TË PATHËNAT PËR FILMIN SOVJETO-SHQIPTAR “SKËNDERBEU”

3774
Nga Spiro Mëhili
Xhirohet filmi i parё Sovjeto-Shqiptar “Skёnderbeu” shkëputur nga libri “Arti i Shtatë në Tiranë” i autorit Spiro Vasil Mëhilli
Në prill të vitit 1949, një delegacion i Qeverisë tonë me në krye Enver Hoxhën shkoi në Moskë. Vet kryetari i delegacionit, më 4 prill i bëri kërkesën e më poshtme Ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS96.
“Delegacioni Qeveritar Shqiptar, i cili aktualisht ndodhet në Moskë, duke i shprehur Ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS nderimet e tij, ka nderin të bëj të ditur sa më poshtë:
Qeveria Republikës Popullore të Shqipërisë duke dashur të bëj një film artistik mbi jetën e heroit kombëtar të popullit shqiptar, mbi SKËNDERBEN, dhe mbi luftën e popullit të saj kundër okupatorëve otomanë, i lutet Qeverisë së BRSS të ketë mirësinë të pranojë që ky film të realizohet nga kinematografia sovjetike dhe me pjesmarrjen e artistëve sovjetikë.
Duke marr parasysh sa më sipër, Qeveria Republikës Popullore të Shqipërisë i lutet Qeverisë së BRSS që mundësisht brenda vitit 1949 të dërgohet në Tiranë një shkrimtar sovjetik, i cili në bashkëpunim me personat dhe institutet tona përkatëse, të paraqesi libretin në bazë të të cilit do të bëhet filmi i përmendur më sipër. Me këtë rast lutemi pranoni nderimet tona të sinqerta”.
Kryetari Delegacionit Qeveritar Shqiptar
Kryeministër i Republikës Popullore Shqiptare
Enver Hoxha.
Në mars të vitit 1953, erdhi në vendin tone grupi artistik i kinematografisë sovjetike i filmit Skënderbeu, i kryesuar nga regjisori Sergei Jutkeviç, i cili në një rreth të ngushte kishte deklaruar se nuk kishte dëshirë të drejtonte xhirimin e këti filmi; Akaki Horava, Artist i Popullit, dekoruar me 2 urdhëra “Lenin” dhe 5 herë lauruar me çmimin “Stalin”, Deputet i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, Drejtor i Teatrit “Rustaveli” të Tbilisit; Veriko Adzhaparidze, Artiste e Popullit, tri herë lauruar me çmimin “Stalin”; shoqëruar nga artistë dhe grupi i xhirimit. Ata u pritën në portin e Durrësit. Bashkë me regjisorin Jutkeviç, asistentin Viktor Stratobërdha dhe aktorët, erdhën edhe 6 kuaj të bardhë. Fatkeqësisht kali që do të ishte për të kalëruar heroi ynë, ngordhi, kështu që Akaki Horavës iu desh të përdorte një kalë tjetër. Nё film janё pёrdorur karrige origjinale tё kohёs sё Skёnderbeut, tё dhuruara nga njё familje nё Mirditё. Pjesa më e madhe dhe kryesore e filmit ishte xhiruar në B.S. Në vendin tonë do plotësohej filmi me pjesёmarrjen e artistëve tanë si dhe do përpunohej varianti i dublimit të filmit në shqip, në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Skenari ishte i Mihail Papavas. Spektatori shqiptar mezi priste ta shikonte heroin e tij kombëtar në ekran, kur tentativat e para nga italianët kishin dështuar. 

