Themie Thomai, “kostumi më i mirë ministror” i bujqësisë shqiptare

2362
Sigal

Gruaja që për 14 vjet me radhë drejtoi një nga dikasteret e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare

Themie Thomai u lind më 1945 në Goricaj të Lushnjës. Arsimin shtatëvjeçar e kreu në Këmishtaj, ndërsa atë të mesëm dhe të lartë e kreu në Tiranë. Vitet e para të punës Themie Thomai i nisi  si shefe e degës së planit në kooperativën bujqësore Këmishtaj ku nëpërmjet shifrave iu dha mundësia të njihej nga afër me gjendjen reale ekonomiko- financiare dhe nëpërmjet diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me specialistët të mësonte se çfarë ishte dhe çfarë nuk ishte bërë mirë. Me merakosje ajo ndiqte ecurinë e punëve ku së bashku me shifrat, në dallim me paraardhësit në interpretim e tyre, drejtuesve u paraqiste dhe propozime konkrete për çdo sektor. Nisur nga puna me seriozitet që u kthye natyrë ët dytë të karakterit të saj, më 21 shkurt 1967,  në unanimitet dhe pa hezitim u zgjodh kryetare e kooperativës bujqësore Këmishtaj. Vajzë, 21 vjeçe në një ekonomi të madhe, në zemër të Myzeqesë, do të thoshte se e gjithë kjo barrë e rendë ra mbi shpatullat e njoma të një vajze të re. Për çudinë e kooperativistëve, por dhe të vetë asaj, fillimet ishin të qeta. Puna jo vetëm që nuk humbi ritmin, por po ndjehej një vrull në rritje që protagoniste nuk ishte vetëm kryetarja, por gjithë stafi drejtues me në krye  profesionistët dhe specialistët e të gjitha degëve. Njohjet e para me terrenin, njerëzit, specialist, brigadierët dhe për më shumë mentalitetit në përgjithësi, e ndihmuan për një fillim e vazhdim më të mirë. Së pari  me grupin e specialisteve u programuan detyra dhe masa konkrete për gjithë sipërfaqen e tokës dhe për çdo parcelë në veçanti. Pas kësaj, aksion. Në krye, vetë kryetarja. Kështu nga viti në vit rezultate dhe prodhime në rritje. Këto arritje bënë të tyren. Te kooperativistët vihej re gëzimi dhe kënaqësia e punës. Tek kryetarja po shfaqej “ambicia”  për më shumë. Ky besim i shtoi guximin për të kërkuar më tepër nga vetja. “Goca jone” – siç e quanin, rritej bashkë me autoritetin e punës, ekonomia po përparonte në të gjitha drejtimet. Kjo ecuri e arritje po binte në sy edhe nga specialistët dhe drejtuesit  e rrethit që rritën bashkëpunimin dhe mbështetjen për ta kthyer në shembull për ekonomitë e tjera. Edhe në këtë bashkëpunim Themia u kthye në epiqendër, ku me autoritetin e punës njohja po kalonte më gjerë, jashtë rrethit. Në një moment edhe Ministria e Bujqësisë u bë prezente që krahas mbështetjes e bëri këtë ekonomi të njohur për rezultatet dhe programoi përgjithësimin e tyre në shkallë vendi. Ballafaqimet e organizuara  në vend, pra në Këmishtaj, bënë që Këmishtaj dhe Themia tanimë po lakoheshin në gjithë vendin për vlera dhe punën e mirë të bërë. Koha dhe vitet ikin. Puna dhe jeta vazhdon. Jemi në vitin 1976  ku edhe nga bujqësia në shkalle vendi kërkohej më shumë dhe momenti priste impulse të tjera më të mëdha ku pushtetarët ato i shihnin dhe ia besuan pikërisht Themie Thomait. Kryetarja, tani 31- vjeçare, do të drejtonte si Ministre e Bujqësisë. Tanimë me një përvojë të vyer dhe konkrete. Peshë shumë e rëndë për t’u ngritur dhe udhëhequr. Në këtë post kaq të lartë e me përgjegjësi ishte e para herë që vendosej një femër. Nuk flitej vetëm për tradite, por dhe paragjykimet mendohesh se do të ishin pengesë në mbarëvajtjet e punëve. Nuk shkoi shumë edhe ky ekuacion u zgjidh natyrshëm me prezencën e saj në çdo moment dhe kohë. Që me fillimet e punës në ministri nëpërmjet bashkëbisedimeve bëri njohjen dhe kapacitetet profesionale për secilin specialist dhe punonjës. Kjo e ndihmoi shume që të zhvendos qendrën e interesimit në gjithë aparatin e në veçanti te specialistët pa mënjanuar dhe drejtuesit. Pra cikli i ri i drejtimit nuk u hap duke mbyllur të vjetrin, por duke mobilizuar të gjitha njohurit dhe aktivitetin e secilit të arrihej më e mira. Në sinqeritetin tonë fjalët nuk janë të zgjedhura apo nuk pretendojmë mbase dhe për