Vetëvrasja e Mehmet Shehut, analizat dhe ndryshimet. Vizita e Enver Hoxhës në shkollën “Shënderbej”, më 1983

1487
Pjesë nga libri “Skënderbegasit ndër vite….”, i autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla që promovoheti në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit, 73 vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”

(Nga historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”)

(Vijon nga numri i kaluar)

Viti mësimor 1981-1982
Viti mësimor 1981-1982 përkoi me Kongresin e 8-të PPSH, vendimet historike të të cilit u bënë program i madh pune për tërë jetën dhe aktivitetin në shkollë. Nën udhëheqjen e byrosë, organizatat e Partisë, të bashkimeve profesionale dhe ato të rinisë u organizua puna për studimin e zbërthimin e detyrave që shtroi Kongresi i 7-të para shkollës. E tërë puna u përqendrua për rritjen e cilësisë në tërë procesin mësimor edukativ. Mbi këtë bazë nga efektiva, të rinj e organizata rinie, dolën nisma e zotime konkrete për tregues lartë, duke vënë theksin në lëndën e shkencave natyrore si matematikë, fizikë e kimi. Në bazë të udhëzimit Nr. 15, dt. 15. 08. 1981, për këtë vit mësimor funksionuan 8 kompani ku zhvilloheshin lëndët si ML, letërsi, gjuhët e huaja, histori-gjeografi, matematikë, lëndë teknike, edukimi fizik e ushtarak. …Viti mësimor u mbyll me kalueshmëri 85% e notë mesatare 7. 5. Rezultatet më të larta i arriti efektivi i vitit të tretë me kalueshmëri 97. 2%. Pati 10 klasa me kalueshmëri 100%. Janë dalluar mësues si Ana Prifti, F. Shtepani, A. Neviri, M. Berati etj. Arritën notën mesatare 9-10 85 skënderbegas ku u dalluan Ilia Ademi me 8.43, Arjan Shehu 8.5, Sandër Lleshi 8.7 etj. Gjatë këtij viti janë dekoruar 18 vetë, nga të cilat 6 mësues, 3 oficerë, 4 punëtorë dhe 5 skënderbegas. Në janar 1982 efektivi i shkollës dënoi me indinjatë të thellë vetëvrasjen e poliagjentit Mehmet Shehu. Në qershor 1982, viti i tretë e kreu aksionin në Mal të Kuq të rrethit të Korçës dhe në Verenecë të Pogradecit, në punimet fortifikuese. U organizuan biseda për njohjen e traditave politiko-luftarake e prodhuese të zonave ku punuan. Matura e këtij viti mësimor nuk kreu stazh në prodhim dhe në shtator filloi mësimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. 

Viti mësimor 1982-1983
Nën udhëheqjen e Byrosë së Partisë, efektivi i shkollës gjatë vitit mësimor 1982-1983, u karakterizua nga figura e lartë e mobilizimit për të vënë në jetë më së miri detyrat që shtroi Kongresi i 8-të i PPSH për ngritjen e cilësisë së punës në tërë procesin mësimor dhe edukativ. 

Në muajin shtator 1982, nën udhëheqjen e organizatës bazë të partisë, në organizatat e rinisë u zhvillua diskutimi masiv lidhur me detyrat që dilnin para shkollës sonë në zbatim të vendimit të Byrosë Politike për ngritjen e cilësisë së punës në tërë procesin mësimor edukativ. Nga ky diskutim dolën nismat si: “Të fuqizojmë më tej bazën materialo-teknike”, “Të kemi kalueshmëri 100% dhe notë mesatare mbi 8”, “Të përsosim figurën morale të të riut skënderbegas” etj. Komanda e shkollës në zbatim të detyrave që rridhnin nga ky vendim, hartoi një plan masash të veçantë. Në muajin tetor 1982, u organizua një ceremoni e bukur me rastin e përcjelljes së delegatëve për në Kongresin e 8 të BRPPSH. Nga shkolla jonë ishin delegatë, Sekretari i Komitetit të Rinisë së Shkollës Ndue Prenga dhe skënderbegasit Arben Lika e Spartak Argjiri. …Këto ngjarje të rëndësishme kanë ndikuar në mobilizimin dhe realizimin më së miri të detyrave. Realizimi i programeve mësimore nuk është ndarë nga trajtimi i problemeve që kanë të bëjnë me forcimin e nivelit shkencor të mësimit. Tregues janë niveli i dijeve dhe i njohurive të nxënësve. Këtë vit u bënë përpjekje më të mëdha për të vënë në zbatim, për të futur në procesin mësimor njohuritë tekniko-shkencore e bashkëkohore, për të përgatitur informacionin shkencor moshës së nxënësve dhe lëndëve të ndryshme. U ngritën dy kabinete model të gjuhëve të huaja si ai i rusishtes me mësues Y. Paze dhe i gjuhës angleze me mësues S. Beshanin. Ndihmesë të mirë dhe për ndërtimin e kabineteve dha shefi i degës mësimore Fatmir Demiraj dhe Mark Kruja. 

