Trocki: “Partia jonë është për luftë civile. Lufta civile është lufta për bukën...Rroftë lufta civile!”

Lufta civile filloi më 25 tetor (7 nëntor) 1917, me ikjen nga Petrogradi të Kerenskit dhe ardhjen e gjeneral Krasnovit. Në veriperëndim të Petrogradit Judeniçi kishte 12.000 ushtarë, të cilët, më 28 tetor 1917 pushtuan Carskoje Sjellon.

Më 28 tetor, kryetari i Sovjetit të deputetëve punëtorë dhe ushtarë të Petrogradit, Komisari i popullit Lev Trocki dhe kryetari i Komitetit Ushtarak-revolucionar, kryekomandanti i qarkut Nikollai Podvojski, lëshuan urdhrin e mëposhtëm:

“Gjithë sovjetëve rajonale të deputetëve punëtorë dhe komiteteve të fabrikave dhe të uzinave: Bandat kornillovjane të Kerenskit na kërcënojnë duke iu afruar kryeqytetit. Janë dhënë të gjitha udhëzimet e duhura me qëllim që të shtypet pamëshirë ky atentat kundërrevolucionar, që drejtohet kundër popullit dhe fitoreve të tij. Ushtria dhe Garda e Kuqe e revolucionit kanë nevojë për përkrahjen e menjëhershme të punëtorëve. Urdhërohen sovjetët e rajoneve dhe komitetet e fabrikave dhe të uzinave:

1-Të dërgojnë sa më shumë punëtorë për të hapur llogore, për të ngritur barrikada dhe për të përforcuar pengesat me tela.
2- Në rast se, për kryerjen e këtyre detyrave, lipset ndërprerja e punës në fabrika dhe uzina, kjo të bëhet menjëherë.
3- Të grumbullohet gjithë teli me gjemba dhe teli i thjeshtë që disponohet si rezervë, si dhe gjithë veglat e nevojshme për hapjen e llogoreve dhe për ngritjen e barrikadave.
4- Të gjithë ata që kanë armë, t’i marrin me vete.
5- Të mbahet një disiplinë e rreptë dhe të jeni gati për të përkrahur me të gjitha mjetet ushtrinë e revolucionit”. 

Më 23 dhjetor 1917 qeveritë franceze dhe angleze u mblodhën në Paris dhe përfunduan një marrëveshje të fshehtë për copëtimin e Rusisë, e quajtur “Marrëveshja franko-angleze e 23 dhjetorit 1917”. Ata donin të përkrahnin gjeneralin Kornilov, që të mbronte investimet e tyre financiare në Rusi. Sipas tyre, francezët do të vepronin nga Deti i Zi në drejtim të veriut, kurse anglezët nga Deti i Zi në drejtim të lindjes. Në ato vite Rusia kishte rezervat e para të qymyrgurit, duke lënë në vend të dytë SHBA-të, sidomos me pellgun mineral të Donjetcit, ku sipas llogaritjeve, ajo kishte afro dyfishin e rezervave të SHBA-ve dhe trefishin e rezervave të Britanisë së Madhe; ndërsa Bakuja, konsiderohej qyteti më i madh vajgur-mbajtës në botë. Pra, Rusia ishte hambari më i pasur në botë për vajguri, drithëra, peshk, qymyrguri, flori, argjend dhe platin.

Ndërkohë në Bjellorusi u krijua Rada kundërrevolucionare si dhe korpusi polak me në krye gjeneralin carist Dovbor Misinckij; në Don u ngrit atamani Kaledin, si kryekomandant i kozakëve me 200.000 trupa; në Azinë e Mesme, Kokandi; në Kuban, kozakët me gjeneral Zaiçevin; në Uralet Jugore dhe Astrakan, Terek dhe në Orenburg, atamani kozak Dutov. 

Më 30 dhjetor 1917 dhe më 4 janar 1918 në Gjirin e Vladivostokut u ankoruan dy anije japoneze dhe një kryqëzor anglez. 

