Vrasjet e prillit 1924 që tronditën Shqipërinë!

887
Sigal

Nga Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

-Përse Avni Rustemi kishte kërkuar të pajisej me vizë për të shkuar në Amerikë

-Cili ishte reagimi i Qeverisë për ngjarjet

-Çfarë u kërkua në mitingun e Vlorës të datës 21 prill, një ditë para vdekjes së Avni Rustemit

-Si u organizuar ardhja e trupit të Avniut nga Tirana në Durrës dhe nga Durrësi në Vlorë me anije të lyer me bojë të zezë

-Si u zhvillua ceremonia e varrimit të Avni Rustemit ku folën 17 oratorë ku kryesori ishte Noli dhe Marigoja e Flamurit

– Me ardhjen e trupit te Avniut në Vlorë më 1924, erdhi edhe zemra e tij e cila iu nënshtrua edhe një balsamimi dhe u mbajt në spital

– Më pas, në 1957, me rastin e 45-vjetorit të Pavarësisë, muzeu i Libohovës i kërkon Enver Hoxhës, që zemra e Avni Rustemit të kthehet në Libohovë.

Avniu u vra ndërsa priste të pajisej me vizë amerikane

 Burime të ndryshme të kohës, thonë se disa ditë përpara se të vritej, Avni Rustemi ishte paraqitur në Legatën amerikanë në Tiranë, për t’u pajisur me vizë udhëtimi për në Amerikë. Qëllimi i vizitës së tij në shtetin e largët ishte mbledhja e ndihmave për shoqërinë “Bashkimi’. Legata para se t’i jepte vizën, i kërkoi kohë derisa të merrte miratimin e Uashingtonit. Me të marrë përgjigje prej andej, Legata e lajmëroi Avni Rustemit që të paraqitej për të tërhequr vizën në Tiranë, pasi ai ndodhej prej disa ditësh në Vlorë. Ditën që ndodhej në kryeqytet ishte pikërisht dita që ishte thirrur nga Legata amerikane për të marrë vizën.

Reagimi i Qeverisë ndaj mitingjeve të Vlorës

Ministria e Punëve të Brendshme në një njoftim të datës 3 maj 1924, shkruan si më poshtë:
“Disa zotërinj qi nuk kanë pasun nonji përfaqësim nga Krahinat e tune për t’ju drejtue autoriteteve zyrtare e bashkive për protesime e kërkime të ndryshme dhe qi të shumtët privatësisht kan vajtun për t’u ndodhun në ceremoniën e varrimit të të Ndyerit Avni rustemi, duke u bashkue me disa Assamblista në Vlonë, i kanë i kan diretue dy telegram në qeveri e nëpër bashkitë e fletoret si dhe nëpër Grup-komandat, me qëllim të vetëm t’alarmojnë popullin e qetë e t’a trubullojnë mendimin e tij për qëllime personale të njoftuan botërisht…”
Njoftimi i Ministrisë vazhdon në përgjigje të akuzës të ngritur në mitingun e Vlorës se qeveria nuk ka bërë asgjë për kapjen e vrasësit të Avni Rustemi. Ministria bën të ditur se janë bërë të gjitha përpjekjet për kapjen e tij, por deri tani nuk arritur kapja e tij, duke e krahasuar këtë si një rast që ‘ngjan dhe në shtetet ma të qytetnuara të botës dhe nuk asht nji shkak për konsiderimin e mos zotësis qeveritare…’

Ndërkohë qeveria vendosi të pushojë nga puna më shumë se 20 punonjës të ministrive të ndryshme që morën pjesë në mitingjet e zhvilluara në Vlorë kundër Qeverisë.

Përcjellja nga Tirana për në Durrës

Në kujtimet e tij të votuara në vitin 1980, Kolë Beltoja, shoferi i makinës ku u vendos arkivoli që u përcoll në Durrës, shkruan:
“Pas mesit të natës, duke gdhirë 23 prill bashkë me disa shokë u ngarkuam me detyrën e ngutshme të rregullonim një nga makinat shumë të rralla që aso kohe ndodheshin në Tiranë, mbi të cilën do të vendosej trupi i A. Rustemit. Ishte një kamion prodhim i 1908-ës, në gjendje shumë të keqe. Nuk ishte vetëm puna tepër e lodhshme dhe vështirësia për të gatitur këtë makinë brenda pak orëve. Në të njëjtën kohë duhet të hapnim sytë, të mos i ndaheshim makinës për asnjë cast dhe, po të ishte nevoja, me agjentët e maskuar të A. Zogut, që donin të sabotonin ceremoninë e përcjelljes së trupit nga populli i Tiranës. Se mjaftonte që ata të hidhnin një grusht rërë në serbatorin e makinës dhe kjo të mbetej në mes të udhës….”

