Urani Ceca: Si ja shova etjen, Qemal Stafës duke i dhënë një poçe me dhallë

968
Sigal

HISTORI/ Flet për “Telegraf”, i biri, Jani Ceca: Të internuarit në kampin e Mbreshtanit ndihmoheshin nga banorët e zonës

Mbreshtani, një fshat i vogël në Berat, njihet jo vetëm për mikpritje, por edhe si një zonë patriotike, e cila ka kontribuuar tej mase gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Në qendër të këtij fshati Italia fashiste ndërtoi edhe kampin e internimit. Ky kamp u vendos në lagjen “Sqollë”. Aty u internuan dhe kryenin dënimin shumë nga ish-komunistët e Partisë Komuniste. Por jetesën më të lehtë, të internuarve ua bënte populli i fshatit Mbreshtan, fshat i cili është i vendosur në krahinën e Shpiragut. E themi këtë, sepse të gjithë banorët e zonës i përkrahnin shumë militant komunistë që luftonin për çlirimin e atdheut. Shembuj të tillë në këtë kamp ka pasur plotë, por në këtë pjesë do të sjellim një histori, e cila ka si protagonistë kryesor Qemal Stafën.

Internimi

Nga italianët fashistë, në kampin që u ndërtua në fshatin Mbreshtan u internua edhe komunisti Qemal Stafa. Sipas banorëve të zonës thuhet se, të internuarit ndërtonin rrugën Mbreshtan-Sinjë. Shoqëria italiane që ndërtonte këtë rrugë quhej “Batore”, punimet e kësaj sipërmarrje në Shqipëri drejtoheshin nga shqiptari, i cili njihej me ermin Kolë Karakashi. Fshati në atë kohë, si një zonë e thellë malore kishte 120 familje dhe të gjithë shqetësoheshin kur shikonin italianët që torturonin intelektualët komunistë dhe militantë të sakrificës, të cilët nxirrnin gurë dhe më pas i thyenin me varre. Pjesë e këtyre punimeve torturuese, në nxjerrjen e gurit ishte bërë edhe militanti i shquar Qemal Stafa. Situatën, më torturuese përveç punës e bënin edhe italianët. Këta të fundit, të internuarit që punonin i linin pa bukë dhe pa ujë, edhe pse ata punonin në mes të vapës, në muajin korrik. Banorët e fshatit i shikonin të gjitha torturat çnjerëzore që bëheshin, por ishin të pafuqishëm të bënin diçka. Por jo të gjithë ishin të pafuqishëm, sepse Urani Ceca, anëtare e këshillit të zonës në shënimet e saja ka shkruar sesi ka ndihmuar të internuarit me ushqime dhe veçanërisht Qemal Stafën, personalitet që nënë Urania e vlerësonte shumë.

