Ushtaraku Spiro Xhavara/ Ish xhenieri rrëfen se si u plasi granata, në malin e Tomorrit ku u plagosën 10 persona. Alarmi i Kicco Mustaqit dhe dërgimi i helikopterëve me mjekë ushtarakë

1197
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri Spiro Xhavara:

Si na plasi granata, pas Tomorrit, ku u plagosën 10 vetë. Kiço Mustaqi dha alarmin

-Ministria e Mbrojtjes në gatishmëri, nis menjëherë një helikopter për të plagosurit

-Në mënyrë urgjente një grup mjekësh erdhën nga spitali ushtarak

-Qeveria në alarm, mbahet ndërlidhje e vazhdueshme

Albert Z. ZHOLI

 

Spiro Xhavara pa punuar rreth 30-vjet si oficer, por ai gjithmonë nuk e ka lëshuar dhe penën nga dora. Në ushtri ka pasur shumë ngjarje që ai i tregon me kujdes dhe mjeshtëri. Largimi nga radhët e ushtrisë dhe shkuarja në emigracion ishte një dhimbje ëpr të por dhe një përballje ndryshe me jetën. Në këtë bisedë ai tregon disa nga njgrajet kur ishte oficer në radhët e ushtrisë shqiptare.

Në ushtri ka pasur shumë tragjedi të cilat janë fshehur apo janë mbajtur sekret? Ju si oficer keni përjetuar ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme?

Sigurisht që kam pasur. Njëherë zhvillohej një stërvitje e një kompanie në fshatin Zhepë, Berat. Në Zhepë kishim pikën e hapjes së batalionit të parë sulmues si dhe komandën e shkollës së lirë përkatëse mbi bazën e tij. Ishte reparti ynë më i largët, për të shkuar atje duhej të bëje dy orë me autobusin që shkonte gjer në Gjerbës, pas Tomorrit dhe, pastaj tri orë të tjera me këmbë deri në pikën e hapjes, ku do të kaloje lumin e Tomorricës dhe do të ngjiteshe në pyllin e madh që donte rreth një orë e gjysmë të përshkohej, do dilje në Çerricë dhe vetëm pastaj mund të mbërrije në destinacion. Poligonet e stërvitjes ishin ndërtuar përmbi fshat, mbi njëzetë minuta larg tij dhe kompania i merrte materialet për stërvitje që në mëngjes dhe kthehej në darkë. Unë si shef stërvitje, që i ndiqja të gjitha stërvitjet një për një dhe thuajse në të gjitha ditët e tyre, atë ditë kisha zbritur në komandë për të kryer shërbimin e drejtimit 24 orësh. Ishte kohë dreke, kur kompania zhvillonte përgatitje zjarri, njëra togë përgatitje për qitje, tjetra mbërthim zbërthim armësh e kështu me radhë, pastaj ndërronin vendet. Toga që bënte pjesë materiale ishte ulur anë një shkëmbi, ku poshtë tij ishte një hon rreth pesëmbëdhjetë metra. Komandanti i togës, rezervist, kishte marrë një tufë granatash mësimore ofensive dhe ua kishte shpërndarë rezervistëve. Fillon mësimin duke u shpjeguar pjesët kryesore të granatës dhe mënyrën e funksionimit të saj dhe u thotë që, kështu si bëj unë, të bëni dhe ju me granatat që kini në duar. Hiq një pjesë ai, hiq e emërto dhe ata.

-Po si dalloheshin granatat mësimore nga ato luftarake?

Granatat mësimore dalloheshin nga ato luftaraket, sepse kishin në trupin e tyre të shkruar një germë të madhe “M”, që do të thoshte mësimore. Por në mes gjithë atyre granatave mësimore me “M” përsipër të shkruara qartë, çuditërisht njëra qëlloi të jetë luftarake. Kur hoqi mashën siguruese të saj njëri nga rezervistët, ajo ja bëri bam dhe këtë e dëgjuan të gjithë. Rezervisti e kuptoi që ajo po shpërthente dhe u bërtet shokëve “Ikni, se na vrau!” Toga u ngrit rrëmbimthi dhe ja shkel vrapit, kush të mundte më shumë, brenda 3,4 sekondave që mbeteshin nga shpërthimi i plotë i granatës.