Në 8 nëntor 1953, para se të shfaqej filmi “Skënderbeu”, në Moskë105 Sergei Jutkeviç pa dublazhin e filmit që erdhi nga Tirana. Përfaqësuesi ynë, Mihali, informonte me dokumentin Nr. 1223: “Jutkeviçi nuk është aspak i kënaqur”. Sipas thënies së tij: “dublazhi shqip i humb 50% të vlerës artistike origjinalit sovjetik”. Veçanërisht nuk është i kënaqur nga ai që zëvendësoi Horavën në rolin e Skënderbeut. Zëri i tij monoton nuk i përgjigjet as Skënderbeut, as Horavës (zëri ishte i Lec Bushatit. S.M.). Ai u shpreh kështu: “Po të isha unë qeveria shqiptare, nuk do ta pranoja variantin shqip, por do ta bëja dublazhin përsëri të Skënderbeut”. Ai propozoi Naim Frashëri qё mund ta dublonte shumë mirë Skënderbeun dhe atë, një tjetër. Megjithatë, duke marr parasysh skenarin, muzikën etj. filmi do të dali prapë i mirë. Dhe shokët tanë të kinematografisë që e panë, thonë se ka shumë ndryshime varianti rus me atë shqiptar. Për nisjen e tij nuk ka ndonjë ndryshim.

Në 28 Nëntor 1953, njëkohësisht në kinematë kryesore të Moskës dhe në Kinematë “17 Nëntori” e “Republika” në Tiranë, u dha premiera e parë e filmit “SKËNDERBEU”. Tek ne u cilësuar me të drejtë, film i madh artistik me ngjyra. Të shumtë ishin shkrimet e botuara në gazeta, ku njerëz të ndryshëm shprehnin mendimet e tyre për filmin e parë artistik pas çlirimit me temë shqiptare dhe realizuar nga një bashkëpunim i frutshëm i “MOSFILMIT” dhe Kinostudios “SHQIPËRIA E RE”. Ja disa nga titujt e gazetave:

“Filmi Skënderbeu është një kryevepër e kinematografisë sovjetike”. Këto fjalë i tha Bedri Spahiu, anëtar i Byrosë Politike. Nuk mund ta kuptoj sesi u shpreh kaq pa përgjegjësi një pushtetar i rangut të lartë. Peshën kryesore në film e mbanin producentët sovjetikë, por konsulent nga ana historike ishte prof. Aleks Buda; pёr tekstin, Llazar Siliqi; pёr muzikёn, Çesk Zadeja; piktor i filmit, Stavri Rafael; kostumografe, Gjinovefa Heba; baletmaestёr, Panajot Kanaçi, si dhe Ansambli i Valleve Popullore. Regjisor i dytё, Viktor Stratobёrdha. Nё role kryesore, pёrkrah atyre sovjetikё si Akaki Horava (Skёnderbeu); S. Sokolovski (Hamzai); Veriko Andexhaparize (Dafna); Papazjan (Sulltan Murati); Zhakov (Tanush Topia), etj, interpretonin dhe artistët tanë të shquar si Naim Frashëri (Pali), Mihal Popi (Ballaban Pasha), Besa Imami (Donika Kastrioti), Adivie Alibali (Mamica), Loro Kovaçi, Ndrek Shkrezi, Mihal Stefa, Marie Logoreci, Sokrat Miho, Stefan Pali, Kadri Roshi, Aleko Sokoli, Zef Jubani, Llukё Kaçaj, Jani Nano, Kristantho Kotmilo, etj.

“Realizim i shkëlqyer i artit kinematografik sovjetik”,- u shprehën kompozitorët Kristo Kono, Mustafa Krantja, Baki Kongoli, kur kolegu i tyre Çesk Zadeja kishte hedhur në pentagram suitën e kthimit të Skënderbeut në Krujë.

