Sigal

Komitetet e veteranëve në rrethe dhe veteranët, tashmë 90-vjeçarë të LANÇ, mbështesin plotësisht dhe pa rezerva kryeartikullin e numrit të kaluar të gazetës “sonë që bën fjalë, për sjelljen e eshtrave të Mithat Frashërit dhe ngritjen e bustit të tij pranë atyre të vëllezërve Frashëri nga qeveria shqiptare. Kryesisë së Komitetit Kombëtar dhe redaksisë së gazetës sonë i kanë ardhur e po i vijnë vazhdimisht letra proteste nga komitetet e veteranëve, organizatat e tyre, veteranë të veçantë, por edhe lexues të shumtë që protestojnë ndaj qeverisë dhe mbështesin kryeartikullin e gazetës. “Jo vetëm ne, luftëtarët e asaj lufte epope, që çliroi dhe siguroi paprekshmërinë e Shqipërisë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, luftë që u tregoi vendin pushtuesve nazifashistë dhe kolaboracionistëve të tyre balliste-zogistë, por as edhe një shqiptar i ndershëm dhe atdhetar i vërtetë nuk do të pranonte që Mithat Frashërit t’i bëheshin nderime qeveritare, për më tepër nga një qeveri që e quan veten të majtë dhe që ka marrë votat e rreth 300 mijë veteranëve dhe pasardhësve të tyre dhe thotë se mbron Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të vendosësh bustin e një tradhtari të popullit të vet, siç është Mithat Frashëri, pranë busteve të tre korifejve të mëdhenj të patriotizmit shqiptar, siç janë Abdyli, Naimi dhe Samiu, është sa absurde aq edhe antikombëtare. Historia e Shqipërisë, e veçanërisht ajo e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e ka damkosur Mithat Frashërin, si tradhtar të saj, si kriminel, i cili në krye të Ballit famëkeq Kombëtar dhe ministër kolaboracionist i nazistëve, iu kundërvu luftës titanike të popullit tonë për çlirimin e Atdheut nga nazifashistët. Qenë ballistët, e udhëhequr nga Mithati, që u bashkuan me nazistët gjermanë, u bënë njësh me ta, duke vrarë mijëra bij e bija të popullit që luftonin për liri, duke masakruar e djegur shtëpi partizanësh e fshatra të tërë baza të LANÇ. Askush nuk e mohon që ai është bir i familjes së nderuar të Frashëllinjve, por me veprën e tij antishqiptare ai nuk ka asgjë të përbashkët me rilindësit e mëdhenj, me kontributin e Abdylit, Naimit dhe Samiut. Ata kanë qenë dhe mbeten atdhetarë të ndritur të të gjitha kohërave. Të vendosësh pranë tyre bustin e Mithatit do të thotë të njollosësh lavdinë e tyre. Asnjë shtet serioz në botë nuk nderon tradhtarët e popullit të vet. Përkundrazi i dënon dhe i hedh në koshin e plehrave të historisë, ku e ka vendin çdo tradhtar. Edhe në fund të luftës, kur u pa qartë se nazifashistët e humbën përfundimisht atë, Mithati nuk hoqi dorë nga tradhtia, por u mundua të lidhej me Pashiçët e Napolon Zervat, në Sërbi e në Greqi, në dëm të sovranitetit dhe lirisë së Shqipërisë. Në se ky vendim i qeverisë do të realizohej një ditë, do të ishte sa absurd, po aq dhe i turpshëm. Besojmë se qeveritarët tanë do të distancohen nga ky veprim i gabuar dhe kjo do të mirëpritej nga çdo atdhetar, kudo që ndodhet, brenda apo jashtë tokës mëmë.

Organizata e Veteranëve LANÇ