Tenda e Qypit, flakë e kuqe, heroizmi i Zylyftar Veleshnjes

297

 

Në kulmin e betejës Zylyftar Veleshnjes ju thye një këmbë Iljaz Sevranit i kishin thyer nofullën, komandantit një këmbë

Nga Enver CAKAJ

Nga lartësia e 75-viteve vjen një thirrje: “Mos na i laturisni historinë!”Kush thërret kështu? Janë 17- dëshmorët e Tendës së Qypit, që bëjnë apel. Ata thërresin edhe nga varret: “Mirë që luftuat kundër nesh e vendit tuaj, po mos na i lëndoni eshtrat! Gojën e Tendës së Qypit nuk mund ta mbyllni dot, sepse atje ka ende gjak e plumba.” Tenda e Qypit do të flasë në jetë të jetëve, sepse atje zërat dalin nga dheu i lyer me gjak të pastër. A i keni parë shkurret dhe lulet e Qafës së Sofiut, poshtë Tendës së Qypit? Ato as thahen, as vyshken, sepse janë vaditur me gjak. Dhe ai gjak e ruan vlagën përjetësisht.
Dimri, varfëria dhe lufta ishin bërë tok. Djemtë e nënave i lanë rrobat e ngrohta dhe u bënë abeti. Ku vajtën e pse ikën? Nëpër natë trokitën nëpër dyert e njëri-tjetrit dhe mëngjesi i gjeti të mbledhur në Qafën e Liqedhit. Aty do të krijohej Grupi i Tretë i Skraparit. Atdheu kishte nevojë edhe për krismat e pushkëve të tyre. I lanë nënat se u kishte thirrur nëna e madhe. Të thirrurat e të trokiturat nëpër dyer e kishin humbur funksionin, fjalën e kishin pushkët. Nënat e baballarët donin të dinin, se ku vajtën djemtë e tyre, po ku të pyesnin e ku të vinin. Në vend të përgjigjes u vajtën këto vargje:
Ti baba i dashur,
Në ke mall për mua,
Djalin tënd kërkoje,

Gjurmëve të tua.

Po lufta kishte befasitë e saj. Askush nuk të lajmëron, se një ditë të bukur do të jesh përballë vdekjes. Baballarët e tyre e kishin mbushur me gjurmë patriotizmi Shqipërinë. Djemtë ishin atje ku kërcisnin pushkët. Luftën e kishte marrë përsipër një brez tjetër. Çobançe e partizançe luftuan e drejtuan formacione të tëra luftarake. Armiku të del atje ku nuk e mendon. Po edhe djemtë e nënave dinin të godisnin atje ku nuk e mendon. Por ata u ndeshën edhe me ca antishqiptarë, që të quajtur ballistë, hidhnin parulla poshtëruese për ato vajza nënash që mbanin fronte të tëra vetëm. Ata ndyrësira u thoshin partizanëve kur shikonin vajzat të qëllonin kundër tyre: “A i keni marrë maternitetet me vete?!”Ato bashkë me djemtë e nënave luftonin si motra e vëllezër edhe pse në kushte shumë të vështira, sepse udhëhiqeshin nga i njëjti ideal. Nuk kishin shkollë ushtarake, por kishin një akademi të fshehtë brenda shpirtit të tyre, që i mësonte për të mos e lëshuar atë tokë që i ushqente me bukë.

Le të ishin rripçina, ata dinin t’i detyronin malet që t’u jepte ato që u duheshin. Por fillimisht ato rripçina u duheshin për të rrëmbyer atë më kryesoren, lirinë. Aty luftuan Vaip Gogo, Demir Nuellari, Haki Kapaj, Myrteza Braçaj, Xheladin Beqiri, Mitat Goxhi, Njazi Çepani, Iljaz Sevrani, Refail Rozani, Sotir Bulgareci, Ago Topulli, Sulo Buxheli, Gani Agolli, Mario Kronika, Ali Zaimi, Ilmi Halili…Ajo luftë nxori disa heronj të popullit. Që andej lart nga Tenda e Qypit vinin thirrje të tjera:
Frici do Përmetin,
Me gjak e me dhëmbë.
Po ku çahen malet,
T’i mbash nënë këmbë?
Ç’ishte ky që kërkonte Përmetin? Gjermanët kërkonin të bënin komandë në të gjithë vendin si ta kishin mallin e baballarëve të tyre. Po këta djem që braktisën shtëpi e katandi përse kanë dalë maleve? Një re e zezë me ushtarë të armatosur rëndë u panë tek zbrisnin nga Dëvria me drejtim Përmetin. Por djemtë edhe pse sa ishin organizuar u betuan me pushkë dhe këngë:
Bijt’ e gjalmëzezës
Që presin beharin.
Ta hedhin mbi krye,
Si granatë malin.

