Vazhdimësi patriotizmi nga Vermoshi në Malin-Kolaj

267
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Të ardhur nga Selca e Vermoshit
Luigj Gjergj Nika ka lindur në fshatin Mali-Kolaj, në Velipojë të Shkodrës, por prejardhjen e ka nga Selca e Vermoshit, ku ka banuar në shekuj dhe fisi Hasanaj. Selca është një fshat në Vermosh, dhe bën pjesë në Bashkinë e Malësisë së Madhe. Krahina e Kelmendit, Selca e Vermoshit i ka dhënë kombit mjaft martirë, dëshmorë, midis tyre dhe një pionier hero Kelmendasit shkollën e parë e më të madhe të jetës e kanë pasur gjithmonë qëndresën dhe mbrojtjen e kufijve të Atdheut. Heroizmit në Vermosh gjithmonë i kanë prirë nënat, kur kanë përkundur djepat me trimëritë e të parëve të tyre. Në krahinë e Kelmendit thuhet se me eshtrat e të rënëve në luftë me të huajin, mund të thurej vija e kufirit. Fisin Hasanaj nga vjen dhe Luigj Gjergj Nika është i njohur dhe është bërë pjesë e historisë së Selcës së Vermoshit. Familja ka ruajtur me fanatizëm traditat e të parëve të tyre, për trimëri, patriotizëm dhe atdhetarizëm. Nga kjo familje e nderuar prej më shumë se një shekull, njerëzit e saj kanë punuar me përkushtim, janë shkolluar dhe integruar dhe përshtatur me kohën. Prej këtij fisi në të gjitha regjimet që ka kaluar vendi ynë, nuk ka të dënuar, të arrestuar dhe të internuar, pasi ata kanë qenë njerëz të ndershëm dhe punëtorë.

Shkolla e parë në fshat, në shtëpinë e heroit
Shkolla e parë shqipe në Malin-Kolaj u hap në shtëpinë e Ndrekajve në mars të vitit 1945. Në këtë shkollë mësoi shkrim e këndim dhe Heroi i Popullit, pionieri 13 vjeçar Nikë Pjetër Ndreka. Të deleguarit e Frontit Demokratik të Prefekturës së Shkodrës shkuan në shtëpinë e Pjetër Ndrekës, për të biseduar për hapjen e shkollës së parë shqipe në fshat, pas çlirimit të vendit. Pjetri së bashku me shumë fshatarë të tjerë i pritën dhe i ndihmuan të deleguarit e Frontit, për gjetjen e një ambienti për të mësuar, shkrim e këndim për fëmijët e tyre. Kështu babai i heroit, Pjetri, lironte dy dhoma, për hapjen e shkollës deri në ndërtimin e shkollës së re. U bë një punë e madhe dhe përpjekje të shumta për të bindur prindërit të dërgonin fëmijët në shkollë që të mësonin shkrim e këndim. Kështu, shprehet Luigj Gjergj Nika, se me kontributin e fshatit u ndërtuan disa orendi të thjeshta shkollore që ju shërbenin fëmijëve për mësim. Luigji e nisi shkollën fillore në fshatin Mali-Kolaj në vitin 1945. Ndërtesa që u shndërrua në shkollën e fshatit, ishin dy dhoma të shtëpisë së familjes të Heroit të Popullit, Nikë Pjetër Ndreka, ku Nika, ishte nxënës i shkollës dhe shokë shkolle me heroin.

Ushtar shembullor në Divizionin e Tiranës
Luigji, pasi mbaroi shkollën shkollën 8 vjeçare dhe të mesme në Velipojë, kreu shërbimin në Divizionin e Tiranës. Specialiteti në të cilën kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak ishte ndërlidhës. Edhe sot e kujton me admirim atë kohë, ku ushtarët nga krahina të ndryshme të vendit, mësonin, stërviteshin dhe edukoheshin me tiparet më të mira të trimërisë dhe të patriotizmit. Ai nuk mund të harrojë kurrë gjeneral Sadik Bekteshin, i cili për punë të mirë në ushtri i ka dhënë dy medalje ushtarake. Luigji ka qenë dhe komandant çete për disa vite me radhë në sistemin monist, kur organizoheshin zbore ushtarake, duke pasur dhe njohje e miqësi të shumta me ushtarakë të niveleve të larta, si dje dhe sot. Më vjen shumë keq shprehet sot Luigji, ku kam marrë vesh se është hequr shërbimi i detyrueshëm ushtarak në republikën tonë. Shërbimi ishte një traditë e hershme e popullit tonë, në çdo kohë dhe regjim, shqiptari përgatitje për mbrojtjen e vendit të tij. Si mund të thuhet për këtë shërbim, që njihet nga koha e Skënderbeut, në Kryengritjet e Tanzimatit të vitit 1847-1848 në Shqipërinë e Jugut, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, në kohën e Ismail Qemalit, të Monarkisë, të regjimit monist etj. Ishte tradita më e mirë që trashëguam, por tani e zhbëmë, e dikush duhet të përgjigjet para historisë për këtë veprim…