Në 18-19 janar të vitit 1918, Pallati Taurid u rrethua me policë, ushtarë e marinarë të armatosur. Dhe në çati ishin vendosur trupa, të cilët qëlluan pa paralajmërim mbi turmën paqësore të punëtorëve të lagjeve Obuhov, Viborg, Polveria etj. Pati 21 të vdekur dhe shumë të plagosur. Idhtarët e regjimit kushtetues prisnin që shpëtimi të ndodhte nga një përmbysje e vetvetishme e bolshevizmit, me rrugë natyrale. Aktin e kritikoi Roza Luksemburgu nga burgu në Berlin dhe Maksim Gorki, që, nga revista “Jeta e re”, duke e denoncuar me fuqi këtë ngjarje të turpshme, u shpreh: 

“Lenini nuk është një çudibërës i gjithpushtetshëm, por një prestigjator cinik, që nuk e çan kokën as për nder dhe as për jetën e proletariatit. Ai ka të gjithë cilësinë e një kryetari. Në përgjithësi imoraliteti i domosdoshëm për një rol të tillë dhe mospërfillës e barin për jetën e masave popullore. Leninistët nuk vlejnë më nga momenti që, për ta, klasa punëtore është si një mineral për punëtorët e metalurgjisë. Vladimir Lenini është duke futur në Rusi regjimin socialist sipas metodës së Neçajevit, me të gjithë forcën përtej baltës. Lenini, Trocki dhe të tjerët që me ta shkojnë në rrënim në baltën e realitetit, janë evident të bindur, bashkë me Neçajevin. Akoma tani që faktikisht është padroni i vetë jetës, populli vazhdon me prit Barin; për disa, ky barin është proletariati evropian; për të tjerë, është gjermani, krijuesi i një disipline të hekurt; të tjerë akoma shpresojnë që do të jetë Japonia që t’i shpëtojë; por asnjëri nuk ka besim te forcat e veta”.

Në shkurt 1918 kur Gjermania filloi sulmin kundër shtetit sovjetik, ambasadori i SHBA-ve në Rusi, Frensis, propozoi të pushtohej Vladivostoku, ndërsa anglezët e francezët të merrnin Murmanskun dhe Arhangelskun. Mirëpo, për çdo ditë rritej numri i përkrahësve të Leninit. Në këto kushte, formula “as luftë, as paqe” ishte objektivisht një urë për të kaluar në pozitat e Leninit.

Më 9 mars 1918 në Murmansk dhe Arhangelsk zbarkuan trupa angleze dhe më pas franceze. Më 5 prill 1918 në Siberi zbarkuan japonezët, pastaj divizione angleze, franceze dhe italiane. Ishin 150.000 trupa, midis të cilëve 72.000 japonezë dhe 10.000 amerikanë. Fushata britanike në bregun e Murmanskut kushtoi 18 milionë lira. Japonezët pranuan se harxhuan 800 milionë jen për mbajtjen e 72.000 trupave në Siberi. 

Më 29 prill 1918 Trocki mbështeti Leninin duke thënë: 
“Partia jonë është për luftë civile. Lufta civile është lufta për bukën...Rroftë lufta civile!”

Situata në Jug, në Perëndim dhe në Lindjen e Largët nuk ishte e mirë. Njerëzit kishin filluar të rebeloheshin në masë. Me vagonin e tij, në trenin e blinduar, Trocki kishte mbështetur kokën në sedilje dhe ëndërronte. E priste Vladimir Iliçi. Ai me siguri do t’i tërhiqte vëmendjen për çka kishte ndodhur në Siberi. Në këtë periudhë nënshkroi urdhrin që detyronte drejtuesit e uzinës shtetërore të armëve në Sestroreck, t’u jepnin mijëra pushkë delegatëve të punëtorëve të Petrogradit.

Më 25 maj 1918, në një zonë hekurudhore prej 8000 km, nga Kazani në Vladivostok, ndodheshin 45.000-50.000 trupa të armatosura të korparmatës çeke, të futur me forcë në rradhët e ushtrisë hungareze, që kishin dezertuar para revolucionit dhe banonin në Rusi si edhe robër lufte, çekë e sllovakë, që ishin lënë të lirë nga pushteti sovjetik për t’u kthyer në atdheun e tyre. Trupat çeke komandoheshin nga gjeneralët Gayda dhe Sirovg. Në Çeljabinsk pati përleshje midis trupave çeke e hungareze, që shkonin në Vladivostok. Sovjeti i Çeljabinskut arrestoi disa çekë me akuzën se ishin shkaktarë për situatën e krijuar. Lev Trocki si Komisar i Popullit për mbrojtjen dhe komandant i Ushtrisë së Kuqe, dërgoi radiogramin e mëposhtëm:

“Urdhërohen të gjithë sovjetët e deputetëve të çarmatosin çekosllovakët. Çdo çek që do gjendet me armë në vijën hekurudhore të pushkatohet në vend. Çdo kolonë në të cilën do të gjendet qoftë dhe një ushtar i armatosur, të zbritet nga treni dhe të mbyllet në kampin e robërve të luftës”.