Ajo plasi dhe bashkë me zhurmën e saj shurdhuese, shpërthyen dhe britmat e dhimbjeve të atyre që ishin goditur nga ajo. Kompania la stërvitjen dhe u turrën për të ndihmuar shokët e tyre. Komandanti i batalionit, Kastriot Caka, i hutuar një çast, e mblodhi shpejt veten, dha urdhër të mblidhen granatat e tjera dhe nis menjëherë njerëz për tek centrali i kooperativës të njoftoheshin ambulancat, komanda e brigadës, kuadrot e rrethit, etj. Për të dëmtuarit, organizoi nisjen e tyre në ambulancë dhe qendrën e fshatit. Rezervisti që më doli në telefon dhe më njoftoi për ngjarjen, shumë i alarmuar natyrisht, kërkonte ambulancë, doktorë, makina për transport, “këtu është bërë nami, shpejt, shpejt, shpejt …” E pyeta disa herë për gjendjen e të dëmtuarve dhe në ikje e sipër më thotë “Po, po, nja 7-8 janë vrarë dhe të tjerët janë plagosur” . U shokova! Si ishte e mundur nga një granatë ofensive të shkaktohet një tragjedi kaq e tmerrshme, por s’mund të bëja dot asgjë e aq më tepër për të verifikuar këto që më thoshte personi në telefon, ishim shumë larg me njeri – tjetrin, tri orë me makinë larg. Mora masat që duheshin, lajmërova spitalin që nisi menjëherë dy ambulancat e tij me disa mjekë e infermierë brenda, njoftova komandën e brigadës dhe përgjegjësin e grupit të drejtimit të divizionit të Elbasanit, nga vareshim.

 

-Po nga Ministria e Mbrojtjes a ju morën në telefon?

Pas vetëm pak minutash, më del në telefon shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, Kiço Mustaqi: Kush jeni më pyet? Oficeri i drejtimit të brigadës sulmuese në Skrapar i them. Si është gjendja, më thotë. E rëndë i them, kam vetëm këtë informacion dhe i tregoj ato që më tha rezervisti në telefon. Mirë, më thotë, po nis menjëherë helikopterin e spitalit ushtarak me disa mjekë e materiale. Më njoftoni, për çdo informacion që do të merrni, si urdhëron i them dhe u shkëput nga telefoni. … Udhëheqja është në merak. Pas rreth një çerek ore më del prapë Kiço Mustaqi në telefon, nuk m’u prezantua, sido që unë e njoha menjëherë në zë, por edhe sepse centralisti i ministrisë më tha foli shefit të shtabit të përgjithshëm. Si është koha andej, më thotë. U vrejt menjëherë, i them, po shi nuk po bie. Dëgjo, më thotë, në faqen perëndimore të Tomorrit, ka filluar një stuhi e madhe. Të mos na ndodhë edhe ndonjë fatkeqësi tjetër si ajo e juaja, kam dhënë urdhër që helikopteri të ulet në Kuçovë, me të parë ndryshimin e kohës, më njofto dhe e mbylli. Disa minuta më vonë, Kastrioti kishte zbritur në Zhepë dhe më doli vetë në telefon. Më tregoi si kishte shpërthyer granata, si ishin plagosur njerëzit duke rendur për të shpëtuar dhe se tre nga ata janë më rëndë, por, kryesorja, viktima s’ka. Lëviza nga vendi, madje vajta në çezmë dhe hodha dy grushte ujë fytyrës, si të shpëlaja një ankth të madh. Nuk kisha njeri pranë, përveç dy ushtarëve të centralit, të gjithë ishin nisur drejt Zhepës …Ambulancat mbërritën rreth orës njëmbëdhjetë të mbrëmjes në spital. Unë isha zëvendësuar nga shërbimi dhe ndihmoja të zbrisnin të plagosurit. Ishin gjithsej dhjetë vetë, tre në barela, ndërsa të tjerët që mezi çapiteshin, shoqëroheshin me dorë nga personeli mjekësor. Shumë njerëz që dëgjuan për ngjarjen ishin grumbulluar aty, po kështu gjithë ushtarakët e Çorovodës, të brigadës sonë, të Forcave Vullnetare dhe të Degës Ushtarake, të gjithë. Pas pak erdhi sekretari i parë i rrethit dhe kryetari i komitetit ekzekutiv, po ata nuk ndenjën shumë, morën informacionet nga komandanti i brigadës dhe drejtori i spitalit, dhanë porositë e rastit dhe ikën me makinat e tyre.

