Vlora dhe Shoqata “Labëria” nderojnë personalitete të shquara të kombit tonë

1697
Më datë 23.11.2015, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” dega Vlorë, organizoi në Pallatin e Kulturës “Labëria” Vlorë, një aktivitet për nderimin e katër figurave të kësaj krahine, që me veprën dhe punën e tyre kanë shënuar një faqe historie që i bën nder jo vetëm Labërisë, por gjithë Shqipërisë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë, anëtarë të Shoqatës “Labëria”, shkrimtarë, poetë, gazetarë, të afërm të familjeve të personaliteteve që u nderuan. Ishte një aktivitet model, ku mund të ndalemi në veçanti në këngën labe që jehoi fuqishëm në fund të aktivitetit. Fjalën e hapjes e mori Kryetari i Shoqatës “Labëria” dega Vlorë, Z. Ahmet Demaj, i cili midis të tjerave theksoi: 
“Të nderuar pjesëmarrës, ju falënderojmë për pjesëmarrjen, sepse jeni ju që i keni dhënë formim gjithë veprimtarisë së Shoqatës “Labëria” Vlorë. Falënderojmë Z. Ago Nezha Kryetar i Shoqatës “Labëria”, Gafurr Duda, Agim Çiraku, Agim Rrapaj, Sejmen Gjokoli si nënkryetar si dhe Z. Albert Zholi sekretar organizativ i Shoqatës “Labëria”, Z. Engjëll Musai, Drejtori i gazetës “Telegraf”.
Nëntori për piktorët është muaji i ngjyrës së verdhë që i jep natyra, për hir të historisë ne shqiptarët i japim ngjyrën e kuqe. Është lufta për liri e pavarësi, është ngjyra e flamurit tonë, është gjaku i derdhur rrëke i të parëve tanë për lirinë që gëzojmë sot. Në vazhdën e veprimtarive atdhetare e kulturore, që ka për mision shoqata jonë në pragun e 71-vjetorit të Çlirimit, si dhe 103 vjetorit të Pavarësisë e organizojmë aktivitetin me temë: Labëria nderon bijtë e saj
Kemi nderuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, sepse, siç thotë, Balzaku, “Kush humbet respektin për të parët e tij, ndihmon në shkatërrimin e Atdheut të vet”. Labëria ka shumë personalitete, por ne sot do të përqendrohemi në katër personazhe me veprimtari të ndryshme, në kohë të ndryshme, në mënyrë të ndryshme, të cilët me pushkë dhe me penë, me punë dhe me penë i bashkon si vëllezër të një gjaku, kontributi për Labërinë.
Xhule Çiraku nga fshati Vërmik, ndër të rinjtë e parë të fshatit mori pjesë në aksione guerrilase e deri në batalione e brigada, herë si luftëtar e herë si kuadër lufte. Nga Vërmiku dhe tërë Labëria. I etur për dije e kulturë, si komisar në luftë e si nëpunës i lartë shtetëror, diti të fitojë zemrat dhe respektin e vartësve dhe të respektohet nga eprorët, pa harruar asnjëherë dashurinë për vendlindjen dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kontributin e Xhule Çirakut e vlerësojnë dhe e sjellin deri sot, duke e shpallur Personalitet të Shquar të Labërisë. Është krenari jo vetëm për Vërmikun, por për tërë Labërinë.
Dudë Gumenicioti, historia e këtij personazhi na bën të zbresim në shkallët e historisë jo pak, por 200 vjet më parë, e na shpie në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili lavdërohet për atë që bëri, duke ngritur nga Shesalia e deri në Shkumbin me qendër në Janinë Vilajetin e tij, një administratë ushtarake e civile me nëpunës të popullsisë lokale. Një nga këta përfaqësues është Dudë Gumenicioti, i cili për shërbime, për bashkëpunim si oficer i tij (Ali Pashës), por edhe për qëndresë, Ali Pasha pas gradimeve bëri për të në Gumenicë një kullë që nipi i tij sot, këtë pronë e shndërroi në një Muze Etnografik dhe Historik të fshatit Gumenicë, një nismë që kërkojmë ta përgjithësojmë edhe në gjithë fshatrat e tjerë. Mjaft këngë, bëma e ngjarje ka Duda .
