Të rënët në detyrë: Lapidar nderi dhe krenarie për efektivin e Gardës së Republikës

81
(Bisedë me familjen Mino në fshatin Vërri të Fierit)

Safet N. RAMOLLI
Sa arritëm tek shtëpia e familjes Mino, pasi dhamë urimin “Mirë se u gjetëm!” morëm në çast përgjigjen: “Mirë se na ardhët!”

– Kemi detyrim moral për Ju, sepse biri Juaj dhe shoku ynë Ardian, përbën krenari, por edhe dhimbje për Ju dhe për ne, – i thamë. – Nëse dëshironi, ne duam të bisedojmë me Ju, sepse ju kemi ndër familjet e nderuara për efektivin e Gardës së Republikës, – vijuam më tej bisedën. Dhe pas kësaj, natyrshëm lind një ndjenjë malli e përzier me dhimbje, sepse na kujton një ngjarje, që, edhe pse ka dhjetë vjet që ka ndodhur, nuk mund të shlyhet nga kujtesa dhe zemra e këtyre prindërve të mirë, por edhe tona. 

– Jemi të interesuar të dimë diçka më shumë për familjen Tuaj, nga vini? Cila është e kaluara e Juaj? 
Edhe pse i mbingarkuar me mall e dhimbje, më tepër kurajoz tregohet xha Spirua, që fillon rrëfimin, të cilin do ta hedh në letër sa më pranë asaj që ai u shpreh.

– Unë jam i datëlindjes 7 shtator 1941. Ne jemi të ardhur në këtë fshat shumë vite përpara. Gjyshi ishte nga fshati Ndërnenas. Në kohën e zizë mua më vdiqën prindërit, dhe ashtu i mbetur jetim u sistemova në familjen e Pilo Minos, këtu në Vërri me të cilët jam rritur. Nga ata kam trashëguar edhe emrin dhe mbiemrin. Këtu mua më thonë Pilo Mino dhe jo Spiro, por në fakt më quajnë Spiro Karroqe. Isha vetëm trembëdhjetë vjeç kur më vdiqën prindërit. Arsinoja, bashkëshortja ime, është nga fshati Bishqem i rrethit Lushnjë. Kemi krijuar familjen në vitin 1966 dhe na janë lindur tre çuna, nga të cilët më i madhi ishte Ardiani, i cili lindi në vitin 1968, por e pati jetën të shkurtër. Por, shyqyr prej Zotit se kemi edhe dy çuna të tjerë, të cilët ndodhen në Itali. Që të dy janë martuar me vajza shqiptare nga krahina e jonë. Agimi ka një vajzë, Alesia ia ka vënë emrin. Shpresojmë që të shtohemi me nipër e mbesa të tjerë, por zor se mund të na i zëvendësojnë Ardianin, -përfundon gati i përlotur xha Spirua. 

– Duke ju kërkuar ndjesë, që po ju rikujtoj një plagën Tuaj të dhimbshme, në emër të efektivit të Gardës dua të di diçka më shumë për Ardianin, djalin tuaj të dashur, shokun tonë të mirë. Si ka qenë në vogëli, si sillej me vëllezërit dhe me shokët, si shkonte me mësime? 
Dhe xha Spirua gjen kurajën të kujtojë vogëlinë e Ardianit, ta risjellë atë ashtu sikurse ka qenë vite të shkuara.- Ishte fëmijë i mbarë, i urtë…Nuk bënte kurrë prapësi… Me vëllezërit ishte shumë i dashur, por edhe me shokët në mëhallë dhe në shkollë nuk ngatërrohej kurrë… Mësonte mirë. Mbaroi edhe shkollën e mesme për zooteknik në vitin 1983-1987, ja kam edhe fletë-lavdërimin e shkollës…

Dhe kërkon në tufën e dokumenteve të ndryshme, që i ruan si relike të shtrenjta të djalit të tij. Pasi e gjen, na i ve në dorë. Në dokumentin shkollor midis të tjerash thuhej : “… dallohet në aksione dhe në veprimtari jashtëshkollore”. Një Fletë-Lavdërimi, e cila siç do të shoh edhe më vonë, do të shoqërohet nga disa të tjera. Në një bllok shënimesh, të cilit do t’i referohem disa herë, sepse prej atij mësojmë rreth formimit dhe botës shpirtërore të Ardianit, midis të tjerash shprehej se, kishte 48 shokë klase, të cilët kryesisht ishin nga zona e Fierit dhe Beratit, por më pak kishte edhe nga zonat e tjera. Për të mësuar diçka më shumë rreth jetës së Ardianit, e pyes se ku e kreu shërbimin ushtarak, si i lindi mendimi që të bëhej ushtarak i karrierës. Dhe xha Spirua i ndihmuar edhe nga Arsinoja, gërmon në kujtesë për të më thënë diçka .