Pritja e arkivolit në Vlorë

Të martën e datës 29 prill, arkivoli me trupin e pajetë të Avni Rustemit mbërriti në Vlorë, në qytetin ku kishte lënë amanet që të varrosej. Nga anija që e kishte sjellë prej portit të Durrësit arkivoli u soll në skelë me një barkë bashkë me kurorat e luleve që e shoqëronin, për t’u ngarkuar mbi një kamion të zi që do ta çonte në qendër të qytetit. Kamionin e ndiqte një karvan i gjatë njerëzish që nuk ishin parë prej kohësh aq të shumtë në Vlorë.
‘Trupi i herojit u përsuell deri në Bashki të Vlonës, ku kishin gatue nji “capella ardent” për bukuri, veshë në të zi gjithëkahë me nji katafalk në mjedis si thron mbretnuer nën të cillin u vue arkivoli. Oda u mbush me kunora.

Po kush ishte Avni Rustemi

Figura e Avni Rustemit në Vlorë në vitet ’20-të por edhe më tej del si një figurë mjaft aktive, shumë revolucionare për kohën, por edhe më pas jehona që ajo la, nuk u zbeh aspak. Avni Rustemi, ende pa mbushur 14 vjeç, u paraqit tek çeta e Çerçiz Topullit, por nuk u pranua nga ky i fundit për shkak të moshës së tij. Më vonë ai mbaroi disa klasë në Greqi, dhe filloi punë si mësues në Tepelenë, në moshën 17 vjeç, dhe më pas në Vlorë, pikërisht në Tragjas dhe Rradhimë, e më pas në Vlorë.
Ai ka dhënë mësim që pas luftës së Vlorës në 1920, në godinën e Konsullatës Italiane, (sot Bashkia e Vlorës). Po në vitin 1920, organizata që kishin krijuar djelmoshat e Vlorës, ku një ndër udhëheqësit kryesorë ishte Avni Rustemi, vendosi që t’i bënte atentat Esat Pashë Toptanit në Paris.
Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku në vitin 1932 u zbulua një komplot kundër Ahmet Zogut, ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit. Ndërkohë, një tjetër vlonjat nga Dukati i Vlorës, në kushtet që Avniu u vonua për kryerjen e atentatit, u caktua për të kryer atentatin, por kur ky i fundit arriti në Brindizi, mësoi nga gazetat për vrasjen e Esadit.

Balsamosja e trupit

Sapo u mësua për vdekjen e Avniut, u mblodh një komision, ku merrnin pjesë politikanë të dëgjuar të kohës si Fan Noli, deputetë dhe miq të Avniut, përfaqësues nga Vlora por edhe familjarë, komision ky i përbërë prej 24 burrash.

Midis tyre ishte edhe Ramadan Armeni, nga fshati Armen i Vlorës, mik i ngushtë i Avni Rustemit, pasi kishin përfunduar bashkë studimet, njëherësh edhe nënkryetar i shoqërisë “Bashkimi”.

Njerëzit vërshonin nëpër rrugët e Tiranës, dhe njeriu në ballë të turmës dhe që mbante në dorë kavanozin me zemrën e Avniut, ishte miku i tij i ngushtë, Ramadan Armeni.
Përsëri ky komision vendosi për protokollin e varrosjes së Avni Rustemit dhe kryetar i tij ishte Ramadan Armeni.
Komisioni do të organizonte udhëtimin e kortezhit për në Vlorë, të trupit të pajetë të Avni Rustemit.
Ramadan Armeni, mori me qira një anije postare të portit të Durrësit dhe urdhëroi që deri edhe litarët e anijes të lyheshin me bojë të zezë, në shenjë të thellë zie.
Kësaj nisme iu bashkuan edhe shumë personalitete si sekretarë të shoqërisë “Bashkimi”, avokat Axha Libohova, Ymer Rradhima, Tare Libohova, doktor Sezai Çomo, Myqerem Hamzaraj, një mik i ngushtë ky i Avni Rustemit, pasi kur në vitin 1921, Avniu shoqëroi për në Vlorë, politikanin e njohur francez, Justin Godar, shkuan edhe tek çifligu i Myqerem Hamzaraj në Lubonjë të Vlorës, ku qëndruan për tre ditë.

