Trocki pro revolucionit francez, komunikimi i tij me Leninin

Spiro Mëhilli

Vijon nga numri i kaluar

Admirali Kollçak shtoi numrin e trupave në 300.000 ushtarë, prej të cilëve 140.000 në front dhe më 18 nëntor 1918, në Siberi, vendosi diktaturë kundërrevolucionare. Përveç këtyre kishte dhe 200.000 luftëtarë të huaj.

Më 30 gusht 1918, kur Lenini po dilte nga uzina ‘Mikelson’ në Moskë, pas një fjalimi me punëtorët, papritur u qëllua nga e bija, Fanie Kapllan, ku njëri nga plumbat i shpoi gjoksin, shumë afër zemrës dhe tjetri, zonën jugulare, duke i mbetur aty deri në vitin 1922. 

Pikërisht në gusht të 1918 Kautski mbi atë që ndodhi në Rusi më 1917, u shpreh qartë dhe shkurt:

“Në asnjë rast nuk është e lejuar të supozojmë se në Evropën Perëndimore do të përsëriten ngjarjet e Revolucionit të madh Francez. Në qoftë se Rusia aktuale tregon shumë ngjashmëri me Revolucionin Francez të 1793, është provë se ajo është afër stadit të Revolucionit Francez... Ajo që ndodh atje, nuk është revolucion i pastër socialist, por revolucion i fundit borgjez”.

Në fund të vitit 1918 gjendja u bë katastrofike në frontin e Permit. Kollçaku në lindje po përpiqej të bashkohej me pushtuesit, që kishin zbarkuar në veri dhe të dy palët të marshonin drejt Moskës. 

Në 1(14) dhjetor 1918 përpara delegatëve të komitetit ekzekutiv qendror të sovjetëve Trocki tha: 
“Për armiqtë tanë mos të përgatisim vetëm burgosjen, por gijotinën, atë të revolucionit francez, që ka avantazh prerjen e kokave të njerëzve”. 

Më 24 dhjetor 1918 Permi ra dhe u hap rruga drejt Viatkës. Më 29 dhjetor 1918 në front u dërguan Stalini dhe Xherxhinski, që të hulumtonin shkaqet e rënies së Permit. Aty u vendos Armata III për t’iu kundërvënë trupave të Kollçakut. 

Në jug përparonte Denikini dhe në veri-perëndim, Judeniçi marshonte drejt Petrogradit.

Në vitin 1918, 76% e aparatit komandues dhe administrativ të Ushtrisë së Kuqe përbëhej nga ish-oficerë të ushtrisë cariste dhe 12.9% nga komandantë të rinj bolshevikë, të cilët zinin poste të ulta.

Sipas ‘Conquest’, në 2-4 mars 1919, Stalini mori pjesë si delegat rus bashkë me Leninin, Trockin, Zinovievin dhe Bulganinin, në themelimin e Internacionales Komuniste. Më 16 mars 1919 vdiq Svjerdllovi, zëvendësi kryesor i Leninit. 

Më 6 shtator 1919, Gorki i shkroi Leninit:

“Për mua pasuria e një vendi dhe fuqia e një populli maten me sasinë dhe cilësinë e potencialit të tij intelektual. Revolucioni ka sens vetëm të favorizojë rritjen dhe zhvillimin e këtij potenciali. Njerëzit e shkencës duhet të trajtohen me vëmendjen dhe respektin më të madh. Ne, përkundrazi, duke shpëtuar lëkurën, i presim kokën popullit, shkatërrojmë trurin tonë”.

Dhe Lenini do t’i përgjigjej: 

“Forca intelektuale e punëtorëve dhe fshatarëve rritet dhe forcohet në luftë për përmbysjen e borgjezisë dhe përkrahësve, atyre intelektualëve lakej të kapitalizmit që maskohen nga truri i kombit. Në realitet nuk paraqesin trurin, por mutin”.

Kurse Trocki, sipas ‘Conquest’, do të shprehej: 

“Proletariati është një klasë historikisht në ngritje... Borgjezia, në epokën që jetojmë, është një klasë në rënie. Ajo jo vetëm që nuk luan rolin kryesor në prodhim, por me metodat e saja imperialiste të përshtatjes, shkatërron ekonominë botërore dhe kulturën njerëzore. Vitaliteti historik i borgjezisë është mëse kolosal. Ajo kapet ndaj pushtetit dhe nuk do ta lëshojë. Për këtë, ajo kërcënon që të marrë me vete në shëmbjen e saj të gjithë shoqërinë. Jemi të detyruar t’ia shkulim këtë pushtet dhe për këtë duhet t’ia presim ato duart.Terrori i kuq është arma e duhur për një klasë që duhet të vdesë dhe të cilës nuk mund t’i rezistosh. Revolucioni me dhunë është bërë një domosdoshmëri sepse kërkesat imediate të historisë nuk mund të jenë tëkënaqëshme me aparatet e demokracisë parlamentare”.