-Po nga spitali ushtarak a erdhën mjekë?

Grupi me mjekët e spitalit ushtarak mbërriti në Çorovodë me ambulancën e aviacionit të Kuçovës, nuk udhëtuan me helikopter, pas informacionit që i dhashë ministrisë, me gjendjen që më dha në telefon komandanti i batalionit, shoku im i mirë Kastriot Caka. Salla e operacionit që ishte bërë gati me kohë, filloi nga puna. Në fillim u futën ata të tre që ishin në barela, por dolën të fundit që andej, pas gati dy orësh. Ndërkohë, të tjerët, që kishin marrë copa llamarine duke ikur me vrap në të prapmet e tyre dhe në këmbë, u futën një nga një në sallë, u pastruan plagët e lehta dhe të nesërmen dolën të gjithë dhe i çuan me makina në shtëpitë e tyre. Për tre të tjerët u organizua konsultë me mjekët e spitalit të Çorovodës dhe atyre të spitalit ushtarak të Tiranës. Njëri ishte goditur në shpatull dhe metali kishte depërtuar gjer në mushkëri. Tjetri, që i plasi granata duke i rënë nga dora, qe dëmtuar rëndë në gju, ndërsa i treti e kishte marrë goditjen në parakrah, ku i qe këputur damari kryesor i dorës. U konkludua, të tre të çoheshin në Tiranë për ndërhyrje kirurgjikale më të specializuar. Që andej u kthyen pas rreth një muaj e gjysmë me pasojat e natyrshme nga goditjet serioze që kishin marrë. Pa problem erdhi ai që ishte goditur në shpinë Ai që u godit në gju do të ecte shumë kohë me paterica deri sa të ambientohej gjuri plastik që i kishin vënë, por pa e shmangur çalimin, ndërsa i treti doli me shpresën se me kohë, lëvizja e dorës dhe e gishtërinjve do t’i vinte. Kjo ishte gjendja.

-Si u veprua me ju pas këtij incidenti?

Pasojat më tej, vazhdonin me ne. U bë inventar i menjëhershëm në bazën materiale dhe sidomos në granatat e dorës në të gjithë repartet dhe nënrepartet e brigadës, u grumbulluan të gjitha granatat ofensive dhe që nga ajo kohë, në shkallë ushtrie, ato përveç germës “M”, u dalluan edhe me vrimën që iu hap tej e tej në trupin e tyre. Granatat difensive e kishin një vrimë të tillë. Mirë që u ra në mëndje për këtë, se për një moment m’u turrën mua “e ke bërë inventarin formal, nuk ke numëruar një për një granatat që të dalloje atje luftaraken”, etj si këto, që i bënin më shumë për të justifikuar veten “Ja, kemi kërkuar llogari”, se sa për mua. Sikur të ishin gjetur të tjera granata luftarake në mes të mësimoreve në inventarin që u bë, unë sigurisht do isha ndëshkuar keq dhe, mbase do ta kisha mbyllur në Skrapar karrierën ushtarake. Por, jo, në brigadë nuk kishte më të tjera granata luftarake në mes të mësimoreve. Ajo që shpërtheu, ishte e vetme dhe me shpërthimin e saj, e mori me vete enigmën si mundi të futej në mes të granatave mësimore.

 – Le të kthehemi edhe njëherë tek vendi i ngjarjes…?

Granata luftarake kur i heq telin, nuk mund të shpërthejë, pa i lëshuar masën siguruese. Nëse do e dinte këtë rezervisti që e mbante granatën në dorë, nuk do kishte ndodhur asgjë, apo jo? Tjetër, kur e lëshoi mashën siguruese, granata i ra nga dora dhe ja bëri bam, ajo donte 3, 4 sekonda të shpërthente. Nëse do e kishte mendjen dhe qetësinë në vend dhe, nëse e dinte këtë të dhënë, kishte kohë që me majën e këpucës ta shtynte 1,2 m për të rënë nga maja e shkëmbit e përposh në hon, ku do të shpërthente dhe nuk do bënte asnjë dëm njerëzor. Nga ana tjetër, komandanti i togës, siç thotë rregullorja, po të kishte kontrolluar më parë bazën materiale, do ta kishte kuptuar në peshë, që aty ishte një granatë luftarake. Tani, po t’i vihesh teknikisht, gjen gabime sa të duash, por kryesorja, … shyqyr që qe me aq! Stërvitja komplekse, më doli përpara si një kuçedër mitike e përrallave. Me një ndryshim të vogël, që nuk ishte përrallë.