Familja e parë në kooperativë
Me krijimin e kooperativës bujqësore në fshatin Mali-Kolaj në tetor të vitit 1958 ishte ndër familjet e para që pranoi shoqërizimin e mjeteve të punës dhe të prodhimit. Me mbarimin e ushtrisë u caktua brigadier bujqësie në kooperativë bujqësore, ku punën dhe përkushtimin e tij ndaj saj tërhoqi vëmendjen e drejtuesve për vullnetin, kurajën dhe besimin që kishte te vetvetja për të arritur më të mirën. Gjatë gjithë Luigji e kreu me nder detyrë, duke arritur vetëm suksese, deri në shkrirjen e kooperativave bujqësore me ndryshimin e sistemit. Luigji u shqua si edukator i brezit të ri me ide të reja e përparimtare të kohës. Ai i njihte mirë bashkëfshatarët dhe ua dinte të gjitha brengat dhe hallet e tyre, dhe përpiqej me çdo mundësi t’ua lehtësonte ato. Me këto mendime ishin dhe miqtë e shokët e tij si Rrok Gjeto Nika, Lucë Mark Doshi, Halil Pleshti e shumë të tjerë. Në fshat shkonin vazhdimisht drejtues vendor të Qarkut Shkodër, të cilët merrnin takime për problem nga më të ndryshmet, ku midis tyre ishte dhe Luigj Nika. Shtëpia e Nikajve gradualisht u shndërrua në një bazë, u bë si shtëpi pritjeje e kohës të të deleguarve që vinin nga rrethi. Luigj Nika dinte t’i priste, t’i respektonte dhe e gjitha, falë dhe kontributit të babait, nënë Files, vëlla Pashkos dhe kunatë Mrijës e cila mbante barrën më të madhe në raste të tilla. Në të gjitha ngjarjet kryesore të fshatit Luigji, ishte i pranishëm. Luigji është njeri fisnik, besnik dhe shumë bujarë, me miq, me shokë e me të afërm. Këtë e tregonte me sjelljet e tij, në punë, në shtëpi, në rrugë dhe kudo. Ai dhe sot është aktiv në fusha të ndryshme, ta artit, kulturës, historisë, etj. Edhe sot në moshë madhore mbi 80 vjeç tregon ngjarje të përjetuara apo gojëdhëna të dëgjuara nga paraardhësit. Ai është në gjendje të rendisë të gjitha bajraqet e Malësisë së Madhe, Mirditës e më gjerë. Ka qenë pjesëmarrës dhe shumë pozitiv në disa pajtime gjaqesh. Pasi, është edhe njohës i mirë i kanunit të Lekë Dukagjinit, njohës i mirë i zakoneve dhe traditave, jo vetëm të qarkut Shkodër, por edhe më gjerë.

Vlerësime për punën
Edhe sot u thotë të rinjve, duajeni, respektojeni dhe gjenduni pranë të gjithë atyre njerëzve që punuan për fshatin tonë, në mbrojtje të së drejtës dhe vlerave të pamohueshme të fshatarëve në vite. Për Luigj Nikën, fjala ka një peshë më vetvete, ai është një njeri që mbahet për fjalë, si ata malësorët e dikurshëm. Në fisin Nikaj ka pasur disa partizanë si Mark Gjokë Nika, Gjekë Pjetër Nika, Tomë Gjeto Nika, Rrok Gjeto Nika, Prekë Gjeto Nika. Të gjithë këta janë dalluar si luftëtar trima, atdhedashës dhe të gatshëm në mbrojtje të atdheut. Nga ky fis është dhe Heroi i Punës Socialiste, Vatë Mark Nika, i cili punoi ditë e natë në fushën e blegtorisë, duke thyer rekorde në realizim të objektivave të paparashikuara në kg për kokë dhie. Ai ka qenë pjesëmarrës në disa kongrese të Fronti. Ai kishte aftësi se zinte miq e shokë dhe e ruante duke e trashëguar miqësinë e bukës dhe te fëmijët. Një rast të tillë vlen për t’u theksuar në Vlorë, ku kongresin e Fronti, u njoh me delegatin e Vlorës Ibrahim Gaba, nga Tragjasi. E bëri mik buke dhe ruajti miqësi dhe pas vdekjes së tij, me të bijtë dhe njerëzit e afërm të Ibrahimit. Fshati Mali-Kolaj përbëhet prej katër fise: Selja, Lohja, Reç e Shkrel. Të gjitha këto fise të ardhura nga Malësia e Madhe në vitin 1750 kanë krijuar një bashkëjetesë të shkëlqyer, gjë e cila vazhdon dhe ruhet edhe sot pas 300 vitesh nga pasardhësit e tyre. Këshilli i Komunës Velipojë e ka bërë “Qytetar Nderi”.