objektivitet, por jemi të drejtë. Bashkëbisedimi dhe dialogu me të merrte vlerat më të larta si për ato profesionale problematike, si dhe ato njerëzore. Çdo bashkëbisedues në përfundim jo vetëm që dilte i qartë por edhe i respektuar, ku brenda tij ndjente një mobilizim e premtim për  të kryer në kohë të gjitha detyrat. Në dallim me qeveritarë të tjerë edhe në marrëdhëniet me drejtues të rretheve e deri në ekonomi, metoda e punës ishte; çdo të bëjmë së bashku për të realizuar objektivat. Për një kohë relativisht të gjatë, jo pak po 14 vjet si asnjë ministër tjetër nuk konstatohet qoftë dhe një orvatje për të treguar se është më e aftë se të tjerët. Më shumë mbështetja që u jepte bashkëpunëtorëve ndjehesh kur ata përplaseshin në organet më të larta të qeverisë e në veçanti të partisë. Këto situata nuk kanë qenë asnjë herë të lehta dhe pa pasoja, por njohja dhe trajtimi me kompetencë dhe objektivitet i problemeve bënte që specialisti të ndjehesh jo vetëm i mbrojtur, por dhe i vlerësuar në atë klime vetoje. Dihej se kursi i politikës se zhvillimit të bujqësisë ndiqte mendimin dhe objektivat që vendoste partia. Ideja e tyre mbizotëruese nuk mund të ndalej apo kundërshtohej me “strategji” e pozita gjysmë të vërteta e falsitete të çuara apo të ardhura nga gjoja zëri i masës punonjëse. Partia, ideja mbizotëruese, kurdoherë, kudo dhe për këdo. Arritjet dhe rezultatet për kohën që ajo drejtoi bujqësinë vlerësohen si me të lartat. Të materializuar në shifra janë të shprehura: Grurë 603 mijë tonë, misër mbi 207 mijë tonë, panxhar sheqeri 228 mijë tonë, lule dielli mbi 36 mijë tonë etj..Me rritje ishin asortimenti dhe prodhimi i perimeve për tregun, industrinë ushqimore dhe eksporti. Eksporti i domateve me 34 mijë tonë, shalqini 31 mijë tonë së bashku me rreth 20 mijë tonë perime të tjera, ndërsa frutat dhe rrushi shkonin 100 mijë tonë. Ndër reformat e ndërmarra për atë kohë me vlera janë ato të zhvillimit të bujqësisë pak a shumë e pavarur nga kundërshtitë e klimës. Me to do të rritej rendimenti nga 6-10 herë. Konkretisht duke zgjeruar sipërfaqen e serrave do të thoshte  se “shtohej” edhe toka që për Shqipërinë është vendi më i varfër për frymë. Industrializimi i prodhimeve të mishit e vezëve nisi po aq me leverdi e efektivitet. Mekanizimi dhe përsosja e mobilimit të tokës dhe zhvillimi i perime-frutikulturë u trajtuan me përparësi. “Mirë, mirë, dikush ka te drejte të thotë,  përsëri nevojat për disa artikuj blegtoralë ishin minimalë, bile edhe alarmant. Fshati u kthye në “qytet”, por pa të drejta qytetarie. Tufëzimi, katastrofa më e madhe mbas luftës. Kush e bëri? Të gjithë e dinë! E kujt i duhet tani!? Mirë është të dihet të paktën se kjo për asnjë rast nuk ka ardhur nga Ministria e Bujqësisë, në një kohë që duhet të ishte ajo dhe vetëm ajo që të vendoste.  S’do koment.  Po, Partia “mbi të gjitha”. Episode të tilla ka patur shumë. Themie Thomai është ministrja e parë shqiptare që pas shumë dekadash realizoi vizitat e para në vendet perëndimore, ku është nderuar dhe pritur nga drejtues të lartë dhe homologë të saj. Në Itali nga takimet me drejtues të lartë si dhe autoritete të larta shkencore nisur edhe nga afërsia dhe kushte të përafërta u vendosen marrëdhënie bashkëpunimi në shkëmbim të përvojave prodhuese dhe në veçanti në fushën e shkencës. Projekte bashkëpunimi teknike u lidh edhe me organizatën më të madhe të ushqimit FAO. Drejtuesi kryesor, z. Eduard Sauma vlerësoi shumë arritjet e bujqësisë shqiptare, sidomos sistemimin dhe parcelimin. Themia mori vlerësime të drejtpërdrejta edhe nga ministri i Bujqësisë italiane, z. Pandolfi. Me interes ka qenë dhe vizita në vendin me bujqësi të zhvilluar, në Francë. Ndërsa ambasadori i Brazilit i akredituar në Romë në takim u shpreh se, ishte shumë i impresionuar nga  fushat e sistemuara që kishte parë në Shqipëri. Kur mori vesh se ajo drejtonte si ministre prej 13 vjetësh ai u shpreh: “Nuk është e lehtë të jesh ministre për një periudhë kaq të gjatë. Kjo tregon personalitet dhe karakter të fortë”.