Betimi u bë me pushkë në dorë. Atë mizëri ushtrie do ta ndalnin për të kaluar Tendën e Qypit ai grup i vogël partizan dhe banorët e fshatrave përreth. Me plumba, me gurë e ç’t’u ndodhej do t’i hidhnin mbi atë re të zezë. Fillimisht do të qëllonin mbi kafshët e ngarkuara me municion pastaj s’do t’i kursenin plumbat mbi nazistët. Nuk mbahej ushtria, po nuk mbaheshin as Vaip Gogo , Zylyftar Veleshnja, Iljaz Sevrani, Njazi Çepani…Në çdo pozicion kishte nga një Vaip Gogo, që në mes të dëborës e plumbave iu bllokua mitralozi dhe me ato duar të ngrira e vuri në punë. Gjak e djersë tok i përzjeu, /Ashtu siç e desh Atdheu. Ikën vite dhe pinjollët e ballit na i quajtën miq pushtuesit! Miq që të vrasin e të djegin. Po Tenda e Qypit vazhdon të flasë shqip:
Pyesni baballarët tuaj,
Ç’domethënë mik i huaj?
Mik i mirë është babai
.
Gjallë a vdekur gjermanët s’duhet ta kalonin Tendën e Qypit. Partizanët nuk lëviznin nga pozicionet, por edhe gjermanët nuk po ndaleshin. Të gjithë shtrirë mbi dëborë. Nuk po merrej vesh, mish apo metal e kishin trupin ata djem, që nuk pyesnin as nga dëbora e ngrirë, as nga breshëria e predhave gjermane. Në kulmin e betejës pushka e Zylyftar Veleshnjes nuk po ndihej. Çfarë kishte komandanti i grupit? Pas tij pushoi dhe pushka e komisarit të grupit Iljaz Sevrani. Grupi mbeti pa udhëheqje. Komisarit i kishin thyer nofullën, komandantit një këmbë! Në mes të plumbave, në mes të dëborës, mjeku vajti me të shpejt te Zylyftari. Ai urdhëroi ta nxirrnin nga luftimi, po Zylyftari nuk pranoi. Kërkoi t’i shpinin një letër e laps. Shokët ja shpunë me nxit e kujtuan se do të linte amanetet dhe i thanë: “Ç’bën kështu, o Zylyftar?”Ai i shikoi me një sy qortues, po dhe u foli: “Nuk u thirra të më ngushëlloni, po më sillni një letër të bëj planin e luftimeve!” Mjeku kishte diktuar këmbën e sakatuar dhe urdhëroi ta shpinin nëpër spitalet partizane më të afërta. Atëherë për herë të parë atij burri ui ranë lotët mbi dëborë e gjakun e derdhur: “Kështu e bëre, o doktor? Si mund ta lë grupin vetëm? Unë e di se mjeku i rikuperon njerëzit dhe i hedh në luftë, kurse ti më nxjerr në këtë qamet”. Shokët vajtën ta merrnin, Zylyftari u nervozua! “Kush e bëri këtë punë kështu e thirri mjekun në mes të luftës?” Me kokën nga Tenda e Qypit, ku vdekja ishte ulur këmbëkryq, udhëtonte drejt spitalit partizan të Zabërzanit, por ishte e pamundur rikthimi në luftë. Ai do të kalonte detin e kufirin shqiptar për t’u mjekuar në Ostum të Italisë. Në mes të detit iu kujtua viti 1920, kur lundronin italianët e përzënë nga partizanët shqiptarë. Tani ikte ai, po jo si humbës. Edhe pas largimit të tyre nga luftimet djemtë nuk e ulën ritmin e luftimeve. Korrierët ishin nisur me nga një copë letër në dorë, ku shënohej: “Brigadës së Parë ku të jetë!” Po ku ishte Brigada?

Lufta kishte arritur pushkë për pushkë. Gjermanët po përparonin drejt Tendës së Qypit. Por në çast u dëgjua boria e partizanit Haki Kapaj dhe një thirrje e fuqishme “Përpara partizanë!” Një batalion i Brigadës së Parë Sulmuese me Mehmet Shehun në ballë u fut në luftime. Kaq duhej, që djemtë e grupit të Skraparit të merrnin frymë lirisht. Beteja u ashpërsua e gjaku nuk po kursehej. Ato rrëketë, që zbrisnin ujë tatëpjet po shpinin vetëm gjak. Hakiu nisi t’i binte bories, por zëri iu ngjir. Një plumb nazist e kishte qëlluar drejt e në fyt. Boria në luftë të vret më shumë se plumbat. Tre ditë luftë, 17-bij nënash mbetën në atë shpat me dëborë të ngrirë!

Tenda e Qypit mbeti e paprekur. Atje është ngritur një lapidar, por ai nuk mund të tregojë dot të gjithë ato heroizma të partizanëve dhe gjakun e tyre që derdhën. Për të treguar historinë e asaj lufte duhet të ngrihen qindra lapidarë që në Vëndreshë e deri në Liqedh. As vargjet e kësaj kënge nuk mund ta tregojnë dot taktikën e kësaj lufte dhe gjakun e derdhur në ato anë:
Fric si nuk ja njihke,
Shpirtin Shqipërisë?
Në djepin e shpatës,
Është vështirë të rrish.
Përse dridhej toka,
Cili ra i pari?
Dhanë përgjigje malët:
Refail Rozani.
Cili qe i dyti,
Nëpër breshëri?
Sotir Bulgareci,
Një skifter i ri.
Tani lumenj gjaku,
Derdhen që nga malet,
Nënës Shqipëri,
Ti sjellin beharet.
Ç’u ngrite kështjellë,
Para historisë,
Tendë e Qypit, moj,
Shpatë e trimërisë.