Urdhri i Enverit më 1962: Avion luftarak mbi Gjermaninë Lindore me fletushka

1526
Sigal

Një avion shqiptar, udhëton e hedh mbi Gjermani 15 mijë fletushka kundër aleancës së Ulbrihtit me Hrushovin

Ishte 22 janari i vitit 1962. Një avion modern për kohën  i Flotiljes së Aviacionit  Luftarak Shqiptar, kishte ndërmarrë fluturime mbi Gjermaninë Lindore, duke hedhur mbi 15  mijë fletushka që dënonin  kompromiset e sekretarit të pare të KQPKGJ  Valter Ulbriht me Hrushovin, në dëm të kampit socialist.  Ai fluturim  u kryen në fshehtësi të madhe me urdhër  direkt të Enver Hoxhës, i cili pas kësaj ngjarje të pazakontë dhe të guximshme për atë periudhë u etiketua nga  Ulbrihti si “njeri dogmatik dhe i rrezikshëm”. Flora Luis ish-korrespondente  e “Uashington Post” në vitin 1962 në Bon do të shkruante se “policia e Gjermanisë Perëndimore zbuloi sot në 22 janar 1962, se kishin penguar atë që dukej të ishte një fushatë direkt veprimi nga shqiptarët, për të reshtur mbështetjen e Gjermanisë Lindore në luftën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik.  Apeli shqiptar që sulmonte rusët,  gjendej në fletëpalosjet e hedhura nga një avion i paidentifikuar që fluturoi mbi Gjermaninë Lindore”.  Sipas  zonjës  Luis “hetimet kishin treguar se fushata e bombardimit me broshura, u zhvillua të mërkurën e kaluar në 22 janar dhe se ishin afro 15 mijë fletëpalosje që  ranë nga  qiell, disa prej tyre fluturuan gabimisht dhe nga ana tjetër e kufirit, në Gjermaninë Perëndimore  në  shtetin e Hesenit”.  Fletëpalosjet, në gjuhën gjermane, të hedhura nga një avion special shqiptar, u drejtoheshin në radhë të parë komunistëve të Gjermanisë Lindore, por i lëshoheshin sinjale  indirekte  edhe pjesës tjetër  të popullsisë,  ku kërkohej të prekej sedra e tyre për pushtimin e Gjermanisë Lindore nga ushtria sovjetike.  Por konstatohej se  pala   zyrtare ruse  propagandonte se “trupat e BRSS ndodhen  në Gjermaninë Lindore  si aleatë nën Traktatin e Varshavës dhe jo për t u imponuar respektin ndaj Moskës”. Të shtypura në gjuhën gjermane, fletëpalosje shkruanin me të mëdha   kryetitullin e organit të  Partisë Komuniste Shqiptare, “Zëri i popullit” ku më poshtë  shkruhej    “Edicion special për aleatët tanë të Republikës Demokratike Gjermane”. Ato përmbanin fragmente nga një fjalim i fundit i Tiranës nga Sekretari Parë i KQPPSH  Enver Hoxha, dhe një mesazh të veçantë.  Mesazhi thoshte se “fletëpalosjet po hidheshin për të lajmëruar aleatët e tyre gjermanë për gjërat që po përpiqej të shtypte Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita  Hrushov”.  Sekretari i Parë i KQPKBRSS  Nikita Hrushovi  sipas Enver Hoxhës  “Po drejtonte një  kult personaliteti dhe po censuronte raportet që atij nuk i pëlqenin, sigurisht,  neve do të na pëlqente më shumë, nëse partia e provuar e klasës punëtore gjermane, nuk do të mbante anën e kastës oportuniste të  Hrushovit në argumentet e nevojshme, por përkundrazi, të ishte pjesëmarrëse në eliminimin sistematik të tentativave për të zëvendësuar një regjim dominues të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për barazinë dhe pavarësinë e partive marksiste-leniniste”.  Por ndërkohë  shteti Italian  po ngrinte  dhe ai konkluzionet e para në lidhje me misionin e avionit  special shqiptar , që guxoi të fluturonte mbi  tokën e tyre dhe të shtetit  komunist  gjerman.  Autoritetet italiane  pretendonin se “kemi të dhëna  se avioni  komunist  fluturonte me mision përgjimi, dhe se në zhargonin e komunistëve shqiptarë kishte  thirrje lehtësisht të kuptueshme për të ndihmuar  ata (shqiptarët) në luftën e tyre kundër  Sekretarit  të  Partisë  Komuniste Sovjetike. Fletëpalosjet e hedhura nga avioni shqiptar shkruanin se “vështirësia është se  Gjermania Lindore, tani është e pushtuar nga trupat sovjetike dhe gjeneralët, të cilët i binden  Hrushovit”. Policia e Gjermanisë Perëndimore nga ana e saj  deklaronte se “pamë  nxënës  fëmijë dhe policë gjermano-lindorë,  që mblidhnin fletëpalosjet  në  grupe të organizuara një ditë pasi ato u hodhën nga qielli”. Por rrallë regjimi komunist gjermano-lindor e ka përmendur avionin  misterioz  me afro 15 mijë fletë-palosje, që dënonin nënshtrimin e Ulbrihtit ndaj Nikita Hrushovit. Gazetarja Luis shkruante se: “Partia Komuniste Gjermano-lindore prej Kongresit të 22  të Partisë Komuniste Sovjetike, (kur Shqipëria  e dënoi atë)  është rreshtuar  në  krah të politikës ruse dhe  qëndrimin negative ndaj Shqipërisë. Partia Komuniste e Gjermanisë Lindore, ka lëshuar deklarata të forta mbështetjeje për rusët dhe sulmet e tyre ndaj Tiranës. Për momentin ka nisur një fushatë antishqiptare në shtyp dhe të dyja palët kanë tërhequr ambasadorët e tyre respektivë. Kështu që kjo lëvizje e Hoxhës duket e dëshpëruar, pasi ai e di shumë mirë se Valter Ulbrihti, nuk do të mund ta tradhtonte “mikun” e tij Hrushov. Ky i fundit u bë kritikuesi  kryesor i Shqipërisë në Konferencën e 81 partive, ku  Enver Hoxha shkoi së bashku me Kryeministrin Mehmet Shehu. Hrushovi e quajti fjalimin e Hoxhës si “shpifje  e cila futi në siklet edhe vetë Kinën, ndërsa Mehmet Shehu bëri  vërejtjet e tij koncize më pas. Në këtë konferencë ata u larguan më herët dhe që prej atëherë nuk kanë shkelur më në Moskë. Por i pari që pranoi problemet e marrëdhënieve ndërmjet Tiranës dhe Moskës, ishte pikërisht Valter Ulbriht, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Gjermane. Pas kthimit të tij në Gjermani, ai iu drejtua Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Gjermane, sipas citimit të gazetës “Neues Deutschland”, më 18 dhjetor 1961, duke thënë se “shqiptarët  kishin përparuar në argumentet e tyre  “dogmatike dhe përçarëse”. Pavarësisht kësaj situate në mesazhin  për Vitin e Ri drejtuar Partisë Komuniste Shqiptare,  ish-sekretari Parë i KQPKGJ Ulbrihti në një fjalimin e tij të drejtpërdrejtë, harroi të përfshinte fjalën “radikal”, pasi bullgarët kishin shfaqur pakënaqësinë e tyre ndaj Enver Hoxhës. Pak muaj më vonë marrëdhëniet e Shqipërisë me bllokun sovjetik pothuajse u prishën, dhe u përmirësuan me Kinën e Mao Ce Dunit.