Vito Kapo: Unë isha caktuar me detyrën e organizmit dhe të pritjes së delegatëve në Përmet

937
Sigal

Flet Vito Kapo, ish-Presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë për 34 vjet rresht 

Ajo është një grua fisnike, krenare plot vitalitet. Flet qetë, pastër dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme. Takimi me të ishte shumë i ngrohtë dhe miqësor. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” bashkëshortja e numrit dy të Partisë së Punës, Hysni Kapos, rrëfen detaje nga jeta e saj mes udhëheqësve komunistë të kohës. (Një intervistë ekskluzive para disa kohësh)

 Ku e ke njohur për herë të parë Hysni Kapon?

Hysniun e kam njohur si emër legjendar, pra në fillim vetëm si emër. Ai kishte krijuar një emër të madh në luftë. Kisha dëgjuar shumë për ‘të, por nga afër se kisha parë asnjëherë. Unë e admiroja si emër, por nuk e njihja për fytyrë. Në atë kohë ai ishte kthyer në një figurë e njohur në Gjirokastër, pasi unë jam nga Zagoria.

 Po ju vetë ku ishit e angazhuar në ato vite lufte?

Unë në atë kohë, në fillim isha në rajon, sekretare në Përmet, Lunxhëri, Libohovë. Pirro Kondi (vëllai im) më thoshte që të qëndroja unë sekretare, por unë thoja se nuk e bëj dot se është larg. Në ato kohë unë quhesha me emrin Vito Kondi.

Si e mbani mend takimin e parë me Hysniun?

Hera e parë që e pashë me fytyrë ishte, kur po bëhej inaugurimi i Brigadës së VIII Sulmuese në Zagori. Djali i xhaxhait tim kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës në një kohë me Hysniun. Vetë Hysniu e kishte kërkuar shokun e shkollës duke pyetur se ku është familja e Petro Kondit. Vjen Hysniu tek xhaxhai dhe takon shumë njerëz. Atë ditë nuk pata rast që ta takoja. Xhaxhai të nesërmen vjen tek unë dhe më thotë: Shko takohu me atë djalë. Hysniu i la përshtypje shumë të mira xhaxhait. U nisëm dhe shkuam në Sheper të Zagorisë. Ishte viti 1944. Unë kisha edhe Nexhmijen me vete. Ishte takimi i parë, një ditë impresionuse. Pashë nga afër “Besnikun”, i cili ishte bërë legjendë në atë kohë. Kur erdhi puna për të ngrënë drekë pasi bëmë detyrat e rastit bëmë fotografi, por dhe u prezantuam.