Në pranverën e vitit 1919, Kollçaku arriti pothuajse në Vollgë. Gjithë forcat kundërrevolucionare në Rusi ishin nën urdhërat e tij. Lenini kërkoi mobilizimin e përgjithshëm. “Të ndihmojmë frontin e lindjes” - ishte thirrja e tij. Kur Ushtria e Kuqe iu afrua Uraleve, Trocki kërkoi të transferonte një pjesë të trupave nga fronti i lindjes, në frontin e jugut. Me propozim të Leninit, Komiteti Qendror e shkarkoi atë nga drejtimi i frontit të lindjes dhe komandën ia besoi Frunzes së bashku me Valerian Vladimiroviç Kuibishevin.

Në gusht 1919 Ushtria e Kuqe pasi kishte çliruar Uralet, filloi mësymjen drejt Siberisë. Më 18 nëntor 1919, në Omsk, admirali Kollçak arrestoi socialistët revolucionarë dhe e shpalli veten kryetar absolut të të gjithë Rusisë. Ai donte që të futej në Rusinë Qendrore, por nga goditjet e Ushtrisë Kuqe u hodh përtej Vollgës. 

Trocki në marrëveshje me Leninin vendosi në Ushtrinë e Kuqe oficerë caristë dhe për masë sigurie mori peng familjet e tyre, që do ta paguanin me jetë çdo akt tradhtie. Po ashtu vendosi komisarë politikë dhe nëse ata nuk u bindeshin urdhrave, do të pushkatoheshin. 

Me 24 dhjetor 1919 mbeturinat e armatës së Kollçakut u asgjësuan në Irkutsk dhe u arrestua vetë Kollçaku. Ai u ekzekutua më 7 shkurt 1920. Në trenin e tij u gjetën 5143 arka dhe 1680 thasë me shufra ari dhe me monedha, që u çmuan në 1.150.500.000 rubla. 

Më 20 janar 1920 u çlirua Arhangelsku. Në 29 janar 1920 Lenini i shkroi Trockit përpara shtypjes së lëvizjes së punëtorëve në Urale:

“Më thanë se ka manifestime sabotazhi nga ana e punëtorëve të hekurudhave. Më thanë që punëtorët e Izveskut gjithashtu janë pjesëmarrës. Unë jam i çuditur që ju jeni kaq indiferent dhe nuk kaloni në ekzekutime masive për sabotim”.

Në prill 1920 japonezët pushtuan Sahalinin Verior.

Ndërsa në veri dhe në lindje të Rusisë luftohej për të çliruar tokat e pushtuara nga armiq të shumtë, në jug, pikërisht në Caricin, luftohej për bukën e gojës. Ky qytet ishte, si të thuash, qendra industriale dhe tregtare më e madhe e gjithë juglindjes së vendit. Nëpërmjet tij kalonte i gjithë drithi, bagëtia, vajguri dhe peshku që vinte nga Deti Kaspik. Marrja e Caricinit nga të bardhët, do të sillte si pasojë që Republikës do t’i ndërpriteshin burimet e grurit dhe vajgurit të Bakusë. Në fushëbetejë, për mbrojtjen e tij, ishte armata V me në krye Klement Voroshillovin. Humbjet e saj ishin të konsiderueshme. Nën presionin e korparmatës së parë gjermane, repartet e Ushtrisë së Kuqe, u tërhoqën në veri të Harkovit dhe tri armatat e korparmatës së pestë filluan të zbraznin qytetin. Atamani i Donit, gjeneral Krasnovi dhe Mamontovi ngrinin kozakët kundër të kuqve. Gjashtëdhjetë trenat e armatës së pestë të Voroshillovit shkonin nga Lugansku në Milerovo, tamam si kali në lëmë, për t’i shpëtuar rrethimit gjerman.Tetë ditë beteja u kryen në lindje të Harkovit. Gjithçka bëhej për të mbrojtur Caricinin dhe Vollgën. Kur dështimi po shkonte drejt fundit fatal, më 31 maj 1918 në gazetën “Pravda” u botua urdhri i Leninit: 

“Anëtari i Sovjetit të komisarëve të popullit, komisari i popullit Josif Visarionoviç Stalini emërohet nga Sovjeti i Komisarëve të Popullit drejtues i përgjithshëm i çështjes së ushqimit në jug të Rusisë, me të drejta të jashtëzakonshme.

Komitetet lokale dhe të rrethit të Sovjetëve të komisarëve të popullit, sovjetët e deputetëve të punëtorëve, të ushtarëve dhe të fshatarëve, komitetet revolucionare, shtabet dhe shefat e detashmenteve, organizatat hekurudhore dhe shefat e stacioneve, organizatat e flotës tregtare, të lumenjve dhe detare, organizatat e postë-telegrafave dhe të ushqimeve, të gjithë komisarët dhe emisarët, janë të detyruar të kryejnë urdhrat e shokut Stalin.

Kryetari i Sovjetit të Komisarëve të Popullit V. Uljanov (Lenin)”.

