Urdhri sekret që më dha Kadri Hazbiu e Ramiz Alia. Sofokli Lazëri përplaset me polakët për një agjent kinez

1467
Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)
Rrëfimi i Idris Shehi ish-kuadër i lartë i shërbimit Diplomatik Shqiptar
Diplomat dhe oficer zbulimi, kjo ka qenë detyra e tij në të paktën dy shtete, në Rusi dhe Rumani. Por thotë se, nëse në Moskë, puna ishte e kufizuar, në kushtet e prishjes së marrëdhënieve, në Rumani ajo ishte shumë më e hapur, ku mundësia për pasur informacion të dorës së parë ishte më e madhe. Duke kujtuar vitet e tij të punës si Sekretar i parë në ambasadën Shqiptare në Bukuresht, Idriz Shehi, rrëfen për gazetën “Telegraf”:

Çdo të thotë të punosh në Kundërzbulim apo organet e shërbimeve sekrete?
Dua të them se nuk është e lehtë të punosh në shërbimet inteligjente, por nuk është as gabim dhe as turp. Si çdo shtet edhe shteti shqiptar pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashist, krijoi Organet e Sigurimit të cilat do të punonin me një përkushtim dhe besnikëri të lartë, për plotësimin e misionit të tyre të shenjtë. Organet e Sigurimit të Shtetit megjithëse pa përvojën e nevojshme, sidomos në luftë kundër zbulimeve të huaja kanë realizuar kombinacione të shumta e të suksesshme. Për këtë, mund të sjellim në kujtesë, fakte dhe episode të shumta.

Për shembull?
Për shembull, në dhomën e hotel Dajtit e kishte rezidencën gjenerali anglez Hodson. Dokumentet sekrete i ruante në kasafortë. Për këtë u dhanë variante të ndryshme. Gjithçka u krye me kujdes, pa lënë asnjë gjurmë dyshimi. Materialet u fotografuan. Lista e bashkëpunëtorëve anglezë dhe detyrat e tyre të detajuara nuk ishin më sekret. Ato i kishte dhe sigurimi i shtetit Shqiptar. Të mos harrojmë se ky aksion i përket fillimeve. Por, mund të tregoj edhe një ngjarje e cila ka një specifikë, sepse ajo ka të bëjë kryesisht me një personazh, por në shtrihet në dy periudha të ndryshme kohore.

Dhe cili është ky personazh?
Kazhimir Mihali. Aty nga viti 1974, kur kryeja detyrën e kryetarit të Degës Speciale në Ministrinë e Brendshme, më thirri në një takim të shkurtër ministri Kadri Hazbiu. Pasi më takoi, pa e zgjatur shumë ai më tha: “Në vendin tonë qëndron prej disa kohësh Sekretari i Parë i Partisë Marksist-Leniniste të Polonisë, Kazhimir Mihali. Ai kërkohet nga qeveria polake jo vetëm se ka dalë hapur kundër revizionizmit hrushovian, por se ka krijuar edhe partinë komuniste të Polonisë në ilegalitet. Për t’u takuar me të ka kërkuar që të vijë nga Polonia një ndër udhëheqësit kryesor të kësaj partie, por që është edhe punonjës në Ministrinë e Brendshme polake. Në vendin tonë ai do të vijë ilegal duke qenë më pushime në Francë. Pritet të vijë këto dy ditë. Ju do të ndërhyni tek autoritetet e kufirit, që në pasaportën e tij të mos bëhet asnjë shënim për hyrjen në vendin tonë. Kjo është kërkesë e padiskutueshme. Takimi mes këtyre dy krerëve të Partisë M-L të Polonisë, do të bëhet tetë a tetë në vilën e Durrësit”. Ne i morët të gjitha masat dhe një pasdite, në vendin e caktuar, u realizua takimi mes dy krerëve të partisë Komuniste polake në ilegalitet, të cilin e survejuam edhe me idenë se mos ndoshta ishte një agjent sekret me detyrën për të eliminuar Kazhimir Mihalin.

i do të vazhdonte kjo ngjarje?
Kjo ngjarje do ta kishte fundit 8 vite më pas. Në fillim të vitit 1981 kur vazhdoja të kryeja detyrën e Sekretarit të Parët të Ambasadës në Bukuresht, në përfaqësinë tonë erdhi shoku Sofolkli Lazri, punonjës me funksionet të plarta në KQ të PPSH-së. Ai kërkoi takim me mua dhe më tha: “Kemi ardhur këtu me porosi të drejtpërdrejtë nga Ramiz Alia. Do të organizojmë një takim me përfaqësues të Partisë Komuniste Polake, të cilët kërkojnë të dinë arsyet, se përse partia e shteti ynë ka vendosur për të larguar Kazhimir Mihalin nga Shqipëria. Në përbërjen e grupit do të jeni dhe ju, meqenëse e njihni çështjen”. 