“Një film i madh me ngjyra për të kaluarën heroike të popullit tone”.
“Filmi Skënderbeu, shkollë e vërtetë për aktorët tanë”. 
“Ne falenderojmë nga zemra Bashkimin Sovjetik”. 
“Një provë tjetër e miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike”.
“Një dashuri e gjallë e së kaluarës tonë heroike”.
“Ashtu siç e përfytyroja Skënderbeun, ashtu e pashë në film.
“Falenderojmë partinë dhe Bashkimin Sovjetik”. 
“Simbol i miqësisë së përhershme”. 
“Dhuratë e çmuar e miqësisë së madhe”. 
“Udhëheqës dhe politikan largpamës”,- u shpreh Zihni Sako.
“Interpretim i shkëlqyer”. 
“Populli krijoi heronjtë dhe historinë e tij”. 
“Luftëtar i madh shqiptar”. 
“Arrita dhe unë ta shoh Skënderbeun” (Plak 80 vjeç nga Kruja). 
“Filmi Skënderbeu vepër e madhe edukative”. 
“Nuk kam si ta tregoj gëzimin tim”. 
“Mburremi që mbajmë emrin e Skënderbeut”. 
“Na shton edhe më tepër dashurinë për atdheun”. 
“Zemra m’u bë mal”.

Ç’është e vërteta, filmi “Skënderbeu- Luftëtar i madh i Shqipërisë”, për herë të parë në vendin tonë, u shfaq në Qytetin “Stalin”, ku ekzistonte një lagje e tërë me specialistë sovjetikë, që punonin në fushën e naftës, në prodhim dhe në institute studimore. Thuhet se kanë qenë rreth 350 familje sovjetike. Midis tyre ndodhej dhe një azerbaixhanas me emrin Muhamet Behov, ish-veteranë i Partisë Komuniste Sovjetike, shokё i Leninit, profesor nё Universitetin “Lomonosov” nё Moskё dhe Kryeinxhinier nё sektorin e naftёs nё vendin tonё. Vetё ishte mysliman, ndёrsa e shoqja, Zinaida, ishte ortodokse ruse. Ata festonin si Bajramin ashtu dhe Krishtlindjet e Pashkёt. Ai në marrëveshje me Ambasadën Sovjetike në Tiranë, solli nga Moska, filmin dhe aktorin kryesor, Akaki Horavën. Aktori dhe filmi erdhën me avion në aeroportin e Rinasit, dhe prej andej, po me avion, në Qytetin “Stalin”. Filmi u shfaq dhe të nesërmen Akaki Horava u largua për në Bashkimin Sovjetik. Ai nuk u ndodh në Tiranë më 28 Nëntor, ditën e promovimit. Në Moskë, filmi u shfaq në disa kinema, dhe për dy javë nuk mund të siguroje bileta. Aq simpati krijoi figura e Skënderbeut, sa fëmijët kur loznin shpatash, ndaheshin në dy grupe, si zakonisht, dhe mundoheshin kush e kush të ishte Skënderbeu.

Më 4 prill 1954 “Zëri i Popullit” njoftoi se një ditë më parë, “më 3 prill 1954, në Kanë është duke u zhvilluar Festivali 7 Ndërkombëtar i Filmit. Delegacioni sovjetik përbëhej nga G. Aleksandrov, Lubov Orlova, Sergei Jutkeviç, Akaki Horava, Klara Luçko dhe Litvinenko. Gazeta lokale “Le Patriotë” shkruan: “Interpretim i shkëlqyer i Skënderbeut nga Akaki Horava, shfaqje e mirë e aktorve të tjerë, muzikë e shkëlqyer dhe teknikë e lartë”.

Interesant ёshtё fakti, se, sikundёr thonё A. Fortuzi dhe F. Sllatina, filmi “Skёnderbeu” u paraqit nё emёr tё Shqipёrisё, ndёrsa kinematografija sovjetike me njё film tjetёr, mbasi nё Festivalin e Kanёs ato vite, njё shtet nuk mund tё paraqitej me dy filma.

Më 10 prill, nga Parisi u dërguan dy njoftime413,414: “Filmi “Skënderbeu” në Festivalin e Kanës pati sukses. Filmi u shfaq më 26 mars. Vetëm delegacioni italian iku nga salla. Çmimi i madh iu dha filmit japonez “Porta e ferrit”. “Skënderbeu” dhe disa filma të tjerë morën çmimin Internacional. Ai mori çmimin e parë si regjisurë, Jutkeviçi, dhe çmimin e parë teknik nga komisioni i lartë teknik i kinemasë përsa i takon ngjyrave. Përpara fillimit të festivalit ambasada turke në Paris kishte protestuar pranë jurisë që filmi mos të shfaqej. Jehona e tij ishte e madhe. Tri shoqëri franceze kanë kërkuar 40 ose 50 kopje që të shfaqet filmi në Francë, dublazh frëngjisht. Italia kërkon ta blejë me kusht që të bëhen disa shkurtime”. 