Në përfundim të vitit mësimor u arrit një kalueshmëri 97% me notë mesatare 7. 6. Viti i tretë arriti kalueshmërinë 100%. Pati 50 skënderbegas të dalluar si Artan Ruka, Leonard Kadiu etj. 
…Si çdo vit, mësuesit e përgatitjes fizike, punuan me militantizëm për të arritur sukses në manifestimin e 1 Majit, për të përfaqësuar shkollën me dinjitet. Viti i tretë e kreu aksionin në ndihmë të bujqësisë në Brar të Tiranës dhe Rrëshen të rrethit të Mirditës. Me ‘ta punuan dhe 2 mësues, 6 oficerë, 2 punëtorë. Janë dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor 3 oficerë, 6 mësues, 4 punëtorë dhe disa skënderbegas. Në korrik 1983, shkolla nuk shkoi në fushim veror pasi deri më datën 10 korrik, zhvilloi përgatitjen për paradë e spartakiadë, me rastin e 45-vjetorit të krijimit të ushtrisë. 10 korriku 1983, dita 45-vjetorit të krijimit të ushtrisë, mbetet e shënuar në historinë e shkollës sonë, pasi efektivi ynë zinte vend të rëndësishëm në veprimtaritë që u organizuan me këtë rast. Në këtë ditë efektivi i shkollës përjetoi emocione të mëdha në festën e bukur e madhështore. Të rreshtuar në sheshin e shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, së bashku me kursantë e studentë të shkollave ushtarake, pritën me brohoritje e ovacione të zjarrta Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shokun Enver Hoxha. Dielli i fortë nuk i pengonte skënderbegasit të nderonin aq krenarë tek kalonte në Revistë Komandanti. Një çast emocional, shoku Enver Hoxha puth flamujt e reparteve… Heshtje dhe nis brohoritje për Partinë e shokun Enver, thirrje entuziaste për të qenë gati kurdoherë për mbrojtjen e Atdheut e të Lirisë. Përshëndetjen në emër të KQ të Partisë e mbajti Sekretari i KQ të Partisë, shoku Rmaiz Alia. Më pas, kuadratet e skënderbegasve, parakaluan shkëlqyeshëm. Efektivi ndoqi veprimtarinë kulturore-sportive të organizuara me këtë rast. 

Viti mësimor 1983-1984
Vendimet historike të Kongresit të 8 të Partisë si dhe ai i Byrosë Politike të qershorit 1982 (për forcimin cilësor të shkollës), sollën ndryshime dhe përmirësime të ndjeshme në strukturën e vitit shkollor dhe në planin mësimor edukativ. Në krahasim me vitin 1980, struktura e këtij viti shkollor është e ndryshme. Porosia e Kongresit të 8 të Partisë që shkencat fondamentale si matematika, fizika, kimia, biologjia, duhet të jenë bazë e shkollës sonë të revolucionarizuar, u vunë në rrugën e zgjidhjes. Në janar të vitit 1984, efektivi i shkollës, nën udhëheqjen e Byrosë së Partisë në shkollë, punoi dhe zbërtheu vendimet e protokollit të Sekretarit të KQ të Partisë për shkollën, i cili theksonte: “Të forcohet puna për shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Veprimtaria e organizatave bazë të partisë, të rinisë e Komandës dhe e gjithë mësuesve në këtë shkollë , të bëjë që, duke rritur nivelin e mësimdhënies dhe përgatitjen e nxënësve të kësaj shkolle, të arrijnë që të mos mbetet asnjë maturant pa ndjekur shkollat e larta ushtarake”. Si rezultat i punës së bërë u arrit kalueshmëria 95. 43% me notë mesatare 7. 66. U dallua toga e 1/5 me mësues kujdestar Elsa Shametin, 2/1 me mësuese kujdestar Sanije Tabaku. U dalluan 60 skënderbegas për rezultate të larta në mësime. Rezultatet më të larta i arritën skënderbegasit Naim Sula me notë mesatare 10, Thanas Budri 9. 9 dhe Fatmir Lekaj me notën mesatare 9. 8. Nga matura e këtij viti, 5 skënderbegasve iu dha e drejta për të ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, fakulteti i shkencave të Natyrës. Më mirë së çdo vit tjetër kanë funksionuar rrethet jashtë shkollore, si ai i matematikës me mësues Liri Gjiknuri, fizikës me mësuese Ana Priftin e Marjeta Gostivishti, kimisë me mësuese Kimete Palushi, lëndëve teknike me mësues Jorgjin dhe Mark Krujë etj. . 