Pra komunisti polak vazhdonte të qëndronte në Shqipëri?
Të them të drejtën edhe unë u habita se pse Kazhiimir Mihali kishte qëndruar kaq gjatë në Shqipëri. Mbas tri ditësh në përfaqësinë tonë u paraqitën tre përfaqësues të Partisë Marksist-Leniniste të Polonisë. Unë i prita ata dhe i dhashë adresën e vendit dhe orën ku do të bëhej takimi i kërkuar prej tyre. Polakët kërkonin të dinin arsyet se përse KQ i PPSH-së po largonte Kazhimirin nga Shqipëria. Sofokli Lazëri me zgjuarsi i sqaroi shokët polakë, të cilët pas dy seanca bisedimesh u bindën, për lëkundjet që ishin vërejtur tek kryetari i partisë së tyre. Por nga pala jonë nuk iu tha gjë për dyshimet se ai punonte për Partinë Komuniste të Kinës. Të mos harrojmë në në vitin ’81 marrëdhëniet Shqipëri-Kinë ishin të ngrira. Kështu u mbyllën këto bisedime të vështira. Më pas nga Sofokli Lazëri m’u la për detyrë që kur Kazhamir Mihali të largohej nga Tirana do të më njoftonin për të bërë një verifikim tjetër, nëse ai nëpërmjet aeroportit të Bukureshtit do të kalonte për në Kinë apo do të merrte drejtim tjetër. Përmes një pune të kujdesshme mora informacionin e sigurt se Kazhamir Miahli mori avionin që të çonte në Pekin. Siç dukej dhelpra po shkonte në skrofullën e vet. 
Këshilla e Bahar Shtyllës për artin e diplomacisë 
“Për mendimin tim profesioni i diplomatit është tepër i veçantë, i vështirë, delikat por dhe i bukur, që kërkon nivel komunikimi dhe aftësi zhbiruese, qoftë dhe në vogëlsira. “Diplomati, na thoshte dikur Behar Shtylla, një nga diplomatët më të shquar të vendi tonë, -në radhë të parë duhet të jetë një njeri i ndershëm me shtetin dhe politikën e tij kombëtare, por që për të mbrojtur këto interesa profesioni i tij, në një kuptim, në disa raste mund të “pajtohet” edhe me gënjeshtrën apo mashtrimin diplomatik. Kur një diplomat thotë “po”, thoshte ai, nënkupto “ndoshta”, kur thotë “ndoshta” nënkupto “jo” dhe kur thotë “jo” ai nuk është më diplomat”.
Materiali 
Cari që futi në sherr Enverin me Mehmet Shehun
Një herë pata një takim me këshilltarin e ambasadës italianë zotin Skarpa. Tematika ishte rreth mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Traktatit të Varshavës, i cili përbëhej nga ministrat e jashtëm dhe që ishte zhvilluan në Bukuresht. Të dhënat që më dha ishin shumë përgjithësuese. Mbas ballafaqimit që u bëmë të dhënave një ditë Skarpa më fton në përfaqësinë e tij. Biseda jonë shpejt u përqendrua tek Bashkimi Sovjetik dhe forcat e tij ushtarake. Unë kisha mjaft të dhëna për ushtrinë sovjetike. Më kujtohet që kur po flisnim për këtë temë këshilltari italian më tha: “A dëshiron të njihesh me një dokument të Carit të Parë, të cilën ai e ka lënë si testament për pasardhësit e tij. Ai përmban 14 pika…” Ndër të tjera në testament thuhej: “Unë Cari, Rusinë e gjeta si një përrua dhe e bëra lumë, ndërsa tani ua lë pasardhësve të mi ta bëjnë si një oqean. Të nxisim martesën e princërve rusë me princeshat gjermane, dhe anasjelltas dhe të shfrytëzojmë këtë miqësi për të forcuar lidhjet tona. Të nxisim grindje midis vendeve të ndryshme që janë në kufij me ne dhe pastaj të ndërhyjmë për t’i ndihmuar e t’i pajtuar, duke dërguar ushtrinë tonë në to. Pastaj t’i lemë forcat ushtarake atje dhe pas pajtimit të tyre…” Testamentin që mora nga Skarpa e dërgova në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Disa kohë më vonë për këtë material pati dy vlerësime të ndryshme: Mehmet Shehu, kryeministër: “Pse me këto vjetërsira merret zbulimi ynë”. Enver Hoxha: “E dhënë e saktë, që vërteton plotësisht politikën e vjetër dhe imperializmit rus për të sunduar botën dhe që po e zbatojnë sot pasardhësit e Pjetrit të Parë”
Shënimet
Triptiku: “Dritëhijet e një zbuluesi”