Urdhri i nxituar dhe i pastudiuar, çoi në rigrupimin e tyre dhe më pas në veprime luftarake. Repartet çeke, duke i shpëtuar urdhrit të Trockit për çarmatim, u bashkuan me trupat biellogardiste dhe pushtuan qytetin provincial Marinsk e më pas Novo-Nikolajevskun (Novosibirskun), Zllatustin, Ufan dhe Ekaterinburgun; më 29 maj 1918, Penzën dhe Çizranjin; më 4 qershor, Omskun; më 18 qershor, Krasnojarskun dhe më 29 qershor, Vladivostokun. Po kështu çekët çarmatosën sovjetët e deputetëve, morën nën kontroll vijën hekurudhore nga Penza në Omsk dhe pushtuan qytetet Samara, Simbirsk e Çeljabinsk, ndërsa më 7 gusht morën Kazanin. Gjermanët, kur e morën vesh urdhrin e lëshuar nga Trocki, u indinjuan, pasi ai binte ndesh më kushtet e paqes separative, që kishin nënshkruar të dyja palët. Japonia nga ana e saj zbarkoi 100.000 ushtarë, por u tërhoq nga Siberia pasi anglezët dërguan admiralin Kollçak me 80.000 këmbësorë dhe 10.000 kalorës.

Më 18 qershor 1918 Qeveria sovjetike formoi Këshillin Ushtarak të Frontit të Lindjes, në Vollgë dhe në Urale, ku u dërguan Armata I me në krye Tukashevskin, në drejtim të Simbirskut; Armata II, në Ufa; Armata III, në Ekaterinburg; Armata IV në Seratov, ku do dallohej Divizioni 25 pushkatar i komanduar nga Vasil Ivanoviç Çapajevi dhe Armata V, e Ivan Smirnovit, në Kazan. Në veri vepronte Armata VI sovjetike. 

Më 6 korrik 1918 Kongresi V po shkonte drejt mbylljes së punimeve me miratimin e Kushtetutës së parë sovjetike të RSFSR. Atë ditë Moska u trondit nga vrasja brenda në ambasadë e ambasadorit gjerman Vilhelm fon Mirbah. Jakov Bljumkin dhe Nikollai Andrejev, të dy anëtarë të komisionit të jashtëzakonshëm për Moskën, ishin autorët e vrasjes. Akti terrorist ishte përgatitur në Komitetin Qendror më 4 korrik 1918 me dijeninë e Leninit dhe Xherxhinskit. Partia e eserëve për bolshevikët ishte kthyer në rrezik të fuqishëm dhe duhej likuiduar. Bljumkini u “akuzua” si ekstremist i majtë dhe anëtar i partisë esere. Çeka-ja filloi arrestimet e anëtarëve të partisë socialiste revolucionare të majtë (esere), që ishin kundër paqes së Brest-Litovskit. Xherxhinski shkoi në rrugën Trehsvjatitjelni për të arrestuar anëtarët e komitetit qendror të partisë së tyre. Eserët u kundërpërgjigjën duke pushtuar ndërtesat e telegrafës, telefonit dhe selinë e ÇeKa-së, në rrugën Balshaja Lubjanka nr. 11 dhe arrestuan Xherxhinskin e hekurt. Lenini dërgoi menjëherë trupa speciale të kryesuara nga Trocki dhe gjenerali lituanez I. I. Vaçietis, të cilët e shtypën me dhunë rebelimin, duke mos lejuar që t’u ikte pushteti nga duart.

Më 17 në të gdhirë të 18 korrikut, kur lufta në Urale ishte futur në një fazë vendimtare, në qytetin Ekaterinburg, në mënyrën më barbare, me urdhër të drejtpërdrejt të Leninit dhe të Svjerdllovit, u ekzekutua familja imperiale. Histori më tronditëse nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Trocki do e cilësonte si një formë “drejtësie të shpejtë”, që duhej t’u tregonte miqve dhe armiqve, se shefat e proletariatit, ishin të vendosur të zhvillonin luftën pa asnjë mëshirë dhe të pranonin si alternativë vetëm “fitoren ose disfatën e plotë”.

Më 31 korrik 1918 flota anglo-franceze pushtoi Onegën dhe më 2 gusht 1918 mori Arhangelskun. Gjenerali Miller kishte 65.000 trupa angleze. Më 15-16 gusht 1918 amerikanët desantuan në Vladivostok.

