Vladimir MUÇA*/ Heroizmi i 16-vjeçarit Ridvan Bodlli, partizani që u burrërua e ra në luftë

828
Sigal

Partizani 16 vjeç, që u rrit mes krismave, dha jetën 70 vite më parë për lirinë e vendit

Një ditë të bukur shtatori,kur deti ishte si në vaj e të yshte drejt tij,kur akoma zhurmërima e plazhistëve s’ia ka lënë vendin qetësisë nëpër hijet e pishave, në Golem takova mbas do kohe të gjatë një shokun tim, mësues në shkollën bujqësore të Golemit. Me të kalonim ditët në pritje të autobusit Durrës-Golem e kur hera-herës prisnim dhe ndonjë makinë të rastit. Shkollën, një gardh e ndante nga reparti ku unë shërbeja e ku në këto ditë shtatori fiqtë e dytë dhe kumbullat ishin në kulmin e pjekurisë së tyre, e mësuesve çoku u shkonte muhabeti gjatë orëve të pritjes aty nën hijen e tyre. Mësuesi R. B, asokohe mësues i letërsisë, e sot në pension, më vuri përpara një tufë me letra: -Merri! Ndoshta ty të hynë në punë. Janë hartimet e nxënësve të mi. Shiko se nëpër to gjen dhe xhevahire, që ju shkrimtarët e sotëm as që mund ti shkoni nëpër mend. Mora tufën me letra pak si të vjetruara, ku nëpër to ndjehej myku e verdhëria e kohës, e dëmtimet nga keq-ruajtja dhe fillova ti shfletoj me kujdes. U ndala në një fletë të shkruar me një kaligrafi shumë të bukur që shprehte dashurinë e pafund për atë çka ishte shkruar. Në krye, nën mbiemrin Bodlli, një firmë e bukur e hedhur mbi të me shumë dashuri. Thashë me vete: -Mos vallë kjo vajzë shkruan për dëshmorin e ri në moshë Rizvan Bodlli? E nuk isha gënjyer! Bijë e një pasardhësi veteranësh, shprehte ndjenjat e saj, përkushtimin për dëshmorin e vogël të para 61 vjetëve: “… Shkëndija e idealit për liri u ndez dhe në kraharorin tënd, mori flakë në zemrën tënde, në shpirt bëri fole. Shkëndija e idealit të lirisë të mori ty Rizvan, trupvogël, më i madhi ndër pesë fëmijë. Të mori, por të rriti në zemrën dhe në sytë e mi, të bëri të fortë, shkëmb si Kodra e Zhurit në Stuhi. Shkëndija e idealit të mori ty Rizvan i vogël, të lartësoi në qiejt pa kufi, të bëri vigan në kodër të Zigxhafajve në përjetësi. Që atje, kujtimi yt qëndron madhështor, fytyra yte e padirsur, por e përvëluar nga flakët e barutit qëndron stoike para kujtimit tonë, ashtu sikundër gishti i vogël i dorës tënde në këmbëzën e belxhikut, i sigurt e i fortë në mendjen time, që nga ajo ditë e gjer më sot, përgjithmonë”. U ndala një hop mbi atë copë letër, ku ishte shkruar me shumë ndjenjë e dashuri, e mendja më vajti në ato vite të vështira për popullin dhe atdheun, ku toka amë, rënkonte nën çizmen e pushtuesit e bën thirrje bijve për ndihmë. Ato ishin kohë mjerimi dhe vuajtjesh që rëndonin mbi familjet e fshatarëve të varfër, siç ishte ajo e Rizvan Bodllit e lidhur moralisht, trupërisht dhe ekonomikisht me luftën Nacional-Çlirimtare. Rizvani në shkollën fillore, se aq i lejuan kushtet të bënte, dallohej për zgjuarsi e si një nxënës i etur për dije. Ai ishte një organizator i përsosur në zhvillimin e lojërave popullore me fëmijët. Babai i tij , Latifi doli partizan që herët duke lënë në shtëpi gruan me pesë fëmijët ku më i madhi ishte Rizvani. Rizvani, kështu u bë” burri “, trau i shtëpisë; në shpatullat e tij të njoma tani ranë dhe hallet e tjera. Kjo