Në olimpiadën e matematikës, 2 skënderbegas u futën në 5 më të mirët e Tiranës për shkollat e mesme. Një ndër veprimtaritë më të bukura ishte dhe konkursi i fizikës midis shkollave të mesme të Tiranës, ku skënderbegasit zunë vendin e parë. Me diplomë të veçantë u dallua skënderbegasi Naim Sula, për përgjigje mjaft të sakta dhe demonstrime të shkëlqyera në eksperimentet. Në luftë për zbatimin e detyrave, puna e organizatës së rinisë ka synuar në rritjen e mëtejshme të opinionit të shëndoshë në luftë kundër shfaqjeve të huaja të psikologjisë mikroborgjeze, për një qëndrim aktiv ndaj mësimit. U dalluan 370 të rinj që patën mesataren mbi 8. Ndërsa 340 të rinj u shpallën shembullorë. Konferenca e 21-të e rinisë në shkollë që u zhvillua në tetor 1984, analizoi problemin e forcimit te të rinjtë, të pasionit të kënaqurit me pak, dembelizmit, të mësuarit për notë. Në mbledhje ishte e deleguar Sekretarja e KQ të BRPSH, shoqja Haxhire Xhani. Konferenca zgjodhi sekretar ë Komitetit të Rinisë Robert Goci. 

U kurorëzua me sukses puna prodhuese-ushtarake me skënderbegasit e vitit të dytë. Me të rinjtë e vitit të tretë, në qershor 1984, u zhvillua aksioni në Sasaj (Bunec) të Lukovës, në të tarracat me agrume. Në këtë aksion u tejkaluan çdo ditë detyrat, duke i marrë garën fakultetit të Mjekësisë me qendër në Lukovë. Gjatë aksionit u zhvilluan një sërë veprimtarish si biseda për njohjen e historikut të zonës, vizitë në shtëpinë e heroit të popullit Mitro Xhani, në Piqeras, vizitë në muzeun e Vail Laçit e Mitro Xhanit, bisedë me veteranë të Luftës, vëllain e ‘Heroit të Popullit’ Mitro Xhani etj. Skënderbegasit ndërmorën një aksion me iniciativë për rregullimin e një sheshi të gjerë ku u festua 15-vjetorri i aksionit të parë të rinisë në bregdet. Këtu u falënderua për punë të mirë dhe efektivi i shkollës ushtarake “Skënderbej”. 