Në çastet e fundit të jetës, ai la një amanet, që ta varrosnin në Vlorë, por natyrisht kjo ishte një dëshirë edhe e popullit të Vlorës.
Atë e sollën në Vlorë me një anije të vogël nga Durrësi, e lyer e gjitha më ngjyrë të zezë, dhe në këtë varrim folën rreth 24 oratorë ku ndërmjet tyre ishte Fan Noli.

Bashkë me ardhjen e trupit te Avniut në Vlorë më 1924, erdhi edhe zemra e tij e cila iu nënshtrua edhe një balsamimi, iu dorëzua drejtorit të Spitalit të asaj kohe Dr.Sezai Çomo, mik shumë i ngushtë i tij, i cili e vendosi zemrën ne dhomën e tij të punës.
Ajo u vendos në një vazo, më tretësirë formaline, dhe deri më 1957 ka qenë në spitalin e Vlorës. Për atë kujdeseshin farmacistët e vjetër të Vlorës si Hysen Baboçi, Zija Zëri, Kiço Daiu nga Narta si edhe Niko Thanasko po nga Narta.
Më pas, në 1957, me rastin e 45-vjetorit të Pavarësisë, muzeu i Libohovës i kërkon qeverisë së asaj kohe, dhe personalisht Enver Hoxhës, që zemra e Avni Rustemit të kthehet në Libohovë.

Që atëherë, nuk ka më informacion se ku ndodhet zemra.

Kurse varroshi i Avni Rustemit, që nga viti 1924 i ka kaluar disa herë procesit të meremetimeve, ku siç dihet në vitin 1962, mbi varroshin e Avni Rustemit u vendos për herë të parë busti i tij, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, dhe më pas në 1987 me rastin e 75-vjetorit të festës së Pavarësisë u vendos monumenti i Avni Rustemit, vepër kjo e skulptorit të popullit, Kristaq Ramës.

Gazeta “Shqypëtari i Amerikës”
E enjte 29 maj 1924
Korçë

Trupi i Avniut, i sjellë nga Tirana në Durrës, i përcjellë prej përfaqësuesve të viseve të ndryshme, dhe i stolisur me kurora e lule, zbriti në skelën e Vlorës, në datën 29-të .
Populli i Vlorës, i bëri një pritje madhështore, dhe tërë qyteti ishte në zi Kombëtare.
Salla e Këshillit të Bashkisë, u transformua në një dhomë funebër, ku i gjithë populli përshëndeti vajtueshëm trupin e dëshmorit për të fundit herë, dhe për të ngushëlluar prindërit e heroit, të cilët gjendeshin pranë arkivolit.
Në 30 prill, filloi ceremonia e varrimit, e cila mbaroi në ora 19-të.
I shoqëruar me më shumë se 150 kurora, i nderuar prej ushtrisë e xhandarmërisë, i përcjellë prej delegatëve të kombit, heroi ynë u përcoll me një solemnitet të jashtëzakonshëm.
Fjalimet u mbajtën nga 17-të oratorë, nga të cilët zonja Marigo, Atë Ali Tyrabi, Don Lazer Shantoja, Atë Fishta, e im Zot Noli.
Gjatë udhës së përcjelljes, populli e shoqëroi trupin e idealistit të madh me këngë vajtuese, Avniun e Shqipërisë.

Ultimate qeverisë!