Lenini, më 5 gusht 1918, i dërgoi letrën e mëposhtme Sovjetit të Deputetëve të Nizhni-Novgorodit:

“Duket sheshit se në Nizhni po përgatitet një kryengritje biellogardiste. Duhen vënë të gjitha forcat, të krijohet një treshe diktatorësh, të vendoset menjëherë një terror masiv, të pushkatohen dhe të flaken jashtë qindra prostituta që dehin ushtarët, ish-oficerët etj. Asnjë minutë vonesë. Duhet vepruar me energjinë më të madhe; të bëhen bastisje në masë. Kush gjendet me armë, të pushkatohet. Të internohen në masë menshevikët dhe të dyshimtët. Të zëvendësohen rojet e depove me njerëz të besuar”. 

Kryetari i Këshillit të Komisarëve të popullit Lenin.

Pas rënies së Simbirskut më 8 gusht 1918, Trocki u nis nga Moska për në Svijazhsk, në frontin çekosllovak, pa e ditur se kishte rënë Kazani. Treni i tij qëndroi në stacionin hekurudhor të Svijazhskut, më i madhi afër Kazanit. Gjatë një muaji këtu do të vendosej fati i revolucionit. Në ato momente, në ushtri duhej të vinte disiplinë ushtarake prandaj nga treni i blinduar nxori urdhërin e mëposhtëm:
“Paralajmëroj: në qoftë se ndonjë repart do të tërhiqet në mënyrë arbitrare, i pari do të pushkatohet komisari i repartit,i dyti komandanti. Frikamanët, ata që ruajnë lëkurën e vet dhe tradhtarët nuk do t’i shpëtojnë plumbit. Për këtë unë mbaj përgjegjësi para Ushtrisë së Kuqe”. 

Sipas Ernest Noltes, Trocki, në gusht 1918, urdhëroi të hapej kampi i parë i përqëndrimit dhe u përpoq të pengonte ish-oficerët të kalonin tek të bardhët, duke i mbajtur peng gratë e fëmijët e tyre dhe duke i pushkatuar kur i paraqitej rasti. Ai nuk bëri asgjë tjetër vetëm se zbatoi porosinë e Stalinit, kur bolshevikët estonezë propozonin të likuidonin “tradhtarët” në ditët e para të revolucionit, se: “Ideja e një kampi përqëndrimi është e përkryer”.

Sergei Ivanoviç Gusjevi, njëri prej udhëheqësve politikë të Ushtrisë së Kuqe, do të shkruante: 
“Ardhja e shokut Trocki solli një kthesë vendimtare në gjendjen e krijuar...Metodat e ashpra të shokut Trocki, në atë epokë, kur veprohej partizançe dhe kur mungonte disiplina, ishin para së gjithash dhe mbi gjithçka të përshtatshme dhe të domosdoshme”. 

Amis Martin do të shprehej: 
Trocki ishte një vrasës bastard dhe një mashtrues i ndyrë. Ishte një vrasës mizor ashtu siç ishin të gjithë. Kishte talent letrar dhe krijues me imagjinatë, por ishte ai që urdhëroi krijimin e formacionet e “njësive të bllokimit” të pajisur me mitralozë, me detyrë të qëllonin ushtarët që përpiqeshin të largoheshin nga fronti”.

Më 23 gusht 1918, ditën më kritike të Kazanit, Lenini dhe Svjerdllovi i dërguan telegramin e mëposhtëm Trockit:
“Svjazhsk. Trockit. Tradhëtia në frontin e Seratovit, megjithëse u zbulua në kohë, ka shkaktuar lëkundje të rrezikshme të tejskajshme. E konsiderojmë absolutisht të domosdoshme që ju të shkoni aty menjëherë, sepse paraqitja juaj në front ndikon tek ushtarët dhe tek e gjithë armata. Do të bisedojmë edhe për vajtjen në frontet e tjerë. Përgjigjuni dhe na njoftoni ditën e nisjes tuaj. Çdo gjë me shifër. Nr 80”. 
Lenin. Svjerdllov.

Sikurse thoshte vetë Trocki:
“Unë nuk mund të largohesha nga Svjazhskij, sepse Kazani ishte më i rëndësishëm sesa Seratovi. Të dy ata u pajtuan me mua. Në Seratov shkova më 10 shtator pasi u ktheva nga Kazani. Më 12 shtator Armata e mori Simbirskun”.

Vijon