Dr. Llukë Gjidede përfaqëson Himarën me legjendat e saj të vërteta. Është një nga ata himarjotë që mban mend gurët, kur ecte zbathur, shtëpitë që i digjte pushtuesi, që u përpoq të merrte dije e t’i vinte ato në shërbim të vendit. Një javë më parë i thamë në gazetë meritat, vlerat intelektuale e profesionale. Mirënjohjen për të tjerët që Dr. Lluka ka demonstruar, po e argumentoj me tre fakte që më kanë tërhequr vëmendjen, gjatë bisedave me të. 1. Hajde i tha shteti grek hidh një firmë dhe ke 700 euro pension. Jo, tha Lluka, unë jam shqiptar, ato s’më takojnë dhe unë s’i marr. 2. I thanë djalit të Llukës të bëhej politikan. O baba, çfarë të bëj? Të dua të dalluar në shkencë, i tha – ashtu bëri djali dhe sot shkëlqen në mes të SHBA.
3. Është mirënjohës për të parët, çdo përvjetor shkon në Kërbaç të Vlorës dhe vendos një tufë me lule te varri i Hysni Kapos. Këto e shumë e shumë të tjera na bëjnë ta shpallim “Personalitet të Shquar të Labërisë”. Falënderojmë në mënyrë të veçantë, ju të rinjtë që na mbështesni, por në mënyrë të veçantë Viktor Simonin, si një mik i mirë i Labërisë. Si një i ri, që talentin e tij artistik e vuri në dispozicion të atdhetarizmit lab. Kontribuues në ngritjen e kompleksit historik në Mesaplik, 12 bustet që ne shohim janë dora, mendja dhe talenti i tij. Në kohë rekord ata heronj, që për ne janë mite i kthen në realitet, duke i bërë të jetojnë së bashku me ne. Nuk gjejmë fjalë tjetër, veç falënderimit dhe urimit për ngjitje më lart në karrierën e tij, në rrugën e vështirë, por të bukur të artit. I japim sot certifikatën e mirënjohjes së Labërisë, si shenjë miqësie për ta pasur gjithmonë mes nesh!
Mes urimeve dhe këngës labe
Programi vijoi me znj. Anila Ahmataj moderatoren e këtij aktiviteti, e cila citoi biografinë e Xhule Çirakut. Ajo ftoi për të dorëzuar këtë dekoratë z. Ago Nezha, kryetarin e Shoqatës “Labëria” si dhe djalin e Xhule Çirakut për të marrë këtë dekoratë. Vazhdon ceremonia me dorëzimin e dekoratës në emër të Dudë Gumeniciotit, të cilën e merr i nipi, Z. Gafur Duda, dekoratë që ja dorëzon nënkryetari i Shoqatës “Labëria”, Z. Agim Çiraku.
Më pas Znj. Anila lexon motivacionin e dekoratës për Llukë Gjideden, ku ftohet Dr. Lluka për të marrë dekoratën si dhe ftohet Z. Sejmen Gjokoli (nënkryetar i Shoqatës “Labëria”)për ta dorëzuar atë.
Moment final ishte dorëzimi i dekoratës se z. Viktor Simoni nga Z. Mark Dodani. Fjalët falënderuese të Z. Viktor ishin motivuese dhe plot emocion, jo vetëm për ata që ishin të pranishëm, por edhe për të gjithë ata që dinë të përjetojnë artin dhe emocionet e tij.
Plot emocion ishte edhe momenti përshëndetës i interpretimit të poezisë nga Felek Bleta, moment ky që u pasua edhe nga interpretimi i këngës polifonike nga grupi polifonik, me në krye mjeshtrin, Tomorr Leli.
Grupi i valltarëve të vegjël në moshë, por të mëdhenj në interpretim të kulturës së këngës e valles e bëri këtë aktivitet të datës 13, mjaft madhështor e motivues për aktivitete të tjera në vazhdim. Nuk mund të mos përmendim, se në këtë aktivitet ishte pjesëmarrës i pasionuari pas aktiviteteve të Labërisë, i riu durrsak Ervin Kasa, i cili u bë pjesë e grupit të ardhur nga Tirana. Edhe mbas koncertit, të gjithë të pranishmit vazhduan bisedat dhe urimet në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku ishte shtruar dhe një kokteil, sipas traditave labe.
Sigal