Vlonjati Ibrahim Shyti dhe patrioti dibran Josif Bageri

1753
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Josif Bageri radhitet një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare. I lindur në Rekë të Epërme të Gostivarit, ai ishte poet me talent, prozator, gazetar, publicist, si dhe atdhetar i flakët, i cili jetën e tij ja kushtoi çështjes kombëtare shqiptare. Josif Bageri lindi në vitin 1870 në fshatin Nistorvë, që në atë kohë administrativisht i takonte sanxhakut të Dibrës dhe sot Gostivarit. Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë i kaloi në vendlindje. Për shkak të rrethanave politike të kohës Josifi nuk pati mundësi të filloj shkollimin në moshën e duhur. Leximin dhe shkrimin e gjuhës shqipe e përvetësoi në Sofje kur ishte 17 vjeç. Aty jetoi si mërgimtarë. Josifi në Sofje që nga vitit 1887 u inkuadrua në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këtë kohë në Sofja ishte e mbushur me atdhetarë, te cilët i ndiqte pushteti osman se merreshin me veprimtari patriotike.
Dukuri atdhetare të Josif Bagerit
Gjatë periudhës së viteve 1905-1907 Josifi ndihmoj shumë në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore. Ishte luftëtar i denjë për gjuhën dhe shkollën shqipe dhe si rezultat i sajë, në shtator të vitit 1908 në fshatin e tij të lindjes hapi edhe një shkollë shqipe. Në maj të vitit 1910, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypnisë”, e cila luajti një rol të madh në përhapjen e arsimit dhe në trajtimin e çështjes kombëtare. Atdhetari dhe publicisti Josif Bageri që drejtonte gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”, ka pasur një letër këmbim të vazhdueshëm me Ibrahim Shyti prej Vlore. Ai e përgëzonte për punën atdhetare që bënte në Vlorë dhe i dërgoi dhe librin e tij “Kopështi Malësori”, më 27 mars 1910. Këshillat e Josif Bageri patën ndikim të madhe te Ibrahim Shyti, ku shpesh xhonturqit i ndalonin të shiste gazeta shqipe të kolonive shqiptare të mërgimit. Josif Bageri në letrën e tij i shkruan se: “Ju na shkruani se gazetën tonë e kanë ndaluar në Vlorë…”, duke e këshilluar që ta shpërndajë dhe propagandojë ku hapur dhe ku fshehtas. Në një letër tjetër më 3 korrik 1910 e përgëzon “për përpjekjen tuaj… për të mirën e kombit, tuj përhap fletën tonë kombëtare…”, por dhe e këshillon dhe udhëzon që mëmëdhetarët e Vlorës të organizojnë Komitetin për Lirinë e Shqipërisë dhe për organizimin e luftës së armatosur kundër xhonturqve.
Kushtrim për atdhetarët vlonjatë
Ibrahim Shyti duke u nxitur prej tyre bisedoi me mjaft atdhetarë të njohur të kohës për organizimin e vlonjatëve në një shoqëri atdhetare. Fjalët e dërguar prej Josif Bagerit në letër ai i bëri kushtrim tek atdhetarët vlonjatë, të cilat u bënë nxitje për një veprimtari më të madhe. Ato u bënë kushtrim për atdhetarizëm dhe jehuan gjatë në mendjet dhe zemrat e tyre duke jehuar në çdo kohë “…të lutem o vëlla i dashur… t’i mbledhësh gjithë ata shqiptarët e flaktë muhamedanë e të krishterë e në një dhomë (odë) dhe zihi vëllazërisht dorë për dore dhe të betohi vëllazërisht në emër të Perëndisë dhe të Shqipërisë dhe puthni kuranin dhe ungjillin, kështu pra, edhe gjashtoren edhe shpatën. Dhe mbasandaj të rrokni vëllazërisht e të përqafoni dhe të puthni gojë më gojë dhe të thoni: O besa-besë, do të vdesim për Shqipërinë, si trima shqypëtarë dhe kurrë s’tradhtojmë njëri-tjetrin…”. Dhe siç shkruan në kujtimet e tij, Beqir Velo-Kanina u mblodhëm dhe kuvenduam me njeri-tjetrin “për formimin e një shoqërie”, ku më vonë u krijua Komiteti “Shoqëri e zezë për shpëtim”. “…unë mblodha në Vlorë dhe nga goja e Ibrahim Shytit kujtime të tij për Josif Bagerin dhe gërmova në arkivin familjar të tij shkresa të ndryshme…”.

Në letrat e Josifit që i drejtohet Ibrahim Shytit shkruhen me këto fjalë: “I dashur vëlla gjaku dhe gjuhe, Ibrahim Shyti! Letrat e zotnisë tuaj i mora të tria dhe portretin e bukur, të cilin e putha prej malli, aq shumë prej gazmendi, se ju, një djalë i vogël, boni punë të madhe për shëndritjen e kombit, të cilin shërbim askush s’e bon si e boni ju… e në fund shkruan, ju përqafoj me mall të madh unë, rob i kombit shqiptar: Josif Bagëri”.

