Xhaferr PEÇI/ Vepra e Brigadës I ka shkëlqyer  dhe do të shkëlqejë në të gjitha kohërat

916
Sigal

 71 -vjetori i formimit të Brigadës I Sulmuese “Hero i Popullit” dhe roli i komandantit të saj, Mehmet Shehu

U mbushën 71 vjet nga formimi i Brigadës I Sulmuese “Hero i Popullit” dhe në këto 71 vjet, vepra e saj heroike e lavdia e saj jo vetëm që nuk janë zbehur, por përkundrazi emri dhe historia e saj vazhdon të shkëlqejë e do të shkëlqejë në të gjitha kohërat edhe pse ish-ballistët e pinjollët e tyre, që tradhtuan interesat e popullit e Atdheut e kryen krime të panumërta, vazhdojnë të vjellin vrer kundër kësaj brigade e Luftës Anti-fashiste Nacional-Çlirimtare në tërësi. Brigada I ishte dhe mbetet avangarda e Ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare, shembulli më i shkëlqyer i trimërisë, guximit, sakrificës, shpirtit sulmues luftarak gjatë gjithë periudhës së luftës, besnikërisë ndaj popullit e Atdheut, përpunuese e zbatuese e artit popullor luftarak dhe triumfit në të gjitha aksionet e betejat. Vetëm një muaj pas formimit të Shtabit të Përgjithshëm, më 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës u bë inaugurimi i formimit të Brigadës I Sulmuese të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ceremonia e inaugurimit u bë madhështore, Atë ditë Vithkuqi buçiti nga këngët dhe vallet e partizanëve dhe të popullit që kishte ardhur me këtë rast. Ndërmjet entuziazmit të madh foli Enver Hoxha, përpara shokëve udhëheqës të partisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, duke marrë flamurin, Mehmet Shehu komandant i brigadës, në emër të partizanëve të saj, bëri betimin për të luftuar me të gjitha forcat kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve deri në çlirimin e plotë të vendit. Formimi i Brigadës I, ishte një ngjarje me rëndësi të madhe politike dhe ushtarake për vendin tonë. Kjo ishte një fitore e madhe e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve. Në fillim brigada numëronte rreth 500 luftëtarë, të cilët me parë bënin pjesë në çeta e batalione të ndryshme të vendit dhe që u inkuadruan në katër batalionet e saj. Secili batalion kishte tri kompani pushkatare, një kompani mortaje dhe një bateri artilerie. Në udhëheqje të brigadës u caktuan kuadro të regjur në luftëra me armikun, besnikë ndaj popullit dhe të aftë për të kryer në lartësinë e duhur detyrat e mëdha që i prisnin. Pa kaluar akoma 10 ditë nga formimi i saj. Brigadës I S iu desh të përballonte përpara Vithkuqit një mësymje të armikut, në të cilën merrnin pjesë 10 mijë ushtarë e milicë fashistë italianë, të pajisur me mjete luftarake moderne, ta mbështetur me aviacion dhe artileri të rëndë. Në këtë luftim armiku pësoi humbje të rënda. Menjëherë, pas kësaj brigada çliroi krahinën e Mokrës dhe sulmoi për të çliruar qytetin e Pogradecit, i cili mbrohej nga mijëra ushtarë fashiste italianë. Dihet se pas kapitullimit të Italisë fashiste, plagosen fashistët gjermanë. Brigada I goditi “pareshtur autokolonën ushtarake fashiste gjermane gjatë rrugës Elbasan-Tiranë, të cilave u shkaktoi dëme të mëdha. Me vonë ajo mori urdhër të shkonte në Qarkun e Beratit për të ndihmuar forcat partizane të këtij qarku, të cilat kërcënoheshin riga veprimet luftarake armike. Nga gjysma e dytë e nëntorit të vitit 1943, fashistët- hitlerianë filluan veprime luftarake në shkallë të gjerë në zonën e Mallakastrës. Armiku, superior në numër dhe në teknikë luftarake, u mundua të rrethonte dhe të asgjësonte, por nuk mundi t’ja arrinte qëllimit. Brigada u hodh në krahinën e Mesaplikut dhe në atë të Kurveleshit të poshtëm. Duke mos hequr dorë nga plani i tij për të rrethuar e asgjësuar partizanët e brigadës I dhe të Qarkut të Vlorës, armiku hodhi forca të shumta nga të gjitha anët në drejtim të Mesaplikut. Me një mbrojtje heroike ata e dëmtuan rëndë kundërshtarin. Pas këtyre luftimeve pjesa më e madhe e forcave të Brigadës I, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm kaloi në zonën e Lunxhërisë dhe ne atë të Zagorisë. Duke luftuar heroikisht Brigada e I përmbushi me sukses të gjitha detyrat që i ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm. Ajo luftoi në Zagori, në Tendën e Qypit, në Dishnicë, në Skrapar etj.. Dhe kudo u dha fashistëve gjermanë dhe  tradhtarëve grushte të rënda. Nga operacioni fashist i dimrit, Brigada e parë doli shumë më e fortë dhe u hodh menjëherë në kundërmësymje të fuqishme kundër forcave reaksionare të Ballit Kombëtar,që ishin dislokuar në Tomorricë, në Gorë dhe Mokër dhe i shpartalloi. Në shkurt të vitit 1944, Brigada e I kreu marshim luftarak, marshim heroik i tre batalioneve të saj për t i ardhur në ndihmë Shtabit të Përgjithshëm,që ishte rrethuar nga nazistët dhe ballistët dhe kërkonin asgjësimin e tij. Për guximin dhe shpirtin e lartë të sakrificës që tregoi në këtë marshim, Enver Hoxha në emër të Shtabit të Përgjithshëm, falënderoi me anën e një letre gjithë komandantët, nënkomandantët, komisarët dhe zv. komisarët, gjithë partizanët e Brigadës duke u uruar suksese të reja në luftën kundër nazistëve gjermanë dhe tradhtarëve për çlirimin e shpejtë të vendit. Në përgjigje të saj shtabi i brigadës, në emër të gjithë efektivit të saj, në një letër dërguar Shtabit të Përgjithshëm, nënvizonte: “… I çojmë Shtabit tonë të Përgjithshëm përshëndetjet tona më të përzemërta dhe e sigurojmë se, në udhëheqjen e tij, do të vazhdojmë luftën e pandërprerë kundër okupatorit dhe armiqve të popullit deri në fund, me disiplinë e vetëmohim, e bindje të plotë e besim në udhëheqësit tanë, me vullnet të çeliktë, me shpirt sulmues, me guxim partizan, me frymë e guxim proletare.”