e burrëroi më shpejt nga sa ecnin vitet e moshës; ai hodhi shtat dhe në mes të këtyre vështirësive e vuajtjeve të kohës, duke thëthitur urrejtjen ndaj pushtuesve dhe shërbëtorëve të tyre, duke u ushqyer me atë ndjenjë të madhe atdhedashurie, trashëguar nga fshatarësia jonë patriotike. Lufta Nacional–Çlirimtare dhe shembulli i baba Latifit u bënë idhulli më i përkryer për të, për ti shërbyer atdheut, familjes, shoqërisë me nder dhe me dinjitet. Për ti ardhur në ndihmë familjes, hyri në punë në një shoqëri të huaj ku njohu më mirë shtypjen e përdhunimin moral dhe shoqëror e fizik nga zaptuesit. Ndërkohë lufta në male kish marrë zjarr, dhe sa herë që jehona e krismave të pushkëve e sharapnelave dëgjohej deri në Seferaj, tek kthehej nga puna, shpirti i merrte zjarr, shikimi i tij tretej në ato male e një dëshirë e zjarrtë ndizej në shpirtin e tij për të dalë malit, në krah të babait Latif. Shtëpia e Latif Bodllit ish shndërruar në një nga bazat më të rëndësishme për strehimin e partizanëve. Në një natë të vitit 1943, aty erdhën shumë shokë të rëndësishëm të grupit të Grupit të Pezës. Eh, sa shumë u gëzua Rizvani, duke shfaqur gëzimin dhe dëshirën e flaktë, ai iu lut atyre që ta merrnin në radhët e tyre. Me autoritetin e fituar në jetë e në punë, ju drejtua së ëmës: ”-Mome, boni si boni, do para jua kam nda. Unë kam vendos, do dal partizan si baba me u bashku me luftëtarët e lirisë. Mome, duhet me shporr pushtuesin nga toka jonë. Duhet me ndërtu Shqipërinë e lirë pa pushtues e tiranë, gjakpirës. Nga kjo luftë mundet e të mos kthehem pranë kësaj vatre sepse s’ka luftë pa gjak. Ti mos u ligështo por të qëndrosh ballëlartë dhe krenare. Në qoftë se vritem, asnjë nga ju –dhe ju drejtua vëllezërve- as ti mome të mos qash. Unë do jem gjithmonë pranë jush, se në këtë vatër do të hyjë liria e bashkë me të do hyj dhe unë me frymën time si ylli i mjesit.” Dhe prova e parë për të nuk vonoi; ai e tregoi trimërinë në aksionin për thyerjen e depove në shkollën e Golemit, që u realizua me sukses në saj të Rizvanit më 24 korrik 1943. Partizanët vranë rojet, thyen depot dhe me ndihmën e fshatarëve, me në krye Rizvanin ngarkuan mushkat me armatim e municion. Nga protesta në aktivitet të pandërprerë, dhe nga aktiviteti klandestin në aksione të armatosura, ishte rruga përmes së cilës u formua e u kalit ky i ri komunist, idealist, luftëtar i atdheut të dashur por të robëruar. Tashmë ai kish dhënë shumë prova për pjekurinë luftarake. Jeta e tij u bë pjesë e gjallë e batalionit të tretë në Grupin e Pezës, pasi ai tashmë kish fituar përvojën dhe besimin e Babë Myslimit. Atje ai takoi të atin, tek cili shkoi ballëlartë dhe u prit krenar nga partizani më i vjetër i zonës, babai Latif. Baba Latifi i dhuron pushkën e tij duke e porositur : “Qëllo mirë bir në shenjë dhe siguro nga armiku një pushkë tjetër me më shumë fishekë.”Rizvani i prekur nga nderi që i bëri i ati, i drejtohet atij: -Baba! Edhe me nagaçe fundi i fundit do të luftoja, se dhe më të bën punë, por duhet ta dish përse dhe si duhet ta përdorësh”.-Ashtu, është bir! Shiko, ne jemi shtatë vetë e po aq lloj armësh kemi, rëndësi ka që të qëllojmë të gjithë në një drejtim”.                       ***