Të dalë jashtë Shqipërisë Zogolli dhe të formohet një qeveri e cila të sigurojë jetën për të gjithë njësisht.
Lëvizja Kombëtare për rrënjosjen e Kanunit dhe urdhrit, dhe për ç’kuljen e forcave personale bashibuzuke. Vlora dhe Përmeti 4 mijë veta, midis të cilëve 150 djem idealistë të Shoqërisë Bashkimi. Shkodra dhe Kosova me ushtri dhe popull kundër qendrës së fuqirave personale Populli heroik i Vlorës në një mbledhje të përgjithshme të parisë së qytetit dhe të fshatrave vendosi t’i thotë qeverisë, ta mbaronte krizën me një mënyrë paqësore, përndryshe për t’arrirë këtë qëllim do të bënte çdo therrori.
Në këtë mbledhje u zgjodh Z. Seid Qemal dhe Osman Haxhi t’ia komunikonin qeverisë vendimin.
Zotëri e tyre, për të mbaruara misionin thirrën në telefon, Iljas Vrionin.
U kupëtua që ministri ish nën vërejtje dy vetash të kallur për vëzhgim prej Zogollit, i cili si duket ka kapur tërë fuqinë e shtetit në dorë, kështu nuk u muarr dot vesh…
Pas informatash prej Shkodre, Rexhep Shala, kumandant i rexhimentit, i dha ultimatum qeverisë me të cilën kërkoj largimin e Zogollit prej Shqipërisë në 24 orë (gjer të mërkurën mbrëma), përndryshe ay niset bashkë me Fuqitë Kombëtare për Tiranë.
Këtë ultimatum, si mësuam, ia përsëriti qeverisë, dhe populli i Vlorës, i cili me një entuziasmë karakteristike të Vlorës, u gatit për veprim.
Në Vlorë, forcat Kombëtare kapërcejnë 2 mijë veta.
Përmeti, qendër e ushtrisë së jugut, dhe qendër patriotike, ka një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në qarkun e Përmetit, vetëm u mbloth një fuqi ushtarake prej 2 mijë vetash, të cilët janë gati për veprim.
Kryetari i lëvizjes Kombëtare, për të ç kulur antikombëtarizmën dhe reaksionin, nënkolonel Kasëm Qafëzezi, u nis për në Vlorë.

Si u zhvillua kryengritja

Varrimi i Avni Rustemit në datën 30 qershor kthehet në një manifestim të popullit dhe opozitës kundër kryeministrit Ahmet Zogu. Ndër oratorët që i kërkuan Zogut gjetjen e vrasësve ishte dhe Fan Noli. Në varrim morën pjesë më shumë se 10 mijë vetë, 300 përfaqësues nga krahina të ndryshme të vendit dhe u vendosën më shumë se 20 kurora.
Më 5 maj shoqëria :Bashkimi” nga Vlora i drejton një thirrje djalërisë shqiptare për kryengritje kundër qeverisë.
Më 13 maj 1924 Luigj Gurakuqi dhe dr. Fahriu japin dorëheqjen nga qeveria e Shefqet Vërlacit, qeveri, e cila qëndronte ende në detyrë në kundërshtim me zhvillimet e acaruara, konfliktuale dhe thirrjet për dorëheqje.


Më 16 maj në Vlorë më se 400 të rinj mblidhen në Kuvend dhe marrin vendim për kryengritje. Pas kuvendit, po atë ditë në Vlorë, nga të rinjtë e Vlorës organizohet një demonstratë antiqeveritare në të cilën marrin pjesë edhe bashkixhinjtë e Tiranës.
Më 23 maj në një kuvend që mbahet në Vlorë, Labëria merr vendim për kryengritje të armatosur. Në Labëri i nxjerrin në shesh armët me të cilat katër vjet më parë kishin luftuar kundër italianëve. U zgjodh një komision fuqiplotë prej zotit Seid Qemali dhe Osman Haxhiut për të marrë masat”mi shpëtimin e kombit nga rreziqet e brëndëshme që po kërcënohen dhe themelimin e qetësisë së nevojshme”
Sipas kërkesës së Vlorës, pushkën e parë të kryengritjes e zbrazën fshatarët e prefekturës së Kosovës, ku ishte zgjedhur deputet Avni Rustemi. Më 24 maj pushka e parë u zbraz në Krumë dhe kjo shënoi fillimin e kryengritjes së armatosur.
Më 10 qershor forcat kryengritëse hyjnë në Tiranë, ndërsa më 16 qershor krijohet qeveria me kryeministër Fan Noli.

 

Çpallje Popullit të Vlorës!

Dyke i lënë shëndet Vlorës, e quajmë për detyrë të falenderojmë popullin e këtij qarku, për pritjen e mirë që u bëri udhëheqsvet të lëvizjes shpëtimtare, dhe bashkëpunimin e përzemërt që u dha për të mbaruar veprën e tyre të shenjtë.
Suksesi i shkëlqyer i sotmë u detyrohet sakrificavet, trimërisë, patriotizmës shëmbëllore dhe nisjativës të popullit të kësaj prefekture, i cili dhe këtë radhë, kapi Flamurin dhe u sul në fushën e nderit dhe u dha shëmbëll dhe prefekturave të tjera.
Ju sigurojmë se do të përpiqemi me tërë fuqinë që sakrificat të popullit të Vlorës dhe të djemvet të saj të mos venë më kotë po të japin pemët e tyre për shpëtimin e Atdheut.

Komisioni administrative

Imzot Fan Noli
Sulejman Delvina
Kost Paftali
Mustafa Tragjasi

Vlorë 13 qershor 1924