Viti Shkollor 1984-1985
Viti mësimor 1984-1985, u karakterizua nga mobilizimi i gjithanshëm i efektivitetit, që nën udhëheqjen e Byrosë dhe organizatave bazë të Partisë, të ngrihej niveli i punës mësimore edukative në zbatim të detyrave që shtron Kongresi i 8-të i Partisë. Gjatë muajve shtator-nëntor vend të rëndësishëm zënë veprimtaritë e shumta ideopolitike, kulturor-sportive, si dhe përgatitja e kuadrateve me rastin e Paradës së madhe të 40-vjetorit të çlirimit të Atdheut e fitores së revolucionit tonë popullor. Të tre kuadratet që morën pjesë në parakalim u vlerësuan shumë mirë dhe kuadrati i kompanisë së dytë dhe të katërt u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, si dhe 10 oficerë, 4 mësues, 1 punëtor e 10 skënderbegas. Ky vit mësimor dallohet për gjendje emocionale të ngritur, për entuziazëm e shumë ditë festive. Përgatitjet për të pritur me arritje sa më të larta në procesin mësimor-edukativ dhe me pamje të re 40-vjetorin e krijimit të shkollës, filluan menjëherë pas përfundimit të Paradës së madhe. Në veçanti, muaji mars 1985, në prag feste, u karakterizua nga veprimtari të shumta. Mes skënderbegasve erdhën veteranë, skënderbegasit e parë, poetë e shkrimtarë, shkencëtarë e sportistë, që kanë kaluar bankat e kësaj shkolle, duke na sjellë kujtimet e mbresat e tyre. Në mars 1985, në ditën e 40-vjetorit të shkollës u organizua një festë e mrekullueshme. I gjithë efektivi i shkollës, mësues e oficerë, të ftuar nga shkollat ushtarake e repartet e ushtrisë, veteranë e ish-skënderbegas, shokë nga MMP dhe KQ i Partisë, ndoqën manifestimin fizkulturor-sportiv, inaugurimin e muzeut të ri të shkollës, këndin e ri sportiv, koncertin e madh të ansamblit të shkollës dhe filmin e ri dokumentar të Kinostudios “Shqipëria e re”, xhiruar me këtë rast “Fidanishtja e Ushtrisë Popullore”. Këtë ditë u organizua dhe një sesion jubilar. Në shkollë u bënë ndryshime, u formua sheshi i shkollës i asfaltuar në vend të këndit sportiv. Fronti i rreshtimit të shkollës nuk bëhej më nga godina 3-katëshe që u bë me tarracë, por në drejtim të perëndimit përballë tribunës së re. Me rastin e 40-vjetorit të shkollës, në një ceremoni të organizuar për drekë, u ndanë dekoratat, akorduar nga presidiumi i Kuvendit Popullor 3 oficerëve, 6 mësuesve, 5 punëtorëve dhe disa skënderbegasve. Shkolla u dekorua me urdhrin e Lirisë të Klasit II-të me dekret Nr. 6357, datë 21. 03. 1985. 

40-vjetori i krijimit e gjen shkollën me bazë të mjaftueshme për modernizimin e procesit mësimor-edukativ, ku për secilën lëndë, ka kabinet dhe bazë materiale të nevojshme, siç janë kabinetet e HPPSH, letërsisë, matematikës, kabinetet e lëndëve ushtarake, laboratorët e kimisë, elektroteknikës, gjuhëve të huaja si dhe biblioteka e pasur me rreth 42 mijë ekzemplarë të literaturave politike, shkencore , ushtarake dhe artistike. Për forcimin cilësor të shkollës, për zhvillimin e talenteve të reja në shkollë funksionojnë 25 rrethe jashtëshkollore. 

Organizatat e rinisë së shkollës u angazhuan totalisht me nisma e zotime konkrete për të realizuar me sukses detyrat në procesin mësimor-edukativ. Në konferencën e 22 të rinisë së shkollës, që u zhvillua në tetor 1984, u diskutua për rritjen e rolit aktiv të organizatës së rinisë, për më shumë përgjegjësi nga të rinjtë, realizimin e detyrave në procesin mësimor-edukativ. Në konferencë u ftuan ish-drejtori i parë i shkollës sonë, veterani Stavri Angjeli. Diskutoi gjithashtu dhe një i ri punëtor i ftuar nga Kombinati i Autotraktorëve “Enver Hoxha” Tiranë. Të rinjtë maturantë dolën me nismën “Të gjithë maturantët të shkojnë në shkollat e larta ushtarake ku ka nevojë Atdheu”. 

Viti mësimor 1984-1985 përfundoi me kalueshmëri 93%. Batalioni i parë 89%, i dyti 96%, i treti 95% dhe i katërti 94%. Përfunduan me kalueshmëri 100%, 9 grupe mësimore, konkretisht e 2/2 me mësues kujdestar Shkëlqim Dervishin, 2/5 me Loreta Ziun, 2/8 me Ana Priftin, 2/9 me Asimaq Prokon, 3/7 me Vasilika Vasin, e 3/8 me Niko Kreçin, e 3/9 me Saimira Deda, e 4/1 me Sashenka Bezhanin, e 4/5 me Edlira Tartarin. Nxënësit më të dalluar këtë vit ishin Çlirim Hoxholli, Granit Duro, Luan Dusho, Arben Lita. Puna prodhuese këtë vit mësimor u krye në uzinat ushtarake Tiranë. 