Përsa i përket pretendimeve nga pala turke, ishte mëse e natyrshme, pasi shteti turk akoma pretendon dhe dëshiron që Gjergj Kastriotin ta quaj turk dhe bile për atë çka bëri, e konsideron tradhëtar të atdheut, pra të Turqisë, dhe arshivat e tij janë të mbyllura për figurën e heroit tonë Kombëtar. Edhe pretendimet e palës italiane, kanë lidhje me pjesët e ndërhyries së Venetikut në politikën tonë të asaj kohe.

Më 13 prill 1954, në Paris, Shoqata e Miqësisë Francë-BRSS, shfaqi në Teatrin e Madh të Shans Elizes filmin “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, ku mori pjesë dhe Sekretari i Partisë Komuniste Franceze, Zhak Dyklo dhe personalitete të shumtë të artit e të kulturës.

Më 24 prill 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi kolektivin që mori pjesë në realizimin e filmit “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”: 
me Urdhërin e Klasit I: Mihail Grigoreviç Papava (skenarist), Sergei Josifoviç Jutkeviç (regjisor), Akaki Aleksejeviç Horava (aktori në rolin e Skënderbeut); 
me Urdhërin e Klasit II: Evgjeni Nikollajeviç Andrikanis, G.V.Sviridov; 
me Urdhërin e Punës së Klasit I: Simon Grigorieviç Sokollovski, Vladimir Romanoviç Sollovjev, Nikollai Aleksandroviç Levkojev; 
me Urdhërin e Punës së Klasit II: Boris Aleksejeviç Volski, Mihail Sergejeviç Çikirjev, Ollga Simonovna Kruçinina, V.K.Breances; 
me Urdhërin e Punës së Klasit III: Aleksei Ivanoviç Niekrov. 
Me Urdhërin e Punës së Klasit I: Shemsi Xhemil Totozani, Aleks Taqi Buda, Besa Ferit Imami, Çesk Rrok Zadeja, Llazar Risto Siliqi, Mihal Jorgji Popi, Naim Servet Frashëri, Viktor Sotir Stratobërdha;
me Urdhërin e Punës së Klasit II: Frano Mark Jakova, Sofokli Taqi Buda, Shyqyri Tahir Behri, Andrea Stefan Mëhilli, Adivije Haki Alibali; 
me Urdhërin e Punës së Klasit III:Gjenovefa Heba, Stavri Kristaq Rafail, Selman Vaqari, Lec Luigj Bushati, Kadri Maksut Roshi.
Me Medaljen e Punës: Llukan Stefan Tako, Gjergj Spaso Zagora, Matish Shiroka, Zef Jubani, Besim Avdul Levonja, Ndrek Palok Shkjezi, Krisanthi Llambi Kotmilo, Aleko Gorçi Skali, Lec Pjetër Shllaku, Ndrek Mark Luca, Llazar Filip Çurnaçi, Sandër Jovan Prosi, Behije Ahmet Çela, Gjon Simon Karma, Pjetër Gjok Gjoka, Mihal Dhimitër Stefa, Sokrat Miho, Loro Gjon Kovaçi, Spiro Urumi, Raqi Jankulla, Andrea Sotir Minga, Stefan Palok Pali.
Çuditёrisht aktorja Variko Andexhaparize, qё interpretoi me mjaft vёrtetёsi rolin e Dafnas, nuk u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Nga mesi i muajit maj, filmi “Skënderbeu”, u shfaq me sukses në Budapest.
Më 23 qershor, (Z.P. Nr. 148), bëri të ditur se shtypi francez dhe italian nëpërmjet gazetave të shumta, midis tyre të datës 29 mars 1954, nën titullin “Skënderbeu, kryevepër e re e kinematografisë sovjetike”, shkruanin: 

Rezhis Berzheren, i “HUMANITE”: “Skënderbeu bëri përshtypje të madhe nga bukuria e ngjyrave të filmit, nga cilësia e vënies së tij në skenë, nga ndjenjat që e frymëzojnë, nga fuqia e jashtëzakonshme e subjektit të tij dhe skenave që janë paraqitur”. 

