas orës 12-të të natës, kur derdhej llava e bakrit, përherë unë do të lija tavolinën time familjare për të filmuar metalurgët, që festa i gjente në punë. Saldatorë të viteve i kemi quajtur këta njerëz, që ishin modeli më perfekt  i sakrificës. Dhe pas kronikës ,ishin metalurgët që më ftonin, për të vazhduar festën bashkë me ta, aty në mjediset e punës, me ushqimet që ata kishin marre nga shtëpia e tyre. Kështu i kishim festat ne telekronistët, larg tryezës familjare. Kujtoj që në mjaft raste për arsye pune ,jemi detyruar të lëmë edhe dasmat e shtëpisë. Ky ishte profesioni i telekronistit,me sakrifica të shumta, që kishin mall fëmijët të na shihnin në tavolinën familjare në ditët e festave. Por, kishte dhe kënaqësinë që të jepte ekrani me punën e bërë, me urimet që na jepnin herë pas here shikuesit e shumtë.

MË PUSHUAN NGA PUNA SE NUK FILMOVA PALI MISKËN

Një zv/shef redaksie kishte harruar të më njoftonte mua, për të shkuar në Pukë, për të pasqyruar veprimtaritë e një anëtari të Byrosë Politike, Pali Miskën, në këtë rreth, ndaj kur u analizua mospasqyrimi i këtyre veprimtarive, shefi pa sy, preferoi të më sakrifikonte mua, duke arsyetuar si sadist, se gjoja unë isha njoftuar, por që nuk paskam dashur për të shkuar në detyrën e caktuar. dhe kaq. Në analizën që u bë pa praninë time, merret një masë ekstreme: Pushim nga puna. U përpoqa të takoja drejtorin e Përgjithshëm të asaj kohe, Thanas Nano, i cili i mbushur me informacion të rremë, nuk pranoi të  më dëgjonte në argumentet e mia për akuzën që më bëhej.   Më pas në një rast tjetër në Mirditë Pali Miska më falënderoj për punën e mirë që bëja në përgjithësi, por veçanërisht vlerësoi një reportazh për gjeologët që kishte ndjekur një natë më parë në televizion. Por kur mori vesh se unë isha i pushuar nga puna, u habit. Si ka mundësi – u shpreh ai, kur ti e çave ekranin me kronika çdo natë, ç`është kjo lojë – tha ai. Dhe foli në telefon me ish drejtorin e Përgjithshëm, Çajup Rusmali, i  cili zëvendësoi ato ditë Thanas Nanon të saposhkarkuar nga detyra. Porosia e tij ishte që të kthehesha urgjent në detyrë dhe të shpërblehesha me një rrogë plus për punën që kisha bërë, në kushtet e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare.

TVSH, I KALBUR NGA NDRYSHKU I PAAFTËSISË DHE KORRUPSIONI

Pas 90-tës, veç Skënder Buçpapajt e Qemal Sakajevës e them me bindje se drejtori në RTSH, ka munguar, ndaj  gjendja rëndohet vazhdimisht,  punonjësit shtohen artificialisht për korrupsion dhe puna bie çdo ditë, duke humbur shikueshmërinë në publik. Aty, tanimë,  punojnë të paaftit, ata që i merr gjumi mbi kamera  apo gjatë drejtimit të emisionit, të cilin pa pikë modestie e vetëvlerësojnë si më të shikuarin në TVSH; punojnë gazetarë që janë pushuar më parë nga puna për dizinformim të opinionit publik, por dhe që janë dënuar nga drejtësia për aksident me pasojë vdekje; punojnë dhe drejtojnë ata, që lajm konsiderojnë atë që paguhet. Sjell një shembull: në lajme, një libër me kujtime të ish sekretarit të pare të një rrethi, nën komentin e një shqipfolësi të rëndë, zë një hapësirë kohore dy herë më të madhe se sa një koment për veprën e Kadaresë! Tjetër: Një kronikë për gjuetinë , pranohet vetëm kur premtohet pagesë për të, bile atëherë drejtuesi thotë:”Të bëhet speciale”! Edhe një shembull tjetër: Në dy raste, që janë organizuar veprimtari në vlerësim të punës time shumëvjeçare në RTSH, ku nderohej së pari logo “TVSH”, Drejtoria e Aktualitetit nuk i është përgjigjur fare  ftesës së bërë nga organizatorët. Habi, por dhe keqardhje për formimin e tyre, sepse veprimtaritë u pasqyruan gjerësisht nga mediat  e tjera të shkruara e vizive . Keqardhje për këtë institucion edhe për faktin, që këtu nuk e njohin fjalën: “Reformë”. Ndaj, 50 për qind rrinë nëpër kafene, 20 për qind bëjnë sikur punojnë dhe vetëm 30 për qind janë të angazhuar në punë. Ky realitet tashmë dihet nga të gjithë, por anashkalohet, sepse drejtuesit kryesorë nuk kanë kurajon dhe aftësinë për t`u marrë me reformimin e RTSH-së. Ata kanë tjetër preokupim …! Është kjo arsye, që sot figurat e njohura dhe më të shquara të këtij institucioni, janë larguar për të gjetur përshtatshmërinë profesionale.