Nga biseda me një rezervist në Zigxhafaj, ai më tregonte për partizanin e ri Bodlli: -“Në kompaninë tonë ai ishte partizani më i ri. Atë ditë të dhjetorit të vitit 1943, ishim këtu në Zigxhafaj kur na erdhën gjermanët. Ata kanë qenë si të tërbuar nga goditjet tona. Që në orët e para të mëngjesit, nazistët filluan të na rrihnin me mortaja. Rizvani qëllonte nga një pozicion. Ai tashmë ishte kalitur e kish fituar eksperiencë dhe për situatat e vështira. Shtëpitë po i përpinte flaka dhe partizanët u hodhën në sulm për të çarë rrethimin, ku të krijonin një shteg për tërheqjen me gjithë banorët. Në momentin e kalimit të Rizvanit me një grup fshatarësh, plumbat e mitralozit armik që villte zjarr nga kodra e Ballinjve, e goditën në gjoks për vdekje”.                       ***

Zemra burrërore e partizanit 16 vjeçar, lindi në kodrat e Seferajt që shihnin fushat e Golemit, buzë detit, nga ku ai treste shikimin në kaltërsinë e detit pa kufi. Ajo zemër qante për këtë vend të robëruar nga nazi-fashistët. Ajo zemër rinore e Rizvanit ishte e do të mbetej në prozhmet e këtyre kodrinave, fushave buzë detit e kaltërsisë gjer tej në horizont; një zemër që rreh në përjetësi në altarin e dëshmorëve, në Seferaj, ku gatuhej atdhedashuria në magjen e lirisë. Ndaj e dha jetën Rizvani për këto kodra, prozhme, për këtë fushë të vaditur me gjakun e tij. Ai kish busull porosinë e partizanit të vjetër, babait Latif: “…Ndonjë gjë mund të harrohet, dashuritë, kujtimet e mira dhe të këqija, dhembjet, gëzimet, por dashuria ndaj truallit që të lindi, dashuria dhe vetëmohimi ndaj atdheut të dashur e të shtrenjtë, kurrë s’do harruar bir.” Eh ,ky atdhe i shtrenjtë! Eh kjo liri e fituar me gjakun e të riut Rizvan Bodlli!.. Kushedi sa Rizvanë kanë dhënë jetën për këtë atdhe, vetëm e vetëm që ta çlironin nga vargonjtë e robërisë. Ata vdiqën trupërisht, por kujtimi e vepra e tyre do të mbesë e paharruar, sepse ky kujtim është i skalitur në zemër të çdo shqiptari. Kujt nuk i ngazëllohet zemra kur kujton ditën e Flamurit pranë monumenteve të “Pavarësisë” dhe të “Nënës Shqipëri!

Na dalin në vegimet tona malet me borë ku kishin shtratin, llogoren, kovaçhanën e lirisë këta fatosa. I dëgjoj erërat që fryjnë me tërbim bashkë me frushullimën e sharapnelat e të godasin gjokset e tyre. Por këta të rinj, të burrëruar para kohe, se kështu i deshi atdheu, nuk kërkonin t’ia dinin. Ata ishin pa opinga, s’deshën t’ia dinin për atë cingërimë, se zjarri i atdhetarizmës që u gëlonte në zemra, i ngrohte e i mbante të gjallë. Ne, pasardhësit i shohim në vegimet tona me maliherë e flamuj kombëtarë në duar, tek sulen “si rrufeja” mbi armiq e tradhtarë e zemra na rreh në ritmin e tyre, nipër e stërnipër pasardhës veterani.

*Shkrimtar. Pasardhës veterani