Më 6 qershor 1918, Stalini me 400 ushtarë, në një tren të blinduar, arriti në Caricin, mblodhi drejtuesit ushtarakë e civilë të zonës dhe u interesua mbi gjendjen në qytet. U informua se aty kishte trena me drithëra, por ata qëndronin pa lëvizur prej dhjetë-njëmbëdhjetë ditësh, me pretendimin se rruga pranë Poverinit ishte bllokuar nga kozakët dhe, meqenëse qyteti ishte i rrethuar, duhet të kishin rezerva për veten e tyre. Në të njëjtën kohë, Stalini u informua se buka shitej lirë në qytet, kur në Moskë, në Petrograd e më tej, njerëzit vdisnin urie. Ai urdhëroi të ndalohej shitja e lirë e bukës në qytet, gjë që solli kundërshtime nga Moskaljovi. Më tej u informua se në frontin rreth Caricinit ndodheshin gjithsej 6000 bajoneta dhe në garnizon jo më shumë se 3000 bajoneta, 8 topa, 92 mitralozë, 9800 pushkë, 600 shpata, 962.000 fishekë dhe 1200 predha. Këshilli i lartë i luftës pas shumë mosmarrëveshjesh pranoi të krijohej në Caricin Këshilli i luftës me tre anëtarë: Stalinin, Moskaljovin dhe specialistin ushtarak Kovaljevskin. Stalini u detyrua të arrestonte gjeneral Nosoviçin, më pas Kovaljevskin së bashku me inxhinier Aleksejevin, caktoi anëtar të tretë Voroshillovin, dhe më 10 korrik 1918, e emëroi atë komandant të trupave në frontin e Caricinit. Për këtë i shkroi Leninit: 

1- Më ngulitet [për Trockin] mirë në kokë se, nëse njoh personin në detyrë, nuk duhet t’i ngarkohen detyra, sepse ndryshe do të shpërthejë një skandal për pushtetin sovjetik.
 
2- Nëse nuk na jepni avionë me pilotë, autoblinda, fronti i Caricinit nuk do të mbahet, dhe do ta humbim për një kohë të gjatë hekurudhën.

3- Në jug ka shumë drithë, por që të mund ta marrim, duhet të kemi një aparat të organizuar mirë, që mos të ketë pengesa nga trenat ushtarakë, nga komandat e armatave etj. Dhe mbi të gjitha është e domosdoshme që ushtarët të përpiqen të jenë të preokupuar të mbledhin ushqimet. Çështja e furnizimieve ushqimore është natyrisht e lidhur me ato ushtarake.

4- Për të vazhduar në mënyrë të favorshme mbarimin e punës, mua më nevojiten fuqi të plota ushtarake. Tashmë kam shkruar mbi këtë propozim, por nuk kam marrë përgjigje. Shumë mirë. Në një rast të tillë shkarkoj nga vetja, pa formalitet, komandantë e komisarë të ushtrisë që kompromentojnë punën tonë. Kështu mua më sugjerohet të përmbush interesat e kauzës dhe, sigurisht, që mungesa e kartës të firmosur nga Trocki nuk do të jetë një pengesë që të më ndalë.

Ndërkohë në Caricin kishin filluar kundërshtitë midis Trockit dhe Stalinit, në lidhje me Voroshillovin. Për të sheshuar mosmarrëveshjet midis tyre, Lenini dërgoi Svjerdllovin për të verifikuar gjendjen. Trocki i indinjuar i shkroi Leninit:

“Në sektorin e Caricinit çështjet shkojnë keq, jo për shkak të superioritetit të forcave armike. Është e pamundur të kesh akoma Voroshillovin, që bën të dështojë çdo tentativë kompromisi. Voroshillovi është i aftë të drejtojë një regjiment, por jo një ushtri prej 50.000 vetash. Mbi të gjitha atij t’i lëmë komandën e Armatës 10 meqë ka raporte jo të mira me komandantin e frontit”.

Kur Parhamenko u kthye nga Moska me armë dhe municione, këmbësoria e Mamontovit u shpartallua dhe u tërhoq përtej Krivaja Muzgas. Stalini vuri menjëherë në dijeni Moskën:

“Sulmi i trupave sovjetike të rajonit të Caricinit u kurorëzua me sukses. Armiku u shpartallua dhe u spraps përtej Donit. Gjendja në Caricin është e sigurt. Sulmi vazhdon. Komisari i popullit, Stalin”.

Në Caricin u krijua këshilli i ri revolucionar i luftës dhe Voroshillovi u dërgua në Ukrainë. Edhe atje ai nuk pati rezultate, por mbështetej nga Stalini. Trocki i telegrafoi Svjerdllovit:

“Deklaroj kategorikisht se rruga që udhëhoqi në Caricin nuk mund të tolerohet në Ukrainë. Midis ukrainasve, në sajë të çrregullimit total, lufta midis klikave vazhdon për mungesë drejtuesish të përgjegjshëm dhe autoritarë. Vija që ndjek Stalini, Voroshillovi dhe Rukimoviçi, tregon shkatërrimin e të gjithë operacionit”.

Lenini i telegrafoi Trockit:
“Dubenko dhe Voroshillovi janë duke shkatërruar materialet e luftës. Kaos i plotë. Asnjë ndihmë serioze në pellgun e Donecit”.

- Vijon -