Ndihmesa

Djali i Urani Cecës, Jani Ceca, 80-vjeç duke u bazuar në rrëfenjat dhe shënimet e nënës së tij që ka qenë anëtare e këshillit tregon kështu për lexuesit e gazetës “Telegraf”. “Përveç atyre që bisedoheshin në familjen, unë mund të them se edhe vetë i kam përjetuar disa gjëra. Në atë kohë isha i vogël, por i shikoja dhe mbaj mend kur italianët torturonin militantët komunistë duke nxjerrë gurë. Nëna ime, Urania, iu afrua Qemal Stafës dhe e pyet: ‘Si je mor bir, a je lodhur? E di po ju torturojnë këta fashistët, por ju mos u tundni se na keni edhe ne, banorët e këtij fshati në krahë’. Qemalit i ishte tharë buza për një pikë ujë, sepse punonin në piskun e vapës së korrikut. Duke e parë në atë gjendje, nëna ime me shpejtësi shkoi në shtëpi, mori një poçe me dhallë dhe disa ushqime, të cilat i vendosi në një torbë dhe iu drejtua vendit, ku punonin të internuarit apo ndryshe militantët komunistë së bashku me Qemal Stafën. Kur shkon afër i thërret “Qemal, afrohu të të jap nëna një pikë dhallë se t’u tha buza, bir”. Por Qemali duke i buzëqeshur i thotë se nuk mundet, pasi nuk e lënë xhandarët që i rrinin te koka. Si një grua e guximshme, ajo tenton të afrohet edhe më shumë, për t’i çuar Qemalit atë pak gjëra që kishte mbështjellë në torbë, por ndalohet nga xhandarët që ishin rreth e rrotull. Ata i thonë të largohet ose në të kundërt do të internojnë edhe atë si komuniste që ishte. Gjatë kësaj bisede ndërhynë edhe babai im, Mihali, që në atë kohë ka qenë kaçatori i zonës. Gjithashtu, në ndihmë të nënës time, Uranisë u afruan edhe një grup fshatrash, të cilët frikësuan xhandarët. Të frikësuar fashistët e lejojnë që të shkojë tek Qemal Stafa dhe t’i japë ato pak ushqime. Qemali, pasi e falënderon, e përqafon i lotuar dhe së bashku me militantët e tjerë pi poçin me dhallë, që në ato kushte ishte ndër gjërat më të mira. Më pas xhandarët edhe pse ishte drekë ndërprenë punën nga frika e banorëve dhe të rreshtuar i dërgojnë të internuarit në kamp. Qemali me vete mori edhe torbën me ushqime”, tha Jani Ceca.

Qemal Stafa, 6 muaj i internuar në Mbreshtan

Sipas dorëshkrimeve që ka lënë nënë Urania, mësohet se, Qemal Stafa qëndroi gjashtë muaj i internuar në këtë fshat dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai u përkrah nga banorët. Madje, edhe vetë Qemali ndjente një dashuri të madhe për këta banorë, të cilët treguan një zemër të madhe dhe shpirt kurajoz duke ndihmuar me ushqime dhe veshmbathje të gjithë të internuarit.

Ja pse mbahej sekret transferimi i Qemal Stafës

Po në këtë bllok shënimesh që ruhet nga djali i saj Jani, ne mundëm të lexonim një shënim interesant, ku thuhej se xhandarët i mbanin sekret transferimet e Qemal Stafës, për arsye që banorët e zonës të mos e merrnin vesh, sepse kishin frikën e ndonjë revolte. Por ka qenë puna e madhe e banorëve të fshatit, ku përmendim këtu Lili Prendi, Thoma Koroveshi, Kozma Ceca, Hekuran Olldashi si dhe bashkëshortët Urani dhe Mihal Ceca, të cilët punuan për të zbardhur ditën që do të largohej Qemal Stafa së bashku me disa militantë të tjerë. “Por ne e zbuluam dhe në orët e para të mëngjesit kemi dalë të gjithë për të përcjell këta të internuar, të cilët luftonin për çlirimin e vendit. Por kur xhandarët panë se ne kishim dalë për të përcjellë djemtë tanë, u xhindosën. Ata me bërtitjet e tyre të fuqishme në gjuhën italiane u larguan me shpejtësi nga kampi. Por dora e Qemalit na përshëndeti të gjithëve”, shkruan nënë Urania në bllokun e shënimeve.

Kush ishte çifti Ceca

Urani Ceca ishte një nënë më tradita patriotike gjatë gjithë kohës së luftës. Ajo ka qenë anëtare e këshillit të zonës, ku shkonte shtëpi më shtëpi duke përhapur porosit e Partisë Komunistë që vajzat dhe gratë e kësaj zone të ngriheshin për të luftuar kundra pushtuesve. Ndërsa bashkëshorti i saj Mihal Ceca, ka qenë sekretari këshillit të zonës dhe njëkohësisht kaçatori i zonës. Më pas doli partizan për të luftuar. Ja se çfarë shkruante në bllokun e shënimeve nënë Urania: “Jam nënë Urania nga mali me vija, atje hahet mishi dhe pijet rakia, atje ngrihet dollia, rroftë Enveri rroftë partia. (Atje shkruhet Enver)”.