Terrori mbi ushtarakët, pas pushkatimit të ish-ministrit të Mbrojtjes

1395
Sigal

ARKIVA/ Letrat anonime pas ekzekutimit të Kadri Hazbiut për  implikimin në veprimtari armiqësore dhe  agjitacion të kundërshtarëve

Historia tragjike e diktaturës ndëshkoi jo vetëm anëtarët e Byrosë Politike, por edhe oficerët e thjeshtë. Këtu duhet thënë se vetë anëtarët e byrosë, gjatë ushtrimit të pushtetit, kishin urdhëruar qindra arrestime, por sipas traditës së diktaturave, një ditë u vinte radha edhe atyre. Kështu ndodhi edhe pas pushkatimit të Kadri Hazbiut dhe vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ata që spiunuan para pushkatimit të tij, shumë shpejt do ta kuptonin si në një ligj të pa shkruar se, u kishte ardhur radha të paraqiteshin përpara togës së pushkatimit, nga loja e spiunëve të rinj. Lojë e cila do të vazhdonte, në mënyrë mizore deri në fund të tiranisë komuniste. Shkresa e datës 12.12.1981. Kjo shkresë i dërgohet shokut Kadri Hazbiu, ku “kritikon për zbutje të luftës së klasave, sepse janë lejuar që djem të ballistëve të bëhen oficerë si p.sh (jepet informacioni ) për Nazif Habitin oficer në repartin X.

-Shkresa e datës 23.3.1981. Po për Kadri Hasbiun. Jepet informacion: “Është vajzë e një pensionisti, i cili më parë ka qenë oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Myzejeni ….7 muaj më parë ka qenë e fejuar me një oficer R.S, por kohët e fundit u martua me një vajzë tjetër e cila nuk ka qëndrim të mirë moralo-politik”.

-Shkresa e datës 19.4.1984. Shoku Ministër …. “Quhem Mereme…Kam qenë e martuar me oficerin A.B. Unë para ca muajsh jam martuar përsëri. Atij nuk i takon të banojë në Tiranë, as nga biografia e tij, sepse kemi mësuar se ka një dajo të pushkatuar nga Partia”.

-Shkresa e datës 19.11.1981. Shoku Ministër… “Para disa kohësh ju pata dërguar juve personalisht, një letër në të cilën kisha denoncuar veprimtarinë armiqësore që ndodhnin në shtëpinë time, nga nëna e dy djemtë e saj (të cilët i ka me burrin e saj). Letra ime drejtuar juve dhe dosje E.M., ndodhet në drejtorinë e…tek shoku R.N. Më kërkuan në punë shoku T.J. dhe një tjetër. Më pas i vazhdova lidhjet e rregullta me shokun R.N. Ku i dërgoja vazhdimisht informata rreth këtij problemi. Për një kohë shumë të shkurtër ky veprim i imi u mor vesh, nga nëna dhe djemtë e saj duke më shprehur që përse i ke dërguar letër Ministrit etj.., për këtë arsye ata deshën të më zhduknin duke më hedhur nga ballkoni. Pyeta shokun R.N se si është e mundur, nga e kanë marrë vesh këta njerëz veprimin tim, njëkohësisht e njoftova për rrezikun tim që më priste. Dola dëshmitare për armikun T.S. Shoku i ngushtë i E.M. Atëherë, ajo duke më konsideruar si armiken e saj, vendosi të hakmerrej në format nga më të ndryshmet. Çfarë më bën mua E.M, meqenëse burri i dytë i saj d.m.th. babai im është njeri i urtë, dhe do të më mbajë mua si vajzë të vetme së bashku me burrin tim në shtëpi, nuk mund të tregoj veçse me gojë kur t’ju takoj. Prania ime në shtëpinë e babait tim e pengon atë për të vazhduar punën e saj. Përsëri dhe për këto pika vete shumë gjatë në letër. Shoku ministër, mua më duken të dëmshme këto veprime ndaj dhe denoncova, për t’i ardhur në ndihmë shtetit, por jo për të vuajtur unë… Jam tepër e tronditur. Ju lutem më ndihmoni. Përshëndetje revolucionare, I.M.

Porosia e Ministrit, dhënë: sekretarit të K.P. (shokut A.V.), shefit të sigurimit (shokut Ç).

“Me sa duket çështja që ngre kjo shoqe kërkon kujdes nga Sigurimi dhe Komiteti i Partisë sepse kjo ka qenë denoncuese dhe ka dalë dëshmitare. Çështja do parë në kompleks, bile dhe në lagje. Veprimet duhen bërë me kujdes me këtë shoqe dhe të bisedoni me të për hollësi të tjera. Në fund më thoni”. Data 20.11.1981. Në vazhdim të porosisë: “Shoku Kadri, për sqarimin e çështjeve që trajton në letrën e saj shoqja I.M, pasi morëm takim me të unë dhe shoku Ç, biseduam edhe me kryetarin e komitetit ekzekutiv nr 3, kryetarin e frontit të kësaj lagjeje. Shoku Ç. mori të dhëna, gjithashtu nga drejtoria e Tiranës. Morëm takim edhe me drejtorinë e repartit ku ajo punon. Nga gjithë këto takime rezulton: E ëma jo vetëm që ka mbajtur qëndrim të keq moral, por është implikuar në veprimtari armiqësore; agjitacion e propagandë.

2-Vetë I.M është martuar me S.K. që është demaskuar për veprimtari armiqësore.

3- E ëma e I.M. E.M ka lindur në Greqi, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1944. Ai është martuar dy herë, me gruan e parë ka dy djem B.Ç dhe R.K. (ka mbajtur mbiemrin e E.M.) B.Ç është këshilluar për Agjitacion e Propagandë. Gruaja e R. ka qëndrim të keq politik.