Dhe më tej: “Fort shumë i dashuri atdhetar zotëni Ibrahim Vlora gjat-jeto për të mirën e Shqypënisë! …shpresojmë, se do ta mbushni detyrën si shqypëtar i vërtet dhe dot’na shkrueni një për një, që të dim se ç’ka boni atje… …shkruani pak m’a çkoqitur që të mundim ta leçitim ma me lehtësi”. “… jam shumë i gëzuet, se përpiqi fort shumë për Shqipërinë…”. “U lutem shumë e shumë, or vëlla i dashur, të na shkruash me rregull të reja dhe të na rrfejsh se sa prija (çeta) kan dalë për lirinë e kombit nëpër malet. Shkruani nëse u goditën m’donjë vend me ushtrinë dhe sa ushtarë e prijas janë të vrarë”.
Ëndërra patriotike për Shqipëri të lirë dhe të pavarur
Duke hyrë në marrëdhënie me J. Bagerin, I. Shyti nisi të shkruajë artikuj në gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”. Në faqet e kësaj gazete, copëzat e botuara dhe të përmbledhura në librin “Kopështi i Malësorit” shprehin qartë motivet e ndryshme patriotike të autorit, motivet e ëndrrës së tij për një Shqipëri të lirë e të përparuar. Ashtu si shkrimtarët e tjerë të Rilindjes Kombëtare, në radhët e këtyre letrave, në vjershërimet e shkrimet e gazetës së tij, shpreh nevojën e kultivimit të kombit shqiptar, sidomos përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe. Nëpërmjet këshillave të tij I. Shyti kuptoi dhe më mirë, në ato kohë të trazuar të jetës shqiptare, detyrën e shenjtë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Në letrën e 28 gushtit 1910, ai e këshillon I. Shytin, që të mësojë mirë alfabetin kombëtar që “fjalët dhe shkronjat të jenë të shkoqura…”. Në faqet e librit “Kopështi i Malësorit” janë pasqyruar edhe disa fjalë e thënie të urta. “Fjalë të mënçura të Josif Bagërit”, u botuan prej Abraham Shytit në një broshurë dhe në vitete 1919-1920, u shërbyen mësuesëve të shkollave të Vlorës për edukimin atdhetar të nxënësve. Me shpalljen e Pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor 1912, Josif Bageri i shkruan mikut të tij I. Shyti, me gëzim të madh se dëshironte të largohej nga Sofja dhe të vinte në Shqipërinë e lirë e të pavarur. Me nota dëshpërimi nga gjendja e rëndë ekonomike, ai i lutet mikut të tij: “ …unë shumë dua të vi atje, por fati i shkretë s’më hecën…”.
Takim me miqtë e zemrës
Josif Bageri erdhi në Shqipëri dhe qëndroi në Durrës, ku zuri punë në një shtypshkronjë të qytetit. Ngjarjet rrodhën të rënda; shtypshkronja u mbyll, sëmundja dhe kushtet ekonomike bënë që të mos shkojë në Vlorë. I. Shyti shkoi vetë në Durrës të takojë mikun e zemrës dhe bisedoi gjatë me të. Në korrik 1914 I. Shyti ishte në Durrës me I. Qemalin, ku takoi Princ Vidin. Ibrahim Shyti u lumturua kur I. Qemali kuvendoi me Josif Bagërin duke e falënderuar atë: “për atdhetarinë e nxehtë në shërbim të kombit”. Josif Bagëri vdiq në Prishtinë në vitin 1915, kjo shkaktoi një dhimbje të madhe për I. Shytin dhe atdhetarët e tjerë në Vlorë.
Miqtë për Josifin
Më 15 korrik 1937, Haki Stërmilli u interesua për mbledhjen e materialeve të letërkëmbimeve të Josif Bagërit, prandaj i lutej I. Shytit: “Do t’ju jem mirënjohës dhe këtë mirënjohje do ta shfaqim në librin që do të botojmë, në asht se Zotnia Juaj do të kini mirësinë me na i dërgue ato letra ose kopjet e tyre…”. Nga epistolari i I. Shytit mësojmë se krahas letrave ai i pati dërguar shkrimtarit H. Stërmilli edhe disa shënime mbi jetën dhe veprimtarinë publicistike e atdhetare të J. Bagërit.

Nga dashuria e madhe për shkrimtarin Josif Bageri, në fillim të viteve ’50, Ibrahim Shyti u drejtoi një letër gazetave e revistave shqiptare: “të shkruhen pak radhë për këtë atdhetar të përvëluar”. Në ato vite Ibrahimi u takua dhe bisedoi me kritikun letrar Drago Siliqi, studiuesin Vehbi Bala, shkrimtarin Petro Marko dhe historianin Petraq Pepo. Ibrahimi i dha për botim Pepos katër letra origjinale të Josifit, si dhe të dhëna për jetën e tij, të cilat u botuan në shtypin e kohës me titull “Katër letra të shkrimtarit demokrat Josif Bageri”. Josofi Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare. Punoi pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime, ka lidhje politike etj. Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim te ngushtë dhe shumë atdhetar të tjerë. Personaliteti dhe veprat e tij politike, letrare e publicistike meritojnë respekt të lartë nga të gjithë vlonjatët e çdo kohe.
Sigal