Idris Shehi thotë se, shënimet që ai ka mbajtur kur ka qenë në Moskë e më pas në Bukuresht janë shkruar këtu e 25- vite më parë, por për shumë kohë ai i ka braktisur ato në një cep të bibliotekës së tij. Por një ditë, kur vitet kishin kaluar, papritur ai u bë nostalgjik duke ndjerë keqardhje për to. Thotë gjithashtu se, gërmoi në bibliotekë, i gjeti dhe filloi t’i lexonte. Kaq është dashur që ai të shkojë edhe një herë vite pas, atëherë, kur nga shteti ju ngarkuan misione të rëndësishme. Por jo vetëm kaq. Nostalgjia për të kaluarën dhe vendet ku ai kishte shërbyer si oficer zbulues nën petkun e një diplomati, i ka kaluar para sysh, për ta rikthyer edhe një herë në ato vite. Nuk është dashur shumë, që ai të merrte vendimin për të botuar të gjitha kujtimet e tij në një triptik të titulluar: “Dritëhijet e një zbuluesi”, libër i cili ka dalë në treg vetëm dy ditë më parë.
Kush është Idris Shehi
1943-1946 pjesëtar i çetës partizane të Pezës dhe i Brigadës XXII S
1946-1947 në repartet e mbrojtjes së popullit Tiranë
1947-1948 oficer në Gardën e Republikës
1948-1957 në repartet e kufirit të Ministrisë së Punëve të Brendshme
1957-1960 student në Moskë
1960-1961 në repartet e kufirit Sarandë-Gjirokastër
1961-1963 punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, diplomat në Moskë
1964-1977 në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rrethe dhe qendër
1977-1982 punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe diplomat në Rumani
1983 e në vazhdim, në pension i aktivizuar në organizatën e Veteranëve të LANÇ
Propaganda në Lindje, si i shpërndanim veprat e Enver Hoxhës
Një nga detyrat kryesore që kishin përfaqësitë shqiptare në botë dhe, këtu përfshihej dhe ajo e Bukureshtit, ishte jo vetëm mbrojtja dhe propagandimi i politikës së partisë dhe të shtetit shqiptar, por dhe shpërndarja e veprave të Enver Hoxhës dhe literaturës politike që dërgohej herë pas here nga Tirana zyrtare. Duke iu referuar këtij angazhimi, ish-sekretari i Parë i Ambasadës Shqiptare në Rumani, Idris Shehi thotë: “Më kujtohet që shpesh në adresë të ambasadës sonë në Bukuresht, vinin një mori veprash të Enver Hoxhës, si nga seria “Raporte e fjalime”, por dhe libra të tjerë si: “Imperializmi dhe Revolucioni”, “Hrushovianët”, “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, “Shënime për Kinën”, “Titistët” etj. Në të shumtën e rasteve këto vepra vinin në gjuhën shqipe, por dhe në rusisht, anglisht, frëngjisht, etj. Për të realizuar këtë detyrë, ne përdornim forma dhe rrugë të ndryshme. Sa herë që organizonim takime në raste festash kombëtare, por dhe me grupe diplomatësh të huaj, apo shqiptarësh me banim në Rumani, në një vend të dukshëm në hollin e ambasadës ne bënim ekspozimin e këtyre librave dhe ato mund të tërhiqeshin nga kushdo që dëshironte, pa asnjë shpërblim. Por ne nuk mjaftoheshim vetëm me këtë formë. Në Bukuresht kishte vende të caktuara ku shiteshin gazeta. Më kujtohet se në to, në shumë raste gjeja edhe gazetën “Zëri i Popullit”. Natyrisht aty gjeje çdo ditë gazeta të tilla si “Pravda”, “Izvestina” në gjuhën ruse, “Le Monde”, në frëngjisht etj. Ne kishim porosi, që këto gazeta, sidomos ato të Bashkimit Sovjetik, t’i lexonim dhe prej tyre të nxirrnim adresa të korrespodentëve ose të bashkëpunëtorëve të shtypit, të kuadrove drejtuese të qyteteve apo të rajoneve të Bashkimit Sovjetik, si dhe figura të tjera të njohura të këtij shteti të madh me të cilin ishim prishur në fillim të viteve ’60. Pasi i regjistronim këto adresa, përgatisnim pako të vogla me 3-4 libra dhe i nisnim në bazë të adresave të individëve, në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik. Këto libra ne i postonim në disa zyra postare, madje jo vetëm në Bukuresht, por në disa qytete të Rumanisë dhe gjithë kjo bëhej, për të ruajtur sekretin, ndonëse asnjëherë nuk shënonim adresën e dërguesit. Njerëzit tanë në ambasadë këtë punë e bënin shpesh herë, por dua të them se në asnjë rast të vetëm nuk mësuam në se këto materiale arrinin në adresën e caktuar apo jo. Por, gjithashtu në asnjë rast të vetëm nuk na u kthyen mbrapsht këto pako me literaturë politike. Ndonëse nuk mbanin emrin e dërguesit aty ishin vepra që kishin për autor Enver Hoxhën dhe ai njihej shumë mirë se kush ishte në ato kohë, dhe për këtë arsye nuk ishte e vështirë për t’i kthyer ato, qoftë dhe në adresën e ambasadës sonë në Bukuresht”.
Vijon…
Sigal