4- Marrëdhëniet e I.M me E.M nëna e saj, janë tronditur rëndë pasi kjo (e ëma) erdhi nga Greqia në mars të vitit 1949. Gjatë bisedës që u bë doli se “e ëma solli plaçka, asaj nuk i dha gjë”. Për këtë arsye u trondit dhe kjo marrëdhënie.

5-Nuk doli gjë tjetër veçse “hakmarrje”. Me kaq u mbyll kjo praktikë pune. Shkresa e datës 28.7.1981. “Ju dërgojmë letrën që i drejton shokut Enver, i quajturi L.K.”

Pa dashur të zbulojmë gjithçka po mbartim vetëm motivet e largimit nga puna të L.K.

“Në lidhje me letrën që L.K. i dërgoi shokut Enver, po e sqarojmë si më poshtë: Që nga viti 1977 dhe në vazhdimësi shokët e organeve të Sigurimit, na kanë sugjeruar me kohë, duhen larguar nga uzina duke u nisur nga përbërja e tyre politike dhe në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave numër 283 datë 8.7.1976.(sekret) ku përcaktohen kriteret që duhen të ndiqen, për ata punonjës që punojnë ose që kanë të bëjnë me nëndetëse, katra silirues dhe anije të tjera. Për këto probleme disa herë e kemi biseduar me sekretarin e parë të Partisë së rrethit të Vlorës, shokun Gaqo Nesho dhe më vonë me shokun Sul Bahollin, të cilët na kanë këshilluar që këto të mos bëhen më fushata, por sipas rrethanave duke u siguruar punë më parë e të tjera porosi. Në këto takime kanë qenë sekretari i Komitetit të Partisë, drejtori i uzinës dhe shefi i Sigurimit i repartit X”.  Problemi i L.K. në muajin janar të vitit 1981, nga shokët e Sigurimit i pranishëm ka qenë dhe një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u shpreh se “neve i urdhërojmë, por i’u sugjerojmë që ai duhet të largohet nga uzina për mosplotësimin e kushteve politike”. Mbi këtë bazë e të tjera vendosëm që L.K të largohet nga puna. Për këtë arsye në datën 5.2.1981 u thirr L.K. në drejtori ku ishin të pranishëm shefi i kuadrit, shefi i repartit, brigadieri i tij dhe ju komunikua lëvizja tij, duke e pyetur më parë nëse qëndronin çështjet që ngriheshin në adresë të tij për anën biografike. Mbasi ai i pranoi të gjitha, neve i thamë se duke filluar nga data 9.2.1981. do të punonin në Ndërmarrjen Bujqësore “Rinia”, për këtë shkonin në Këshillin Popullor të qytetit për të marrë fletën e punës. L.K nuk ishte dakort me largimin por edhe për punë sipas porosisë tonë nuk u paraqit asnjëherë në këshill, duke menduar se do të kthehej në uzinë. L.K për biografinë e tij thotë se ka vetëm xhaxhanë e gruas kulak dhe dajën e vjehrrit armik.

SIGURIMI

Të dhënat e Sigurimit për L.K. janë si më poshtë (të datës 3.2.1981).

1- L.K ka grua të bijën e H.M. me përbërje dhe me qëndrim aktual të keq politik.

2- Xhaxhai i gruas A.M. është aktualisht kulak dhe banon në Dukat, vëllai i gruas është në Dukat dhe quhet M.H. është bari, me qëndrim të keq politik aktualisht.

3- Gruaja e L.K. ka patur burrë halle M.K. i pushkatuar më 1949.

4- Kushërinjtë e saj janë H.S.M. Që të tre me qëndrim e përbërje të keqe politike.

5- M. i dënuar me 12 vjet burg për tentativë arratisje.

Të dhënat e nxjerra nga karakteristikat që i ka bërë organizata bazë e Partisë në fshatin Dukat janë si më poshtë:

-Vjehrri i tij është vëllai i A, dhe i S.M. ku A, është armike e Partisë dhe e shtetit qysh gjatë luftës NÇL. Prej vitit 1952 e në vazhdim është cilësuar kulak. Kështu rreshtohen dhjetëra të dënuar deri tek kushëriri i 3-të i gruas së tij, si armiq të P.P.SH-së. Duke krahasuar ato që thotë L.K. (vazhdon letra) me ato që jep Sigurimi dhe organizata bazë e partisë së fshatit, del se nuk ka vetëm xhaxhain e gruas dhe dajën e gruas, por edhe të tjera rrethana dhe ajo që për vete ishte shkaku që u bindëm pse duhet larguar. Patjetër duke mbajtur lidhje dhe do të bisedohet, midis të tjerave edhe për punën. Neve kaq kemi mundur të verifikojmë dhe kaq kemi dhe nga shokët e Sigurimit, po qe se L.K. di të tjera pse nuk informon Partinë, por rri dhe hesht. Vetë L.K. nga ana e tij rrethanat i ka të mira dhe për këtë nuk i ka thënë njeri gjë. Mundet që ne t’i vinim ndonjë motiv tjetër për ta larguar, por ai përsëri, po të njëjtën gjë do të bënte, do të shkruante, do të ankohej, etj… Ne menduam më mirë ta dijë vetë kush është. Dhe pse ndodhi kështu prandaj L.K., nuk e hodhi çështjen ne gjyq, por do që ta zgjidhë me anë të letrave. Si konkluzion ju themi se largimi i L.K. nga uzina është i bazuar, i studiuar, i konsultuar dhe me organet kompetente të Sigurimit, prandaj ai duhet të shkojë në punë atje ku është caktuar.