– Ardiani në vitin 1988 u thirr të kryente shërbimin ushtarak. U tregua i gatshëm ta mbaronte sa më parë atë, dhe e përfundoi në vitin 1989. Edhe ne e mbështetëm mendimin e tij, sepse është një detyrë që e kryejnë vetëm djemtë, të cilët pas kësaj thirren burra. Shërbimin ushtarak e kreu në repartin 2360 në Llakatund të rrethit Vlorë. Ardiani në vitin 1990 u vesh nënoficer aktiv. E nxiti për këtë një Andon Dhama. Në fillim shërbeu në një Repart Special, pastaj erdhi në Gardë, deri në ditën që u nda nga kjo jetë… Ishte shumë i rregullt, vinte çdo javë na takonte. Edhe shokët i deshte shumë..

Kur xha Spirua vijonte rrëfimin, shoku im më afroi një bllok shënimesh. Ja çfarë lexova tek ai për Ushtrinë: “Ardiani ishte efektiv i Togës së Pestë së bashku me tridhjetë shokë. Ata ishin thuajse nga gjithë krahinat. Por me rëndësi gjykoj faktin që ata i kishte me adresa të sakta: 2 ishin nga Tepelena, 5 nga Korça, 2 nga Skrapari, 2 nga Shkodra, 3 nga Berati, ashtu sikurse të tjerët ishin nga Lushnja, Fieri, Saranda, Erseka, Elbasani etj. Kishte të shënuar të gjithë emrat e shokëve të togës së tij. Kështu Ardian Kulloli ishte nga Vaqari, Arben Ajçe nga Bilishti, Gëzim Hoxholli nga Këmbëthekri, Arben Gjyli nga Sukthi, Dedin Stërkaj nga Kopliku, Lulëzim Muço nga Rikaj i Kavajës, Blendi Baruti nga lagjia 7 në Korçë… Pra ai i kishte shokët nga e gjithë Shqipëria dhe mbante koorenspodencë të rregullt me disa prej tyre. Kështu p.sh në një letër, që i dërgonte Shpëtim Baruti më dt. 21 prill 1990, shkruar në orën 2.00, midis të tjerash thuhej: “I dashur shoku im Ardian Mino… Jam mirë me shëndet, shërbim ushtarak dhe me shoqëri… Zër shoqëri të re, mos harro të vjetrën… Jam përgjegjës roje… Ti ke filluar punë…”

Në dokumentet që i administronte me dhembje e merak familja Mino ishte edhe një dëshmi ku shkruhej: “Pjesëmarrës në Paradën Ushtarake të 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut e të fitores së Revolucionit Popullor”. Kjo dëshmi mbante datën 29 nëntor 1989 dhe ishte firmosur nga Ministri i Mbrojtjes të Popullit të asaj kohe. Por edhe në të tjera relikte, që ruan familja e Ardianit, mund të mësojmë se ishte njeri me interesa të ndryshme. Kështu ai e donte futbollin. Në bllokun e shënimeve ishin shënimet për Kampionatin Botëror të atij vitit… Kishte dëshirë të mësonte edhe gjuhë të huaja, prandaj në bllok kishte mjaft fjalë dhe shprehje nga gjuha italiane… Në bllok edhe një numër telefoni: 00112622412 në Tiranë, … një numër telefoni që heshti përgjithmonë… 

Ja si e kuptonte njërën nga komponentët përbërës të moshës së tij: “… dashuria i ka rrënjët në zemrën e njerëzve dhe ushqehet me gjakun e tyre”. Ose “Kur dy gurë rrokullisen, mos hyrë në mes të tyre se është rrezik”. Më tej , “Ai që dashuron sado pak, shkon nga kjo botë i pakënaqur dhe në errësirë”. 

Nga ato pak shkrime, por edhe nga pohimet e prindërve, mësojmë se Ardiani kishte një vajzë xhaxhai, të cilën e donte si një motër. Quhej Lindita, ishte studente në Fakultetin e Mjekësisë në kohën që Ardiani ishte me shërbim në Tiranë. Por edhe ajo ka pasur të njëjtin fatalitet si Ardiani: edhe pse vetë ishte mjeke vdiq kur ishte vetëm 25 vjeçare.

Mandej unë u interesova se si e mori lajmin e hidhur dhe si e përjetoi familja Mino atë. Përsëri i përlotur xha Spirua fillon e tregon: – Lajmin na e dha Artur Karroqe, i cili ishte polic në Fier, ku edhe kishte marrë vesh për një makinë të Gardës që ishte rrëzuar, për disa të plagosur dhe për Ardianin që ishte në gjendje të rëndë, por që mua nuk më tingëlloi mirë kjo. Me djalin, Agimin, shkova në Fier. Ishte një tragjedi e vërtetë, kur pashë shokët e tim biri të plagosur, të tronditur, por edhe që më treguan të vërtetën… Pastaj gjithçka shkoi siç ndodh në kësi rastesh… U varros me ceremoni të madhe, im bir u përcoll për në banesën e fundit me breshëri armësh nga shokët e tij… 

