Trocki përballë Stalinit

1251
Spiro Mëhilli
Trocki, sipas Ernest Mendelit, ishte kundër konceptit të Leninit në parti, ishte kundër teorisë së Leninit mbi partinë revolucionare
-Vijon nga numri i kaluar…
Sipas Suvarinit, në Konferencën XIII të Byrosë Politike, mbajtur në Moskë më janar 1924, Stalini luajti rolin e parë. Në raportin e tij për ndërtimin e partisë, ai e akuzoi Trocki si agjent i francezëve dhe më pas i gjermanëve; Krestinskin, si spiun të gjermanëve që nga viti 1921 dhe Rakovskin si spiun të Inteligjent Servisit. Në vijim, bëri të ditur “6 gabimet e rënda” të Trockit: 

1- ka publikuar letrën e tij mbi “kursin e ri”, pas adaptimit të rezolucionit zyrtar; 
2- ka mbajtur një qëndrim me dy kuptime; 
3- ka mbështetur në parti aparatin e tij; 
4- ka mbështetur gjeneratën e re ndaj kuadrove të vjetër, mbi të cilët hedh dyshimin e degjenerimit; 
5- e konsideron rininë shkollore “barometrin më të besueshëm” të partisë. 
6- ka dashur të formojë grupe brenda në parti. 
Zinovjevi deklaroi:
“Autoriteti i shokut Trocki është i njohur si meritë e tij. Midis nesh nuk është nevoja të shtoj diçka tjetër. Por një gabim mbetet gabim”.
Sipas këshillave të mjekëve, Trocki pas konferencës u nis për në Kaukaz. Rrugës i shkroi të shoqes:
“Jam vetëm, i sëmurë dhe luftoj kundër të gjithëve”.

Në atë periudhë ishte me temperaturë të lartë. Më 21 janar 1924 në stacionin hekurudhor të Tbilisit, duke udhëtuar për në Suhum, mori telegram nga Stalini, me anën e të cilit ai i bënte të ditur se Lenini kishte vdekur dhe se nuk ishte e domosdoshme që ai të nisej për në Moskë në kohën e funeralit, pasi nuk do të arrinte prandaj më e mira ishte të qëndronte për të vazhduar kurat. Një telegram të tillë e mori dhe nga pushtetarët e Tbilisit. Në Suhum, abkhazianët e pritën shumë miqësisht. Në mensën e shtëpisë së pushimit ai pa të vendosura dy portrete, të Leninit, rrethuar me kordele të zezë dhe të tijën. Në ato rrethana u lidh drejtpërdrejt me Kremlinin. Përgjigja që mori ishte: 

“Varrimi të shtunën. Sidoqoftë ju nuk mund të arrini, ju këshillojmë të vazhdoni kurën”. 
Kështu ai mungoi në një ceremoni të rëndësishme të besimit ndaj Leninit dhe partisë. Në të vërtetë, funerali u bë më 27 janar 1924, 6 ditë pas vdekjes, dita më e ftohtë e vitit. Trupi u nxor nga ndërtesa e Shtëpisë së Sindikatave në Sheshin e Kuq. Të pranishëm ishin Stalini, Zinovievi, Kamenievi, Buharini, Molotovi, Tomski, Rudzutak dhe Xherxhinski. U varros në prani të 2000 delegatëve nga e gjithë Rusia, në ora 1600, pranë mureve të Kremlinit, në një mauzole provizor prej druri, që në vitin 1939 do të kthehej në përfundimtar. Në Suhumi janari ishte me diell dhe i butë. Më 27 janar 1924 diku poshtë nga deti u dëgjuan të shtëna, përshëndetja që Suhumi i jepte Leninit, pikërisht në orën që ai po varrosej. 

Në Kongresin II të Sovjetëve të BRSS-së, më 26 janar të vitit 1924, Stalini bëri betimin hipokrit ndaj Leninit. Përkundër kësaj hipokrizie të paskrupullt të tij, më vonë, Trocki do të kujtonte fjalët e Krupskajës: “Po të ishte gjallë Lenini, me siguri ai do e kishte burgosur”.

Disa ditë më vonë, Trocki mori letrën e mëposhtme nga Krupskaja:
“I dashur Lev Davidoviç! Po ju shkruaj për t’ju treguar se afërsisht një muaj para vdekjes, Vladimir Iliçi duke i hedhur një sy librit tuaj, aty ku ju jepni karakteristikën e Marksit dhe të Leninit, më kërkoi që t’ia rilexoja atë pjesë, e dëgjoi me shumë vëmendje, pastaj e pa edhe njëherë vetë. Dhe ja ç’dua t’ju them akoma: përshtypja që iu krijua V.I. për ju, atëherë kur erdhët tek ne në Londër nga Siberia, nuk iu ndryshua deri në vdekje. Ju uroj, Lev Davidoviç, forcë dhe shëndet dhe ju përqafoj fort!”

N.Krupskaja.
Në Suhumi shkoi një delegacion i Komitetit Qendror, i përbërë nga Tomskij, Frunzeja, Pjatakova dhe Gusjeva, për të diskutuar mbi ndryshimet në kuadrin e dikasterit të mbrojtjes. Në të vërtetë, rinovimi i kuadrit në atë dikaster ishte kryer me kohë dhe me shpejtësi të madhe pas shpinës së Trockit. I pari u godit Skljanski, duke e transferuar në një sektor ekonomik dhe në vend të tij u emërua Frunzeja. Glazmani, sekretar i Trockit, u përjashtua nga partia. 