Përgatiti: Loni ÇUKO

_____________________________________________________________________________________

SHPËRBLIMI QË I DHA PARTIA, PËRSËRI NGA KISHTE ARDHUR, NË LUSHNJË

Ministria Themie Thomai bashkë me zëvendësit u thirrën për të raportuar tek Ramiz Alia. Që në fillim ai i kërkoi një pakt Themies: të mos fliste, sepse donte të dëgjonte në fillim zëvendësit, për metodën dhe stilin e punës të Ministrisë së Bujqësisë. Dakord. Filloi biseda. Nga çasti në çast me ndërhyrjet e tij bëri që biseda të futej në “ullukun” e përgatitur. Në një moment të përshtatshëm për të, ai me buzëqeshjen e tij “kineze” iu drejtua ministres: “Besoj se do të jesh dakord që këtë bisedë ta zbardhim dhe t’ua  nisim dikastereve dhe rretheve”. Nuk kam kundërshtim”, e ndërpreu ministria, por le të vazhdojmë se nuk kemi mbaruar. Burokracia që me të “drejtë” po e theksoni, mendoj se fillesat i ka nga kjo godinë. Është një pjesë e nëpunësve tuaj, që shume herë me vend dhe pa vend, kërkojnë me dhjetëra e qindra të dhëna. Pra prandaj edhe unë do e shihja të drejtë qe kjo bisedë  të shkruhet e të dërgohet për t’u përgjithësuar. Ministria dhe zëvendësit u morën vesh shumë mirë vetëm me shikim. Ata e njihnin mirë eproren e tyre. Ajo bisede as u zbardh dhe as pa dritë. Por pikërisht ai që ishte më i interesuar për mbarëvajtjen e punëve e përparimin e vendit në një ditë të bukur e thirri dhe i komunikoi se partia  ka menduar që me përvojën e saj të kontribuonte në rrethin e Krujës, Beratit apo të Lushnjës. Përgjigja shkurt: Lushnja ka bërë shumë për mua, ndërsa unë nuk ja kam shpërblyer…