Ato ditë ka pasur përkujdesje nga drejtuesit e Shtetit dhe nga Komanda e Gardës. Kështu më dt. 29 mars më dërgoi një telegram ngushëllimi Presidenti i Republikës, në të cilin thuhej: “Me hidhërim të madh mësova për vdekjen aksidentale në krye të detyrës të djalit tuaj dhe shokut tonë Ardian”. Po këtë ditë më dërgoi telegram ngushëllimi edhe ministri i Rendit Publik, i cili më drejtohej me këto fjalë: “Djali i Juaj i dashur shërbeu vërtet për një kohë të shkurtër në Gardën e Republikës, por u shqua për ndershmëri, për gatishmëri e guxim, tipare të cilat bënë që ai të gëzojë dashuri e respekt e të mbetet i paharruar në kujtimin e shokëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur”. Po ashtu më 10 maj 1993, drejtori i Drejtorisë së Personelit-Organizimit të Ministrisë së Rendit Publik më shkroi këtë letër : “Në qoftë se djali i Juaj i plotëson kriteret sipas ligjit “Për Policinë e Rendit”, të paraqiteni pranë Degës së Rendit Fier për punësimin e tij , me drejtuesit e së cilës kemi biseduar për këtë problem”. Për të gjitha këto edhe ne familja e Ardianit, falënderuam drejtuesit për pjesëmarrjen në hidhërimin tonë dhe për ngushëllimet që na adresuan.

Në shënimet e mija për ngjarjen në fjalë kam shënuar shkurtimisht: “Nënoficer Ardian Spiro Mino, nga fshati Vërri i rrethit Fier, aksidentuar me makinë me pasojë vdekjen e menjëhershme. Kthehej nga shërbimi me presidentin e Republikës nga Saranda e Gjirokastra. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Qafë-Lalaj” në afërsi të Patosit më dt. 28.03.1993. Varrimi u bë më 29.03.1993 në fshatin e lindjes. La në pikëllim dy prindërit dhe dy vëllezërit”.

Mandej unë i rikujtova familjes Mino, se në fund të vitit 2001 në Gardën e Republikës u përurua një Memorial për të përjetësuar veprën dhe heroizmin e gardistëve të rënë në detyrë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe xha Spirua me dajën e Ardianit. Si edhe disa nga familjarët e tjerë, atë ditë xha Spirua u shpreh edhe sa vijon: “… Vlerësoj sakrificat e shokëve të birit tim, edhe humanizmin tuaj… Jam i qetë sepse do të pi një kafe me shokët e djalit tim. Ndihem i qetë sepse po e shoh me sytë e mi, që djali im, Ardiani, është edhe pjesë e juaj”.

Por sot Ai shprehet edhe sa më poshtë : “Nuk mund të më shlyhet nga kujtesa kur një nga familjarët e të rënëve në krye të detyrës, me sa mbaj mend u shpreh : “Ju kryet një veprim human e fisnik, duke kujtuar shokët Tuaj dhe familjarët Tanë… Këtë copë truall ne do ta kemi edhe më të shtrenjtë, sepse kemi njerëzit e shpirtit tonë, por u kemi edhe Juve”. Unë jam i moshuar dhe nuk mbaj mend më shumë”, – përfundoi xha Spirua.

Ndoshta, edhe për ta ngushëlluar e çova më tej bisedën duke i kujtuar se, në rrugën 75-vjeçare Garda e Republikës ka të rënët e saj në krye të detyrës apo për shkak të detyrës. Çdo njëri prej tyre është një gur i rëndë në Lapidarin e Lavdisë së Saj. Nga dhjetori i vitit 2001, ata do të jenë të përjetësuar në Memorial, i cili simbolizon krenarinë juridike, morale e qytetare të Gardës së Republikës; ashtu sikurse përjetëson sakrificën sublime që kryen paraardhësit e brezit të tanishëm. Është kjo arsyeja që këtë Memorial ne e quajmë: 

– Memoriali i Dhimbjes!!! – Memoriali i Nderit! – Memoriali i Lavdisë! – Memoriali i Trimërisë! – Memoriali i Obligimit!

Po, Memoriali i Përkushtimit, si një motiv i ri më shumë për të përmbushur detyrën kushtetuese me çdo kusht e çdo sakrificë. Sakrifica e shokëve tanë, por edhe apeli i familjeve të tyre, do të jetë një apel-kushtrimi për efektivin e Gardës së Republikës, për të përmbushur detyrat… Më tutje, jo vetëm si një detyrim moral por edhe juridik, i kujtova familjes Mino se, më 24 qershor 2003 Garda e Republikës do të kremtojë 75-vjetorin e Krijimit të saj. Ajo ka një rrugë të gjatë të përshkuar. Efektivi i Gardës krenohet me kontributin që kanë dhënë gjithë brezat e kaluar. Ajo krenohet sidomos me ata që kanë rënë në krye ose për shkak të detyrës. Kemi dëshirën dhe kënaqësinë t’Ju kemi në këtë ditë të veçantë. Ju kështu do të keni një rast të mirë të shikoni se si i vlerësojmë ne shokët e rënë, por edhe mund të çmalleni duke parë djalin Tuaj në Memorial. Ç’mendim keni për këtë? Këtë dëshirë xha Spirua e priti me kënaqësi. Ai do të jetë i mirëpritur bashkë me të tjerët.