Kur në vitin 1925 Sklanski e pyeti Trockin: “A nuk më thoni ç’është ky Stalini?”; mori përgjigjen që pritej: “Stalini është mediokri më i shquar i partisë sonë”. 
Në korrik të vitit 1924, qyteti i Gatçinas, për merita të veçanta u quajt qyteti Trockij. 
Në tetor të vitit 1924, Stalini, sipas Ernest Mendelit, për herë të parë filloi të zvogëlonte rolin e Trockit në Revolucionin e Tetorit:

“Trocki, midis të tjerave, nuk ka qenë asnjëherë anëtar i “qendrës” së pesë njerëzve të caktuar që të drejtonin marrjen e pushtetit. Ai shfaqi teorinë e tij mbi degjenerimin e shtetit të sovjetëve të punëtorëve, e cila kalon në zhvillimin e fenomenit burokratik nga kapitalizmi në socializëm, në 6 faza. Ai kishte një pozicion tjetër mbi industrializimin e shtetit sovjetik, në planifikimin dhe drejtimin punëtor”.

Në vitet që pasuan, Trocki, megjithëse merrte pjesë si anëtarë në Byronë Politike, ishte i izoluar. Ai u largua nga posti i komisarit të luftës dhe vendin e tij e zuri Mihail Frunzeja, një ish-komandant i vendosur nga Stalini dhe Voroshillovi dhe simpatizant i Zinovievit. Stalini po i forconte pozitat nga marrëdhëniet e ngushta që krijoi me Voroshillovin dhe Orxhonikidzen,gjatë periudhës së luftës në Caricin dhe në Gjeorgji. Në këtë kohë, Stalini, e kishte vendosur Kaganoviçin në departamentin e Organizimit dhe Instruktimit; Syrkovin në Arkiv dhe Bubovin në Agjitacion dhe Propagandë. Po kështu, nën urdhrat e tij kishte një grup “asistentësh” të sekretarisë së Komitetit Qendror. I pari ishte I.P.Tovstuha, si sekretar personal para se të quhej sekretar i përgjithshëm, kryetari i “departamentit sekret” dhe bashkëpunëtor i rëndësishëm i Stalinit. Një tjetër ishte Boris Bazhanov, që u arratis në perëndim në vitin 1928. Më i rëndësishmi ishte Lev Mehlis, i lidhur me Stalinin që nga lufta civile; Georgi Malenkov dhe Aleksandër Poskrebishev, që drejtoi zyrën e Stalinit deri më 1952.

Trocki deklaronte se industrializimi i vendit u zhvillua në mënyrë barbare. Metodat e burokracisë krijuan një shtresë burokratike që kapte 12-15% të popullsisë.

Stalini, sipas Dautscher Isaac, e kritikoi Trockin direkt në gabimet mbi rrezikun dhe pasigurinë që u krijua në disa bolshevikë, si një aventurier që luajti me revolucionin, sidomos në momentet kritike në vitet 1905, 1917 dhe 1920. 

Në fund të vitit 1924, atëherë kur Zinovievi dhe partizanët e tij kërkonin përjashtimin e Trockit nga partia, Stalini, sipas Lilly Marcou, duke pasur synime të largëta, deklaroi: 

“Ne, shumica e KQ, nuk jemi dakord. Për pasojë, populli i Leningradit dhe shoku Kameniev kërkojnë që shoku Trocki të përjashtohet menjëherë nga politbyroja, por ne nuk jemi dakord. Ne nuk jemi dakord me shokët Zinovjev dhe Kameniev, sepse ne nuk jemi dakord që të kërkojmë llogari, sepse politika që atyre u ka rënë mbi kokë ka premisa dëmi shumë të mëdha për partinë. Është një metodë gjakësore dhe kjo politikë gjakësore që ata kërkojnë të ndiqet, është e dëmshme dhe ngjitëse. Tani bën të rrëzohet një kokë, nesër një tjetër, më pas një e tretë. Kështu le të mbetet në parti”.
Në tetor të vitit 1924 ,Trocki botoi dy volume me titull “1917”. 
Mungesa e fondeve për shkollat, jetimoret dhe spitalet, mungesa e letrës për librat shkollorë, të gjitha i visheshin si përgjegjësi Trockit dhe trockizmit. Sipas Trockit “partia kishte pushuar së qeni parti”. Trocki, sipas Ernest Mendelit, ishte kundër konceptit të Leninit në parti; ishte kundër teorisë së Leninit mbi partinë revolucionare; ai shfaqi teorinë e tij mbi degjenerimin e shtetit të sovjetëve të punëtorëve në shoqërinë nga kapitalizmi në socializëm që kalon në 6 faza në zhvillimin e fenomenit burokratik. Ai kishte një pozicion tjetër mbi industrializimin e shtetit sovjetik, në planifikimin dhe drejtimin punëtor.

Në Kongresin XIII të partisë, Krupskaja i dorëzoi Kamenievit testamentin e Leninit, që deri në atë kohë ishte sekret. Stalini e quajti Krupskajën “trojka e vjetër” dhe kundër Leninit u shpreh:

“Më ka mbuluar me mut dhe po ashtu është mbuluar vetë me mut”.
Kamenievi e lexoi me zë të lartë letrën, por pasi e lexoi atë,tha: 

“Në një pikë jemi në një mendim të përbashkët të afirmojmë që druajtjet e Leninit janë demonstruar të pabazuara. Është duke folur për problemet e sekretarit tonë të përgjithshëm. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të bashkëpunimit tonë harmonik këto muajt e fundit, dhe të gjithë ju, si dhe unë, keni pasur kënaqësinë të shikoni sesi mëdyshjet e Leninit nuk janë vërtetuar”.

Trocki heshti, kurse Stalini tha se Lenini e kishte shkruar letrën kur nuk ishte në vete, por ishte “një njeri i sëmurë, i rrethuar nga gra”. Komiteti vendosi që testamenti mos të paraqitej në kongres. 
Sigal