Vdekja e Enver Hoxhës
Më 11 prill 1985, efektivi i shkollës priti me dhimbje të thellë lajmin më të hidhur për humbjen e madhe të udhëheqësit tonë të dashur e të paharruar, Komandantit tonë Legjendar të Forcave të Armatosura, shokut Enver Hoxha. Ditët e zisë u përjetuan me dhimbje, por edhe me një forcë të madhe, ashtu siç na kishte mësuar vetë shoku Enver. Kjo ishte dhe porosia e Partisë. Kush mbeti pa hedhur në vargje dhimbjen e madhe. Jo vetëm skënderbegasit, që njiheshin si talent, por çdo njeri shkruan disa vargje të dala nga zemra për albumin që krijoi çdo organizatë rinie. Asnjë varg nuk kishte pesimizëm, të gjitha shprehnin dhimbje, të gjitha kishin forcë. I gjithë efektivi mori pjesë në atë ceremoni të thjeshtë, por njëkohësisht madhështore, të përcjelljes së Komandantit në varrezat e dëshmorëve, me lot në sy, por me ballin lart. Krahas telegrameve të ngushëllimit që u dërguan nga efektiva e organizatat rinie pranë familjes së shokut Enver Hoxha për të shprehur dhimbjen, shkuan një grup i përbërë nga oficerë, mësues, punonjës e skënderbegas. 

Viti mësimor 1985-1986
Viti mësimor 1985-1986 filloi me ndryshime në përbërje. U shpërndanë batalionet dhe në vend të tyre, u krijuan 4 kompani mbi bazë viti. Çdo klasë përbënte një togë dhe secila kishte komandantin e togës oficer. Komandantë toge u caktuan 36 oficerë të rinj që sapo u diplomuan në shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Mbi këtë bazë, u shpërndanë dhe komitetet e rinisë të batalioneve dhe organizatat e rinisë që u formuan mbi bazë toge drejtoheshin vetëm nga një Komitet Rinisë së shkollës. Për herë të parë, u krijuan dhe 4 organizata rinie të përbëra nga oficerët e një viti. Nën udhëheqjen e byrosë së Partisë në shkollë, puna është përqendruar në edukimin e rinisë me teorinë M-L, me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha për kalitjen revolucionare të skënderbegasve, rrënjosja e bindjeve të thella e të qëndrueshme mbi përvetësimin cilësor të programit mësimor, forcimi të disiplinës e gatishmërisë luftarake, edukimi atdhetar revolucionar, pjesëmarrja e gjerë dhe aktive e të rinjve në rrethet jashtëshkollore, rritja e ndjenjës së përgjegjësisë për rritjen e pronës, edukimi me vetitë e moralit proletar, etj. Rezultatet e këtij viti mësimor ishin: Viti i parë me kalueshmëri 87%, i dyti 93%, i treti 96%, i katërti 98%, ndërsa si shkollë, 93%. Përfunduan me kalueshmëri 100%, 13 klasa (toga), përkatësisht 2/6, 2/7, 3/3, 3/4, 3/9, 4/1, 4/2, 4/3, 4/4, 4/5, 4/8, 4/9. Skënderbegasit më të dalluar ishin Loren Dhamaj, Asrit Ostrnica, Shkëlqim Vasi, Granit Duro, Ramiz Elmazi etj. . 

Në janar 1986, u organizua fushimi dimëror në Voskopojë dhe ai veror në Karpen. Në muajin qershor 1986, viti i tretë, zhvilloi aksionin në ndihmë të bujqësisë në Grabian të Lushnjes, ku u falënderua nga drejtoria e cila organizoi një ceremoni dhe shpërndau stimuj të ndryshëm moralë për skënderbegasit e dalluar.