. Në prill të vitit 1944, në bashkëveprime Brigadën e IV, Brigada e I sulmoi dhe qytetin e Pogradecit. Ndërkohë kur në Përmet do të zhvillohej Kongresi I Antifashist Nacional-Çlirimtar. Shtabi i përgjithshëm e ngarkoi Brigadën për të penguar forcat fashiste gjermane dhe tradhtare në rast se ata sulmonin nga ana e Elbasanit dhe Librazhdit. Në këtë kohë më 28 maj, ajo u inkuadrua në Divizionin e I Sulmues. Luftëtarët e saj përballuan me heroizëm operacionin e madh fashist gjerman të qershorit 1944 në sektorin që mbronte dhe së bashku me të gjitha forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, prishi planet e armikut dhe bëri që ky operacion të dështonte. Në historinë e Divizionit I, luftëtarët e Brigadës I zunë një vend nderi. Brigada mbajti lart flamurin e çlirimit. Kudo që kaloi korri fitore. Në luftimet për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe pjesërisht asaj të Veriut nga Divizioni I, forcat e Brigadës I luftuan me trimëri në Çermenikë, Zerqan, Peshkopi e Dibër. Lufta brenda në Dibër vazhdoi 36 orë rresht. Fashistët u mbyllën nëpër fortifikata prej betoni. Shumë herë partizanët u hodhën në sulm mbi këto fortifikata dhe u përleshën trup më trup me fashistët. “Lufta u zhvillua kaq e ashpër, -shkruante gazeta fashiste “Bashkimi i Kombit”, saqë do të ishte fort e vështirë me i përshkrue të gjitha etapat e tmerrshme të saj. Partizanët mësynin me tërbim të madh. Trimëria e tyre nuk mohohet. Kaq të etur ishin kësaj radhe për fitore, saqë kishin marrë parasysh çdo humbje dhe përsëritnin sulmet valë-valë”. Patriotizmi dhe heroizmi i Brigadës I Sulmuese u duk edhe më mirë në betejën për çlirimin e kryeqytetit të atdheut tonë, Tiranës. Forcat e saj luftuan nga verilindja dhe duke kaluar përmes minave dhe pengesave të tjera, brenda një kohë fare të shkurtër, hynë në spitalin civil, arritën tek vendi ku tani është monumenti Partizanit dhe në rrugën e Barrikadave, kaluan bulevardin kryesor dhe u hodhën në lagjet midis këtij bulevardi dhe rrugës së Durrësit. Më 16 nëntor, duke sulmuar me guxim, forcat e saj arritën në rrugën “Konferenca e Pezës” te ish- Radio Tirana. Forcat armike të rrethuara, u asgjësuan. Përpara ministrive, luftëtarët e Brigadës I u takuan dhe u përqafuan me ata të Brigadës IV e VIII etj., që kishin përparuar në anët e tjera. Tirana qe çliruar. Brigada e I Sulmuese kaloi me luftë një rrugë me 2260 km, pa përfshirë këtu veprimet brenda rajoneve apo krahinave, ku vepronte. Ajo nuk ka luftuar kurrë në raport të barabartë me forcat e armikut, por në raport 1:5 deri 1:20 në favor të armikut dhe gjithnjë ka dalë fitimtare. Sukseset dhe luftën e madhe që ka bërë Brigada I dëshmon fakti që nga radhët e saj kanë rënë në fushën e nderit  partizanë e partizane, mes të cilëve heronjtë e popullit, Gjok Doçi, Xheladin Beqiri, Inajete Dume, Fejzi Hyseni, Myslym Shyri dhe janë plagosur 735 partizanë. Kurse ajo i ka shkaktuar armikut, si italianëve e gjermanëve, dëme të mëdha. Ai ka kapur afro 1500 robër. Me vendosmëri luftuan partizanët e Brigadës I dhe për likuidimin e mbeturinave të reaksionit, menjëherë, pas çlirimit të vendit. Për kontributin që dha Brigada e I në luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë, Kuvendi Popullor e dekoroi me urdhrin “Ylli Partizan” të klasit I. Ndërsa me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të çlirimit të Atdheut, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i dha Brigadës së I Sulmuese titullin e lartë “Hero i Popullit” me këtë motivacion: “Për heroizmin e lartë masiv të luftëtarëve të saj dhe për shërbimet e shquara për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit fashistë dhe tradhtarët e për vendosjen e pushtetit popullor. Me luftën dhe veprimtarinë e saj revolucionare, si formacion i parë i madh i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ajo u bë shembull për gjithë repartet dhe njësitet partizane, duke korrur fitore pas fitoreje mbi armiqtë dhe duke fituar një dashuri të zjarrtë dhe një mbështetje të pakufishme nga masat e gjera të popullit”… Me rastin e dorëzimit të “Yllit të Artë” “Hero i Popullit”, njësisë që mban emrin e flamurin e Brigadës I Sulmuese partizane, ish-komandant i kësaj Brigade, Mehmet Shehu, “Hero i Popullit”, i karakterizoi partizanët dhe veprimet e Brigadës I Sulmuese, që kanë qenë veti dhe virtyte edhe të gjitha brigadave të tjera sulmuese të Ushtrisë NÇ, sipas mendimit tim ato mund të përmblidheshin në shtatë:

1. Gatishmëria e çdo pjesëtari të Brigadës për të dhënë edhe jetën në çdo çast për mbrojtjen e Atdheut dhe lirinë e popullit.

2. Besnikëria e pafund ndaj Partisë e vijës së saj…

3. Besimi në vetvete, besimi tek shokët, besimi në fitoren mbi armikun, sado i fuqishëm që të duket ai.

4. Urrejtja e pakufishme për armikun dhe dashuria e pakufishme për popullin. Sjellja e denjë e çdo pjesëtari të Brigadës ndaj popullit dhe shkrirja shpirtërore me popullin.

5. Shpirti sulmues, aktiviteti luftarak i pandërprerë gjatë gjithë periudhës së luftës. Disiplina e fortë dhe e ndërgjegjshme, shkathtësia, saktësia, shpejtësia, elasticiteti në veprimin luftarak.

6. Marrëdhënie shoqërore, vëllazërore midis kuadrove të Brigadës dhe efektivit të saj, duke zhdukur çdo distancë midis tyre.

7. Papërkuelshmëria përpara çdo pengese, vështirësie dhe situate të rëndë në luftë, qofshin këto dhe të shkallës më ekstreme. Guximi dhe mospasja frikë nga vdekja.

Në këtë 71- vjetor të krijimit të Brigadës së I “Heroi i Popullit”, përulemi  me veneracion përpara heronjve dhe dëshmorëve të saj. Nderojmë dhe ndjejmë krenari për kuadrot e saj, me në krye komandantin e legjendar Mehmet Shehun, kujtojmë me mall dhe respekt të gjithë partizanët e partizanet e ndarë nga jeta që nuk arritën të festojnë këtë 71 -vjetor, urojmë me shpirt jetë të gjatë të gjithë luftëtarëve që janë gjallë dhe mbajnë gjallë historinë e kësaj Brigade legjendare.

Ish-partizan dhe kuadër i Brigadës