 

 

-Më vonë morët detyrë të re?

Sa u paraqita në detyrën e re, komandant batalioni në Br14K, me dislokim në Gjeroven të Beratit, pas një muaji zhvillohej stërvitja me trupa e gjithë brigadës, e cila do të shkonte marshim nga Berati në Përmet dhe atje, do të zhvillonte luftim mësymës, si skalion i dytë i korpusit të jugut (tani s’ka më sekrete t’i themi këto) Pra, një stërvitje që kërkonte përgatitje të madhe e në radhë të parë me efektivin rezervist, për përgatitjen e tij fizike e psikologjike. Të tjerët, kishin tërë vitin që përgatiteshin për këtë, oficerët kishin bërë jo vetëm rikonicionin përkatës, por ishte organizuar edhe marshimi realisht në rrugët që do të përshkonte secili repart, duke precizuar ku do bëheshin pushimet, ku do organizohej gatimi i ushqimit, transporti dhe ngrënia e tij, për njerëzit dhe kafshët, rajonet e përqendrimit për marrjen dhe përpunimin e detyrës luftarake, etj çështje, të cilat unë nuk arrita dot t’i shikoja në terren, por vetëm në hartë, domethënë hiç. Nga ana tjetër të gjithë kishin bërë rakordime të vazhdueshme me degën ushtarake dhe i kishin rregulluar më së miri kontingjentet e rezervistëve, duke zgjedhur me kujdes mosha të reja, specialistë, kuadro të përgatitur, etj. Ndërsa batalioni ynë kishte rreth tre muaj pa bërë rakordim, qysh kur kish dalë në pension Asllan Çuedari. Organika sa vente firohej, sepse njerëzit e kishin marrë vesh për stërvitjen e vështirë dhe përditë vinin në postbllok me raporte mjekësore në dorë, që më njoftonin se më kishin lënë shëndenë nga organika e batalionit.. Për të gjitha këto dhe për atë që unë nuk njihja akoma kuadrin oficer, pa le më atë rezervist, këshillat popullore, kujdestarët e kompanive që do të vishnin njerëzit, kontingjentin e kafshëve që kompletonin batalionin, etj si këto, stërvitja më doli përpara si një kuçedër, një lubi. Ç’të bëja, e dija, por si ta bëja atë brenda vetëm një muaji kohë, kjo më shqetësonte dhe më linte netëve pa gjumë. Dega ushtarake, me insistimin tim, u mundua të bënte një provë gjenerale, duke thirrur një pasdite tërë batalionin, me njerëz e kafshë dhe për ta njohur atë me stërvitjen që na priste, por aty nuk erdhën më shumë se 80% e efektivit, ndërsa për kafshët edhe më pak.

-Si vepruat?

Koha nuk priste, nuk mund të lije ditë pa vajtur në fshatra të bisedoje me këshillat, të mblidhje njerëzit në darkë pas punës në kooperativë dhe t’u flisje për atë që na priste. Probleme kishte shumë, le t’u them vetëm një: mjaft më vinin në repart dhe më thoshin që njëri kishte gruan shtatzënë në të nëntin dhe e priste nga çasti në çast për të lindur. Tjetri thoshte e kam gruan rëndë në spital dhe i duhej të kujdeset dy fëmijët e vegjël. Një tjetër ishte i ri në moshë, por paraqiste probleme psikologjike, ta merrje, a të mos e merrje? Pa folur pastaj për kërkesat e kryesive të kooperativave dhe drejtorive të ndërmarrjeve (unë kisha nga tregtia e qytetit dhe nga ajo pyjore), të cilët luteshin të mos u merrja në stërvitje, bariun, traktoristin, shoferët apo drejtuesit e karrocave, se bllokohej realizimi i planit dhe s’kishin me kë i zëvendësonin,etj. Dhe, erdhi dita e stërvitjes, njerëzit u veshën, kafshët po ngarkoheshin dhe po bëheshim gati të rreshtoheshim.