Viti mësimor 1986-1987
Në këtë vit mësimor, efektivi i shkollës sonë përjetoi momente të rëndësishme për Partinë e popullin, siç ishin Kongresi i 9-të i Partisë dhe 45-vjetorin e themelimit të saj. Punimet e këtij Kongresi u ndoqën drejtpërdrejt nga ekrani i televizorëve në mënyrë të organizuar. Traditës së bukur të pjesëmarrjes së skënderbegasve në aksion, iu shtua dhe këtë vit, dashuria dhe respekti i popullit të Torovicës dhe Lezhës, ku të rinjtë e vitit të tretë realizuan normën 171%. Rezulatet në procesin mësimor ishin: Viti i parë me kalueshmëri 94%, i dytë 94%, i treti 95% dhe i katërti 88. Si shkollë 93%, ku 8 klasa kaluan 100%. Ato ishin ½, , 1/3, 2/1, 2/3, 2/5, 3/6, 3/8, 4/12. Skënderbegasit Fatri Nesimi, Fator Olldashi, Fatos Myftari, Agim Neziri, përfunduan me të gjitha notat 10. Rezultate shumë të larta patën gjithashtu skënderbegasit Arben Skëndo, Artan Lika, Shaqir Pito, Arben Zefi etj… Në vitin 1987 u dekoruan 3 oficerë. 

Viti mësimor 1987-1988
Në këtë vit mësimor-edukativ, shkolla jonë ka punuar për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 9 të Partisë, për forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës. Nga trupi pedagogjik, nën udhëheqjen e Byrosë së Partisë, u punua me kujdes si për forcimin e përmbajtjes së mësimit, ashtu dhe për përsosjen e metodave të mësimdhënies, për të mësuarit aktiv dhe krijues. Punës së trupit pedagogjik iu përgjigj me entuziazëm gjithë masa e të rinjve në shkollë. Mobilizimi dhe vetëveprimi i tyre u rrit gjatë këtij viti nga diskutimi i vendimeve dhe detyrave që shtroi Kongresi i 9-të i BRPSH. Në këtë Kongres nga shkolla morën pjesë dy delegatë, Agim Neziri dhe Agim Sula. Gjatë këtij viti ka pasur rritje cilësore të punës edukative me nxënësit dhe kuadrot. Punë e kujdesshme u bë për zbërthimin, studimin dhe vënien në jetë të detyrave që shtruan Vendimi i Byrosë Politike të KQ të Partisë datë 03. 11. 1987 (për punë edukative në ushtri), Plenumi i 5-të i KQ të Partisë si dhe fjalimet e shokut Ramiz Alia. Në përvetësimin cilësor të njohurive dhe në gjallërimin e veprimtarisë jashtëshkollore, luajtën rol të madh ‘Javët Shkencore’ sipas lëndëve, një veprimtari e re kjo për shkollën, e cila masivizoi më tej punën e pavarur e atë shkencore, njëkohësisht hapi rrugë për forma të reja dhe interesante për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Në sajë të punës së bërë si nga nxënësit ashtu edhe nga kuadrot mësues oficerë nën udhëheqjen e organizatës së Partisë, shkolla arriti kalueshmërinë 92. 15% e notë mesatare 7. 15, me një rritje prej 8.79% nga viti i kaluar. U dalluan veçanërisht klasa 2/1, 2/3, 4/2 dhe 4/5. Gjatë këtij viti, rreth 50 maturantë arritën notën mesatare 9-10 .Ndër to më të dalluarit ishin Agim Neziri, Dritan Çela dhe Çlirim Hoxholli. Për punë të mirë u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor 7 kuadro oficerë, 1 mësues dhe 1 punonjës. Vlen të theksohet se gjatë këtij viti u bë një punë e lavdërueshme për gjallërimin e veprimtarive edukative, kulturore, artistike e sportive. Në një festë të bukur sportive u kthye ceremonia e përurimit të kompleksit të ri sportiv të shkollës. Në këtë kompleks, që u ndërtua në ish-fushën e futbollit (brenda shkollës), mund të zhvillojnë veprimtari në të njëjtën kohë rreth 800 nxënës. Për ndërtimin e tij punuan me aksion për një vit organizatat e rinisë dhe u dalluan për punë me pasion kryetari i komisionit të edukimit fizik Besnik Kurshuni si dhe mësuesit e edukimit fizik Met Ranku, Flamur Sharra, Iljaz Dingu, Gëzim Qyteza, Shpëtim Ruçi etj. Në ceremoninë e përurimit, morën pjesë edhe shokët Prokop Murra, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore Kiço Mustaqi Kandidat i Byrosë Politike dhe shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, sekretar i KQ të Rinisë Lisen Bashkurti dhe të ftuar të tjerë nga shkollat e mesme të kryeqytetit. Për këtë veprimtari u dha dhe një emision televiziv dhe u shkruan disa artikuj nga organet e shtypit si në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, “Sporti Popullor”. …Viti i dytë dhe i tretë i shkollës morën pjesë në parakalimin e 1 Majit dhe kryen me cilësi një ushtrim me shkallë vështirësie të lartë. Gjatë muajit mars të këtij viti mësimor, në shkollë ushtroi ndihmë e kontroll një ekip i KQ të Partisë, i cili krahas vlerësimit të punës së bërë, la një sërë detyrash për eliminimin e mangësive që u vunë re. Në mbyllje të këtij viti të rinjtë e vitit të tretë punuan për një muaj (qershor) në hekurudhën Milot-Rrëshen-Klos në sektorët Shkjezë, Tarazh dhe Prosek, të inkuadruara në brigadat “Skënderbej”, “Qemal Stafa” dhe “Vojo Kushi”. Në aksion, të rinjtë skënderbegas u dalluan për punë me cilësi e shpirt gare, për veprimtaritë edukative që zhvilluan për të njohur traditat historike të zonës, për marrëdhënie të ngrohta me vullnetarët dhe popullin. Duke realizuar normën 133%, ata merituan flamurin e Shtabit Qendror të aksionit dhe flamurin stafetë të KQ të BRPSH, duke rritur më tej emrin dhe nderin e shkollës. 