Koziragi i “UNITA”: “Skënderbeu që u shfaq natën e dytë të festivalit meriton çmimin e madh. Është një film me ngjyra me 12 kapituj. Janë të 12 fazat themelore të jetës së heroit që nga fëminia e princit të vogël Gjergj Kastriotit, që ia rrëmbyen familjes së tij dhe e shpunë në Turqi që të bëhej Jeniçer i Sulltanit, gjer në pleqërinë e pamposhtur të prijësit. Skënderbeu ndaloi turqit të mos invadonin Italinë që ata kishin në mendje”.

Por çfarë ndodhi mё vonё me filmin Skënderbeu? Ai u ndalua të shfaqej në vendin tonë për dy arësye bajate: e para, sepse ishte prodhim i përbashkët me sovjetikët, që tradhëtuan Marksizëm-Leninizmin, dhe e dyta, sepse merrnin pjesë dy persona të padëshirueshëm, asistent-regjisori Viktor Stratobërdha, që ishte dënuar për shkak të qёndrimit qё mbajti nё Konferencёn e Tiranёs nё vitin 1956 dhe Adivie Alibali, sepse i shoqi, Jusuf Alibali, jurist, publicist, poet, historian dhe pedagog i Fakultetit të Drejtësisë, jo vetёm qё kishte studjuar në Moskë dhe mbulonte faqen mbi politikën e jashtme në gazetën “Zëri Popullit” dhe pёr pasojё ishte cilësuar intelektual liberal, por se kishte lidhje dhe me Fadil Paçramin. Qёndrimi armiqёsor ndaj tij shtohej sepse dy vëllezër të tij, Xhevati, ish-oficer, u dënua me grupin e Beqir Ballukut, dhe Ylli, studjuar në Poloni i martuar me polake, jo vetёm qё punonte në Ministrinë e Tregtisë, por “i shkonte nga mbrapa” ministrit Kiço Ngjela.

Kuriozitete mbi filmin: 
1-Në skenar ishte dhe një pjesë ku Skënderbeu (Akaki Horava) do të puthte Donikën (Besa Imamin), por ajo nuk pranoi. 
2- Më 8 korrik 1936, kampioni i tenisit shqiptar Sali Nallbani u ftua në Stokholm dhe u ndesh me kampionin e Suedisë, Stellan Crammer, të cilin e mundi, duke marr çmimin e nderit të propozuar nga Kryekonsulli i Shqipërisë në Stokholm, Franklin Gardlund. Kur u kthye në Shqipëri, kupa u ekspozua te pallati Kacelve në qendër të Tiranës, në vitrinën e rrobaqepësisë së Gjon Lacajt. Aty gjatë xhirimeve të filmit ishte shpalosur Flamuri Kombëtar dhe mbi të, kupa. Ishte ajo Kupë të cilën Akaki Horava përdori gjatë xhirimeve në filmin Skënderbeu.
3- Në një nga tre fushat e “Tenis Klub Nallbanit”, aty ku tani ndodhet rruga Myslym Shyri, Akaki Horava ka luajtur tenis në kohën e lirë. 
4- Në mjediset e Kishës së Shën Prokopit, u xhiruan ato pjesë që lidheshin me Venetikun.
5- Numrat në teks lidhen me burimet nga janë marrë. Të interesuarit mund të shfrytëzojnë librin ese “ARTI I SHTATË NË TIRANË”, botim i vitit 2011. 
Sigal