Viti mësimor 1988-1989
Përkimi i këtij viti mësimor me 80-vjetorin e lindjes së udhëheqësit dhe mësuesit tonë të madh e të paharruar, shokut Enver Hoxha, solli rritjen e entuziazmit dhe mobilizimit në punën për realizimin e detyrave të të gjithë efektivit të shkollës, nxënës oficerë, mësues dhe punonjës. Në fushën e mësimdhënies u punua për të realizuar detyrat që shtroi simpoziumi kombëtar “Për një të mësuar aktiv dhe krijues”. Rezultatet e arritura bënë të mundur që mbi bazën e përvojës së shkollës sonë, Komiteti i Partisë i shkollave ushtarake të zhvillojë një mësim tregues për kuadrot mësimdhënës të shkollave të tjera ushtarake. Gjatë këtij viti shkolla arriti kalueshmërinë 94. 36% e notë mesatare 7. 13, që përbën rezultatin më të lartë të arritur gjatë pesë viteve të fundit. Nëntë klasa arritën kalueshmëri 100%: 2/5, 2/11, 3/1, 3/3, 3/8, 3/9, 4/1, 4/3 dhe 4/5. U shtua numri i të rinjve me rezultate të shkëlqyera. Prej tyre Edlir Jonuzi, Lorenc Dhamaj, Sali Tosilla, Agron Bashllari, Besnik Skënderi, Sokol Meta dhe Bardhi Jangu, e përfunduan vitin me notën 10. Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor u dekoruan me urdhra e medalje 14 kuadro, 11 oficerë dhe 3 mësues. Në muajin dhjetor u zhvillua një ceremoni e bukur me rastin e dekorimit të organizatës së rinisë së vitit të katërt, e cila gjatë qershorit të vitit 1988, punoi në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos dhe u dallua për tejkalimin frontal të detyrës. Të shumta e cilësore ishin veprimtaritë kushtuar udhëheqësit e Komandantit tonë të pavdekshëm, shokut Enver Hoxha. U studiuan dhe diskutuan veprat e Tij si “Për ushtrinë Popullore”, të serisë së kujtimeve, ku në mënyrë të veçantë u punua me librin “Vitet e Rinisë” dhe librin e shokut Ramiz Alia, “Enveri ynë”. 

(Vijon nesër)

Përgatiti: Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”

SHËNIM: Njoftohen të gjithë ish-skënderbegasit, ushtarakët dhe të interesuarit e tjerë se pas disa ditësh do bëhet në Tiranë promovimi i volumit të tretë të “Skënderbegasit ndër vite…”, aktivitet që bëhet rastin e 73-vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej” dhe që përfshihet në aktivitetet zyrtare që zhvillohen në kuadër të “Vitit të Skënderbeut-2018”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe në gazetë.
Sigal